Më në fund, Shqipëria do të ketë një muze islam, më saktë Tirana, inisiativë jo e qeverisë por ë mbështetur së fundi nga qeveria, e një grupi besimtarësh muslimanë, mes tyre, një ish-imam, Saimir Ismaili, i zellshëm në mbledhjen e antikuareve të jetës islame; një profesor universitar në Gjermani, Besnik Sinani; një mësues historie, Elton Hatibi; si dhe një doktor i shquar, Alfred Aga.
Këta emra, njëherësh besimtarë muslimanë, prej kohësh janë angazhuar në shpalosjen e trashëgimisë islame me hapjen e dy ekspozitave prestigjoze, në Tirana e Shkodër, duke prezantuar vlera materiale unike që i përkasin stilit të jetës e shijes islame, me të cilat është përplot historia shqiptare, madje në një pjesë dominuese të saj, por ende e papotencuar ose e pa promovuar, në radhë të parë nga vetë muslimanët.
Por tani po troket një epokë e re. Në një konferencë ndërkombëtare të organizuar në ambientet historike të Sarajeve të Toptanëve, u prezantua zyrtarisht projekti për ndërtimin e Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame në Tiranë.
Pra, muzeu do të ngrihet pikërisht aty, një objekt historik në zemër të Tiranës, i cili do të pësojë një transformim arkitektonik të kujdesshëm, duke ruajtur elementët karakteristikë të ndërtesës, për ta kthyer në një qendër ekspozimi të trashëgimisë islame, si dhe një hapësirë për dialog kulturor dhe ndërfetar, siç raportohet nga A2 CNN.
Kryeministri Rama, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi projektin si një domosdoshmëri për kryeqytetin, duke theksuar rëndësinë e artit dhe trashëgimisë islame si pjesë e pandarë e historisë dhe identitetit shqiptar, por edhe evropian.
“Ky muze është i nevojshëm dhe mjaftueshëm për ta përcjellë një dëshmi që, përndryshe, për shumëkënd është një dëshmi e munguar, madje edhe e pamundur. Sepse, në mendjen dhe idenë e shumëkujt, kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Europën, dhe për pasojë, kjo pasuri e çmuar e kulturës dhe traditës sonë, shihet shpesh si një trashëgimi e imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë. E vërteta është krejt ndryshe. Arti islam është një pjesë e palëkundur e historisë sonë kulturore, dhe dëshmia e kësaj të vërtete është jo vetëm një nevojë, por një domosdoshmëri. Ky muze është një vlerë e shtuar për kryeqytetin, një pikë referimi për të gjithë ata që duan të kuptojnë thellë trashëgiminë tonë”, u shpreh Rama.
Njeriu që ka marrë përsipër këtë projekt, arkitekti Jesús Hernández, i cili prezantoi vizionin e projektit, tha se ndërhyrjet në godinën e Sarajeve do të jenë të kufizuara, me qëllim ruajtjen e autenticitetit historik të objektit.
Ai theksoi se muzeu do të ofrojë një ekspozitë të pasur me objekte dhe libra me vlera të rralla, të cilat do të përfaqësojnë artin islam nga Shqipëria dhe rajoni, në një hapësirë që respekton historinë, por komunikon me të ardhmen.
Muzeu pritet të ofrojë një qasje interaktive dhe edukative për vizitorët, duke u shndërruar jo vetëm në një destinacion turistik, por edhe në një platformë të rëndësishme për dialog ndërfetar, bashkëjetesë dhe promovim të trashëgimisë së përbashkët kulturore, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se vite më parë, Rama shpalosi idenë e një muzeu bashkëjetese fetare, ngjitazi me një xhami të re që do ndërtohej te lulishtja pas Pallatit të Kulturës, por së bashku me atë xhami të parelizuar dot, projekt i studios “Big” nga Danimarka, nuk u realizua as muzeu në fjalë. /tesheshi.com/