Tag: trëndafili

  • Qyteti i Shqipërisë që mban aromë trëndafili

    Qyteti i Shqipërisë që mban aromë trëndafili

    Në Përmet, thellë në luginën spektakolare të Vjosës në jug të Shqipërisë, trëndafilat çmohen dhe përfshihen më shumë se kudo tjetër, qoftë për parfume, për t’i dhënë shije ujit, apo për ëmbëlsirat që kërkohen prej mijëra turistëve.
    “Këtu gjithçka rrotullohet rreth trëndafilave, prej përfshirjes në gatime, e deri te produktet mjekësore – gjithçka shihet nën reflektim të trëndafilit”, ka thënë me shaka mësuesja e biologjisë, Ariana Nikolla, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.
    Prej kur ishte e vogël, 57-vjeçarja i ka mbledhur me delikatesë petalet e llojit të saj të preferuar “Trëndafilit të Dhëndrit”, siç njihet një lloj trëndafili rozë, për shkak të aromës së veçantë.

    Në Përmet, trëndafilat janë ritual – dhurata e parë për njeriun e zemrës. Dhe ata duhet të jenë rozë, ngjyrë që simbolizon dashurinë dhe besnikërinë.
    Secila familje kultivon dhjetëra lloje të trëndafilave nëpër kopshte, përfshirë atë të Damaskut, që njihet për aromën e fortë, duke e bërë shumë të njohur këtë qytet të Ballkanit për ujin e tij artizanal me trëndafila.
    Megjithatë, është pothuajse e pamundshme ta blesh – ky ujë konsiderohet me vlerë të lartë, thonë banorët, të cilët mund t’i bëjnë dikujt dhuratë disa pika, dhe atë herë pas here, pasi e ruajnë me shumë xhelozi sasinë që kanë.

    “Uji i trëndafilit është dashuri”
    “Uji i trëndafilit është sikurse dashuria, duhet të trajtohet me shumë kujdes”, ka thënë veteranja, Resmie Tuci.
    “Procesi i përgatitjes së ujit me trëndafila është shumë i vështirë. Duhet të ruhen nëpër enë të veçanta bakri, duhet zgjedhur trëndafilat e freskët, sidomos ata që kanë petalet më aromatike”, ka thënë 70-vjeçarja.
    Kjo metodë tradicionale, e përcjellë nga një gjeneratë në tjetrën, është e renditur në inventarin kombëtar të trashëgimisë kulturore jomateriale të Shqipërisë.

    Sipas traditës, secili trëndafil duhet të vendoset në një tas bakri të lidhur me fije, i cili vetë është vendosur brenda një legeni të madh me fund të sheshtë të mbushur me ujë.
    Pastaj, petalet e trëndafilave të mbledhura me dorë vendosen me kujdes mbi pëlhurë dhe mbulohen me një gur të sheshtë, mbi të cilin hidhet hi i nxehtë nga zjarri.
    Vetëm atëherë, petalet nisin të lëshojnë ujin e tyre të çmuar të trëndafilit nëpërmjet kondensimit.
    “Është proces që zgjat me orë”, ka thënë Tuci për AFP-në. “Por, çdo pikë është shumë e çmuar”, ka thënë Nikolla, teksa ka mbushur një shishe të vogël me ujë trëndafili, të cilën e ka vendosur më pas në ambient me rreze të diellit për disa javë, sepse vetëm ashtu bëhet gati për përdorim.
    “Është i çmueshëm sikurse ari”, ka shtuar ai.
    Ëmbëlsirat – kënaqësitë e vogla të jetës
    Banorët e përdorin ujin e trëndafilit për gjithçka dhe përmendin të mirat e tij, për zbutjen e irritimit të syve, apo edhe për përzije si krem qetësues për lëkurën e skuqur. Dhe natyrisht, për gatim.
    Eftali Qerimi, 63-vjeçare, betohet në këtë produkt.
    Ëmbëlsirave që përgatit ajo me ujë të trëndafilit dhe bajame nuk u afrohet asgjë tjetër.

    Të përgatitura vetëm me pluhur të bajameve, sheqer dhe ujë trëndafili, këto lloj ëmbëlsirash në formë trëndafili janë në menynë kryesore të familjeve të këtij rajoni, sa herë të ketë ndonjë datë të rëndësishme.
    Të njohura si hajmalitë e fatit, ato shërbehen në ditëlindje, dasma dhe festa kur lindin fëmijët. Bashkë me gratë tjera në punëtorinë e saj, Qerimi prodhon deri në 10 kilogramë copa bakllavash turke në ditë, dhe një kilogramë e shet 50 euro.
    Ajo shpesh përgatit edhe versionet e vogla në formën e këmbës së foshnjave – një tjetër mënyrë si u urohet bebeve jetë e gjatë.
    Disa gra përgatisin edhe reçel të trëndafilit dhe aroma e tij e mbush gjithë punishten.

    “Trëndafili është gjithçka për neve, simbolizon zemrën, dashurinë dhe lumturinë në jetë”, ka thënë Qerimi, e cila është shumë e zënë në prag të sezonit veror që është gati të nisë.
    ” Turistët dynden në qytet dhe tundohen pas bukurive natyrore të luginës, me grykat e saj të famshme dhe parkun natyror, por më pas ata duan të shijojnë edhe kënaqësitë e saj kulinare”, ka thënë Eftali duke buzëqeshur./REL

  • Vlerat Unike të Petaleve të Trëndafilit

    Vlerat Unike të Petaleve të Trëndafilit

    Trëndafilat janë sinonim i bukurisë dhe dashurisë e si të tilla është logjike që ato ofrojnë vlera dhe përfitime fantastike për njeriun. Në fakt, është e vërtetë se kjo lule ikonë bën mrekulli për lëkurën.

