Tag: tumoret

  • Mjeku jep lajmin e keq: Tumoret janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme

    Mjeku jep lajmin e keq: Tumoret janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme

    “Tumoret janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme”. Kështu u shpreh mjeku Besnik Jakaj, i ftuar në studion e e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2 CNN. 

    “Për fat të keq janë shtuar shumë. Për fat të mirë, ka edhe një përgjigje shkencore të jashtëzakonshme. Një pjesë e madhe e tumoreve, nëse kapen në stadin fillestar, bëhet trajtimi i duhur dhe bëhen si gripi. Janë të kalueshme. Fokusi i shëndetësisë, i investimeve dhe burimeve njerëzore, duhet të jetë te ato sëmundje që janë rritur dhe janë bërë më problematike. Regjistri digjital të bën planifikimin strategjik. Duhen studiuar shkaqet dhe efektet që na dërgojnë në sëmundje të caktuara”, tha Jakaj. 

    Sipas tij, “buxheti po rritet në mënyrë të vazhdueshme, por nuk adresohet siç duhet”. 

    “Nëse buxheti i Onkologjikut është rritur me 20% për shembull, nuk kemi studime me sa janë rritur sëmundjet tumorale. Sepse mund të jenë rritur me 40% dhe rritja është e pamjaftueshme”, shpjegoi më tej mjeku. 

  • Valët zanore që shkatërrojnë tumoret, mënyra që po revolucionarizon mjekësinë

    Valët zanore që shkatërrojnë tumoret, mënyra që po revolucionarizon mjekësinë

    E lindur pothuajse rastësisht në laboratorët e Universitetit të Miçiganit, teknika e histotripsisë, e cila përdor valë zanore me frekuencë të lartë për të shkatërruar tumoret, po ndryshon mënyrën se si mjekësia i qaset kancerit, shkruan ilmessaggero.it.
    Kjo  metodë u zbulua nga Zhen Xu, atëherë një studente doktorature në inxhinieri biomjekësore, në fillim të viteve 2000.
    Ndërsa eksperimentonte me një metodë për të eliminuar indet e sëmura pa ndërhyrje kirurgjikale, Xu rriti frekuencën e ultrazërit për të zvogëluar zhurmën që shqetësonte kolegët e saj të laboratorit.
    Megjithatë, ky rregullim i thjeshtë e bëri trajtimin tepër më efektiv, pasi brenda një minute, një vrimë ishte formuar në indin e zemrës së një derri.
    “Mendova se po ëndërroja”, tha Xu, tani profesoreshë në Universitetin e Miçiganit.
    Nga ai zbulim i papritur, lindi histotripsia – një teknologji që, ndryshe nga ultrazëri tradicional, fragmenton tumoret duke përdorur mikroflluska që zgjerohen dhe shemben në mikrosekonda, duke e lënë sistemin imunitar të eliminojë mbeturinat.
    Në vitin 2023, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi teknikën për trajtimin e tumoreve të mëlçisë, dhe një studim i vitit 2024 i kryer nga HistoSonics, një kompani e themeluar për të komercializuar zbulimin e Xu-së, raportoi një shkallë suksesi teknik prej 95%.
    Efektet anësore të vëzhguara, duke filluar nga dhimbja e barkut deri te gjakderdhja e brendshme, janë të rralla dhe trajtimi konsiderohet përgjithësisht i sigurt.
    Në qershor 2025, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë evropian që miratoi përdorimin e tij klinik.
    NHS ka përfshirë histotripsinë në programin e saj të Rrugës së Qasjes në Pajisjet Inovative, i projektuar për të identifikuar teknologjitë e reja për nevojat klinike të pazbuluara.
    “Shumë njerëz e mendojnë ultratingullin vetëm si një mjet imazherie, por provat sugjerojnë se ai gjithashtu mund të shkatërrojë tumoret, të zvogëlojë metastazat dhe të përmirësojë trajtimet e tjera të kancerit, pa iu drejtuar kirurgjisë”, thekson Julie Earl, një studiuese në institutin ”Ramón y Cajal” në Spanjë.

  • Terapi premtuese në kombinim me vaksinën në luftën kundër kancerit

    Terapi premtuese në kombinim me vaksinën në luftën kundër kancerit

    Kompania gjermane BioNTech aktualisht po rrit shpresat me kombinimin e terapisë CAR-T cell me vaksinën ndaj kancerit CARVac.

    Rezultatet e para të hulumtimit tregojnë se tumoret mund të ndalohen nga rritja dhe ndonjëherë edhe të reduktohen. Sukseset e para janë shfaqur pas dy nga katër doza vaksinimi.

