Tag: trashëgimisë

  • Ura e Terzive është një monument i trashëgimisë kulturore i vendosur në afërsi të fshatit Bishtazhin afër Gjakovës

    Ura e Terzive është një monument i trashëgimisë kulturore i vendosur në afërsi të fshatit Bishtazhin afër Gjakovës

    Ura e Terzive është një monument i trashëgimisë kulturore i vendosur në afërsi të fshatit Bishtazhin afër Gjakovës në Kosovë.Ajo është një shembull shumë i rëndësishëm i ndertim it të urave Osmane në Kosovë. Ajo është ndërtuar mbi lumin Erenik, ndoshta në fund të shekullit 15-të, dhe ishte ndryshuar në shekullin e 18-të. Riparime dhe rindërtime të mëdha të pamjes së saj origjinale u bën nga viti 1982 deri më 1984. Ura gjendet në kilometrin e 7-të të rrugës Gjakovë-Prizren mbi lumin Erenik. Ura është ndërtuar në shek.XVIII nga Esnafi i Terzive në Gjakovë. Objekti përmban në veti elemente të një monumenti kulture me vlera historike, sociale, artistike, arkitektonike dhe kulturore. Ura ka pasur rëndësi të madhe ekonomike sepse ka bërë lidhjet tregtare në mes të vilajeteve brenda Perandorisë Osmane. Vlera arkitektonike e kësaj ure qendron në faktin se është ndërtuar nga gurët vendas dhe përbëhet nga 11 harqe të madhësive të ndryshme, gjysëm-rrethor dhe dhjetë dritareve shkarkuese (qemer) në mes tyre. Ura është e gjatë 192.8, gjerësia 5.0 dhe 5.1. Ura mund të quhet fenomen ndërtimi për kohën kur është ndërtuar për shkak të mundesive financiare dhe paisjeve të pakta teknologjike të kohës, të ndërtuar nga mjeshtër të zotë dhe me pervojë. Restaurimi i fundit i urës është bërë në vitin 1982 nga Enti Krahinor i Prishtinës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Gjendja e urës është e mirë, por mungon mirëmbajtja e përhershme.

  • Si sot, në vitin 1946, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, u themelua në Paris

    Si sot, në vitin 1946, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, u themelua në Paris

    Jahja Drancolli

    Si sot, në vitin 1946, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, u themelua në Paris. Dokumenti është ratifikuar nga 20 vende. Edhe pse sovraniteti i Kosovës është njohur nga më shumë se 110 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, Kosova ende nuk i është bashkuar organizatës së përmendur!

    Trashëgimia kulturore midis realitetit dhe mitit!

    Lufta e fundit në Kosovë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si për shumë studiues ashtu edhe për opinionin publik, është vlerësuar si përplasje e qytetërimit të krishterë dhe myslimanë, dhe në këtë kontekst gjithmonë theksohet miti serb për Kosovën, ky mit shfaqet nga “gjuha shpërthyese e klerit, intelektualëve dhe nacionalistëve serbë” (Ch. Mylonas, G. Duijzings), që përfaqësojnë palën serbe si mbrojtëse të Europës dhe të krishterimit. Në fakt dihet se nga pikëpamja fetare serbët i përkasin kryesisht të krishterëve ortodoksë, ndërsa shumica e shqiptarëve janë myslimanë, dhe pjesa më e vogël i përket krishterimit romako-katolik dhe bizantin-ortodoks. Kjo strukturë aktuale fetare, duke përfshirë edhe fetë e tjera ekzistuese në Kosovë, konsiderohet si gur themeli për krijimin e miteve për Kosovën, para së gjithash, është krijuar më zë të lartë “miti serb, i cili e percepton Kosovën si zemër dhe shpirt të identitetit kombëtar dhe fetar serb”, dhe i dyti “Miti shqiptar”, i lindur në kohët moderne si nevojë për të vërtetuar vazhdimësinë iliro-arbër-shqiptare edhe në hapësirën e shtetit të ri të Kosovës dhe në pjesët të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë”.

