Tag: trumpin

  • Shefi i NATO-s nesër në SHBA, pritet takim me Trumpin dhe zyrtarë të tjerë

    Shefi i NATO-s nesër në SHBA, pritet takim me Trumpin dhe zyrtarë të tjerë

    Shefi i NATO-s Mark Rutte do të vizitojë Uashingtonin nesër për takime me Donald Trumpin dhe zyrtarët e lartë të kabinetit të tij.

    Njoftimi për shtyp që njofton vizitën nuk dha një arsye të menjëhershme për udhëtimin, por Trump tha së fundmi se do të ishte i gatshëm të furnizonte me armë Ukrainën nëpërmjet NATO-s.
    Presidenti amerikan gjithashtu ka premtuar të bëjë një “deklaratë të madhe” në lidhje me Rusinë nesër, të cilën disa besojnë se mund të jetë mbështetja e tij për një projektligj sanksionesh kundër Moskës, sipas Skynews.
    Përveç takimit me Trumpin në udhëtimin dy-ditor, Rutte do të zhvillojë gjithashtu bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
    Ndryshe, Rutte bëri bujë muajin e kaluar pas një takimi në Hagë me Trumpin në të cilin ai iu referua presidentit të SHBA-së si “baba”.
    Duke iu referuar përdorimit të mëparshëm të një fyerjeje nga Trump kur diskutoi se si të zgjidhej konflikti 12-ditor Izrael-Iran, Rutte tha: “Babai ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të fortë.”
    Shtëpia e Bardhë shkroi më pas në rrjetet sociale ku shkruhej: “Babai është në shtëpi”.

    Top Channel

  • “Po ndërton paqe në shumë rajone”, Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel

    “Po ndërton paqe në shumë rajone”, Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe.

    Më 7 korrik, Netanyahu takoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku tha se i ka treguar letrën që i ka dërguar komitetit që ndan çmimin prestigjioz.
    “Ai po ndërton paqe ndërkohë që ne flasim, në një vend… në një rajon pas tjetrit”, tha Netanyahu gjatë një darke me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.
    Gjatë viteve, Trump është nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Paqe nga mbështetës dhe ligjvënës të ndryshëm dhe nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij që nuk ka fituar.
    Ai është ankuar hapur se është anashkaluar nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për rolin e tij ndërmjetësues në konfliktet midis Indisë dhe Pakistanit, si dhe Kosovës dhe Serbisë.
    Në vitin 2020, derisa Trump ka shërbyer në mandatin e parë presidencial, ai ka dëshmuar nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
    Muajin e kaluar, Trump i është bashkuar luftës së Izraelit në Iran, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane.
    Më pas, ai ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes këtyre dy vendeve.
    Paraardhësi i Trumpit gjatë mandatit të parë, Barack Obama, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009.
    Komiteti Norvegjez i Nobelit ka përmendur “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve” si arsye për çmimin. /rel

    Top Channel

  • Prapaskenat brenda samitit të NATO-s për të joshur Donald Trumpin, CNN: Diplomacia e Mark Rutte për “babin” dhe kërcënimi për Spanjën

    Prapaskenat brenda samitit të NATO-s për të joshur Donald Trumpin, CNN: Diplomacia e Mark Rutte për “babin” dhe kërcënimi për Spanjën

    Duhej të ishte gjëja e fundit që i nevojitej shefit të NATO-s. Të martën vonë, në prag të një samiti vendimtar që do të vuloste një investim të madh në mbrojtjen e NATO-s, llogaria e Donald Trump në Truth Social publikoi një foto të vetme: një mesazh adhurues i nënshkruar “Mark Rutte”, i shkruar në një stil identik me atë të Trump dhe i mbushur me lavdërime të tejskajshme për presidentin amerikan.

