FOTO ILUSTRUESE
DURRËS- Një sherr me thika mes gjimnazistëve ka ndodhur në Durrës, ku një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është plagosur nga bashkëmoshatari i tij 14-vjeçari M.K., i cili e ka qëlluar 4 herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, teksa ka dhënë edhe detaje se si nisi sherri mes tyre, dinamikën e ditës së ngjarjes dhe arrestimin. Ai ka deklaruar se konflikti kishte nisur disa ditë më parë në rrjetet sociale, konkretisht për një koment në platformën TikTok. Dy të miturit kanë nisur fillimisht të konfliktohen me komente, e më pas janë takuar për “t’u sqaruar”.
Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri thotë se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur. Ai shpreh keqardhje dhe thotë se nuk kishte qëllim për ta vrarë 15-vjeçarin.
“Pak dite me pare ngecem per nje koment ne Tik Tok. Aty nisi. U grindem me komente. Me pas lame te takoheshim. Nga ana jone per t’u sqaruar. Po e dinim qe ata do vinin me disa shoke. Edhe ne u beme nje grup. E lame te takoheshim diku prane shtepise se tij. Shkuam aty, u takuam. Ata kishin marre masa per ndonje konflikt te mundshem, gjitheashtu edhe neve. Nisem te debatonin, kush je ti kush jam une!. U perfshime ne nje sherr masiv. Ata na qelluan me mjete te forta. Une nxorra thiken. Me shume per ta trembur. Per vetembrojtje qellova. Se ishte me i madh dhe po me godiste. E godita disa here, jo per ta vrare apo plagosur por per ta trembur. Me vjen shume keq qe perfundoi ne kete menyre. Nuk desha qe te shkonte keshtu. Edhe ata na qelluan me mjete te forta. Jam penduar shume. Nuk doja te shkonte keshtu”, ka deklaruar 14-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme 25 nëntor, ku një 14-vjeçar në debat e sipër ka plagosur me thikë një 15-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda. Autori i mitur është arrestuar, ndërsa i plagosuri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në gjendje kritike. Në një reagim, spitali bëri me dije se i mituri ndodhet në reanimacion, ndërsa mjeku kirurg tregoi gjendjen kritike në të cilën ndodhet. Sipas mjekut, orët në vijim do të jenë vendimtare për gjendjen e 15-vjeçarit./ZËRI