    Si duket gjendja e trashëgimisë kulturore në terren?

    Në territorin e Republikës së Kosovës që nga periudha parahistorike e deri më sot njerëzit kanë zhvilluar trashëgiminë e tyre kulturore. Strukturat etno-kulturore, qytetërimet, popujt kanë lanë si trashëgimi pasardhësve të tyre shumë burime të shkruara, materiale dhe gojore mbi vlerat e Trashëgimisë Kulturore. Prandaj, Kosova tregon një shembull të diversitetit të pasur të Trashëgimisë Arkitekturore (Monumentet e Kulturës, Ansambli i ndërtesave, Zonat e konservuara arkitektonike); Trashëgimia Arkeologjike e Paluajtshme (Ndërtimet, Strukturat dhe grupet e ndërtesave, Monumentet e llojeve të ndryshme dhe përmbajtja e tyre, të gjetura në tokë ose nën ujë, Peizazhe kulturore), dhe Trashëgimia Arkeologjike e Luajtshme (Objekte që janë shprehje ose dëshmi e krijimtarisë njerëzore ose e zhvillimit natyror, të dalluara nga vlera me rëndësi dhe interes historik, arkeologjik, artistik, shkencor ose shpirtëror).

    Deri më tani në Kosovë janë evidentuar mbi 3200 objekte me vlera monumentale, 427 prej të cilave janë të shpallura nën mbrojtjen e ligjit dhe si të tilla janë të regjistruara në Regjistrin Qendror të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Këtij potenciali të pasur të trashëgimisë kulturore duhet t’i shtohen edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, që do të shpallen monumente historiko-kulturore. Një përparim i madh në këtë drejtim është bërë me hyrjen e Manastirit të Deçanit në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore (UNESCO) në vitin 2004.

    Në territorin e Kosovës gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar 1025 objekte të Trashëgimisë Kulturore. Ndër to, 150 ishin xhami dhe teqe dhe 56 kisha e manastire. Në këtë aspekt, në domosdoshmëri për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, është dashur aplikimi për Zonat Mbrojtëse i cili është ratifikuar sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe planit të Martti Ahtisaar. Praktika ka vërtetuar vështirësi në harmonizimin e të gjitha qëndrimeve në lidhje me krijimin e zonave dhe veçanërisht në përcaktimin e mekanizmit për menaxhimin e zonave. Në këto kushte, është e nevojshme të kemi një integrim të rregulloreve ligjore dhe politikës kulturore.

    Trashëgimia Kulturore dhe mbrojtja e saj është një disiplinë shkencore, e cila në shtetet multikulturore dhe të ndjeshme politikisht kërkon një qasje shkencore objektive. Si i tillë ai shërben si një burim material për studimin e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Përveç kësaj ka rëndësinë në humanizëm të jetës së njeriut dhe të mjedisit ku ai jeton. Në këtë kontekst, mbrojtja, konservimi dhe restaurimi i objekteve sakrale dhe profane kontribuon jo vetëm në ruajtjen e vlerave historiko-kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare, veçorive të veçanta të zhvilluara në Kosovë, por edhe në ruajtjen e paqes në rajon.

    Një ndikim të rëndësishëm në Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore luan “Dëshmia e Trashëgimisë Kulturore”, proces i cili u realizua gradualisht nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, veçanërisht nga viti 2001 e deri në ditët e sotme. Dëshmia është realizuar nga institucionet qendrore dhe rajonale të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të ndihmuara nga institucionet ndërkombëtare të udhëhequra nga UNMIK-u, UNESCO dhe Këshilli i Europës. Gjatë periudhës 2001-2005 janë evidentuar rreth 2800 objekte të trashëgimisë kulturore. Pjesa më e madhe e tyre u krijua gjatë periudhës osmane (1389-1912). Pjesa tjetër i përket periudhës iliro-dardane, romake, paleokritsitiane, bizantine dhe ortodokse-serbe.

    Vëmendje e veçantë i kushtohet kujdesit për konservimin e monumenteve që i përkasin kultit serbo-ortodoks dhe të monumenteve të kultit mysliman, si dhe kështjellave antike dhe mesjetare.

    Burimi: Jahja Drançolli, Protecting Cultural Heritage in Kosova, in: Çanakkale, World Universities Congress, 2010 (summary)!

    Ilustrimi: Studenica, Istog Remains of an early Christian basilica, in: Jahja Drançolli, Kosova: Archaeological Heritage: Encyclopedia of Global Archaeology, 2014; 2020!

  • Thesari i trashëgimisë sonë kulturore në botë: “Kupa e Artë” e vitit 600 nga Vrapi

    Thesari i trashëgimisë sonë kulturore në botë: “Kupa e Artë” e vitit 600 nga Vrapi

    Jahja Drancolli

    Thesari i trashëgimisë sonë kulturore në botë: “Kupa e Artë” e vitit 600 nga Vrapi (Jug i Tiranës, zbulim rasti me 1901) në Muzeun Metropolitan të Artit, New York!

    Kupa në fjalë ka një reliev të pasur ku paraqiten katër gra, të cilat personifikojnë qytetet dhe portet më të njohura të Perandorisë Bizantine: Kostandinopojën, Romën, Durrësin dhe Qipron!

  • Korrespondencë që zbulon thesarin e trashëgimisë sonë të lavdishme!

    Korrespondencë që zbulon thesarin e trashëgimisë sonë të lavdishme!

    Korrespondenca mes M. Sufflay, albanologut më të madh të botës, dhe Lumo Skendo (Mit’hat Frashëri), ministër, diplomat dhe shkrimtar, krahas aktualitetit të kohës në Shqipëri dhe Jugosllavi gjatë viteve 1929-1931, hedhin dritë gjithashtu mbi zbulimet e dokumenteve të Sufflay në Ancona, Kotorr, Milano, Napoli, Roma, Dubrovnik dhe Venezia, të cilat mbulojnë pjesën më interesante të historisë sonë në vitet 1407-1571. Dokumentet në fjalë aktualisht ruhen pjesërisht në Zagreb, Budapest, Beograd dhe Vjenë. Ndërsa pjesa tjetër është grabitur nga regjimi diktatorial i Mbretërisë Karagjorgjeviqe të Jugosllavisë!

  • Një përmbledhje e shkatërrimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës nga agresioni serb gjatë luftës së viteve 1998/99

    Një përmbledhje e shkatërrimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës nga agresioni serb gjatë luftës së viteve 1998/99

    – 1788 objekte të trashëgimisë kulturore të dëmtuara/shkatërruara,– Mbi 3000 artefakte muzeale të vjedhura,– 1.7 milionë libra shqip dhe 175 biblioteka publike të djegura/shkatërruara,– të marra / rrëmbyera mbi 25 mijë dosje dokumentacioni të trashëgimisë,– qindra vepra arti të vjedhura, të djegura ose të dëmtuara.

    Deri më sot, nuk është kërkuar falje, asnjë përgjegjësi e marrë, asnjë kompensim nuk është dhënë, drejtësia nuk është vënë në vend.”Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

  • E dinit se ekziston “Shpella e Kaurrit”…? Vendbanimi shekullor është jashtë listës së trashëgimisë kulturore

    E dinit se ekziston “Shpella e Kaurrit”…? Vendbanimi shekullor është jashtë listës së trashëgimisë kulturore

    Në luginën e Drinit nis udhëtimi fantastik drejt destinacioneve turistike për të mbërritur deri në Alpe. Ndalesa e parë e njohur më së shumti në këtë intenerar turistik, është lumi i Shalës. Por para se të shkosh atje, ka të tjera me mjaft rëndësi si nga panorama që ofrojnë, ashtu edhe nga vlerat e trashëgimisë kulturore.