    “Po fluturon drejt një tjetër suksesi të madh këtë mbrëmje në Hagë,” thuhej në këtë mesazh.
    “Evropa do të paguajë në mënyrë TË MADHE, siç edhe duhet, dhe kjo do të jetë fitorja jote,” vazhdonte ai.
    “Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan nuk ka mundur ta bëjë për dekada me radhë.”
    Për botën diplomatike, e cila është mësuar të përulet deri diku para stilit të Shtëpisë së Bardhë nën Trumpin, kjo ishte ekstreme.
    Të nesërmen, duke dyfishuar deklaratat, Rutte tha se Trump meritonte vlerësime për qëndrimin ndaj Iranit dhe NATO-s, edhe pse shumëkush mbeti i habitur nga toni përulës i ish-kryeministrit holandez. Por ndërsa samiti përparonte, u krijua ndjesia se Rutte kishte realizuar një manovër diplomatike mjeshtërore.
    “Bromance” (vëllazëri politike)
    Rutte, ish-kryeministër i Holandës, nuk është i panjohur me marrëdhëniet me Trumpin, duke përdorur sharmin e tij të lehtë gjatë vizitave të shumta në Uashington gjatë mandatit të parë të Trumpit.
    Me një imazh gjithmonë të qetë e të buzëqeshur, fushata e Rutte për të joshur Trumpin ngjan me përpjekjet e liderëve të tjerë të NATO-s.
    Presidenti francez Emmanuel Macron ka krijuar një “bromance” të zhurmshme me Trumpin; presidenti finlandez Alex Stubb është afruar përmes lojërave të golfit, ndërsa kryeministrja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, ka fituar reputacionin si “pëshpëritësja e Trumpit” – ai e ka quajtur “një grua fantastike”.
    Mesazhi i Rutte-s – i nënshkruar vetëm me mbiemër – tregonte ndoshta një marrëdhënie më pak miqësore. E njëjta gjë edhe me reagimin e Trumpit të mërkurën:
    “Mendoj që më pëlqen. Nëse jo, do ta mësoni. Do të kthehem dhe do ta godas fort,” tha Trump në një konferencë për shtyp.
    Por në Hagë, Rutte dukej i gatshëm të bënte gjithçka për të ushqyer egon e presidentit amerikan dhe për t’i ruajtur imazhin.
    Vendimi i Trumpit për të sulmuar programin bërthamor të Iranit u cilësua “jashtëzakonisht mbresëlënës” nga Rutte.
    “Mesazhi që i dërgohet botës është se ky president, edhe pse është njeri paqeje, kur duhet, është i gatshëm të përdorë forcën,” tha ai.
    Në disa raste gjatë samitit, ndërhyrjet e Rutte e ndihmuan Trumpin të kalonte më butë, përfshirë edhe pas shpërthimit verbal të presidentit amerikan (“f**k”) në lidhje me konfliktin e fundit mes Iranit dhe Izraelit.
    Reagimi i Rutte, një shaka para kamerave botërore:
    “Babai ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” tha ai pranë Trumpit, pasi ky i fundit përshkroi konfliktin si një grindje mes dy fëmijësh.
    Më vonë Rutte sqaroi se nuk po e quante Trumpin “babi”, por po përdorte një metaforë.
    Ai gjithashtu nuk kurseu lavdërimet për sulmet e Trump ndaj Iranit – edhe pse ky konflikt nuk është teknikisht pjesë e fushës së veprimit të NATO-s – ndërsa presidenti amerikan reagoi ndaj një vlerësimi të rrjedhur nga qeveria që vinte në dyshim pretendimin e tij se kishte “shkatërruar” pjesë të programit bërthamor iranian.
    “Sekretari i përgjithshëm e di që marrëdhëniet personale kanë shumë rëndësi me këtë administratë,” tha Torrey Taussig nga Këshilli Atlantik.
    “Mendoj se kjo është një situatë ku duhet të mbash hundën dhe të presësh të mbarojë – pa skandale në Hagë, bëj një foto të bukur dhe shko në shtëpi,” shtoi ajo.
    Përtej Rutte-t, i gjithë samiti ishte ndërtuar rreth Trumpit.
    Programi i samitit ishte shkurtuar – përfshinte vetëm një seancë për liderët – diçka që ekspertët thonë se është bërë për Trumpin, i cili më herët këtë muaj kishte braktisur përfundimin e samitit G7, duke munguar në një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
    Sigurisht, rezultatet e samitit ishin kryesisht të paracaktuara, pas negociatave paraprake që siguruan miratimin formal të deklaratave nga liderët.
    Lufta e Ukrainës me Rusinë – pa dyshim çështja më urgjente në axhendën e NATO-s – u hoq nga deklarata përfundimtare e samitit, për herë të parë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2022.
