Tag: tubim

  • Në Nish bëhen përgatitjet për tubimin e Vuçiçit, në Suboticë për protestën studentore

    Në Nish bëhen përgatitjet për tubimin e Vuçiçit, në Suboticë për protestën studentore

    Pushteti në krye me Partinë Progresive Serbe ka organizuar të shtunën një tubim në Nish, qytetin e tretë më të madh në juglindje të Serbisë. Në tubim pritet të flasë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
    Njëkohësisht, në Suboticë, në veri të Serbisë, studentët po organizojnë një protestë disaorëshe.
    Vuçiç më herët kishte paralajmëruar se në tubimin në Nish do të prezantohen disa anëtarë të Lëvizjes për popullin dhe shtetin, formimin e së cilës pushteti e kishte paralajmëruar më parë.

    Është njoftuar gjithashtu se në tubim do të marrin pjesë edhe “disa miq nga jashtë”.
    Përkrahësit e tij në këtë tubim i ka ftuar edhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq.
    Tubimi në Sheshin e Mbretit Milan në Nish po mbahet megjithëse Komuna e Medijanës në Nish, e vetmja në të cilën SNS-ja nuk është në pushtet, një ditë më parë ka urdhëruar që të hiqet skena, pasi organizatori nuk ka dorëzuar dokumentacionin përkatës për leje.
    Ndërkohë, një grup studentësh në Nish ka paralajmëruar se gjatë ditës do të organizojë protesta në disa lokacione, ndërsa tubimi qendror do të mbahet në Sheshin e Mbretit Aleksandër, disa qindra metra larg nga tubimi i pushtetit.
    Po të njëjtën ditë, studentët në Suboticë organizojnë protestë për, siç kanë bërë të ditur, “një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë”.
    Protesta me titullin “Në Suboticë jemi të gjithë” është njëra nga të shumtat që organizohen nga studentët të cilët që nga fundi i nëntorit 2024 po i mbajnë fakultetet në bllokadë, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga rrëzimi i një strehe në Novi Sad.
    Studentët kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e personave nga rrëzimi i strehimit në Stacionin Hekurudhor të sapo rinovuar në Novi Sad. Tragjedia ndodhi më 1 nëntor.
    Ata gjithashtu kërkojnë të ndiqen penalisht përgjegjësit për sulmet ndaj tyre dhe qytetarëve të tjerë gjatë protestave.
    Pushteti, me në krye presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se kërkesat e studentëve janë përmbushur. Studentët dhe opinioni akademik e hedhin poshtë këtë si të pavërtetë./rel

  • Në Beograd nis tubimi treditor i mbështetësve të pushtetit

    Në Beograd nis tubimi treditor i mbështetësve të pushtetit

    Mbështetësit e pushtetit në Serbi më 11 prill kanë nisur tubimin “Ne nuk heqim dorë nga Serbia” që është thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
    Tubimi treditor në Beograd nisi në kulmin e protestave studentore që po mbahen tash e disa muaj në Serbi.
    Përveç Vuçiqit, në tubim ishin të pranishëm edhe kryeministri në largim, Millosh Vuçeviq, dhe ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq dhe figura të tjera politike.

    Vuçeviq tha në tubim e Serbia i ka mbijetuar rrëzimit të pushtetit dhe se të gjithë, së bashku me presidentin në krye, po luftojnë që të mbajnë nxënësit në klasa, në amfiteatër dhe punëtorët në fabrika.
    Ndërkaq, Daçiq tha se ky tubim është tubim i Serbisë që “dëshiron të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe shtetërore”.
    Policia ka dalë në rrugë për të ofruar siguri gjatë tubimit dhe disa qytetarë më herët gjatë së premtes i shkruan letra Vuçiqit dhe thanë se po i bashkohen “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që raportuan nga terreni.
    REL-i bisedoi me qytetarët që nënshkruan aplikimin për anëtarësim në një pikë të ngritur në Beograd, duke i pyetur pse po anëtarësohen në këtë lëvizje të Vuçiqit.
    “Sepse e dua Serbinë”, tha Millan Lonçar, duke shtuar se ai nuk është anëtar i partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe, por është mbështetës i Vuçiqit.
    Përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi vazhdimisht i kanë cilësuar si “revolucion shumëngjyrësh” protestat që studentët po organizojnë tash e disa muaj.
    Studentët po bllokojnë edhe fakultetet dhe po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad nëntorin e vitit të kaluar. Studentët protestues kanë thënë se nuk duan të negociojnë me Vuçiqin për kërkesat e tyre sepse ai nuk ka autoritet që t’i plotësojë ato.
    Më 8 prill, Vuçiq ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin, që do të nisë më 11 prill dhe do të zgjasë deri më 13 prill. Ftesën për tubim ai e bëri në emër të lëvizjes që sapo ka formuar të quajtur “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin”.
    Vuçiq, një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe, disa herë kishte njoftuar për themelimin e kësaj lëvizjeje.
    Tubimet nga 11 deri më 13 prill mbahennë kohën kur për muaj të tërë Serbia po përballet me protesta masive të organizuara nga studentët, që po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë në Novi Sad.
    Vuçiq ka deklaruar se në tubimet e “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin” do të paraqesë kushtet e tij “që janë në përputhje me Kushtetutën”.
    “Kërkesat janë serioze dhe do të paraqesin vullnetin e njerëzve të përgjegjshëm në shtetin tonë, vullnetin e shumicës në Serbi”, tha ai përmes një postimi në Instagram.
    Përveç qytetarëve, ai ftoi edhe “të gjitha partitë politike dhe lëvizjet” që të bashkohen në tubim.
    Disa grupe mbështetësish janë nisur në këmbë për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Vuçiqi – një grup është nisur nga Novi Sadi, dhe një tjetër grup i serbëve nga Kosova janë nisur drejt Beogradit.
    Ata thanë se duan ta mbështesin Vuçiqin, por edhe të kundërshtojnë studentët që po bllokojnë fakultetet dhe që të kthehen në mësim.
    Kundërshtarët e studentëve protestues e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”. Ata kanë ngritur tenda në një park në qendër të Beogradit, që gjendet afër Presidencës serbe. Këta studentë që po protestojnë në Parkun Pionieri, kanë hedhur poshtë pretendimet se protestat e tyre janë organizuar nga Qeveria serbe./REL