    Sapo nis udhëtimin nga diga e hidrocentralit të Komanit drejt Lumit të Shalës, në të djathtë është maja e Murgës, prej nga të ofrohet një panoramë fantastike. Pas pak minutash udhëtim me varkë mbërrijmë në bregun e Drinit, në faqen e malit të Burgës. Ngjitja mes shkëmbinjve të thiktë të çon pak metra mbi breg dhe ndeshesh me këtë pamje.

    Quhet Shpella e Kaurrit dhe ndodhet pak metra mbi liqenin e Komanit në afërsi të fshatit Qelez në Pukë. Ky vendbanim mendohet se është ndërtuar në kohën e dyndjeve sllave e më pas otomane.

    Sipas gojëdhënave të banorëve të fshatrave përreth, ishte një strehë e sigurt për 60 murgj katolik të cilët largoheshin nga zonat e banuara për ti shpëtuar përndjekjes otomane. Maja e lartë e malit lidhet pikërisht me këtë histori të murgjve dhe e mori emrin Murg.

    Në këtë udhëtim drejt vendbanimeve shekullore ende të paidentifikuara institucionalisht, na shoqëron studiuesi Gjetë Ndoi, i cili i ka vizituar më herët, bashkë me studiues të tjerë.

    “Kjo quhet shpella e Kaurit ose shpella e Murgjve, ky objekt është i ndërtuar rreth 120 metër nga Drini i dikurshëm, ndërsa sot nga pasqyra e liqenit është rreth 35 metër mbi të, ka qenë një shpat pothuajse përpendikular, pingul mbi lumë, e pamundur për të ardhur armiku. Kjo shpellë ka qenë që në kohën e dyndjeve barbare sllave, por dhe më vonë në kohën e dyndjeve osmane,

    por në të dyja rastet klerikët katolikë apo katolikët në përgjithësi janë për të ruajtur identitetin e tyre shpesh herë dhe në rastet më vendimtare të mbijetetës së tyre janë përafruar ose kanë kërkuar vende në zona të thepisura në zona të vështira ku armiku nuk mund të vinte dhe ata mundën të shpëtonin. Në njëfarë mënyre shqiptarët aleatin e tyre të përjetshëm kishin zotin dhe natyrën malore, vendin.”

    Mustafa Mehmti, mësues historie thotë:

    “Është përdorur nga banorët edhe në kohën e Turqisë për strehim, se këtu poshtë ka pasur një urë dikur dhe këtu streoheshin rinin me muaj të tërë, rinin me bagëtitë aty në malin përballë. Sic duket e ka marrë edhe termin nga murgjit që kanë jetuar këtu. Banorët e vjetër për këtë thonë, ato që kanë qenë më përpara se tani që kur u bë liqeni kanë ikur banorët nga fshati Levrushk, thonë që këtu është përdorur për vendbanim që në kohët parahistorike, që në kohët shumë para edhe i lirive, kështu thonë banorët e vendit, se sa janë të vërteta këto janë vetëm gojëdhëna.”

    Gjatë regjimit komunist, maja e murgës dhe shpella e kaurrit u harruan plotësisht sepse askush nuk guxonte të fliste për ekzistencën e saj. Mohimi lidhej me frikën që regjim i kishte mbjellë ndër shqiptarë kundër besimit fetar. Historia e shpellës lidhej me priftërinjtë dhe besimtarët që ishin larguar për ti shpëtuar sundimit otomon dhe detyrimit për të ndryshuar fenë. Për regjimin, ky vendbanim shekullor duhej harruar pasi besohej se kështu lartësohej besimi I krishterë. Studiuesi Gjetë Ndoi na tregon karakteristikat e ndërtimit të kësaj shpellë.

