Bota E Shtunë, 29 Nëntor 2025 15:21
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të shtunën kundër fluturimeve mbi hapësirën ajrore të Venezuelës, në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale që sinjalizoi një përshkallëzim të fundit kundër vendit të Amerikës Latine. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi: “Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutemi konsiderojeni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE RRETH VENEZUELËS TË MBYLLUR NË TËRËSINË E SAJ.” Presidenti amerikan nuk dha detaje të mëtejshme.
Ky paralajmërim vjen pas një njoftimi të mëparshëm nga rregullatori i aviacionit amerikan drejtuar linjave ajrore kryesore, duke i informuar për një “situatë potencialisht të rrezikshme” gjatë fluturimeve mbi Venezuelë. Arsyeja e cituar ishte “përkeqësimi i situatës së sigurisë dhe rritja e aktivitetit ushtarak në ose rreth” vendit. Mesazhi i Trump-it shënon një hap tjetër në fushatën e administratës së tij për të rritur presionin ndaj liderit të majtë të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Në këtë kuadër, Uashingtoni ka nisur një dislokim të madh ushtarak në Karaibe, duke përdorur aeroplanmbajtësen më të madhe në botë. SHBA-ja thekson se aktivitetet ushtarak synojnë frenimin e trafikut të drogës, ndërsa Maduro këmbëngul se administrata Trump kërkon ndryshim regjimi. Që nga fillimi i shtatorit, forcat amerikane kanë goditur mbi 20 anije venezueliane në Detin Karaibe dhe Paqësorin lindor, të cilat Uashingtoni pretendon se përdoreshin për kontrabandë droge, pa ofruar prova. Si pasojë e këtyre goditjeve, mbi 80 persona humbën jetën.
Të enjten, Trump paralajmëroi gjithashtu se operacionet për të frenuar trafikun e drogës venezueliane “nga toka” do të fillonin “shumë shpejt”.