    Edhe “xhevahiri” i këtij samiti – premtimi për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtje (të ndarë mes nevojave thelbësore të mbrojtjes dhe 1.5% për shpenzime të lidhura me mbrojtjen deri në vitin 2035) – ishte një produkt i markës Trump.
    Qysh në janar, Trump hodhi idenë e këtij objektivi prej 5%, një shifër që më parë nuk ishte marrë seriozisht, ndërsa anëtarët e NATO-s mezi po afroheshin te 2%.
    “Të gjithë e përballojnë. Janë te 2%, por duhet të jenë te 5%,” tha ai për gazetarët.
    Qëllimi mbi mjetet
    Por duket se Rutte ishte ai që pati të qeshurën e fundit. Samiti, sipas të gjitha gjasave, përfundoi si një fitore për NATO-n: Anëtarët ranë dakord njëzëri për të rritur shpenzimet ushtarake në nivelet më të larta që nga Lufta e Ftohtë – dhe falënderuan Trumpin për këtë.
    “Në diplomaci, synon të arrish një qëllim, dhe çfarë arritëm këtu? Një rezultat historik, ku NATO u rikthye te rrënjët e saj: mbrojtja kolektive,” tha presidenti i Finlandës, Alex Stubb, për CNN në krah të samitit.
    Spanja ishte një përjashtim i dukshëm, duke shtyrë për gjuhë më të zbutur që ndoshta do t’i lejonte një hapësirë për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s pa shpenzuar 5% të PBB-së. (Deklarata përfundimtare e samitit i referohej “aleatëve” në pjesën për shpenzimet, ndërsa pjesë të tjera flisnin për angazhime që “ne” do të marrim.)
    Liderët – të udhëhequr, natyrisht, nga Rutte – përmendën Trumpin si forca e vetme që shtyu aleatët drejt objektivave të shpenzimeve dikur të paimagjinueshme.
    “Rritja e shpenzimeve për mbrojtje është suksesi i presidentit Donald Trump,” tha presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, për gazetarët.
    “Pa udhëheqjen e Donald Trump, kjo do të ishte e pamundur,” shtoi ai.
    Homologu i tij nga Lituania propozoi një moto të re për aleancën:
    “Ta bëjmë NATO-n të madhe sërish,” ndërsa përshëndeti presionin që Trump kishte ushtruar mbi aleatët dorështrënguar.
    “Jam për çdo lloj presioni që mund të marrim,” tha ministrja e Mbrojtjes së Lituanisë, Dovile Sakaliene, për CNN.
    Vendet më të vogla që ndodhen në vijën e parë me Rusinë u inkurajuan nga angazhimi i përbashkët i aleancës për të përmbushur nivelet e shpenzimeve për të cilat ato kishin qenë nismëtare.
    Të gjithë fitojnë
    Një zyrtar nga Evropa Perëndimore, përpara samitit, kishte shprehur shqetësime për CNN se ngjarja mund të shkatërrohej nga ndonjë përplasje diplomatike me Trumpin.
    Por në publik, komentet mbi mesazhet e Rutte për Trump u shmangën – liderët anashkaluan pyetjet ose refuzuan të përgjigjen.
    Presidenti i Finlandës nuk u shpreh për mesazhet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, por tha:“Diplomacia ka shumë forma të ndryshme.”
    Humbjet – veçanërisht nga përplasjet diplomatike me Trumpin – ishin më të pakta se sa pritej. Vetëm Spanja u kritikua nga presidenti amerikan për zvarritjen në përmbushjen e objektivit 5%.
    “Është e tmerrshme ajo që kanë bërë,” tha Trump, duke kërcënuar se do të përdorte bisedimet tregtare për ta detyruar Madridin të bindet.
    “Do t’i bëjmë të paguajnë dyfish,” shtoi ai.
    Edhe Zelensky përfitoi.
    Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky – i cili ka pasur një marrëdhënie të trazuar me Trumpin – doli me disa përfitime.
    Edhe pse nuk u zotua për ndihmë të re për Ukrainën, Trump sugjeroi se Kievi mund të marrë sistemet amerikane raketore Patriot në të ardhmen – dhe kritikoi Putinin si “të çorientuar,” duke pranuar se ai mund të ketë ambicie territoriale që shkojnë përtej Ukrainës.
    Në fund, qëndrimi i vetë Trumpit për NATO-n – një temë e ndjeshme për presidentin famshëm “transaksional” – ndryshoi.
    “Këta njerëz vërtet e duan vendin e tyre,” tha ai për liderët e NATO-s në konferencën e tij për shtyp pas përfundimit të samitit.
    “Nuk është një mashtrim, dhe ne jemi këtu për t’i ndihmuar të mbrojnë vendin e tyre.”
    “Erdha këtu sepse ishte diçka që supozohej ta bëja,” shtoi ai, “por po largohem nga këtu disi ndryshe.”