    Shumica e pjesëmarrësve në studim (59 për qind) kishin tumoret e tyre të zvogëluara me të paktën 30 për qind. Përveç kësaj, tumori ndaloi së rrituri pothuajse te të gjithë pacientët (95 për qind) pas vaksinimit.

    Ashtu si vaksina kundër COVID-19, edhe kjo vaksinë bazohet në teknologjinë mRNA. Kjo do të thotë që një proteinë e caktuar futet në qelizë, duke e lejuar trupin ta riparojë vetë.

    Vaksina e re u zhvillua nga një ekip i udhëhequr nga shefi ekzekutiv, Ugur Sahin – onkolog dhe imunolog dhe profesor Ozlem Tureci, bashkëthemelues dhe drejtor kryesor mjekësor në BioNTech.

    Deri më tani, 44 pacientë e kanë marrë atë në katër doza. Suksesi ishte veçanërisht i lartë pas dy dozave, pas katër dozave tumoret u reduktuan me të paktën 30 për qind në pak më pak se gjysmën (45 për qind), ndërsa kanceri u stabilizua te 74 për qind të të gjithë pacientëve. /Telegrafi/

  • Njollat e diellit dhe tumoret e lëkurës: si t’i dallojmë dhe si bëhet diagnoza

    Njollat e diellit dhe tumoret e lëkurës: si t’i dallojmë dhe si bëhet diagnoza

    Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit mund të shkaktojë njolla në lëkurë, të cilat mund të ngatërrohen edhe me dëmtime më serioze, përfshirë tumoret e lëkurës.

    Njollat e diellit dhe tumoret e lëkurës: si t’i dallojmë?

    Sidomos gjatë verës, nuk është gjithmonë e lehtë të kuptojmë shkaqet e njollave që shfaqen në lëkurë. Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) shkakton formimin e njollave të diellit, të cilat zakonisht nuk janë të rrezikshme dhe nuk kërkojnë trajtime të veçanta. Megjithatë, ato mund të ngatërrohen, ose madje të fshehin, me njolla shumë më shqetësuese, që mund të jenë dëmtime kancerogjene dhe të tregojnë për një tumor të lëkurës.

    Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të dallohen menjëherë, sepse njollat e diellit dhe tumoret mund të shfaqen edhe në të njëjtën zonë. Kjo ndodh sepse, sipas studimeve, njollat e diellit janë shenjë e dëmtimit të lëkurës nga dielli, dhe dëmtimi i qelizave rrit rrezikun për zhvillimin e tumorit. Për më tepër, njollat e diellit mund të fshehin dëmtime më të rënda dhe duhet të monitorohen me kujdes.

     

    Si duken njollat e diellit dhe ato të tumoreve?

    Njollat e diellit zakonisht kanë formë të rrumbullakët ose ovale, janë më të errëta se ngjyra natyrale e lëkurës dhe mund të jenë nga kafe e hapur deri në të zezë. Ndërsa njollat e tumoreve kanë formë jo simetrike dhe shfaqin një gamë më të gjerë ngjyrash: rozë, të kuqe, të verdha, kafe, blu ose të zeza.

    Njollat e diellit shfaqen kryesisht në pjesët e trupit të ekspozuara ndaj diellit, fytyrë, kokë, shpatulla, duar, ndërsa dëmtimet kancerogjene mund të shfaqen kudo. Ndryshe nga njollat e diellit, që janë pa dhimbje, tumoret mund të shkaktojnë kruarje, dhimbje dhe gjakderdhje përmes krijimit të skorjeve. Njollat e tumoreve mund të ndryshojnë shpejt në formë, madhësi, ngjyrë dhe trashësi, ndërsa njollat e diellit zakonisht mbeten të qëndrueshme me kalimin e kohës.

    Karakteristikat e ndryshme të tumoreve të lëkurës

    Karcinoma bazocelulare: Karakterizohet nga nyjet e vogla të kuqe ose rozë, zona blu, të zeza ose kafe, dhe njolla me skaje të ngritura që kruhen dhe mund të formojnë plagë gjakderdhëse.

    Karcinoma skuamoze: Shfaq njolla të kuqe ose më të errëta, me shkëlqim të ashpër, që rriten si një gërvishtje. Kjo plagë zakonisht nuk shërohet dhe mund të gjakoset. Nyjet janë gjithashtu të ngritura në skaje.

    Melanoma: Më e rrallë por më agresive. Për të njohur melanomën përdoret rregulla ABCDE:

    A (Asimetri): Njolla ka formë të parregullt, gjysma nuk i përngjan tjetrës
    B (Bordi): Skajet janë të çrregullta dhe të ndara
    C (Ngjyra): Njolla ka ngjyra të ndryshme
    D (Diametri): Njolla është mjaft e madhe
    E (Evolucioni): Forma e njollës ndryshon me kalimin e kohës

     

    Si bëhet diagnoza?