    “Kjo është një shpellë karstike, një informacion gëlqeror shkëmbor të fuqishëm, por brenda saj, jo si gjithkund që shpellat janë përdorur për banim nga njerëzit në kohë të vështira, por këtu janë bërë përpjekje nga njerëzit, këtu është bërë punë dhe kjo dallohet në muret. Në murin kryesor rrethues që është 120 cm dhe është muri ballor, ndërsa muret e brendshme janë mure ku përftohen dhoma, vendndenjtje të murgjve apo edhe të princve arbnor. Mendohet se këtu për shkak të sipërfaqes dhe itenerarit nga kati i parë deri në katin e dytë ka rreth 120 metër linear, por dhomat, ndarjet përvec vendeve të tjera sic mund të kenë qenë kuzhina, sic thonë banorët e vendit këtu ka patur edhe furrë gëlqere, që janë në dispozicion të këtij vendbanimi mund të kenë qenë vendet ku përgatiteshin ushqimet dhe vendet e fjetjes. Këtu mund të jenë deri në 18 ndarje të vogla që nuk janë me mure mbrojtëse por ndarëse prandaj janë me gjerësi 20 deri në 25 cm.”

    Informacioni për shpellën ruhej në kujtesën e të moshuarve, të cilët e përcollën gjithsesi ndër breza për të mbërritur në një ditë kur turistë të huaj, të mahniten nga veçantia e kësaj shpelle.

    “Njerëz të apasionuar kanë qenë edhe me tituj por që nuk janë të fushës, pra në përgjithësi nuk kanë qenë arkeologë të mirfilltë, në qoftë se në themi në 1981 që ka qenë Jaho Braha që ka hyrë ndër të parët ka bërë një përshkrim të vogël, realisht ai nuk është arkeolog. Ka ardhur Trifon Ziu është profesor i ndëruar, është i ndëruar për ne të gjithë, atij i lumtë që ka ardhur. Atëherë nuk ishte bërë liqeni dhe u deshte me u ngjit 100 e ca metër, 130 metër nga pasqyra e ujit, me një shpat tepër pingul. Këtu ka qenë kanioni i Gominës ose Kanioni i Lëvrushkut, por nuk kanë qenë arkeolog. Edhe të tjerë që kanë ardhur në periudhën demokratike, të gjithë kanë qenë njerëz ndoshta me tituj por jo në fushën e arkeologjisë dhe ndoshta është kjo një ndër arsyet që nuk është shpallur në listën e siteve kulturore, ndërkohë që për mendimin tonë i plotëson të gjith kriteret.

    Historiani Pashk Alia, e ka vizituar disa herë shpellën e kaurrit. Ka shoqëruar studiues të intersuar përt këtë vënd të rëndësishëm për trashëgiminë tonë kulturore. Ai flet për vlerat dhe historinë e shpellës së Kaurrit por edhe të vlerave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore ëqë gjenden në luginën e Drinit, tregon Mustafa Mehmti, mësues historie

    “Gjendemi tek shpella e Kaurrit ose Murës quajtur si një veper e rëndësishme arkeologjike e gjithë magjistalit pasurisë arkelogjike, historike, zona bregut drinit bashkuar duke filluar që nga shurdhahu i veres komani I rensishem, kultura e komanit gjith bregu I drinit bashkuaar në spah përfshi edhe gjith objektet arkelogjike terelit gjonit që ka rrethi I Puks mes të cilave vetem kisha mund të jet mbi 60. Ky është vetem objekti i rendsisë së vecantë,studimi I së cilës duhet të jet I rëndësishënm shumë për historinë e kombit shqiptaar jo vetem të rrethit të Pukës ku bëjnë pjseë këto, objektet të rëndësishme por për historin e gjith kombit shqiptar,

    për kët mjaftojnte të sjell në vëmenje shqiparët kan cilësu 2,3 personalitete të rëndësishme të huaja antropologu amerikan Carleton thyekson gjurmet e fiseve të bregut të drinit të bashkuar ku jemi ne ,na kthejnë pas para periudhës romake Shufflai ka thën mes të tjerash në kohërat e cikloneve etnike në Ballkan kur sllavët vërshuan mbi liri brizi I drinit të bashkuar ku jemi ne e në vazhdimësi shërbyen si ‘mitra’kombit shqiptar edhe si bërthama e dëmtume edhe bërthama e ripërtëritjes të farës së damtuar të tokave Ilire.Në këta zona thot shufflai gjenden fjal blektorësh që nuk gjenden askun tjetër në shqipëri.

    I baj apel ministris kulturës,institutive të monumenteve të kulturës të mos e shikoj Pukën si njjë gja e vogël me 4 shkronja PUKA por ta kthej rishikimin drejt veprave të rëndësishme arkeologjike historike vepra të religjonit abacikabashit në vitin 1367 ka hap shkoll shqipe prandaj studimi,evidentimi sjellja e grupeve arkeolog,gjuhtarë është me shumë rënsi për ta nxjerr në pah edhe kjo vetem sa I përket qështjes ekonmike por për sa I përket qështjes së historis kombit shqiptar e cila flen gjumë në këto troje shqiptare mbi edhe nën tok që mund ti qujmë një minierë ari,” thotë Pashk Alia, historian.

    “Lugina e Drinit, në jemi këtu në djepin ku u përftua ose ku u indentifikua kultura arbnore mesjetare, që daton nga shekulli i 6, 7, 8 mesjeta e hershme arbnore dhe deri në kohën e pushtimit Osman, pse konvencionalisht është quajtur kultura arbnore këtu, është quajtur sepse ka pasur një pasuri të jashtëzakonshme në gjetje që nga albanologët e huaj, Han Shuflai, Franc Nopca etj. Të gjithë këtu kanë ardhur kanë parë dhe se kanë pasur të vështirë ta identifikojnë, ta thonë. Ndonëse albanologjia jonë nuk i është kushtuar pjesësë arbërore të trashëgimisë kulturore etnike shqiptare.”

    Për institucionet e kulturës shqiptare ky vendbanim nuk ekziston. Nuk është i regjistruar në dokumentet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

    “Unë si ish-drejtor i Përgjithshëm i trashëgimisë kulturore, i politikave dhe zhvillimit të kulturës në Ministrinë e Kulturës, e kam parë dhe nuk e kam verifikuar që nuk është në regjistrin kombëtar të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, ndërkohë me një sy të lirë dhe me njerëz që nuk është nevoja të kenë një formim shumë të madh kuptohet misteri dhe rëndësia e këtij objekti të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore, shto këtu edhe faktin që në këtë vendbanim të jashtëzakoshëm, në kuptimin të papushtueshëm nga armiqtë edhe në kohën e fundit të barbarëve të fundit që pushtuan vendin tonë që ishin osmanët, kam mundësi pse jo,

    kam mundësi që Lek Dukagjini prijësi i jashtëzakoshëm i njërës prej principatave më të fuqishme të botës Arbërore mesjetare të Dukagjinve ka qenë këtu, ka qenë në kalanë e Lekës, kalaja e tij ishte në Berishë, pra jemi në të njëjtën zonë. Ka qenë në kalanë e Iballës, ka qenë kalaja e Lekës, një kala tjetër që është pak më sipër që është në kabash, por është edhe një kala tjetër që është në zonën e Gek Hysenit, që ka qenë kalaja e Lekës po lekës së Panit që kanë qenë vasalë në një farë mënyre, që kanë qenë pjesë e kësaj dinastie të fuqishme të dukagjinve.”

    Sot shpella e Kaurit e lënë në harresë është kthyer në një vendstrehim lakuriqësh dhe asnjë institucion shtetërore nuk ka treguar as më të voglin interes për kërkim arkeologjik apo qoftë edhe për ta regjistruar si monument ekzistues.

