Nga Daniel Puskepeleitis, BILD
Që nga fillimi i luftës ndaj Ukrainës më shumë se tre vjet më parë, BE-ja ka miratuar shumë pako sanksionesh kundër Rusisë. Megjithatë, tregtia midis këtij vendi dhe shteteve anëtare të BE-së vazhdon ende.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, njoftoi së fundmi se dëshiron të përshpejtojë ndalimin e importit të naftës dhe gazit. Sanksione të tjera janë duke u përgatitur.
Por, kush vazhdon të marrë ende naftë dhe gaz nga Rusia? Dhe cilat mallra tregtohen më shpesh?
Kush vazhdon të marrë naftë dhe gaz nga Rusia?
Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW), shtetet anëtare të BE-së importuan në tremujorin e parë të vitit 2025 mallra nga Rusia në vlerë prej 8.7 miliardë eurosh. Për krahasim: në tremujorin e parë të vitit 2021 vlera ishte 30.6 miliardë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 ishte madje 63 miliardë euro. “Arsyeja ishte rritja e ndjeshme e çmimeve të naftës dhe gazit,” shpjegon ekspertja e tregtisë së jashtme e IW-së, Samina Sultan.
Të shumta janë shtetet e BE-së që tashmë nuk marrin më lëndë djegëse fosile nga Rusia – me disa përjashtime (sidomos Hungaria dhe Sllovakia, por edhe Franca dhe Spanja).
Sipas IW-së, importi i gazit natyror në BE ishte 4.4 miliardë euro në tremujorin e parë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, importi i gazit natyror është më shumë se gjysmë i reduktuar krahasuar me vitin 2021.
Sa i përket naftës, vlera e tregtisë ishte ende 1.4 miliardë euro – një rënie prej pothuajse 93%! Megjithatë, gazi dhe nafta mbeten ende ndër pesë mallrat më të importuara.
Mallrat më të kërkuara:
► Fertilizuesit (plehrat kimike): Për shkak se janë relativisht të lirë dhe deri tani nuk janë prekur nga sanksione ose tarifa, pjesa e importit ka mbetur thuajse e pandryshuar. Në tremujorin e parë të vitit 2025, 549.95 milionë euro u shpenzuan për import nga vendet e BE-së drejt Rusisë.
► Hekuri dhe çeliku: U importuan 725 milionë euro, kryesisht nga Italia, Belgjika dhe Çekia.
► Nikeli: U importua me vlerë prej 261 milionë eurosh.
Tregtia vazhdon edhe në drejtim të kundërt
Megjithatë, tregtia funksionon edhe nga BE-ja drejt Rusisë. “BE-ja importon pak më shumë sesa eksporton,” shpjegon ekonomistja Sultan. Në tremujorin e parë të vitit 2025, mallra me vlerë 7,9 miliardë euro u dërguan në Rusi, kryesisht makina dhe produkte farmaceutike. Për krahasim, në vitin 2021 kjo shumë ishte 21,3 miliardë euro.
Gjermania përfiton më shumë nga eksporti
Shpenzimet për importin nga Rusia gjatë gjithë vitit 2024 ishin 1,8 miliardë euro, ndërsa të ardhurat nga eksporti arritën në 7,6 miliardë euro. Sipas një sondazhi të fundit të INSA-s, shumica e gjermanëve mbështesin ndërprerjen e plotë të importit të naftës dhe gazit në BE.









