Pas përplasjeve të reja në kufi, ku Tajlanda ka nisur sulme ajrore ndaj Kamboxhias, vëmendja është përqendruar tek balanca ushtarake mes dy vendeve. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Tensionet janë rritur që nga muaji i kaluar, kur Tajlanda pezulloi masat e de-përshkallëzimit pasi një ushtar tajlandez u gjymtua nga një tjetër incident me mina tokësore, të cilat Bangkoku thotë se janë vendosur rishtazi nga Kamboxhia. Por Kamboxhia i mohon akuzat.
BUXHETET DHE PERSONELI TOKËSOR
Në një shkrim të publikuar sot nga Reuters, thuhet se Kamboxhia kishte një buxhet mbrojtjeje prej 1.3 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe 124 mijë e 300 trupa aktive ushtarake. Forcat e armatosura u krijuan në vitin 1993 nga bashkimi i ushtrisë së mëparshme komuniste të vendit me dy ushtri të tjera rezistence.
Ushtria është forca kryesore me 75 mijë ushtarë, mbi 200 tanke dhe rreth 480 armë artilerie.
Ndërsa Tajlanda, e cila klasifikohet nga SHBA-të si një aleat kryesor jo-anëtar në NATO, ka një ushtri të madhe dhe mirë të financuar, me një buxhet mbrojtjeje prej 5.73 miliardë dollarësh në vitin 2024 dhe mbi 360 mijë trupa aktive.
Ushtria ka 245 mijë trupa , përfshirë 115 mijë rekrutë, rreth 400 tanke, mbi 1 mijë e 200 mjete të blinduara dhe rreth 2 mijë e 600 armë artilerie.
Flota e saj përfshin avionë transporti, helikopterë Black Hawk dhe mjete ajrore pa pilot.
FORCAT AJRORE
Forca Ajrore e Kamboxhias ka 1 mijë 500 personel dhe një flotë relativisht të vogël avionësh, përfshirë 10 avionë transporti dhe 10 helikopterë transporti.
Ajo nuk ka avionë luftarakë, por disponon 16 helikopterë shumëfunksionalë, përfshirë gjashtë Mi-17 të epokës sovjetike dhe 10 Z-9 të prodhimit kinez.
Tajlanda nga ana tjetër ka një nga forcat ajrore më të pajisura dhe më të stërvitura në Azinë Juglindore, me rreth 46 mijë personel, 112 avionë luftarakë të gatshëm, përfshirë 28 F-16 dhe 11 avionë suedezë Gripen, si dhe dhjetëra helikopterë.
MARINAT
Kamboxhia ka një marinë e vogël me 2 mijë 800 personel, përfshirë 1 mijë e 500 trupa detarë, 13 anije patrullimi dhe një mjet zbarkimi amfib.
Tajlanda ka një marinë shumë më të madhe me gati 70 mijë personel, një aeroplanmbajtëse, 7 fregata, 68 anije patrullimi, si dhe mjete zbarkimi që mbajnë qindra trupa.
Divizioni i aviacionit detar të Tajlandës ka një flotë të vetën avionësh, përfshirë helikopterë dhe dronë, ndërsa korpusi i marinsave ka 23 mijë trupa, të mbështetur nga dhjetëra mjete të blinduara luftarake.
Krahasimi tregon një epërsi të dukshme të Tajlandës në buxhet, personel dhe pajisje moderne, ndërsa Kamboxhia mbështetet kryesisht tek forcat tokësore dhe një flotë ajrore e kufizuar.
Tag: trupa
-

Nga tanket te avionët, si krahasohen ushtritë e Kamboxhias dhe Tajlandës
-

Gjenden dy trupa të pajetë në det, presidenti kolumbian: U vranë nga sulmet e SHBA-së
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro ka bërë thirrje që të nisë një hetim të dielën pasi dy trupa të pajetë u gjetën në det pranë një fshati në kufirin e Kolumbisë me Venezuelën. Petro ka ngritur dyshime se dy trupat mund të kenë qenë viktima të një sulmi ajror amerikan në Karaibe.
“Këta trupa u gjetën në det në La Guajira,” tha Petro nëpërmjet X. Ai u bëri thirrje autoriteteve kolumbiane të mjekësisë ligjore të verifikojnë identitetin e tyre dhe të koordinojnë veprimet e tyre me zyrën e prokurorit të Venezuelës.
“Ndoshta ata u vranë për shkak të një bombardimi në det”, shtoi presidenti socialdemokrat.
Një zëdhënës i policisë venezueliane konfirmoi se dy trupa ishin gjetur të enjten, por shtoi se shkaqet e vdekjes nuk ishin përcaktuar ende.
Ushtria amerikane ka nisur sulme ajrore që nga fillimi i shtatorit kundër anijeve që sipas tij janë përdorur nga trafikantët e drogës, kryesisht në Karaibe. Të paktën 87 persona janë vrarë në sulme, sipas deklaratave të SHBA-së.
Presidenti Petro ka kritikuar politikën e homologut të tij amerikan Donald Trump për të luftuar trafikun e drogës, e cila synon konkretisht Venezuelën. Petro gjithashtu akuzon homologun e tij amerikan se po ndërhyn në çështjet politike të vendit të tij për të ndikuar në opinionin publik në mënyrë që e majta të rrëzohet nga pushteti në zgjedhjet e vitit 2026.
-

Rusia i dorëzon Kievit mbi 1,000 trupa të ushtarëve ukrainas
Rusia i dorëzoi sot Ukrainës 1,000 trupa të ushtarëve ukrainas të vrarë në betejë, njoftoi shërbimi ukrainas përgjegjës për të burgosurit e luftës.
“Sot, u zhvilluan masat e riatdhesimit. Një mijë trupa, të paraqitur nga pala ruse si ushtarë ukrainas, u kthyen në Ukrainë “, raportoi shërbimi në Telegram. Hetuesit dhe specialistët nga Ministria e Brendshme së shpejti do të fillojnë punën për identifikimin e trupave, shtoi i njëjti burim.
Kthimi i mëparshëm i trupave, gjithashtu 1,000, u bë në fund të tetorit.
Në total, më shumë se 15,000 trupa janë dorëzuar nga Rusia në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Nga ana e tij, Kievi ka kthyer disa qindra trupa në Moskë në të njëjtën periudhë. Shkëmbimet e trupave të ushtarëve të vdekur dhe të robërve të luftës janë rezultati i vetëm i negociatave midis Ukrainës dhe Rusisë, më shumë se tre vjet e gjysmë pas fillimit të luftës.
Në shkurt, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha një rrjeti televiziv amerikan se vendi i tij kishte humbur gati 46,000 ushtarë që nga viti 2022, një numër që analistët besojnë se është më i ulët se shifra reale, ndërsa “dhjetëra mijëra” të tjerë konsiderohen të zhdukur ose mbahen si robër lufte nga Rusia.
-

Ja cila është tema e ‘Met Gala 2026’
Met Gala kthehet të hënën, më 4 maj 2026. E njohur zyrtarisht si Costume Institute Benefit, Met Gala është një ngjarje vjetore për mbledhjen e fondeve për Institutin e Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit, e cila shënon gjithashtu hapjen e ekspozitës së tij pranverore. Ekspozita do të hapet për publikun më 10 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2027, në Galeritë Condé M. Nast të sapoinauguruara, një hapësirë e përhershme prej gati 12,000 metra katrorë ngjitur me Sallën e Madhe. Sponsorët për ekspozitën e këtij viti përfshijnë Saint Laurent, Condé Nast, dhe Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez Bezos.
Cila është tema e Met Gala 2026?
Ekspozita e Institutit të Kostumeve për vitin 2026 titullohet “ Arti i Kostumeve” dhe eksploron një ide qendrore: se si trupi i veshur shfaqet kudo në koleksionin e Met, pavarësisht se në cilën galeri ndodheni.
Ekspozita kombinon pothuajse 200 vepra arti – skulptura, piktura dhe objekte që shtrihen nga parahistoria deri në ditët e sotme – me rreth 200 veshje dhe aksesorë. Shfaqja është e organizuar në tre kategori: trupa të kudondodhur në art (si forma nudo), trupa shpesh të anashkaluar (shtatzëna, të plakura ose me aftësi të kufizuara) dhe trupa universalë (siç janë përfaqësimet anatomike).
Manekinët do të kenë fytyra me pasqyra të dizajnuara nga artisti Samar Hejazi, duke u lejuar shikuesve të shohin reflektimet e tyre dhe të imagjinojnë veten të veshur me rrobat, e cila ishte një zgjedhje e qëllimshme nga kuratori Andrew Bolton për të “lehtësuar empatinë dhe dhembshurinë” midis shikuesit dhe veshjeve, tha ai për revistën W.
Cili do të jetë kodi i veshjes?
Kodi zyrtar i veshjes nuk është njoftuar ende. Bolton vëren se, ndërsa ekspozita e vitit të kaluar ishte Superfine: Tailoring Black Style , kodi i veshjes ishte Tailored for You, duke u dhënë mysafirëve udhëzime më specifike për veshjet e tyre. Kodi i veshjes zakonisht nuk zbulohet deri më afër ngjarjes, megjithëse duke pasur parasysh fokusin e temës në marrëdhënien midis veshjeve dhe trupit, pritet që pjesëmarrësit të përqafojnë dizajne të ndërgjegjshme për trupin, silueta skulpturale dhe ndoshta veshje transparente ose “të zhveshura” që theksojnë formën. Dizajnet e Saint Laurent ka të ngjarë të jenë të njohura në tapetin e kuq duke pasur parasysh sponsorizimin e markës.
Kur është Met Gala 2026?
Eventi zhvillohet gjithmonë të hënën e parë të majit. Këtë vit, kjo është 4 maji. -

Europiani U-21 2027 / Emanuela Rusta & trupa shqiptare e arbitrave gjykojnë ndeshjen Spanjë – San Marino
Arbitrja shqiptare Emanuela Rusta është caktuar nga UEFA të drejtojë ndeshjen Spanjë U-21 – San Marino U-21, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Shqipëri – Serbi 2027”.
Kjo është hera e parë që UEFA i beson një arbitreje shqiptare drejtimin e një ndeshjeje të djemve në nivelin U-21, një moment historik për arbitrimin shqiptar dhe për vetë Emanuela Rustën.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Angel Carro” në Spanjë, më 14 nëntor në orën 20:45, ndërsa e gjithë trupa gjykuese do të jetë shqiptare. Ilir Tartaraj dhe Xhulio Mani do të jenë asistentë të dytë dhe të tretë, ndërsa Andi Koçi do të mbajë detyrën e arbitrit të katërt.
Arbitrat shqiptarë po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në ndeshjet europiane, dhe ky është një tjetër hap i rëndësishëm në afirmimin e arbitrimit shqiptar në arenën ndërkombëtare. -

Zelensky: Rusia po grumbullon trupa pranë Kharkivit! Kërkon fitore në Pokrovsk
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se Rusia po grumbullon trupa pranë Vovchanskut, në rajonin verilindor të Kharkivit.
Presidenti ukrainas shton se Rusia po përpiqet gjithashtu të tregojë suksese ushtarake në terren për Donald Trump, përmes sulmit të saj ndaj qytetit Pokrovsk.
Analisti ushtarak Michael Clarke shpjegoi për mediat amerikane se Ukraina beson që rreth 1,000 luftëtarë rusë janë futur në qendër të Pokrovskut në grupe të vogla.
“Nëse rusët arrijnë të mbajnë këto ‘ishuj’ pozicionesh, të fusin mjete të blinduara dhe t’i forcojnë ato, mund të detyrojnë ukrainasit të tërhiqen,” shpjegoi ai.
I pyetur për mundësinë që Ukraina të arrijë ta mbajë Pokrovskun, Clarke tha se ata kanë “një shans 50 me 50”.“Por është e vështirë për ta. Shumë e vështirë, sepse thjesht nuk kanë numrin e nevojshëm të trupave. Ndërkohë që rusët kanë shumë më tepër forca,” shtoi ai.
-