    Së pari, mjeku specialist do të ekzaminojë gjendjen e lëkurës dhe të njollës, duke bërë pyetje për simptomat për të krijuar një panoramë të plotë klinike. Nëse dyshohet për tumor të lëkurës, bëhet biopsia, marrja e një mostre të lëkurës nga zona e prekur për analizë laboratorike. Mjeku mund të përdorë edhe dermatoskopin, një aparat që lejon vëzhgimin e strukturave të brendshme të lëkurës, që nuk duken me sy të lirë.

    Në rast se biopsia tregon praninë e kancerit, mund të kërkohen edhe ekzaminime të tjera për të përcaktuar gjendjen e tumorit, si: ultratinguj, tomografi kompjuterike (TC), rezonancë magnetike apo PET, për të kontrolluar nëse ka metastaza.

    Në përfundim, është thelbësore të mbani nën vëzhgim çdo njollë në lëkurë dhe të kërkoni këshillën e mjekut për çdo ndryshim të dyshimtë. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të bëjnë ndryshimin jetik në trajtimin e tumoreve të lëkurës.

  • Tumoret në tru po kapen herët, Seferi: 400 raste në vit, është rritur jetëgjatësia e pacientëve

    Tumoret në tru po kapen herët, Seferi: 400 raste në vit, është rritur jetëgjatësia e pacientëve

    Rreth 350- 400 persona preken çdo vit nga tumoret ne tru, një shifër kjo që nuk ka njohur rritje si incidencë vitet e fundit por vijon të tingëllojë e frikshme si diagnozë në popullatë sa herë flitet për të.
    “Ne nuk kemi rritje të incidencës së tumoreve në tru. Tumoret në tru llogariten 10-12 për 100 mijë banorë në vit. Ideja e rritjes është krijuar për faktin se shkëmbimi I informacionit është shumë herë më i madh se vite më parë”, u shpreh Prof. Dr. Arsen Seferi, neurokirurg në QSUT.
    Ajo që është rritur është diagnoza e hershme e këtyre tumoreve, dhe kjo e ka një shkak.
    “Kjo i dedikohet në radhë të parë shpërndarjes  së një rrjeti neurologësh në të gjithë territorin që kanë kontakt të shpejtë me të sëmurin në simptomat e para dhe jo çdo lloj simptome që ka lidhje me sistemin nervor, është një simptomë e lidhur më tumorin”, tha Seferi.
    Neurokirurgu Arsen Seferi thotë se në 80% të rasteve dominojnë tumoret me natyrë jo të mirë.
    “Nuk them tumore malinje, sepse aktualisht me metodat e diagnostikimit dhe trajtimit është rritur ndjeshëm kohëzgjatja e të sëmurëve që vuajnë nga këto lloj tumoresh. Përpjekjet kryesore bëhen për heqjen e tyre në mënyrë që të ruhet cilësia e jetës. Nuk është e rrallë që pacienti t’i rikthehet trajtimit kirurgjikal, por gjithmonë qëllimi kryesor është të kronicizojmë një sëmundje, qoftë edhe tumorale”, u shpreh neurokirurgu.
    Tumoret nuk trashëgohen, por ajo që dihet me siguri është se këto sëmundje lidhen me ndryshimet gjenetike që fitohen gjatë jetës.
    “Nuk ka shkaqe të sakta për të thënë pse filan gjen apo kromozom, në një moment të caktuar e humb funksionin e tij kontrollues. Duke ndodhur kjo fillojnë ndryshimet brenda ambientit qelizor të qelizave të trurit dhe më pas fillon faza e manifestimeve klinike. Në rast se do të arrihej të kuptohej pse gjeni apo “x” kromozom krijoi anomali, atëherë, kjo do t’i hapte rrugën një mjekimi me bazë, që të arrihej të ndërhyhej në gjenin e dëmtuar”, tha Neurokirurgu Arsen Seferi.
    Ky mekanizëm ndodh për shkaqe të ndryshme, por “përgjegjësia kryesore bie mbi rrezatimin jonizues, që thuhet se është e vetmja gjë e njohur e akuzuar plotësisht”, tha Seferi.
    Ajo që mjekët sot po bëjnë më shumë siguri dhe forma inovative është rritja e jetëgjatësisë dhe cilësisë së pacientëve të prekur duke kronicizuar sëmundjen.
    “Ne jemi të kënaqur, sepse jemi aktualisht në një hap me kolegët tanë në Europë për sa i përket diagnozës dhe trajtimit të tumoreve”, tha ai.