Tag: trashëgimisë

  • Edi Rama uron këtë të shtunë, me Xhaminë e Plumbit, këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore

    Edi Rama uron këtë të shtunë, me Xhaminë e Plumbit, këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore

    Në një urim të ngrohtë për këtë të shtunë pranverore, Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij një pamje që nuk është vetëm kartolinë, por një përqafim i gjallë me trashëgiminë kulturore të shqiptarëve: Xhamia e Plumbit në Shkodër.
    Ky monument i rrallë i arkitekturës osmane shqiptare, një nga më të bukurit në trojet tona, është rikthyer në lavdinë e dikurshme pas dekadash të tëra në baltërat e harresës dhe përmbytjeve të përsëritura. Sot, pas një restaurimi të përkushtuar dhe të ndjeshëm ndaj autenticitetit, ajo ngrihet sërish e fuqishme, me kupolat e saj që ndriçojnë si simbole paqeje, pranë Kalasë së Rozafës, aty ku ndërthuret historia me legjendën.

    E ndërtuar në mesin e shekullit XVIII nga Mehmet Pasha Bushati, Xhamia e Plumbit përfaqëson një ndër monumentet më të rëndësishme të kultit mysliman në Shqipëri, e dalluar për harmoninë e formës, elegancën e përmasave dhe për faktin që është ndërtuar në tërësi nga gurë të latuar. Emri i saj vjen nga pllakat prej plumbi që dikur mbulonin çatinë dhe kupolat, duke i dhënë asaj një vezullim të veçantë nën dritën e diellit shkodran.
    Pas dekadash përmbytjesh, që e lanë në hije dhe baltë, kjo vepër është ringjallur. Tashmë, ajo nuk është më thjesht një ndërtesë kulti, por një testament i qëndrueshmërisë së trashëgimisë sonë, një shenjë e bashkëjetesës dhe një pikë referimi për identitetin e Shkodrës.

    “Xhamia e Plumbit nuk flet vetëm për fenë, por për durimin e gurit, për kujtesën e qytetit, për hijeshinë që reziston edhe kur gjithçka tjetër tretet.”

    Me restaurimin e saj, qyteti i Shkodrës fiton jo vetëm një nga monumentet më përfaqësuese të historisë së vet, por edhe një hapësirë paqeje, meditimi dhe frymëzimi për brezat që vijnë.
    Albert Vataj

  • Artizanati shqiptar nga tradita në modernitet, panairi me produktet autentike vendase

    Artizanati shqiptar nga tradita në modernitet, panairi me produktet autentike vendase

    ZAN’ART ishte aktiviteti i organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për të prezantuar “artizanatin shqiptar nga tradita në modernitet”.

    Përmes 35 ekspozitorëve të artizanatit shqiptar do të demonstrojnë produkte autentike si qeleshja shqiptare, çiftelia në miniaturë, kostumet kombëtare, suvenire dhe veshje me motive shqiptare, qëndisjet tradicionale, punimet në dru dhe qelq, poçeria e filigrani, maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.
    “Zan’Art” synon të krijojë një urë të gjallë ndërmjet brezave, sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, duke i rikthyer artizanatit shqiptar vendin që meriton në shoqëri,  jo thjesht si mjeshtëri, por si një formë e gjallë e trashëgimisë kulturore.
    Një nga simbolet më të fuqishme të kësaj trashëgimie është xhubleta, mbi 4 mijë vjeçare, një dëshmi e gjallë e historisë, dinjitetit dhe identitetit të gruas shqiptare ndër shekuj. Sot e njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore, Xhubleta mishëron jo vetëm të shkuarën tonë, por edhe potencialin për të promovuar kulturën tonë ndërkombëtarisht.
    I pranishëm në aktivitet, ministri Blendi Gonxhe u shpreh se artizanati është një prioritet strategjik për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
    “Në kuadër të Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë, këtë vit përmes Fondit të Artizanëve, mbështetëm 47 projekte, me një fond prej 30 milionë lekë, duke përfshirë artizanë të punimeve në dru, gur, metale, kostume popullore, filigran, tezgjah, kulinari tradicionale, qendistari e shumë të tjera e ku një fokus të veçantë ka pasur dhe tejçimi i dijebërjes te brezat më të rinj”.
    Gonxhe foli për certifikime të posaçme për artizanët, që produktet e tyre të kenë vlerë dhe besueshmëri, të krahasueshme me tregjet e Bashkimit Evropian.
    “Kjo nismë do të ndihmojë që çmimi i një produkti artizanal shqiptar të rritet me më shumë se 5 herë, duke i dhënë artizanit vlerën që meriton. Gjithashtu, po punojmë për t’u krijuar hapësira artizanëve që të shesin produktet e tyre pranë siteve kulturore të vizitueshme, si në kala, parqe arkeologjike dhe muze, duke i kthyer këto vende jo vetëm në pika të trashëgimisë, por edhe në burime gjallërimi ekonomik dhe promovimi të vlerave artizanale”, tha ai.

