Tag: trashëgimtarët

  • Trashëgimtarët hebrenj padisin Muzeun Metropolitan dhe fondacionin grek për pikturën e Van Gogh-ut të grabitur nga nazistët

    Trashëgimtarët hebrenj padisin Muzeun Metropolitan dhe fondacionin grek për pikturën e Van Gogh-ut të grabitur nga nazistët

    Trashëgimtarët e një çifti hebre nga Gjermania po padisin Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork dhe Fondacionin grek “Basile & Elise Goulandris” për pronësinë e pikturës “Vjelja e Ullinjve” (1889) të Vincent van Gogh-ut, të cilën ata pretendojnë se u plaçkit nga nazistët gjatë regjimit të Hitlerit.

    Sipas padisë, Hedwig dhe Frederick Stern, një çift nga Mynihu, e blenë pikturën në vitin 1935, por u detyruan ta linin pas kur u larguan nga Gjermania drejt SHBA-së më 1936, për t’i shpëtuar persekutimeve antisemite. Autoritetet naziste e shpallën veprën “pronë kulturore gjermane”, duke ua ndaluar ta merrnin me vete.

    Në 1938, piktura u shit në emër të familjes Stern, por fitimet u konfiskuan nga nazistët. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo mbërriti në SHBA, ku u ble nga filantropi Vincent Astor, i cili më pas ia shiti Muzeut Metropolitan në vitin 1956 për 125,000 dollarë. Muzeu ia kaloi veprën manjatit grek Basil Goulandris dhe gruas së tij Elise në vitin 1972.

    Sot, “Vjelja e Ullinjve” është në pronësi të Fondacionit Basile & Elise Goulandris në Athinë, ku edhe ekspozohet. Sipas padisë, muzeu amerikan “e dinte ose duhej ta dinte se piktura ishte plaçkitur nga nazistët”, duke theksuar se në atë kohë transaksioni u mbikëqyr nga Theodore Rousseau Jr., një nga ekspertët më të njohur botërorë për artin e plaçkitur gjatë nazizmit.

    Trashëgimtarët kërkojnë kthimin e veprës dhe dëmshpërblim financiar, duke argumentuar se piktura “është trafikuar dhe shitur në mënyrë të fshehtë për dekada”. Një padi e mëparshme e ngritur në Kaliforni në vitin 2022 u rrëzua në 2024 për mungesë juridiksioni.

    Muzeu Metropolitan mohon çdo dijeni për lidhjen e pikturës me familjen Stern, duke theksuar se ka qenë gjithmonë i përkushtuar në hulumtimin e historisë së pronësisë së veprave të artit të prekur nga plaçkitjet naziste.
    Ndërkohë, Fondacioni Goulandris e ka quajtur padinë “të pabazë” dhe ka deklaruar se ajo synon “ta njollosë reputacionin e fondacionit”.

  • Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë

    Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë

    Ministria e Financave ka çelur këstin e pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish-të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti.
    Kjo procedurë bëhet në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist ”, të ndryshuar si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
    Për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, që bëjnë pjesë në kategorinë joparësore, dokumentet që duhet të dërgojnë janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar e noterizuar, certifikatë vdekjeje origjinale për ish- të dënuarin politik dhe për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar origjinal si dhe numrat e llogarisë.
    Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare.
    Për shpërndarjen e kësteve të tjera, pagesa e këstit vijues, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit të dërguar më parë, kur nuk ka kontestim, nga rrethi i familjarëve ose të trashëgimtarëve, ndryshime të statusit të ish- të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve që jetojnë, revokim të prokurës së posaçme.
    Në vijim të çeljes së fondit për këstin e pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, Ministria e Financave ka publikuar edhe listën e parë të dosjeve në radhë për përfitimin e këstit të pestë.
    Në mbështetje të dokumentacionit të depozituar pranë Ministrisë përgjegjëse për financat, Drejtoria përgjegjëse për pagesat, në zbatim ligjit në fuqi për dëmshpërblimet e ish të dënuarve politikë, të Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave, realizon shpërndarjen e pagesave të këstit të radhës, duke bërë kontrollin e dokumentacionit të depozituar për çdo dosje individuale të ish të dënuarve politikë, pranë kësaj drejtorie dhe duke ndjekur radhën e pagesave të paguara ndër vite.