Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA)-agron bushati
TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati. Vendimi u mor nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz, relatorja Albana Shtylla, dhe anëtarët Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo.
Sipas njoftimit zyrtar të Kolegjit, çështja ka të bëjë me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili kishte vlerësuar më herët subjektin e rivlerësimit Bushati. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Njoftimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 53/2023, datë 09.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Agron Bushati.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Agron Bushati. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.