    Top Channel

  • Tryezë shkencore në Prishtinë: Rrugëtimi i Kosovës drejt UNESCO-s

    Tryezë shkencore në Prishtinë: Rrugëtimi i Kosovës drejt UNESCO-s

    Instituti Albanologjik në Prishtinë, përmes Degës së Folklorit, organizoi tryezën shkencore me temën “Rrugëtimi drejt UNESCO-s: Vlerat e kulturës jomateriale në listën e trashëgimisë botërore: përvojat nga Shqipëria”. Ky aktivitet mblodhi studiues e ekspertë të trashëgimisë kulturore për të ndarë përvoja dhe për të diskutuar hapat që Kosova duhet të ndjekë për të bërë pjesë të saj UNESCO-n.Në fjalën e tij, Naim Berisha nga Instituti Albanologjik theksoi rëndësinë e përvojës shqiptare, duke e cilësuar atë si një udhërrëfyes të çmuar për Kosovën në këtë proces. “Po prezantojmë një rrugëtim të suksesshëm që miqtë tanë nga Shqipëria kanë ndjekur drejt UNESCO-s,” tha ai.Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, theksoi se aktivitete të tilla shërbejnë për të ndihmuar edhe njohjen e dukurive të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare.Ekspertë të fushës ndanë përvojat e tyre nga përgatitja e dosjeve për elementë të ndryshëm të trashëgimisë shqiptare. Muzikologu Vasil Tole theksoi rëndësinë e zbatimit të konventave ndërkombëtare mbi trashëgiminë, ndërsa antropologia Dorina Arapi nënvizoi se çdo dosje për UNESCO duhet të jetë e mbështetur nga ekspertiza antropologjike.Etnologia Amanda Kodra Hysa foli për ndryshimet në qasjen e UNESCO-s gjatë viteve të fundit, duke sjellë si shembull rastet e dosjes së xhubletës dhe kërcimit të Tropojës, të cilat janë përgatitur në mënyrë paralele. Ndërsa etnologia Afërdita Onuzi theksoi se përfshirja në UNESCO duhet të fillojë me njohjen dhe vlerësimin fillimisht nga vetë komuniteti që ka krijuar elementin e trashëgimisë.Tryeza kishte për qëllim informimin dhe përgatitjen për procesin e hartimit të dosjes për pasurinë kulturore dhe shpirtërore që Kosova synon ta përfshijë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.Instituti Albanologjik në Prishtinë, përmes Degës së Folklorit, organizoi tryezën shkencore me temën “Rrugëtimi drejt UNESCO-s: Vlerat e kulturës jomateriale në listën e trashëgimisë botërore: përvojat nga Shqipëria”. Ky aktivitet mblodhi studiues e ekspertë të trashëgimisë kulturore për të ndarë përvoja dhe për të diskutuar hapat që Kosova duhet të ndjekë për të bërë pjesë të saj UNESCO-n.Në fjalën e tij, Naim Berisha nga Instituti Albanologjik theksoi rëndësinë e përvojës shqiptare, duke e cilësuar atë si një udhërrëfyes të çmuar për Kosovën në këtë proces. “Po prezantojmë një rrugëtim të suksesshëm që miqtë tanë nga Shqipëria kanë ndjekur drejt UNESCO-s,” tha ai.Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, theksoi se aktivitete të tilla shërbejnë për të ndihmuar edhe njohjen e dukurive të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare.Ekspertë të fushës ndanë përvojat e tyre nga përgatitja e dosjeve për elementë të ndryshëm të trashëgimisë shqiptare. Muzikologu Vasil Tole theksoi rëndësinë e zbatimit të konventave ndërkombëtare mbi trashëgiminë, ndërsa antropologia Dorina Arapi nënvizoi se çdo dosje për UNESCO duhet të jetë e mbështetur nga ekspertiza antropologjike.Etnologia Amanda Kodra Hysa foli për ndryshimet në qasjen e UNESCO-s gjatë viteve të fundit, duke sjellë si shembull rastet e dosjes së xhubletës dhe kërcimit të Tropojës, të cilat janë përgatitur në mënyrë paralele. Ndërsa etnologia Afërdita Onuzi theksoi se përfshirja në UNESCO duhet të fillojë me njohjen dhe vlerësimin fillimisht nga vetë komuniteti që ka krijuar elementin e trashëgimisë.Tryeza kishte për qëllim informimin dhe përgatitjen për procesin e hartimit të dosjes për pasurinë kulturore dhe shpirtërore që Kosova synon ta përfshijë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

