Nga Brendan O’Neill, SPECTATOR
Kalbëzimi në BBC është më i rëndë nga sa e mendojnë njerëzit. Është diçka shumë më serioze sesa shtrembërimi i herëpashershëm i fakteve për të goditur ndonjë politikan që BBC e urren, si Donald Trump – një akt keqpërdorimi gazetaresk për të cilin tani kanë dhënë dorëheqjen drejtori i përgjithshëm, Tim Davie, dhe drejtoresha e lajmeve, Deborah Turness.
Problemi më i thellë është se BBC-ja është korruptuar aq shumë nga ideologjitë e momentit, sa tashmë është e gatshme të djegë vetë të vërtetën në shërbim të asaj ideologjie.
Ajo është dehur aq fort me mendësinë e “të menduarit të drejtë”, sa është e gatshme të promovojë edhe marrëzi si “qumështi i gjirit mashkullor”, vetëm që të mbetet në harmoni me ideologët e saj të tjerë. Kjo është kriza e vërtetë: BBC-ja ka braktisur qëllimin e saj të vjetër fisnik — informimin e masave — në favor të përkëdheljes së besimeve delirante të elitave.
Nuk është çudi që mangësitë e BBC lidhen veçanërisht me tre çështje: Trumpin, transgjinorët dhe Gazën. Sepse kjo është “trinia e shenjtë” e fiksimeve morale në qarqet e klasës llafazane. Të urresh Trump-in, të besosh se burrat mund të bëhen gra, të këmbëngulësh — pa asnjë provë reale — se Izraeli është një “entitet gjenocidal”. Nëse nuk i nënshtrohesh këtyre urdhrave të reja “fetare”, je i përjashtuar nga shoqëria e “sjellshme”.
BBC-ja i ka përthithur plotësisht të tri këto “urdhra”. Manipulimi i pamjeve të Trump tregon se ajo ndien më shumë besnikëri ndaj “sindromës së çmendurisë ndaj Trumpit” sesa ndaj së vërtetës. Promovimi i pandërprerë i ideologjisë trans — dhe shpërfillja e zërave kritikë të grave — tregon se ajo është gati të flijojë edhe shkencën për t’u pëlqyer “besimtarëve” të kishës së opinionit me status të lartë. Dhe fiksimi i saj i rrëmbyer me Gazën, shpesh duke lënë në hije çdo tragjedi tjetër në botë, tregon se ajo përkulet thellë përpara kultit borgjez të izraelofobisë.
Kemi qenë dëshmitarë të diçkaje të jashtëzakonshme – nënshtrimit të BBC-së nga një doktrinë e re mizore, që kujdeset pak për të vërtetën dhe akoma më pak për drejtësinë. Pikërisht kjo e bën aq irrituese britmën e sotme se “BBC-ja po shkatërrohet” nga ndonjë grup toksik “të çmendurish të djathtë”. Arsyeja pse jemi në këtë rrëmujë është se BBC është tashmë e shkatërruar, ose më saktë e pushtuar, nga “të çmendur” të majtë që besojnë se burrat mund të prodhojnë qumësht dhe se çdo luftë është gjenocid.
Pyetja nuk është: “Pse po e sulmon Daily Telegraph BBC-në?”, por: “Pse iu desh Daily Telegraph që ta bëjë BBC-në të kuptojë se ka një problem?”. Shumë njerëz e kanë lutur BBC-në të zgjohet. Çdo ditë, gratë e “Ishullit TERF” e kritikojnë publikisht për braktisjen e së vërtetës shkencore dhe për heshtjen brutale të zërave të grave. Edhe hebrenjtë kanë protestuar përpara selisë së BBC-së, duke i kërkuar që të jetë më e paanshme në raportimin për luftën Izrael–Hamas.
Të gjithë janë shpërfillur. BBC-ja i ka trajtuar njerëzit, të cilëve duhej t’u shërbente, si një bezdi – si ata që “nuk kanë kuptuar ende” programin e “gëzimit trans” dhe urrejtjes ndaj Izraelit. Po të kishte dëgjuar, ndoshta nuk do të ishte duke u fundosur kaq shpejt.
Ky skandal zbulon një të vërtetë të madhe të kohës sonë – që elitat shpesh janë më të ndjeshme ndaj mashtrimeve dhe histerisë sesa ne të tjerët. Ata që jetojnë brenda flluskës së “mendësisë së drejtë” janë më lehtësisht të manipulueshëm nga modat e rrezikshme dhe “perënditë e rreme” sesa ata që jetojnë në botën reale. Duke u mbyllur në kullat e tyre prej fildishi, të ndërtuara me dogma që i përkëdhelin, ata janë shkëputur nga mënyrat e tjera të të menduarit – dhe nga e vërteta vetë.
Ajo që drejtuesit e BBC-së thoshin për ne – se ne jemi të cenueshëm ndaj keqinformimit – doli të ishte shumë më e vërtetë për ta vetë. Nëse BBC do me të vërtetë që të shpëtojë, duhet të hapë fortesën e vet ideologjike ndaj urtësisë së atyre britanikëve që deri më sot i ka përçmuar.