Zelensky paralajmëron: Rusia po grumbullon trupa në verilindje të Kharkivit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka folur për situatën e fundit në fushën e betejës.
Sipas mediave të huaja, Zelenskyy tha se Rusia po grumbullon trupa pranë Vovchansk në rajonin verilindor të Kharkiv.
Zelensky tha gjithashtu se Rusia po përpiqet gjithashtu të demonstrojë sukses në betejë për Donald Trumpin, me sulmin e saj në Pokrovsk.
Në betejën kryesore që po zhvillohet në qytet, Ukraina beson se rreth 1,000 luftëtarë rusë janë infiltruar në Pokrovsk qendror në grupe të vogla.
“Nëse rusët mund t’i mbajnë këto ishuj pozicionesh dhe të vendosin disa forca të shumta në to, ata mund t’i detyrojnë ukrainasit të tërhiqen”, shpjegoi analisti i Sky News.
I pyetur për shanset që Ukraina të jetë në gjendje të mbajë Pokrovskun, Clarke tha se ata kanë një “shans 50/50”.
“Por është e vështirë për ta. Është vërtet e vështirë sepse ata thjesht nuk kanë numrat e duhur”, shpjegoi ai më tej. “Dhe rusët kanë shumë numra”, përfundoi Clarke. -

Bordi i Paqes dhe 20 mijë trupa ndërkombëtare për stabilizim, çfarë përmban pr. rezoluta e SHBA për Gazën
Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë për Gazën, e cila parashikon krijimin e një administrate të përkohshme qeverisëse dhe një force ndërkombëtare stabilizimi me rreth 20,000 trupa, raportoi agjencia Reuters.
Sipas dokumentit të parë nga Reuters, administrata kalimtare do të quhet Bordi i Paqes, ndërsa forca ndërkombëtare do të ketë mandatin të “përdorë të gjitha masat e nevojshme” për të përmbushur detyrat e saj — një formulim që në terminologjinë e OKB-së nënkupton autorizim për përdorimin e forcës.
Forca e përkohshme do të ketë për qëllim stabilizimin e situatës në Rripin e Gazës, garantimin e sigurisë humanitare dhe mbikëqyrjen e tranzicionit politik, pas përfundimit të luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit.
Ende nuk dihet nëse projektrezoluta do të marrë mbështetjen e anëtarëve të përhershëm të Këshillit, pasi disa prej tyre përfshirë Rusinë dhe Kinën kanë shprehur më herët rezerva ndaj ndërhyrjeve ushtarake të drejtuara nga SHBA-të.
Nëse miratohet, kjo do të ishte ndër nismat më të mëdha ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës pas fillimit të konfliktit të fundit dhe mund të shënojë hapin e parë drejt një administrimi ndërkombëtar të përkohshëm në territorin palestinez
-