    “Për mua është një thirrje ndaj qeverisë e cila do të jenë nuk ka rëndësi se cka krahu është, që edhe në zonat veriore edhe në zonat tona mos të na quajnë të humbur sepse realisht me këtë kulturë që kemi ne nuk jemi të humbur. Unë i bëj thirrje qeverisë, atyre stafeve akademike shqiptare apo ato që kanë interesa të hedhin sytë njëherë nga këto zona sepse kanë vlera të jashtëzakonshme ndac arkelogjike ndac arkitektonike ndac ato natyrore janë një mori faktorësh që të bëjnë të vish këtu,” thotë Mehmeti.

    Vetting ka kërkuar informacione pranë institutit të trashëgimë kulturorë për braktisjen ose shpërfilljen e monumenteve të tilla të trashëgimisë tonë kulturore. Por institucioni në fjalë nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

    “Unë thirrjen e kam bërë edhe kur isha drejtor i përgjithshëm i trashëgimisë kulturore dhe fatkeqësisht jam hasur në nënqeshje, jam përplasur në nënqeshjen e ministers apo të drejtuesve të tjerë të cilët jo vetëm nuk e kishin në axhendë por nuk e kishin askund, se do edhe pasion kjo punë. Do ta duash këtë vend që ta drejtosh, aq më tepër të menxhosh asete të tilla dhe pasuri të tillë të jashtëzakonshme që mund të ishte e mrekullueshme dhe interesante për tu parë edhe nga të huajt jo vetëm nga ne.”

    Megjithëse institucionet e kanë braktisur, banorë të zonave përreth janë kujdesur vazhdimisht për ta ruajtur e mirëmbajtur shpellën e Kaurrit e cila siç thotë mësues Mustafa, vizitohet më së shumti nga turistë të huaj.

  • Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

    Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

    Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

    E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

    “Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

    Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht./atsh/KultPlus.com

  • Projekti që nxjerr në dritë monumentet e harruara, ‘Triada e Trashëgimisë së Arbërit’

    Projekti që nxjerr në dritë monumentet e harruara, ‘Triada e Trashëgimisë së Arbërit’

    Organizata mjedisore ‘REC Albania’ ka zhvilluar projektin “Triada e Trashëgimisë së Arbërit”, duke organizuar një eksperiencë të paharrueshme kampingu në Kepin e Rodonit, një prej siteve të restauruara në kuadër të programit EU4Culture.

    ‘REC Albania’, e njohur për angazhimin e saj në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes këtij projekti ka sjellë në vëmendje disa prej monumenteve kulturore dhe natyrore të shpesh të anashkaluara. Ndër to përfshihen Kisha Manastir në Rubik, Ura e Kurçajt dhe Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit. Projekti ndërthur edukimin, turizmin e qëndrueshëm dhe ndërgjegjësimin mjedisor, duke përfshirë të rinjtë dhe komunitetet lokale në procesin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë.

    Kjo nismë realizohet me mbështetjen e programit të granteve EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

    “Triada e Trashëgimisë së Arbërit” synon jo vetëm të rikthejë vëmendjen te këto thesare historike dhe natyrore, por edhe të ndërtojë ura mes brezave të rinj dhe trashëgimisë së tyre kulturore përmes përvojave gjithëpërfshirëse dhe ndërgjegjësuese./atsh/KultPlus.com

  • Ndërhyrjet restauruese në Manastirin e Ardenicës dhe në kishën e Shën Mërisë drejt përfundimit

    Ndërhyrjet restauruese në Manastirin e Ardenicës dhe në kishën e Shën Mërisë drejt përfundimit

