Tag: tregtare

  • Keir Starmer në “The Daily Telegraph”: Bota siç e njihnim ka ndryshuar, askush nuk fiton nga lufta tregtare

    Keir Starmer në “The Daily Telegraph”: Bota siç e njihnim ka ndryshuar, askush nuk fiton nga lufta tregtare

    Nga: Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar / The Daily Telegraph
    Fillimisht ishte mbrojtja dhe siguria kombëtare. Tani është ekonomia globale dhe tregtia. Supozimet e vjetra nuk mund të merren më si të mirëqena. Bota që njihnim dikur, nuk ekziston më. Duhet të ngrihemi dhe t’i përgjigjemi sfidës së kësaj kohe.

    Ne jemi të përgatitur për atë që vjen më pas. Bota e re është më pak e udhëhequr nga rregullat e përcaktuara dhe më shumë nga marrëveshjet dhe aleancat. Ajo kërkon virtytet më të mira britanike – qetësi, pragmatizëm dhe një kuptim të qartë për interesin tonë kombëtar.
    Shihni si kemi reaguar ndaj agresionit rus në Ukrainë. Kemi qëndruar të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën. Kemi mbledhur udhëheqësit botërorë dhe kemi punuar me aleatët tanë ndërkombëtarë. Dhe, kemi rritur shpenzimet për mbrojtje – rritja më e madhe e qëndrueshme që nga Lufta e Ftohtë – jo vetëm për paqen e qëndrueshme të Ukrainës, por sepse kjo është thelbësore për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ky investim do të sjellë gjithashtu një “përfitim nga mbrojtja” me më shumë vende pune dhe me paga më të mira.
    E dimë që kjo qasje funksionon.
    Kjo është arsyeja pse, për sa i përket tarifave, prioriteti i menjëhershëm është të ruajmë qetësinë dhe të luftojmë për marrëveshjen më të mirë. Askush nuk fiton nga lufta tregtare. Pasojat ekonomike, si këtu ashtu edhe në mbarë botën, mund të jenë të thella. Ne tashmë kemi një marrëdhënie të balancuar tregtare me aleatët tanë amerikanë dhe puna vazhdon për një marrëveshje të re për prosperitet ekonomik.
    Megjithatë, të gjitha opsionet mbeten në tavolinë.
    Unë do të nënshkruaj një marrëveshje vetëm nëse ajo është e drejtë për bizneset britanike dhe për sigurinë e njerëzve që punojnë. Dhe, do të vazhdoj të mbroj tregtinë e lirë dhe të hapur, sepse nëse tani ia kthejmë shpinën asaj, ky do të ishte një gabim i rëndë.
    Në fund të fundit, kjo është trashëgimia jonë si një komb ishullor. Nga prodhuesit e makinave në Uest Midlends deri te prodhuesit e uiskit në Ishujt Perëndimorë, tregtia e lirë është një forcë që frymëzon bizneset britanike të eksportit. Kjo qeveri do të jetë zëri i tyre në skenën ndërkombëtare.
    Kjo gjithashtu nënkupton forcimin e aleancave tona dhe uljen e barrierave tregtare me ekonomitë e tjera në mbarë botën. Diplomacia e zgjuar sjell një ekonomi më të fortë, më të larmishme dhe më të sigurt këtu në vendin tonë. Ashtu siç e kemi bërë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duhet të ngrihemi në nivelin e sfidës edhe për tregtinë dhe për ekonominë.
    Por, duhet të shkojmë edhe më tej. Këtë javë do të përshpejtojmë planet që do të përmirësojnë konkurrencën tonë të brendshme, në mënyrë që të mos jemi më kaq të ekspozuar ndaj goditjeve të tilla globale. Po ndërtojmë qëndrueshmëri, duke e bërë Britaninë një mozaik ekonomish të lulëzuara, duke shfrytëzuar aftësitë, talentet dhe mundësitë lokale. Duke krijuar pasuri në çdo cep dhe duke ofruar siguri për të gjithë – kudo. Rindërtimi kombëtar do të kërkojë aftësitë dhe talentet e secilit prej nesh.
    Ne jemi të gatshëm të përdorim politikën industriale për të ndihmuar biznesin britanik në ballafaqimin me stuhinë. Disa njerëz mund të ndihen në siklet për këtë – shpeshherë është përqeshur ideja që shteti duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt për të formësuar tregun. Por, thjesht nuk mund të mbetemi të mbërthyer nga ndjenjat e vjetra kur bota po ndryshon kaq shpejt.
    Refuzimi për të pranuar një botë në ndryshim është në zemër të rënies së Britanisë gjatë dekadave të fundit. Për shumë kohë, institucionet tona kryesore janë përpjekur vetëm të menaxhojnë krizat. Qasja ka qenë të kalojmë sa më mirë që mundemi, në vend që të merremi me shkakun thelbësor.
    Janë punëtorët ata që janë goditur më shumë. Infermierë, ndërtues, kujdestarë – njerëz që punojnë gjithnjë e më shumë, por me më pak para në xhep. Njerëzit janë të ngopur me pasigurinë në jetën dhe në komunitetet e tyre. Në këtë epokë të re të paqëndrueshmërisë globale, njerëzit e shikojnë të ardhmen me frikë.
    Por, rikthimi i udhëheqjes së qetë dhe të qëndrueshme – ajo për të cilën Britania është e njohur në mbarë botën – ka qenë gjithmonë në thelb të projektit tim politik. Këtë e kam premtuar në fjalimin tim të parë si kryeministër. Dhe, isha i qartë – qëndrueshmëria mund të vijë vetëm përmes sigurisë për punëtorët dhe përmes rilindjes kombëtare.
    Brenda dhe jashtë vendit, kjo është ajo që udhëheq çdo veprim të qeverisë sonë. Është e shënuar në të gjithë Planin tim për Ndryshim. Të vëmë më shumë para në xhepat e punëtorëve, përmes pagave më të larta.
    Të sigurojmë që pasuria të krijohet në çdo komunitet. Të rikthejmë shërbimet publike në gjendjen e duhur. Të sigurojmë pavarësinë tonë energjetike përmes energjisë së pastër britanike.
    Ta bëjmë vendin e punës më të denjë, përmes të drejtave më të forta të punësimit. Të mbështesim të rinjtë që duan të punojnë, në vend që gjithmonë të mbështetemi në zgjidhjen e lehtë të fuqisë punëtore nga jashtë. Të heqim burokracinë shtetërore që na pengon të ndërtojmë shtëpitë dhe infrastrukturën e së ardhmes. Të mbrojmë sigurinë kombëtare me investimin më të madh në mbrojtje që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
    Këtë javë, qeveria do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur interesin kombëtar të Britanisë. Sepse, kur rërat e ekonomisë globale janë në lëvizje, fokusi ynë i palëkundur, për t’i shërbyer Britanisë, nuk do të ndryshojë. Këto kohë të reja kërkojnë një mentalitet të ri. Ne kemi lëvizur më larg dhe më shpejt në sigurinë kombëtare, prandaj tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe për sigurinë ekonomike përmes aleancave më të forta dhe përmes uljes së barrierave tregtare.
    Punëtorëve u duhet një themel i ri sigurie, në mënyrë që të kenë lirinë që ta jetojnë jetën e vet. Ky është interesi kombëtar dhe prioriteti i kësaj qeverie. Fuqi jashtë vendit. Siguri brenda vendit.Përkthimi: Telegrafi.com

  • ‘Bota që njihnim është zhdukur’/ Starmer paralajmëron për pasojat e luftës tregtare

    ‘Bota që njihnim është zhdukur’/ Starmer paralajmëron për pasojat e luftës tregtare

    Kryeministri britanik Keir Starmer tha se bota “siç e dinim” është zhdukur dhe se “supozimet e vjetra nuk mund të merren më si të mirëqena”.

    “Bota e re qeveriset më pak nga rregulla fikse dhe më shumë nga marrëveshje dhe aleanca. Ajo kërkon më të mirën e virtyteve britanike – kokë të ftohtë, pragmatizëm dhe një kuptim të qartë të interesit tonë kombëtar”, shkroi Starmer në një shkrim për Telegrafin.

    Duke komentuar tarifat e vendosura ndaj Britanisë së Madhe nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, Starmer deklaroi se prioritet është “ruajtja e qetësisë dhe lufta për ofertën më të mirë”.

    “Pasojat e një lufte tregtare mund të jenë të thella. Ne tashmë kemi një marrëdhënie të ekuilibruar tregtare me aleatët tanë amerikanë dhe vazhdojmë të punojmë për një marrëveshje të re mbi prosperitetin ekonomik”, tha ai.

    Ai gjithashtu vuri në dukje se të gjitha opsionet mbeten në tryezë.

    “Unë do të bëj një marrëveshje vetëm nëse është e drejtë për biznesin britanik dhe sigurinë e njerëzve që punojnë. Dhe do të vazhdoj të mbroj tregtinë e lirë dhe të hapur, sepse t’i kthejmë shpinën asaj tani do të ishte një gabim i rëndë”, tha kryeministri britanik.

    Ai tha se ishte i përgatitur të përdorte “politikën industriale” për të “ndihmuar biznesin britanik të përballojë stuhinë”.

  • Tarifat e Trump, Macron: Lufta tregtare nuk është në interesin e askujt

    Tarifat e Trump, Macron: Lufta tregtare nuk është në interesin e askujt

    Presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili ka zhvilluar sot më herë një bisedë telefonike me kryeministrin britanik, Keir Starmer pë tarifat e Donald Trump, tha se një luftë tregtare nuk është në interesin e askujt.

    Ai u shpreh gjithashtu se “përballë goditjeve të mëdha të botës, duhet të ecim përpara së bashku”.

    Macron thotë se ai dhe Starmer “riafirmuan vendosmërinë tonë për të koordinuar nga afër pozicionet tona në diskutimet e vazhdueshme me Presidentin Donald Trump”.

  • Zbardhet biseda mes Starmer dhe Macron, dy liderët bien dakord: Lufta tregtare nuk është në interesat e askujt! Asgjë nuk duhet të…

    Zbardhet biseda mes Starmer dhe Macron, dy liderët bien dakord: Lufta tregtare nuk është në interesat e askujt! Asgjë nuk duhet të…

    Kryeministri britanik Kier Starmer ka biseduar sot me presidentin francez, Emmanuel Macron për tarifat e SHBA.

    Dowining Street thotë se dy liderët ranë dakord se një luftë tregtare nuk është në interesat e askujt.
    “Starmer dhe Macron ranë dakord se asgjë nuk duhet të jetë jashtë tryezës dhe se ishte e rëndësishme që biznesi të përditësohej mbi zhvillimet. Ata ndanë po ashtu shqetësimet për ndikimin global ekonomik të sigurisë, veçanërisht në Azinë Juglindore”, tha një zëdhënës i Dowining Street.
    Ata kanë folur edhe për luftën në Ukrainë, ku diskutuan përparimin e mirë që është bërë në koalicionin e valltarëve.
    “Kryeministri i Britanisë dhe presidenti  i Francës ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë gjatë javëve të ardhshme”, thuhet më tej në deklaratë.
     

    Top Channel

  • SPAK zbardh skemat e korrupsionit dhe pastrimit të parave

    SPAK zbardh skemat e korrupsionit dhe pastrimit të parave

    Prokuroria e Posaçme thotë se zyrtarët e lartë përfshihen në korrupsion duke u fshehur pas kompanive që fitojnë fondet publike, apo duke përfituar nga kompani të treta që i drejtojnë në hije.
    Në raportin e vitit 2024 dorëzuar në Kuvend, Prokuroria e Posaçme sqaron se hetimet kanë treguar se këta zyrtarë gjithashtu vënë në lëvizje vartësit e tyre duke orientuar në shpalljen fitues në tendera të kompanive të paracaktuara.

    “Një tjetër aspekt i skemës korruptive është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë midis zyrtarëve të autoriteteve kontraktore dhe përfaqësuesve të subjektit tregtar të paracaktuar.
    Vlerësimi i ofertave manipulohet, pasi realizohet me ndihmën apo ndikimin e subjektit tregtar të paracaktuar. Ky është një tregues i qartë i konfliktit të interesit dhe i përdorimit të institucioneve publike për qëllime private”,thuhet në raport.
    Paratë e fituara nga korrupsioni, pastrohen duke kaluar transaksion pas transaksioni nga një kompani në tjetrën dhe më pas investohen në pasuri të paluajtshme, duke u tërhequr cas nga kompanitë që drejtohen në hije nga zyrtarët dhe më pas injektohen në shoqëri tregtare apo pasuri të paluajtshme.
    Për herë të parë, SPAK ka identifikuar edhe skemën përmes influencave politike.
    “Në këto raste përdoret influenca politike për hartimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve për të favorizuar disa shoqëri tregtare të përfitojnë prona dhe fonde publike në shkelje të ligjit. Më pas këto shoqëri tregtare kanë kryer pagesa për interesa të zyrtarëve publikë ose ju kanë dhënë prona të patundshme me çmime të cilat janë nën vlerën e tregut”, thuhet në raport.
    Në 2024, SPAK mori nën hetim 33 zyrtarë të lartë, 2 prej të cilëve në dy procedime të ndryshme dhe 19 u dërguan në gjyq për akuza të korrupsionit, pastrimit të parave, shpërdorimit të detyrës, apo shkeljes së barazisë në tendera.
     