Armëpushimi në Gaza, Hamasi dhe Izraeli bëjnë shkëmbimin e radhës, 15 trupa palestinez për trupin e një pengu izraelit
Spitali Nasser në Rripin jugor të Gazës njoftoi sot se kishte marrë trupat e 15 të burgosurve palestinezë sipas marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin.
“Grupi i 10-të i martirëve palestinezë, përkatësisht 15 martirë, mbërriti si pjesë e shkëmbimit të trupave midis palës palestineze dhe pushtuesit izraelit”, tha spitali, duke shtuar se 285 trupa janë marrë në Rripin e Gazës që kur armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor.
Nga 28 pengjet e vdekur që Hamasi pranoi t’i kthente në Izrael sipas marrëveshjes, deri më tani janë dorëzuar 21 trupa.
Sipas marrëveshjes, për çdo peng izraelit të kthyer, Izraeli dorëzon 15 trupa të palestinezëve. Më pak se gjysma janë identifikuar, sipas zyrtarëve të Gazës.
Puna mjeko-ligjore është e ndërlikuar nga mungesa e pajisjeve të ADN-së në Gaza. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë po poston foto të trupave në internet, me shpresën se familjet do t’i njohin ato.Top Channel
-

Trupa të huaja ushtarake në Gaza, zbulohet plani i SHBA për Palestinën
Trupa të huaja dhe një administratë e udhëhequr nga SHBA-ja me një mandat prej të paktën dy vitesh, nga janari 2026 deri në dhjetor 2027. Ky është plani amerikan për Rripin e Gazës. Shtetet e Bashkuara u kanë paraqitur disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së një projektrezolutë që detajon strukturën e mundshme ushtarake dhe politike të Gazës në të ardhmen. Në krye të piramidës është Bordi i Paqes, një këshill paqeje i kryesuar nga amerikanët që do të funksiononte në mënyrë efektive si një qeveri, ndërsa vepronte nga jashtë. Do të kishte personalitet juridik ndërkombëtar dhe fuqinë për të “përcaktuar kornizën dhe për të koordinuar fondet e rindërtimit derisa Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar në mënyrë të kënaqshme programin e tij të reformës” që është “i pranueshëm” për Këshillin. Nën dhe në varësi të Bordit të Paqes, do të kishte një administratë ekspertësh palestinezë, apolitike, por të tërhequr nga Rripi, siç kërkohet nga Hamasi dhe fraksione të tjera, “të cilët do të jenë përgjegjës për operacionet e përditshme të shërbimit civil dhe administratës së Gazës”.
Aspekti i tretë dhe thelbësor i planit është Forca e Stabilizimit të Gazës (ISF), e cila jo vetëm që duhet të ruajë kufijtë, por edhe të veprojë brenda Rripit së bashku me një forcë policore palestineze të rigjallëruar për të çarmatosur Hamasin dhe për të demilitarizuar enklavën. Forca e Stabilizimit “do të bashkëpunojë me Izraelin dhe Egjiptin”, së bashku me “forcat policore palestineze të trajnuara dhe të verifikuara rishtazi, për të ndihmuar në sigurimin e sigurisë së zonave kufitare”, por gjithashtu do të ngarkohet me “sigurimin e procesit të demilitarizimit të Rripit të Gazës, duke përfshirë shkatërrimin dhe parandalimin e rindërtimit të infrastrukturës ushtarake, terroriste dhe ofensive, si dhe heqjen e përhershme të armëve të mbajtura nga grupet e armatosura jo-shtetërore”.
Kjo rrezikon të jetë pika më e madhe e fërkimit me shtetet arabe, shumë prej të cilave, duke filluar me Jordaninë, e kanë bërë të qartë tashmë se nuk kanë ndërmend të dërgojnë trupa në terren për qëllime të zbatimit të paqes, domethënë, për të luftuar kundër milicive të armatosura. Turqia, e cila priti një samit të vendeve arabe dhe myslimane të hënën, është ofruar të dërgojë trupat e saj, por po kërkon një orar të qartë për tërheqjen e Izraelit nga i gjithë Rripi i Gazës. Megjithatë, Izraeli kundërshton përfshirjen e Ankarasë. Ushtria, sipas draftit të SHBA-së, do të duhet të “mbrojë civilët, duke përfshirë operacionet humanitare, të trajnojë dhe të ofrojë mbështetje për forcat policore të kontrolluara nga palestinezët dhe të koordinohet me shtetet e interesuara për të siguruar korridore humanitare”, të cilat do të menaxhohen nga Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe.