Ekzekutimi mafioz i gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka tronditur themelet e sistemit gjyqësor dhe ka detyruar qeverinë të rishikojë urgjentisht masat e sigurisë për funksionarët e drejtësisë që përballen çdo ditë me dosje të rënda kriminale. Vetëm disa ditë pas atentatit që ndodhi brenda sallës së gjyqit, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një vendim të ri, që zgjat dhe fuqizon masat mbrojtëse për drejtuesit e institucioneve kyçe të drejtësisë së re. Sipas vendimit të publikuar, drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) do të shoqërohen nga truproja të armatosura të niveleve të ndryshme jo vetëm gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, por edhe për një periudhë shtesë pas përfundimit të tij, deri në 3 vjet për drejtuesin e SPAK dhe 2 vjet për GJKKO e BKH. Por ajo që bie në sy është fakti se ai që përfiton është Altin Dumani.
Nëse shohim vendimin e vjetër dhe atë të ri, kreu i GJKKO dhe ai i BKH e kanë po dy vite ruajtjen pas largimit nga detyra. Ndërkohë për Dumanin është rritur nga 2 në 3 vite. Duhet theksuar se në tetor Altin Dumani ikën nga kjo detyrë. Ky vendim vjen në një kohë kur vetë trupa gjyqësore ka ngritur zërin për mungesën e mbrojtjes në gjykata dhe mungesën e infrastrukturës minimale të sigurisë. Rasti Kalaja u cilësua si “një akt ekzekutimi i pastër mafioz brenda shtetit” nga kolegët e tij dhe nga organizata të shoqërisë civile. Në shumë raste, gjyqtarë dhe prokurorë të dosjeve sensitive janë shprehur privatisht se ndihen të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj hakmarrjeve.
Si ishte VKM:
“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të Gjykatave Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit të tij”.
Si u ndryshua:
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT, TË NDRYSHUAR”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 3 e vendimit nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
Ngarkohen drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, njoftoi dje qeveria.






