Lideri i opozitës, Sali Berisha, i cilësoi si shumë inkurajuese mesazhet e Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit të shtetit, Marko Rubio, të cilët kërkuan nga Shqipëria luftë kundër karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha njoftoi se javën e ardhshme foltoret do të fillojnë edhe në qytete të tjera të vendit. Berisha u ndal edhe tek skandali i madh i korrupsionit me protagonist numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun. Ai akuzoi Edi Ramën se paditi vendimin për pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese, pasi është bashkëautor në këto vjedhje.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku u trajtuan disa nga temat më të rëndësishme të aktualitetit politik në vend. Berisha u ndal tek mesazhet drejtuar shqiptarëve me rastin e Ditës së Pavarësisë nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i shtetit, Marko Rubio, të cilat i cilësoi si shumë inkurajuese në përpjekjen për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i Edi Ramës.
Lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës tashmë janë të padiskutueshme. Ata të cilët Presidenti Trump i ka cilësuar si organizata terroriste, si Sinaloa e Meksikës, kanë qenë të pranishëm në takime me Edi Ramën dhe kanë përfituar licenca kazinosh dhe hotelesh.
“Mendoj se mesazhi i urimit të sekretarit Rubio dhe të Presidentit Trump prek apo trajton problemin më themelor që kemi sot ne si komb apo si vend: drogën, krimin dhe luftën kundër tyre. Kjo përbën një inkurajim në përpjekjen tonë të madhe për të shpëtuar shqiptarët nga ky regjim i bazuar në drogë dhe krim”, tha Berisha.
I pyetur nga qytetarët për vijimin e aksionit opozitar, Berisha njoftoi se javën e ardhshme foltoret do të fillojnë edhe në qytete të tjera të vendit.
“Këtë javë fillojmë foltoret jashtë Tiranës, në të gjithë vendin. Këtë javë fillojmë foltoret jashtë Tiranës dhe do të vazhdojmë në të gjithë vendin”, tha Berisha.
Berisha u pyet edhe për një takim të zyrtarëve demokratë, Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, me kandidatët e primarëve.
“Kandidatët e primarëve në tërësi i kam takuar ose i kam telefonuar. Vetë Salianji ka qenë disa herë në këtë zyrë, Ilir Alimehmeti edhe më shpesh. Në këtë kontekst, askush nuk është i përjashtuar në këtë parti. Po ka patur një problem serioz, dhe ky problem ka qenë angazhimi ynë total në mbrojtjen e votës. Në rast se ju rikujtoni deklaratat e mia, ato kanë qenë dy. E para: me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka… Unë e di se, në rast se një kryeministër vendos të mos zhvillojë zgjedhje, por farsë, opozita nuk i fiton kurrë ato zgjedhje… Zgjedhjet që zhvillohen në kushtet e partisë-shtet nuk janë kurrë më të lira, por janë thjesht farsë elektorale.”
“Një debat i vogël ndodh diku mes opozitës, ose një mendim ndryshe, gjëja më normale. Sesi studiot televizive e shndërrojnë në çështje kryesore, vetëm e vetëm për të maskuar dhe fshehur para qytetarëve aferat e mëdha, me kosto dhjetëra e qindra milionë eurosh, të taksave të tyre”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek skandali i madh i korrupsionit me protagonist numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun. Berisha akuzoi Edi Ramën se paditi vendimin për pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese, pasi është bashkëautor në këto vjedhje.
“Në Europë, sapo ngrihet një akuzë, i akuzuari jep dorëheqjen dhe pret sqarimin nga drejtësia të problemit. Kurse në Shqipëri, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por merr mbështetjen e kryeministrit për të paditur në Gjykatë Kushtetuese. Pra, në Gjykatë Kushtetuese nuk shkoi Belinda Balluku e pezulluar, por shkoi Edi Rama. Por në mënyrë absolute, jo tashmë për vlerësimet apo sentimentet që ka ndaj Ballukut, por fund e krye për shkak të problemit madhor të vet, sepse ai është bashkëautor në këto vjedhje të mëdha”, tha Berisha.
Ai është ai që dërgoi Ballukun në Ankara dhe takoi kompanitë turke, të cilat morën 50 mln euro më shumë për tunelin e Llogarasë sesa kompania de fakto ndërtoi tunelin, që paraqiti një ofertë 50 mln më të lirë.
“A mund ta fitojë Rama? Edhe mundet, por nëse vendos gjykata, është shkelmim i kësaj e asaj.”
Berisha tha se kishte besim në punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm, por nuk mund ta thotë këtë për drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, apo për gjyqtaren Irena Gjoka.
Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të ngrihen për largimin e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe theksoi se opozita nuk do të bëjë kurrë kompromis përballë narkoshtetit dhe krimit.