    Një nga përdorimet më të hershme të trëndafilit është regjistruar në qytetërimet e Romës së lashtë, ku njerëzit asokohe bënin banjë me petale trëndafili. Ata e vlerësonin shumë këtë lule të bukur, madje me të dekoronin sallat e banketeve.
    Uji i trëndafilit është përdorur në kozmetikë, mjekësi dhe në trajtimet terapeutike për shekuj me rradhë. Vaji esencial i trëndafilit ka vlera të forta kundër baktereve, mykut dhe virozave, gjë që e bën atë ideal për trajtimin e një sërë problemesh në lëkurë si nxirjet, të djegurat e të tjerë.
    Për më tepër, ky vaj është përdorur për të shëruar fytin, kollën dhe ulur temperaturën. Uji i trëndafilit është shumë popullor në aspektin shëndetësor dhe kozmetik.
    Industria e kozmetikës në ditët e sotme e përdor gjërësisht ujin e trëndafilit dhe vajin esencial dhe jo thjesht për t’i dhënë aromë të mirë produkteve. Kjo lule aromatike është bujare sepse rinon dhe ushqen lëkurën duke e bërë atë të butë si mëndafsh.
    AgroWeb ju sjell vlerat fantastike të trëndafilit
    1. Kundër baktereve: Vaji esencial i trëndafilit lufton bakteret në mënyrë natyrale. Ai ndihmon për të trajtuar aknet dhe lëkurën që ka tendencën për të patur akne. Për më tepër, ky vaj është një përbërës ideal për larësit dhe pastruesit e fytyrës.
    2. Kundër inflamacionit: Mos e përçmoni ngjyrën e kuqe të thellë të trëndafilit. Vaji i kësaj luleje me ngjyrë të bukur ndihmon për të trajtuar shenjat dhe ngjyrimet e pakëndshme të lëkurës. Vaji ka efekt qetësues dhe ndihmon kundër acarimeve apo problemeve si ato të ekzemës.
    Ju mund të përgatisni një maskë fytyre me efekt qetësues duke përdorur petalet e trëndafilit. Merrni tetë petale dhe zhytini në 3 ose 4 lugë gjelle me ujë. Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, shtoni 3 lugë gjelle me mjaltë. Përzijeni mirë dhe lyeni fytyrën me këtë masë fantastike. Mbajeni maskën për 15-30 minuta dhe më pas shpërlajeni me ujë të ftohtë.
    3. E pasur me antioksidantë: Trëndafili përmban sasi të mëdha të vitaminës C që në vetvete është një antioksidant i fuqishëm. Kjo vitaminë e rëndësishme ju ndihmon të kuroni dëmet e shkaktuara tek qelizat e lëkurës, si për shembull nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell.
    Merrni dy grushta me petale petale dhe zhytini në 100 ml me ujë. Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, filtrojeni dhe e keni gati për përdorim. Disa studime kanë treguar që uji i trëndafilit ndihmon në parandalimin e djegies nga dielli.
    4. Zbut dhe ushqen lëkurën: Vajrat natyrale që gjenden tek trëndafili ndihmojnë lëkurën që të jetë e ushqyer dhe e zbutur, rrjedhimisht e butë. Trëndafili është plot vlera për ata që kanë një lëkurë të ndjeshme, sepse sheqernat tek petalet krijojnë një ndjesi të këndshme qetësimi tek lëkura.
    5. Aromë natyrale: Shumë produkte organike bukurie e përdorin trëndafilin për aromën e tij delikate në vend të fragrancave të tjera artificiale që mund të gjenden në treg.
    6. Efekt qetësues: Nëse e përdorni trëndafilin për aromën e tij, duhet të dini që kjo lule ka efekt qetësues dhe zbutës për trurin. Petalet e trëndafilit janë përdorur kryesisht në mjekësinë popullore për të detoksifikuar dhe qetësuar gjithë organizmin.
    Kjo karakteristikë e trëndafilit i bashkangjitet vlerave të shtuara në favor të bukurisë, ndaj mos hezitoni të përdorni kremëra me aromë trëndafili për një eksperiencë të kënaqshme.
    7. Tonifikues: Trëndafili ka aftësi natyrale për të ngushtuar poret dhe rikthyer shkëlqimin natyral të lëkurës. Qëndroni larg tonikëve me bazë alkoli për lëkurën tuaj. Trëndafili nuk e përthan atë, përkundrazi e trajton me shumë delikatesë./AgroWeb.org

  • Genc Trëndafili shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit: Një jetë në shërbim të dijes dhe kulturës

    Genc Trëndafili shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit: Një jetë në shërbim të dijes dhe kulturës

    Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i dorëzoi familjes së Genc Trëndafilit titullin “Qytetar Nderi”, si një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim dhe trashëgimi kulturore.
    Genc Trëndafili ka qenë një ndër figurat më të spikatura në arsimin elbasanas dhe më gjerë, ish-drejtor i shkollës “Luigj Gurakuqi” dhe një ndër metodistët më të shquar të gjeografisë. Ai është autor i librit “Didactic of Geography”, një tekst i rëndësishëm akademik që mbetet një udhërrëfyes për mësimdhënien moderne në këtë fushë.

    Përveç kontributit të palodhur në edukimin e brezave, Trëndafili ka luajtur një rol thelbësor edhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit. Ai ka kontribuar në ngritjen dhe sistemimin e Muzeut të Shkollës Normale të Elbasanit, një institucion simbol për historinë e arsimit shqiptar.
    “Puna dhe vlera e tij do të jetojnë përjetë ndër breza. Respekt dhe nderim për një figurë të rrallë të dijes dhe kulturës shqiptare,” u shpreh Kryetari Llatja gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit.