Tag: tullë

  • “Rama si prestigjator!“ Binaj: U merr shqiptarëve 140 mln euro për incinerator, pa vënë asnjë tullë

    “Rama si prestigjator!“ Binaj: U merr shqiptarëve 140 mln euro për incinerator, pa vënë asnjë tullë

    Kandidati i pavarur dhe i mbështetur nga e gjithë opozita për zgjedhjet për kreun e bashkisë Tiranë, Florjan Binaj ka reaguar pas deklaratave të Edi Ramës ku ai e quante atë vetëm një aktor që të bën për të qeshur.
    “Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke ” i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë!”, shkruan Binaj. “Prestigjator!”, vijon ai në postimin e tij.
    Mesazhi:
    Aktori më i madh në Shqipëri është Edi Rama, që u merr 140 milionë Euro qytetarëve duke ” i bindur” se po bën incenerator pa vënë asnjë tullë! Prestigjator!

    Edhe pse është vetë artist, Rama e sumoi sot në podkastin e tij Florjan Binajn për faktin se është aktor, pasi sipas tij, “ka marrë rol, pasi aktorët këtë punë kanë”. Madje Rama i përmendi dhe pjesëmarrjen e Binajt në një kongres të PS-së të para shumë viteve.
    Duke mos pasur akuza apo dosje në SPAK si kandidatura e tij, Ogerta Manastirliu, Rama nuk ka se ku të kapet ndryshe me Florjan Binajn, përveç profesionit të tij.
    “Këneta është kaq e dëshpëruar sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjasme të pavarur që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë pa dallim, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste e ka shkrirë gazit, kur ka ardhur një herë për të luajtur rolin tim. Prandaj unë nuk e gjykoj, hiç fare, aktorin për rolin e ri që ka marrë se aktorët atë punë kanë, me role jetojnë.” – tha Rama.

  • Romeo Kara zbërthen tullë për tullë murin e aferave të Ilir Metës:Ja si e ndërtoi perandorinë e korrupsionit dhe pse…

    Romeo Kara zbërthen tullë për tullë murin e aferave të Ilir Metës:Ja si e ndërtoi perandorinë e korrupsionit dhe pse…