  • Jaho Brahaj: Një pjesë e trashëgimisë sonë arkitekturore historike është shkatërruar nga mosvlerësimi

    Jaho Brahaj: Një pjesë e trashëgimisë sonë arkitekturore historike është shkatërruar nga mosvlerësimi

    Dita Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet Arkeologjike riktheu në vëmendje edhe problemet me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend. Studiuesi Jaho Brahaj thotë se nga shoqëria dhe nga institucionet ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi i njohur Jaho Brahaj, i cili herë pas here ka reaguar për dëmtimet në monumentet e kulturës thotë se është e dhimbshme të kujtosh që shumë monumente gjatë periudhës nga 1990 e deri më sot janë shkatërruar. Studiuesi Brahaj thotë se tek ne ndër vite është shkatërruar një pjesë e trashëgimisë sonë arkitekturore historike, diku nga mosvlerësimi apo edhe duke shkatërruar vlera për të ndërtuar antivlera.
    Ndërsa shpreh kritika për institucionet në vend që marrin vendime për trashëgiminë kulturore, studiuesi Jaho Brahaj vijon më tej se më e rëndë është që ide pa vlerë nuk kundërshtohen nga specialistët e trashëgimisë. Brahaj ndalet dhe te mungesa e një Muzeu Etnografik të Shqipërisë, që sipas tij puna fillon me projektin nga specialistë të etnografisë, si dhe arkitektë. Si studiues Jaho Brahaj ka botuar artikuj dhe studime, si dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit.
    – 18 prilli Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike. Ju si studiues herë pas here keni reaguar për problemet që keni parë në ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë sonë kulturore. Çfarë mund të thoni më shumë mbi rolin e institucioneve?
    Është e dhimbshme që në Ditën e Monumenteve të kujtosh shumë monumente që gjatë periudhës 1990 deri më sot janë shkatërruar. Kjo nuk do të thotë, se nuk është bërë punë për ruajtjen, vlerësimin e konservimin në drejtim të monumenteve të artit dhe kulturës. Nga shoqëria dhe nga institucionet ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve, që janë pjesë e zhvillimit shoqëror e kulturor të trashëgimisë sonë dhe pjesë e identitetit tonë.
    -Ju thoni që ende nuk kemi një ndërgjegjësim për vlerësimin dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës. Çfarë ka humbur trashëgimia kulturore në vend?
    Kemi shkatërruar një pjesë të trashëgimisë arkitekturore historike, ku nga mosvlerësimi, ku duke parë dhe vënë interesa ditore, dhe diku tjetër edhe duke shkatërruar vlera për të ndërtuar antivlera siç kemi rastin në qytetin e Durrësit. Kemi një boshllëk dhe mosvlerësim dhe përkujdesje për arkitekturën historike fshatare, ku nuk vihen interesa të rindërtimeve si në qytete duke asgjësuar monumente kulture të shpallura dhe vlera të shpallura në mbrojtje nga shteti. Kjo e theksuar sidomos për qytetet, ku ose u prishen vlera kulturore ose edhe ku janë lënë ato janë rrethuar nga ndërtime shumë të larta nga babëzia e fitimeve dhe mosvlerësimi i traditës historike. Më e rrezikshme është edhe mendimi i institucioneve shtetërore deri në instancat më të larta. Projektohen e financohen nga buxheti i shteti imitime monumentesh pa asnjë vlerë dhe pa asnjë lidhje me të shkuarën e historinë tonë.
    Është shpallur i miratuar plani për t’u ndërtuar me paratë e shqiptarëve disa kopje godinash me vlera nga Lindja, por që për traditën e etnisë tonë nuk kanë asnjë vlerë, por janë dekore që e deformojnë identitetin tonë. Para pak muajsh u shpall që do ndërtohen në Petrelë disa kryevepra të arkitekturës Turko-Arabe. Pyetja që shtrohet është: Kujt i shërbejnë, kemi para për të ndërtuar godina të një arkitekture që nuk përfaqëson identitetin tonë? Kush e merr guximin dhe e vendos të harxhohen paratë tona për të popullarizuar vlera të një bote tjetër nga ajo e frymës së kombit tonë? Më e rëndë është faktori që këto ide pa vlerë nuk kundërshtohen nga specialistët e trashëgimisë tonë. Pse nuk mendohet e planifikohet një Muze Etnografik, që i mungon Shqipërisë, të gjitha vendet Europiane dhe të Ballkanit e kanë. Edhe institucione si Akademia e Shkencave dhe ministria që përfshin kulturën nuk e planifikojnë dhe nuk kanë asnjë projekt.
