Tregjet globale të aksioneve pësuan rënie për të dytën ditë me radhë teksa tarifat botërore të Donald Trumpit vazhdojnë të ushqejnë frikën e një recesioni global.
Indeksi FTSE 100 i Londrës u tkurr edhe më shumë në çeljen e bursës mëngjesin e sotëm, ndërsa tërmeti në tregjet aziatike vazhdoi gjatë natës.
I pa shqetësuar nga fakti që tregjet në SHBA e mbyllën ditën e enjte me humbjen më të madhe ditore që prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në 2020-tën. Trumpi vetë duket i kënaqur. Presidenti amerikan thotë se vendosja e tarifave po shkon “shumë mirë” dhe ekonomia do të “lulëzojë”.
Tarifat më të larta, duke përfshirë 20% për BE-në dhe 54% për Kinën, do të hyjnë në fuqi nga 9 Prilli. Mes kombeve më të goditura është edhe Vietnami me 46% dhe Serbia me 38%. Përpara logjikës së ftohtë të biznesit, duket se takimi i ngrohtë i djalit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump Junior me presidentin serb Aleksandar Vucic, nuk pati ndonjë efekt. Presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve (VDA), Hildegard Müller, e përshkroi vendimin e SHBA si kthesë themelore në politikën tregtare. “Ky është largimi i SHBA-së nga rendi global tregtar i bazuar në rregulla – dhe si rrjedhim largimi nga baza për krijimin e vlerës globale dhe rritjen dhe prosperitetin përkatës në shumë rajone të botës. Kjo nuk është Amerika e para, kjo është vetëm Amerika”, theksoi Müller.
Top Channel