    Top Channel

  • Liderët e NATO-s mbërrijnë në samitin e Hagës, Rutte lavdëron Trumpin

    Liderët e NATO-s mbërrijnë në samitin e Hagës, Rutte lavdëron Trumpin

    Liderët e NATO-s janë mbledhur në Hagë për një samit të cilësuar si historik nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me synimin për të garantuar paqen në Evropë për brezat e ardhshëm.

    Ky është samiti i parë i presidentit amerikan Donald Trump me NATO-n që nga viti 2019 dhe të 32 udhëheqësit pritet të angazhohen për të shpenzuar 5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen dhe infrastrukturën përkatëse.
    Përpara mbërritjes së tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i dërgoi Trumpit një mesazh përpara samitit, duke e lavdëruar për menaxhimin e aleancës perëndimore dhe për qasjen e tij në konfliktin me Iranin.
    “Po vjen drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë. Nuk ishte e lehtë, por i kemi të gjitha firmat për pesë përqindëshin,” shkroi Rutte në një mesazh të publikuar nga Trump në rrjete sociale.
    Ai gjithashtu e përgëzoi Trumpin për “veprimin vendimtar në Iran, i cili ishte vërtet i jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bëjë.”
    Liderët perëndimorë kanë pasur shpesh vështirësi në menaxhimin e marrëdhënieve me Trumpin, i njohur për stilin e paparashikueshëm diplomatik. Samiti dy-ditor është shkurtuar, për t’iu përshtatur orarit të presidentit amerikan.
    Rutte u ka bërë thirrje vendeve evropiane të ndalojnë së shqetësuari për angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe të fokusohen te rritja e shpenzimeve për mbrojtje dhe mbështetja për Ukrainën.
    Ai theksoi se presidenti amerikan dhe drejtuesit e tjerë kanë “angazhim të plotë” ndaj NATO-s, me kushtin që edhe aleatët të rrisin shpenzimet në përputhje me kontributin amerikan.
    Sipas Rutte, Evropa dhe Kanadaja janë zotuar tashmë për më shumë se 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën këtë vit.
    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Hagë dhe pritet të takohet me Donald Trumpin në kuadër të samitit. Të dy patën një takim të vështirë në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, por një takim më konstruktiv gjatë funeralit të Papa Françeskut në prill.
    Pritet që vendet anëtare të NATO-s të miratojnë një plan të ri investimesh që do ta ngrejë nivelin e synuar të shpenzimeve për mbrojtje në 5% të PBB-së.
    Shumë aleatë janë ende larg përmbushjes së objektivit për 3.5% deri në vitin 2035, por qeveria gjermane miratoi një marrëveshje buxhetore që synon të arrijë këtë shifër deri në vitin 2029. Në vitin 2025 do të shpenzohen 62.4 miliardë euro për mbrojtjen, ndërsa deri në 2029 kjo shumë do të arrijë në 152.8 miliardë euro, pjesërisht e financuar përmes borxheve dhe fondeve të veçanta.
    Samiti dy-ditor nisi me një darkë të organizuar nga Mbreti i Holandës, ndërsa sesioni i punës të mërkurën do të zgjasë më pak se tre orë dhe do të përfundojë me një deklaratë pesë paragrafëshe.