    -Ju si studiues thoni që vendit tonë i mungon një Muze Etnografik i Shqipërisë, por ka qenë një projekt dikur për pavionin etnografik në Muzeun Historik Kombëtar që ishte menduar të luante dhe rolin e një muzeu. Ai pavion nuk u hap sa ishte hapur dhe MHK. Kur thoni vendit tonë i mungon një Muze Etnografik i Shqipërisë, nga duhet të nisë puna?
    Për Muzeun Kombëtar Etnografik, puna fillon me projektin nga specialistë të etnografisë dhe arkitektë. Dhe krahas kësaj krijohen grupet e punës për materialin, artefaktet që do ekspozohen. Por që të fillohet duhet kërkesa e institucioneve shkencore, dhe vullneti i qeverisë që të ndërtojë vepra që i shërbejnë njohjes dhe studimit të kulturës dhe identiteti tonë për shekuj. Këtë e kërkon edhe zhvillimi i turizmit, i cili po gjallërohet vitet e fundit. Çdo ditë, muaj dhe vite që Muzeu Kombëtar i domosdoshëm Etnografik shtyhet, ne vetëm se humbim pasurinë e disponueshme për ekspozim. Mjafton të kujtojmë se çfarë kishim në fillim të viteve ’90-të, çfarë ka mbetur sot? Shumë serioze është se edhe kur vihet dorë për t’u restauruar dhe konservuar monumentet e kulturës, punimet bëhen nga njerëz dhe firma të paspecializuara. Shumë punime bëhen në drejtim të monumenteve të kulturës edhe me nismën e privatëve individë dhe institucione sidomos në banesat me vlera dhe në objekte kulti.
    Me gjithë dashamirësinë dhe përkushtimin me fonde të dhuruara ose të vetë pronarëve kjo punë po sjell dhunim të vlerave arkitektonike, të artit e mjeshtërisë së ndërtimit. Kjo vjen se Instituti i Trashëgimisë ka rrëshkitur nga detyrat e tij dhe nuk vlerëson as kriteret më bazë të restaurimit, por certifikon punë jashtë detyrave që ka. Kemi trashëguar me qindra tablo arti, sidomos nga piktorët e talentuar mesjetar dhe që në shumë raste kanë ruajtur edhe shprehur (në art) edhe karakterin etnik të ne banorëve pronarë të këtyre kishave ortodokse, dhe as nuk popullarizohen dhe as nuk restaurohen. Kjo pasuri arti bashkë me arkitekturën shpeshherë lokale e dallueshme me veçori dhe me ndikime edhe nga banesa tradicionale shqiptare, që veçohet nga ajo e shteteve të tjera lihet në mëshirën e fatit. Përgjigja e institucioneve është se nuk kemi fonde monetare. Më të varfër jemi se periudha e mbretërisë shqiptare kur e dimë se në ato vite janë konservuar afresket e kishave të Voskopojës, e të mos flasim për periudhën para viteve ’90-të. Pasuri që po dëmtohet e po na humbet para syve.
    -Ju keni renditur një sërë problematikash, por ndërkohë institucione apo dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit herë pas here ndan në faqen e saj në rrjete sociale ndërhyrje në objekte monumente kulture, publikohen dhe numrat e vizitorëve, zhvillohen aktivitete, etj. Çfarë mund të na thoni?
    Rrjetet sociale janë të mjete për popullarizimin e trashëgimisë dhe monumenteve. Por vëmë re se në mungesë të punës konkrete që duhet të kryejnë institucione, bëhet vetëm propagandë. Kaq vizitor, kaq fonde për restaurim dhe konservim, pa specifikim për çfarë u përdorën (shpenzuan), punë e kualifikuar apo punë si në ndërtim, ku realizohen vetëm plane, dhe brenda një ose dy vitesh kërkohet ndërhyrje shpeshherë, sepse puna e kryer ishte jo cilësore dhe pa kriteret që kërkon disiplina e restaurimit. Është bërë praktikë që puna me monumentet dhe trashëgiminë të matet me sa postime kemi në rrjetet sociale, kur kjo është pa vlerë gjithmonë kur nuk ka punë konkrete me monumentet dhe në studimet, restaurimin dhe konservimin e tyre.
    Intervistoi: Julia Vrapi

