Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm ndodhet në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku po zhvillohet seanca për dekretin e Presidentit, nëse ai do të vijojë të mbetet në detyrë, apo do të lihet në fuqi vendimi për shkarkimin e tij.
Gjatë replikave me përfaqësuesin e Këshillit të Ministrave në seancë, Erion Veliaj tha se në mbledhjen e qeverisë, para se të merrej vendimi për shkarkim, duhej të ishte dëgjuar ai më parë.
Sipas Veliajt, në këtë rast Këshilli i Ministrave do të ishte vënë në dijeni për konfliktin e interesit që prokurori i çështjes ka në rastin e tij.
Ndërsa shtoi se ndodh shpesh që prokurorët ushtrojnë presion ndaj krerëve të bashkive për t’u punësuar të afërmit, dhe kur kjo nuk ndodh, atëherë ata i kërcënojnë përmes avokatit.
“Shumica e kryetarëve të bashkive janë nën presion nga disa prokurorë për të punësuar njerëzit e tyre në bashki. Madje, në Bashkinë e Tiranës, unë vetë kam pasur raste të tilla. Dhe kur nuk ua plotëson dëshirat, ata kapin avokatin e kryetarit dhe i thonë: Ia tregoj unë atij”, tha Veliaj.




