Tregtarja Bardha dhe inspektor Muçi
SARANDË- Bardha Nesturaj është tregtarja që u bë virale në rrjetet sociale gjatë një përplasje me inspektor Muçin në Sarandë. “O Muçi, ku ta gjej faturën, e kam mbledhur në mal!”, është kjo fjalia që u shpërnda dhe u bë virale kudo në rrjet, pasi inspektori i kërkoi të pajisë me faturë rigonin që ajo tregton në biznesin e saj.
Por çfarë qëndron pas këtij episodi viral? Në fakt, pas asaj fjalie që po lexohet e dëgjohet kudo, është revolta e Bardhës, e cila prej 35 vitesh është tregtare. Ajo u përball pak ditë më parë me inspektor Muçin, ndërsa ky i fundit i kërkoi faturë për rigonin që ajo kishe mbledhur në malet e Sarandës. Por, Bardha dha përgjigjen e saj të sinqertë dhe të guximshme, duke i thënë që s’kishte ku ta gjente faturën. Ndërkohë, nga ana tjetër, inspektori pa përgjigje, nuk i dha asnjë shembull se si mund ta merrte faturën.
Mes shqetësimin për shitjen e produkteve, tregtarja rrëfen vështirësitë e biznesit familjar që ajo ka trashëguar prej prindërve të saj. Ndërsa për kuponin që i është kërkuar, Bardha e cilëson si barrë të rëndë, pasi thotë se rigoni që ajo shet, e merr nga mali dhe për këtë nuk ka kujt t’i marrë certifikim.
“Jam tregtare që në 1990 dhe më 30 Qershor të këtij viti kam bërë 35 vite që jam tregtare. E kanë filluar prindërit e mi, me ta fillova të punoj, e nisëm me një karrocë, me një makinë më pas dhe kështu u ngrit puna jonë. E kam punën vetëm sepse prindërit më kanë ndërruar jetë.
Dy vëllezërit pësuan infarkt, të dy me bypass. Jam e fortë, pa asnjë shqetësim. Kjo punë më pëlqen, kam patur oferta për të punuar në biznese private, por më pëlqen kjo. Sa i përket videos virale, është gjë e mirë të shkosh në malet e Sarandës dhe të mbledhësh vetë.
Të vish e të më kërkosh mua kupon, është barrë e rëndë. Unë nuk kam çfarë të marr aty ku e këpus gjënë. S’kam kujt t’i marr certifikim që unë e kam këtë gjë të rregullt dhe të sigurt. Mali e sjell çdo gjë të sigurt e të mirë. Nuk kam çfarë të them unë për këtë gjë.”-tha Bardha.
E megjithatë, tregtarja Bardha, iu drejtua kryeministrit të vendit, Edi Rama, teksa i kërkon të dijë një formulë se si mund të sigurojë kupon për produktin e saj. “Më trego një model, një formulë, të më thotë, Bardha, kjo është ajo që duhet të bësh. As inspektor Muçi nuk më dha asnjë model”- u shpreh Bardha.
Kujtojmë se kjo ngjarje erdhi si pasojë e kontrolleve të ushtruara në tregjet ambulante me urdhër të kryeministrit të vendit, Edi Rama./ZËRI/