  • Endri Hyseni nismë që vallja e Osman Takës të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO

    Endri Hyseni nismë që vallja e Osman Takës të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO

    Endri Hyseni nismë që vallja e Osman Takës të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO
     
    Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Botërore, kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Endri Hyseni, organizoi një forum tematik kushtuar trashëgimisë kulturore të Çamërisë, me titullin “Trashëgimia Çame – Kujtesë, Krenari, Përfaqësim”.
     

     
    Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e studiuesve, artistëve dhe përfaqësuesve të komunitetit çam, të cilët kontribuan në një panel diskutimi dhe ekspozim të pasurive kulturore të kësaj treve përmes veshjeve tradicionale, muzikës karakteristike dhe elementëve të gastronomisë çame.
    Në fjalën e tij, Endri Hyseni theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore çame si pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar. Ai shpalli nismën për përfshirjen e valles së Osman Takës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për afirmimin ndërkombëtar të vlerave kulturore të kësaj krahine.
     

     
    “Trashëgimia çame nuk është vetëm kujtim i së shkuarës, por pjesë aktive e së tashmes dhe e të ardhmes sonë. Ajo meriton vendin që i takon në politikat kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare,” – u shpreh z. Hyseni.
     
    Ai gjithashtu u zotua se, nëse zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë, do të angazhohet për integrimin e trashëgimisë çame në politikat publike për kulturën dhe turizmin, si dhe për prezantimin e saj në platformat ndërkombëtare.
     