    Top Channel

  • Merz do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 5 qershor

    Merz do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 5 qershor

    Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten, më 5 qershor, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius.
    Kornelius tha më 31 maj se është planifikuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, pasuar nga një drekë e përbashkët e më pas një konferencë për media.
    Bisedimet në Uashington pritet të përqendrohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjes së NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje. Udhëheqësit po ashtu pritet të bisedojnë për mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
    Ky do të jetë takimi i parë mes dy udhëheqësve që kur Merzi mori detyrën e kancelarit më 6 maj. Para se Merz të merrte këtë post, ishte takuar me Trumpin shumë vite më parë në Nju Jork.
    Merz do të niset drejt Uashingtonit të mërkurën, pas një darke që do të ketë me kryeministrat e 16 landeve gjermane në Berlin, tha Kornelius.
    Presidenti Trump do ta akomodojë kancelarin gjerman në shtëpinë e tij për mysafir, Shtëpinë Blair, që gjendet afër Shtëpisë së Bardhë. Kornelius tha se akomodimi i Merzit në këtë vend është një nder i posaçëm./REL

  • Lavrov lavdëron Trumpin: SHBA mund të ndihmojnë në paqen mes Rusisë dhe Ukrainës

    Lavrov lavdëron Trumpin: SHBA mund të ndihmojnë në paqen mes Rusisë dhe Ukrainës

    Sergei Lavrov pati një bisedë telefonike me Marco Rubion të shtunën pasdite, njoftoi Ministria e Jashtme ruse, një ditë pas bisedimeve të drejtpërdrejta midis rusëve dhe ukrainasve në Stamboll.
    Ministri i Jashtëm rus pranoi rolin konstruktiv të SHBA-së në rifillimin e negociatave midis Moskës dhe Kievit pas vitit 2022, duke komplimentuar kështu Donald Trumpin.
    Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar bashkëpunimin me Uashingtonin për të zgjidhur çështjen ukrainase.

    “Lavrov vuri në dukje rolin pozitiv të Shteteve të Bashkuara, i cili kontribuoi në pranimin përfundimtar nga Kievi të propozimit të Presidentit rus Vladimir Putin për të rinisur negociatat në Stamboll.
    Ai konfirmoi gatishmërinë e Moskës për të vazhduar bashkëpunimin me homologët e saj amerikanë në këtë kontekst”, tha Ministria e Jashtme ruse./vizionplus.tv

  • Si po e paraqesin mediat e Kremlinit ndryshimin diplomatik SHBA-Rusi?

    Si po e paraqesin mediat e Kremlinit ndryshimin diplomatik SHBA-Rusi?

    Më 30 mars, Trump telefonoi Kristen Welker të NBC News për të shprehur zemërimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, duke i thënë Welkerit se ishte “shumë, shumë i zemëruar” me shefin e Kremlinit që ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha gjatë një konference për media më 1 prill se Trumpi “është i zemëruar me udhëheqësit e të dy palëve të kësaj lufte”. Megjithatë, deklaratat e presidentit amerikan përbëjnë një ndryshim të madh të qëndrimit. Trump – i cili rrallë flet për Putinin në kontekst negativ – fillimisht kishte shprehur zemërim për presidentin ukrainas, të cilin e ka quajtur “diktator” dhe është përplasur me të publikisht në Zyrën Ovale. Ndërkaq, një pjesë e transmetuar më 31 mars gjatë një programi informativ në televizionin shtetëror rus, Rossiya-1, sugjeroi se kishte një agjendë të fshehur politike nga NBC News sa i përket raportimit për deklaratat e Trumpit. “Në mënyrë që disi të balancohet presioni i madh për Ukrainën, kanali televiziv NBC News, që mbështet Zelenskyn, madje arriti të nxirrte një deklaratë nga Trumpi lidhur me zemërimin e tij të pretenduar karshi Putinit”, tha prezantuesi i këtij programi rus. Prezantuesi televiziv dhe propagandisti, Yevgeny Popov, pati një qasje pak më të ndryshe, duke sugjeruar se Trumpi thjesht ka devijuar vëmendjen brenda shtetit të tij nga zhurma e krijuar për shkak të rrjedhjes së informacioneve lidhur me planet e një sulmi gjatë një bisede në aplikacionin Signal, ku ishte përfshirë gabimisht edhe një gazetar. “Kjo nuk është befasi”, tha Popov. “Banori i Shtëpisë së Bardhë po tenton të mbulojë skandalin sa i përket rrjedhjes së informacioneve lidhur me sulmet ndaj rebelëve Huthi përmes aplikacionit të mesazheve, Signal”. Megjithatë, ky mesazh është një largim prej retorikës festive në televizionin rus që pasuan përplasjen në Zyrën Ovale të Trumpit me Zelenskyn. Po ashtu, premtimet e Trumpit se do të ndërmarrë një qëndrim më të ashpër ndaj Putinit nëse Rusia dështon të përmbushë premtimet e saj mund të ulin disa pritshmëri lidhur me një riafrim të madh me SHBA-në. Për t’u siguruar, analizimi i deklaratave i bërë në mediat shtetërore ruse është një mënyrë e pasaktë për të matur perspektivat për raportet SHBA-Rusi apo gatishmërinë e Putinit për të arritur një marrëveshje me Trumpin. Mediat shtetërore ruse zakonisht merren si një barometër i besueshëm i asaj se çfarë mendon Putini dhe përcjellin pikëpamjet e Kremlinit për publikun rus, por vetë Putini është në krye të një aparati të mbyllur të vendimmarrjes. Ndoshta më treguese sesa manipulimet që bëhen për Trumpin në televizionin shtetëror rus, është paraqitja e deklaratave nxitëse që propagandistët kryesorë të Kremlinit po i bëjnë për Evropën, veçmas kur shtetet evropiane po bashkohen. Në deklaratat që pasuan marrëveshjen SHBA-Rusi për ndalimin e forcës ushtarake në Detin e Zi, prezantuesi televiziv dhe propagandisti Vladimir Solovyov, u mburr duke thënë se evropianët nuk kishin vend në bisedimet në Riad. “Për Trumpin, Putini është krejtësisht i kuptueshëm: udhëheqës i një shteti që ka vlerat themelore të ngjashme me të tij dhe një grup vlerash themelore. Kush po e kundërshton atë?”, tha Solovyov. “Për Trumpin, Evropa është armikja”. Në një intervistë dhënë së voni në CNN, nacionalisti rus, Aleksandr Dugin, po ashtu sulmoi Evropën, duke spekuluar: “Nëse, për shembull, Trump do të tërhiqte SHBA-në nga lufta jonë në Ukrainë, mund të ketë një situatë ku ne luftojmë kundër globalistëve evropianë, liberalëve evropianë në Ukrainë, pa Amerikën”. Dikush mund të vë në pikëpyetje mençurinë e dhënies së një platforme për një njeri të njohur për retorikën e tij gjenocidale (v.j. autori ka punuar më parë për CNN), por mesazhi ishte i qartë. Propaganda ruse e ka pasqyruar Evropën si kërcënim, veçmas për shkak të bisedimeve për “koalicionin e vullnetit” për mbështetjen e Ukrainës, e madje me mundësi që në Ukrainë të dërgohen trupa paqeruajtëse. Fraza “hapja e shampanjës në Moskë” është bërë e famshme dhe përdoret me vendimet politike të SHBA-së që duket se janë në favor të Putinit. Ndoshta kjo është një referencë e pavetëdijshme për momentin kur ultranacionalisti rus, Vladimir Zhirinovsky, bëri gëzuar për të festuar fitoren në zgjedhje të Trumpit më 2016. Por, ende nuk ka asnjë ngjarje që televizioni rus të mos e shfrytëzojë për të shpjeguar sinjalet kundërthënëse nga Uashingtoni./REL