  • Taksa 10% godet edhe aleaten tregtare të SHBA-së, Anglinë! Keir Starmer telefonon homologët

    Taksa 10% godet edhe aleaten tregtare të SHBA-së, Anglinë! Keir Starmer telefonon homologët

    Tregjet e aksioneve në SHBA mbyllën javën e tyre më të keqe që nga pandemia e Covidit në vitin 2020, teksa tarifat gjithëpërfshirëse të Donald Trump vazhdojnë të shkaktojnë trazira në bursat anekënd globit.

    Të treja indekset kryesore në Wall Street ranë me më shumë se 5%. Këmbëngulja e Trumpit se taksat mbi mallrat që hyjnë në SHBA do t’i japin një super-impuls ekonomisë amerikane, nuk ka ndihmuar në qetësimin e investitorëve. Presidenti përdori rrjetin e tij social, Truth, për të përcjellë mesazhin se gjendja është nën kontroll.
    “Për investitorë të shumtë që vijnë në SHBA dhe investojnë shuma masive parash, politikat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë. Kjo është një kohë e mirë për t’u pasuruar, më të pasur se kurrë më pare”, tha Trump.
    Komentet e tij vijnë në kohën kur ndërsa tregjet globale të aksioneve ranë për të dytën ditë pas planit të tij tarifor dhe masave hakmarrëse të Kinës. Trump u shpreh se Kina “luajti gabim” duke i kundërpërgjigjur SHBA-së me tarifa shtesë. Pekini iu përgjigj tarifës prej 34% të Trump me taksën e vet me të njëjtën përqindje për importet amerikane. Masave të Washingtonit nuk i shpëtoi as partnerja e tij e hershme tregtare, Britania e Madhe.
    Teksa tarifa prej 10% hyri në fuqi edhe për Anglinë, kryeministri Keir Starmer pritet ta kalojë fundjavën duke diskutuar me liderë të tjerë të huaj mbi lëvizjet që duhet të ndërmarrin. Ai ka folur tashmë në telefon me homologët nga Australia e Italia, por po kërkon të tregohet i kujdesshëm në reagim. Nga sa pohoi Downing Street, të tre udhëheqësit kanë rënë dakord me idenë se një luftë e hapur tregtare nga të gjitha palët, do të shkaktonte dëme të jashtëzakonshme.

    Top Channel

  • Nis sot vjelja e tarifës doganore 10% edhe për Shqipërinë, Jaço: Mundësi për tregje të reja në BE

    Nis sot vjelja e tarifës doganore 10% edhe për Shqipërinë, Jaço: Mundësi për tregje të reja në BE

    SHBA nis sot vjeljen e tarifës doganore 10% që u ka vendosur disa vendeve përfshirë edhe Shqipërinë dhe Malin e Zi. Përtej shifrave të humbjeve që tanimë kanë nisur të kalkulohen, ish presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço tarifën e vënë për Shqipërinë e konsideron të ‘miqësisë’, pasi është më e ulta në Ballkan, dhe vendi duhet ta përdor me zgjuarsi.
    “Shqipëria ndodhet në një pozitë unike ‘mesi të artë’ që mund të shfrytëzohet për oprtunitete tregtare. Dhe ky avantazh konkurrues i papritur mund te shfrytëzohet ku Shqipëria te kthehet ne një ‘portë tregtare alternative’ për eksportuesit evropianë që kërkojnë të zbusin ndikimin e tarifave”, shprehet Jaço.
    Edhe pse shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë në shifra të vogla, Jaço thotë se tre sektorë do të ndikohen menjëherë.
    “Tre sektorët tanë më të prekur – bimët medicinale, këpucët dhe metalet – po përballen me një realitet të ri ku porositë amerikane po reduktohen dhe presioni për ulje çmimesh mund te kërcënoje vendet e punës dhe fitimet e tregtareve. Presioni krijon një efekt 2-fish të dëmshëm: sherbela dhe livanda shqiptare bëhen më të shtrenjta, dhe blerësit amerikanë ose blejnë më pak, ose kërkojnë ulje çmimesh”, pohon Jaço.
    Vjet prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë shitën në tregun amerikan 16.5 milionë euro bimë medicinale dhe aromatike nga 14 milionë euro në vitin 2023, por një tarifë e shtesë mund të sjellë falimentime.
    “Në fshatrat e Shkodrës, Korçës dhe Elbasanit, kjo përkthehet në pasiguri reale dhe të ardhura më të ulëta, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj industrie jetike për disa zonat rurale”, tha Jaço.
    Në total gjatë vitit 2024 Shqipëria eksportoi drejt SHBA, përmes partnerëve evropianë 70 milionë euro mallra. Më shumë kosto pritet të ketë edhe për bizneset që eksportojnë drejt SHBA gizë dhe çelik (30 mln euro) apo alumin e pjesë të mobilierive eksportet e të cilave vjet ishin 7.8 mln euro.
    Ndërsa prej SHBA-së blemë 205 milionë euro mallra, kryesisht, mjete transporti me vlerë 66.8 milionë euro, lëndë djegëse afro 40 milionë euro dhe pjesë këmbimi në aviacion 17.2 milionë euro. Të gjitha këto produkte pritet të shtrenjtohen edhe më shumë si rezultat i tarifave.
    Indirekt Shqipëria do të ndikohet nga dobësimi i mundshëm i ekonomisë evropiane si rezultat i tarifave më të larta, që mund të përkthehet në më pak turizëm dhe remitanca.
    “Kjo pasiguri i bën bizneset të frenojnë planet e investimeve, duke krijuar një klimë ekonomike ku fjala kryesore është ‘presim e shikojmë’, thotë Jaço.

  • SHBA fillon të mbledhë tarifën e re prej 10% të Trump, duke thyer normat e tregtisë globale

    SHBA fillon të mbledhë tarifën e re prej 10% të Trump, duke thyer normat e tregtisë globale

    Agjentët doganorë amerikanë filluan të mbledhin tarifën prej 10% të Presidentit Donald Trump për të gjitha importet nga shumë vende të shtunën, me tarifa më të larta për mallrat nga 57 partnerë tregtarë.
    Tarifa fillestare 10% “bazë” hyri në fuqi në portet detare, aeroportet dhe magazinat doganore të SHBA duke sjellë refuzimin e plotë nga Trump të sistemit të pas Luftës së Dytë Botërore të tarifave të dakorduara reciprokisht.
    “Ky është veprimi më i madh tregtar i jetës sonë” tha Kelly Ann Shaw, një avokate tregtare në Hogan Lovells dhe ish-këshilltare tregtare në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trump.
    Njoftimi i tarifës së Trump të mërkurën tronditi tregjet globale të aksioneve, duke fshirë 5 trilion dollarë në vlerën e tregut të aksioneve për kompanitë. Çmimet për naftën dhe mallrat ranë, ndërsa investitorët u larguan drejt sigurisë së obligacioneve qeveritare.
    Ndër vendet e para të goditura me tarifën 10% janë Australia, Britania, Kolumbia, Argjentina, Egjipti dhe Arabia Saudite. Një buletin i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA për transportuesit tregon se nuk ka periudhë mospagimi për ngarkesat.
    Vietnami, i cili përfitoi nga zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit të SHBA nga Kina pas luftës tregtare të mandatit të parë të Trump me Pekinin, do të goditet me një tarifë 46%.
    Kanadaja dhe Meksika u përjashtuan nga të dyja detyrimet e fundit të Trump, sepse ato janë ende subjekt i një tarife prej 25% në lidhje me krizën e fentanilit në SHBA për mallrat që nuk përputhen me rregullat e origjinës SHBA-Meksikë-Kanada.
    Trump po përjashton mallrat që i nënshtrohen tarifave të veçanta, 25% të sigurisë kombëtare, duke përfshirë çelikun dhe aluminin, makinat, kamionët dhe pjesët e automjeteve.
    Administrata e tij gjithashtu publikoi një listë, me më shumë se 1000 kategori produktesh të përjashtuara nga tarifat. Të vlerësuara në 645 miliardë dollarë në importet e vitit 2024, këto përfshijnë naftë bruto, produkte të naftës dhe importe të tjera të energjisë, farmaceutikë, uranium, titan, lëndë druri dhe gjysmëpërçues dhe bakër. Përveç energjisë, administrata Trump po heton disa nga këta sektorë për tarifa të mëtejshme të sigurisë kombëtare.

  • Lufta tregtare, tregjet vazhdojnë të bien në SHBA! BBC: Java më e keqe për stoqet amerikane që nga Covid

    Lufta tregtare, tregjet vazhdojnë të bien në SHBA! BBC: Java më e keqe për stoqet amerikane që nga Covid

    Aksionet globale u tronditën për të dytën ditë radhazi, ndërsa bota vazhdon të reagojë ndaj tarifave të Donald Trump.