    Teksa dosja ndaj Ilir Metës ka kaluar për gjykim, juristi i njohur, Romeo Kara, i cili është edhe denoncuesi i hershëm i aferave korruptive të ish-presidentit, ka komentuar këtë zhvillim si një moment kyç në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT” Z. Kara tregon sesi Meta është kapur në rrjetën e transfertave bankare, kontratave fiktive dhe pasurive të fshehura, ndërsa thekson se askush nuk mund të fshihet më pas retorikës politike apo rolit të viktimës. Ai zbërthen tullë për tullë murin e aferave të ngritura ndër vite dhe ndalet në simbolikën e deklaratës për “Majën e Hekurave”, të cilën e konsideron një mesazh të dyfishtë: arrogancë apo sinjal arratisjeje. Madje për jursitin Romeo Kara, drejtësia nuk është më një spektakël, por një nevojë jetike për vendin.
    -Z. Kara, tashmë që dosja ndaj Ilir Metës ka kaluar për gjykim, ku të pandehur janë edhe bashkëshortja e tij, znj. Monika Kryemadhi, dhe vjehrra e tij, si e shihni këtë zhvillim, duke qenë një nga denoncuesit kryesorë të kësaj afere? Besoni se drejtësia do të shkojë deri në fund dhe do të ketë dënime për zullumet dhe abuzimet e pretenduara?
    Unë nuk e shoh këtë çështje si një fitore personale, por si një moment të rëndësishëm për drejtësinë dhe qytetarinë shqiptare. Gjatë më shumë se një dekade, kam qëndruar i palëkundur në denoncimet e mia publike dhe ligjore ndaj Ilir Metës dhe grupit të tij, përmes kallëzimeve të plota e të argumentuara me prova dhe dokumente zyrtare, jo me opinione apo insinuata. Fakti që SPAK ka mbyllur hetimin dhe e ka çuar çështjen për gjykim është një hap domethënës. Tashmë, fjala i takon drejtësisë gjyqësore. Nuk paragjykoj vendimin e gjykatës, por dua të theksoj se prova ka me shumicë. Janë përfshirë dokumente zyrtare nga CEZ, DIA, kompanitë e lobimit në SHBA, transfertat bankare, pasuritë e fshehura, kontratat fiktive – të gjitha këto janë të papërgënjeshtruara.
    Meta dhe të afërmit e tij nuk janë viktima të ndonjë komploti, por janë produkt i një sistemi ku korrupsioni është ushqyer dhe mbrojtur me vetëdije. Nëse Shqipëria ka ndonjë shans për të bërë drejtësi të vërtetë, ky është momenti i saj. Unë nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Edhe Meta, edhe Kryemadhi, edhe kushdo tjetër që ka shpërdoruar pushtetin, duhet të përgjigjet para drejtësisë, njësoj si çdo qytetar i zakonshëm. Kjo është ajo që kam kërkuar prej fillimit – dhe nëse kjo ndodh, nuk do të jetë një fitore e imja, por e popullit shqiptar.
    – Si e komentoni faktin që znj. Kryemadhi injoron SPAK-un dhe deklaron se do të bëhet bashkëpunëtore, ndërkohë që thekson se është e fokusuar tek aktrimi? Si e shihni këtë qëndrim në kuadrin e hetimeve dhe kërkesës për drejtësi?
    Deklaratat e Monika Kryemadhit se “nuk bëhem bashkëpunëtore e drejtësisë” dhe se “jam fokusuar tek aktrimi”, nuk janë as të çuditshme, as të padëgjuara më parë nga politikanë të korruptuar që ndihen të kapur në flagrancë. Ajo po e përjeton fundin politik dhe moral të saj me arrogancë dhe cinizëm, siç e ka bërë gjithë jetën politike, por duhet ta dijë se, drejtësia nuk është teatër dhe aktorllëku nuk e mbron më nga llogaridhënia. Kjo arrogancë ndaj institucioneve të drejtësisë nuk është forcë, por shenjë frike dhe mosrespektimi për qytetarët që janë varfëruar nga makutëria dhe cinizmi i saj politik.
    Kur një ish-kryetare partie, bashkëshorte e një ish-presidenti, përballet me prova për pastrim parash, për fshehje pasurie dhe për afera ndërkombëtare të lobimit me para të pista, përgjigja e vetme serioze duhet të ishte: “bashkëpunim, ndjesë publike dhe dorëheqje nga çdo përfshirje politike”. Edhe pse Kryemadhi zgjedh batutën si mbrojtje, bashkëpunimi me drejtësinë nuk është çështje vullneti, por detyrim ligjor. Kush mendon se, mund të tallet me drejtësinë, e ka shumë gabim. Nëse SPAK dhe gjykata bëjnë punën e tyre me integritet, as Monika Kryemadhi, as askush tjetër nuk do të shpëtojë me aktrim, sepse ky vend ka nevojë për të parë njerëz me pushtet që mbajnë përgjegjësi për pasurinë e vjedhur dhe jo për shoë televiziv. Unë kam qenë i pari që kam denoncuar me emra, me data, me dokumente, jo me insinuata. Këta njerëz duhet të ndalojnë së trajtuari këtë popull si budalla. Ata që e shkatërruan këtë vend, nuk mund të tallet më me drejtësinë e re.
    – Si e komentoni deklaratën e zotit Meta, që thotë se stërvitet çdo ditë për të ngjitur majën e hekurave? A mendoni se ky është një sinjal i mundshëm për një përpjekje për arratisje?
    Deklarata e Ilir Metës se “po stërvitem çdo ditë për të ngjitur Majën e Hekurave”, në një moment kur ai, bashkë me bashkëshorten dhe të afërm të tjerë, është nën akuzë nga SPAK dhe çështja sapo ka kaluar për gjykim, është një provokim politik, një mesazh i dyfishtë dhe një tallje e hapur me drejtësinë dhe opinionin publik. Kur një njeri që po përballet me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie flet për ngjitje majash, nuk është se po na frymëzon me ndonjë pasion për alpinizmin. Jo, ai po luan një rol, rolin e viktimës politike, të rebelit që do t’i shpëtojë sistemit që po e “persekuton”, ose më saktë po lëshon sinjale arratisjeje të mundshme. Ai nuk e ka për herë të parë zotimin publik se do bëjë çudira si “ Mbrojtja e Kushtetutës duke prerë duar” dhe do të rikthehet prapë si Kryeministër dhe më pas si President kur të jetë 80 vjeç.
    Për Ilir Metën, “Maja e Hekurave” nuk është një destinacion turistik apo sportiv, por një simbolikë: ose për t’u dukur trim përpara ndjekjes penale, ose për të relativizuar seriozitetin e dosjes ndaj tij. Sidoqoftë, populli shqiptar nuk ka më nevojë për batuta dhe metafora alpine. Ai ka nevojë për drejtësi. Në vend që të ngjisë maja të hekurta, Meta duhet të përballet me malet e dosjeve që kanë për të në SPAK dhe të japë llogari për çdo qindarkë të vjedhur dhe për çdo vendim që ka marrë në dëm të shqiptarëve. Kjo histori e çuditshme shqiptare ku politikanët sillen si showman ndërsa janë të pandehur për krime të rënda, duhet të marrë fund.
    Intervisoti: Rigels Seliman