    Nga Julia Vrapi
    Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese po vazhdojnë në Manastiri i Ardenicës, punime të cilat po shkojnë drejt përfundimit. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks, ndërsa nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëhet me dije se punimet janë në fazën përmbyllëse të tyre. Manastiri i Ardenicës si dhe kisha e Shën Mërisë në Bishqetthëm janë në vijim dhe të tjerë objekteve monument kulture që janë përfshirë në proces restaurimi. IKTK bën me dije se këto objekte shumë shpejt do t’i kthehen komunitetit, ndërsa këto kohë ka pasur dhe inspektim në terren për të parë ecurinë e ndërhyrjeve.
    “Jemi në fazën përmbyllëse të punimeve për restaurimin e Kishës së Shën Mërisë në Bishqethëm dhe Manastirit të Ardenicës-dy pasuri të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore. U krye një inspektim në terren për të vlerësuar nga afër ecurinë e ndërhyrjeve, të cilat janë fokusuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të këtyre monumenteve. Falë investimit në to, shumë shpejt, këto objekte do t’i rikthehen komunitetit më të bukura dhe më të mbrojtura!”, thuhet nga IKTK. Manastiri që është i tipit bizantino-ortodoks përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla, etj.
    Ndërhyrja në Manastirin e Ardenicës monument kulture u bë me dije nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore po në muajin shkurt, sipas të cilit një monument tjetër i nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese. Në kuadër të projektit të restaurimit të Manastirit të Ardenicës ndërhyrjet parashikonin: Punime kryesisht në konakët e tij; ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale; restaurimi i dyshemesë; pastrimi i fugave përgjatë perimetrit të kishës; restaurim-trajtim i strukturës drusore, etj. Manastiri i Ardenicës ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi.
    Ndërhyrja restauruese në kishë
    Në shkurt të këtij viti, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur për ndërhyrjet restauruese në kishën e Shën Marisë në Bishqethëm. Ndërhyrjet konsistonin në restaurimin e çatisë me tjegulla të reja dhe zëvendësim i trarëve të amortizuar, restaurimi i muraturave, konsolidimi i materialeve të drurit, konsolidimi i muraturave dhe brezave të drurit. Pikturat e kishës janë realizuar nga Johani, i cili i përket familjes së Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798.  Kisha e Shën Mërisë Bishqethëm është një objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII. Gjatë kësaj kohe IKTK ka bërë me dije herë pas here projekte, që po vijojë në banesa monumente kulture apo dhe objekte kulti. IKTK-ja ushtron veprimtarinë në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, me qëllim gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale. Gjithashtu ushtron veprimtarinë në fushën e arkeologjisë parandaluese e të shpëtimit dhe studimit të trashëgimisë arkeologjike, etj.
     
     

  • Kalaja e Rozafës thyen rekorde: Mbi 100 mijë vizitorë vetëm në 7 muaj

    Kalaja e Rozafës thyen rekorde: Mbi 100 mijë vizitorë vetëm në 7 muaj

    Një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe turistike në Shqipëri, Kalaja e Rozafës, ka regjistruar një numër rekord vizitorësh për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK), këtë kala e kanë vizituar 100,500 turistë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit.

    DRTK ka ndarë edhe një album fotografik emocionues, ku shfaqen grupe vizitorësh nga vende të ndryshme, të shoqëruar nga guida lokale, si dhe pamje spektakolare të kalasë gjatë natës – një ansambël i ndriçuar që shkëlqen mbi qytetin dhe bie në sy që nga largësia.

    Kalaja e Rozafës mbetet destinacioni kryesor për çdo turist që viziton Shkodrën, qofshin ata që ndalen për pak orë apo qëndrojnë më gjatë në qytet. Pozicioni strategjik i saj në hyrje të qytetit, mbi një kodër shkëmbore midis lumenjve Drin dhe Buna, ofron një panoramë mahnitëse të liqenit dhe luginës përreth, duke e bërë një ndalesë të paharrueshme.

    Ky monument i lashtë, me një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh dhe mure që shtrihen në një perimetër prej 881 metrash, është zemra e Parkut Arkeologjik Shkodër dhe një nga krenaritë më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com