     
    Kina u bë vendi i parë që lëshoi ​​tarifa hakmarrëse për të gjitha importet e SHBA – duke përshkallëzuar një luftë tregtare tashmë të diskutueshme. Nga e enjtja e ardhshme mallrat amerikane që vijnë në Kinë do të goditen me një taksë prej 34%. Ministria kineze e Tregtisë tha gjithashtu se do të vendosë më shumë kontrolle mbi eksportet e mineraleve të rralla, të cilat përdoren në produkte të teknologjisë së lartë, si çipat kompjuterikë dhe bateritë e automjeteve elektrike. Në listën e mineraleve që u nënshtrohen kontrolleve u përfshinë samariumi dhe përbërjet e tij, të cilat përdoren në prodhimin e aeroplanëve dhe në sektorin e mbrojtjes. Pekini gjithashtu njoftoi se ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në lidhje me çështjen e tarifave.
    Ende nuk dihet nëse kombet e tjera do të marrin masa hakmarrëse, por kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer tha se një “luftë tregtare gjithëpërfshirëse do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme”.
    Në Nju Jork, tregtarët e Wall Street filluan ditën pas një raporti më të fortë se sa pritej për tregun e punës në SHBA, por tregjet ranë kur Bursa e Nju Jorkut u hap të premten. Për të dytën ditë radhazi, pati rënie të stoqeve.
     

    Top Channel

  • Macron u bën thirrje kompanive të BE-së të ngrijnë investimet në SHBA

    Macron u bën thirrje kompanive të BE-së të ngrijnë investimet në SHBA

    Presidenti francez Emmanuel Macron u kërkoi kompanive europiane të ndalojnë investimet në SHBA në përgjigje të tarifave të mëdha të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.

    “Është e rëndësishme që investimet e ardhshme, ato të shpallura gjatë javëve të fundit, të pezullohen përkohësisht derisa të sqarojmë situatën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha Macron të enjten, gjatë një takimi në Pallatin Élysée me përfaqësues të sektorëve të prekur dhe zyrtarë të qeverisë.

    “Çfarë mesazhi do të dërgonim nëse lojtarë të mëdhenj europianë investojnë miliarda euro në ekonominë amerikane, në një kohë kur SHBA po na godet?” shtoi ai, duke bërë thirrje për “solidaritet kolektiv.”

    Komentet e Macron-it shihen si përpjekje për të penguar biznesmenët francezë të afrohen me Trump-in dhe të kërkojnë marrëveshje private, jashtë politikës së përbashkët tregtare të BE-së.

    Më herët këtë muaj, Trump njoftoi se gjiganti francez i transportit detar CMA CGM do të investojë 20 miliardë euro në SHBA. Ndërkohë, në janar, Bernard Arnault, drejtuesi i LVMH, tha se po shqyrtonte mundësinë e rritjes së investimeve në SHBA dhe lavdëroi politikën ekonomike të Trump-it.

    Të mërkurën, administrata Trump vendosi tarifa prej 20 për qind ndaj të gjitha eksporteve nga BE në SHBA, një veprim që Macron e quajti “vendim brutal dhe pa bazë.”

    Presidenti francez tha se tarifat e Trump-it konfirmojnë se Franca kishte të drejtë kur kërkoi një politikë tregtare më të ashpër dhe mjete më të forta mbrojtjeje në nivel europian.

    “Duhet të përshpejtojmë më tej në nivel europian me një agjendë mbrojtjeje tregtare,” tha Macron, duke përmendur tarifat e BE-së ndaj automjeteve kineze si shembull të presionit që mund të ushtrojë BE ndaj rivalëve ekonomikë.

    “Nuk jemi naivë, do të mbrohemi,” theksoi ai, duke iu referuar luftës tregtare me SHBA-në.

    Përveç tarifave hakmarrëse, Macron propozoi që Brukseli të shqyrtojë përdorimin e instrumentit të ri të BE-së kundër shantazhit ekonomik, i krijuar fillimisht për vende si Kina, por që tani mund të aplikohet edhe ndaj SHBA-së. Ai përmendi gjithashtu masa kundër gjigantëve teknologjikë amerikanë.

    “Asgjë nuk përjashtohet, të gjitha kartat janë mbi tryezë,” përfundoi Macron. / Politico – Syri.net