    Forumi ishte i hapur për publikun dhe përfaqësoi një hap domethënës drejt ndërgjegjësimit qytetar dhe përfaqësimit të denjë të një trashëgimie unike shqiptare, siç është ajo e Çamërisë.
     
    Fjala e Plotë e Kandidatit për Deputet, Endri Hyseni:
     
    Të nderuar miq, personalitete të kulturës dhe historisë çame,Sot jemi mbledhur për të nderuar trashëgiminë botërore, por për ne kjo ditë është mbi të gjitha një thirrje për të mbrojtur, njohur dhe promovuar trashëgiminë tonë kombëtare – dhe në veçanti atë çame.
    Trashëgimia çame është një pasuri e gjallë e identitetit shqiptar, që mbart në vetvete histori, kulturë dhe shpirt qëndrese. Në këtë frymë, më lejoni të ndaj me ju se kam depozituar zyrtarisht kërkesën për të përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s një nga perlat e kësaj trashëgimie – Vallja çame e Osman Takës – simbol i krenarisë, i finesës dhe i qëndresës shpirtërore të kësaj krahine.Kjo nismë është pjesë e një angazhimi më të gjerë për ta sjellë trashëgiminë çame aty ku i takon: në qendër të vëmendjes kulturore dhe institucionale, si një pjesë e pandarë e mozaikut tonë kombëtar, evropian dhe boteror.
    Duke qenë se jam angazhuar edhe si kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit, dëshiroj të nënvizoj se zëri i trashëgimisë çame – bashkë me gjithë çështjet e identitetit, kujtesës dhe përfaqësimit dinjitoz – do të jetë pjesë e pandashme e platformës sime. Nëse më jepet besimi për të qenë në Kuvendin e Shqipërisë, do të angazhohem që këto problematika të mos trajtohen më si çështje periferike, por si pjesë e debatit kombëtar dhe e politikave konkrete për drejtësi dhe integrim kulturor.Ju faleminderit për praninë, për kontributin, dhe për atë që përfaqësoni – sot dhe çdo ditë!
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Muzeu Etnografik Durrës, punimet tradicionale po restaurohen duke ruajtur shtresat autentike të ndërtesës historike

    Muzeu Etnografik Durrës, punimet tradicionale po restaurohen duke ruajtur shtresat autentike të ndërtesës historike

    Nga Julia Vrapi
    Muzeu Etnografik në Durrës, që është i vendosur në shtëpinë muze të aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu është në një proces restaurimi. Muzeu ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019 dhe po restaurohet me fonde të Bashkimit Europian. Vlera e këtij objekti nuk është vetëm fakti se aty ka banuar aktori i famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu, por gjithashtu mbart vlera urbanistike, arkitekturore dhe historike. Dëmtimet e shumta që mori banesa dy katëshe me çardak, e ndërtuar në qendrën historike të qytetit, detyruan autoritetet që ta mbyllin për vizitorët dhe turistët. Prej disa kohësh ndërtesa i është nënshtruar ndërhyrjeve të restaurimit si pjesë e programit “EU4Culture” që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
    “Punimet tradicionale në dru, çatia dhe zbukurimet e detajuara po restaurohen me kujdes të veçantë, duke ruajtur të gjitha shtresat autentike të kësaj ndërtese historike”, thuhet ndër të tjera në faqen e programit “EU4Culture”, që ka ndarë dhe foto të punimeve që po kryhen në këtë objekt. Programi “EU4Culture”  ka në qendër rinovimin dhe rijetësimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë euro. I bazuar në parimin “Rindërtojmë më mirë”, “EU4Culture” përqendrohet në rinovimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore në përputhje me Kuadrin e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë.
    Objekti monument kulture që nga 1973
    Objekti është klasifikuar si monument i kategorisë së parë të shpallur në vitin 1973, i shquar për tërësinë e vlerave autentike që ka. Ndërtesa e ndërtuar në shekullin XIX është shembulli i fundit i mbetur në Durrës i një ndërtese dykatëshe me ballkon të hapur. Në fillim të viteve ’80 (1982), ajo u shndërrua në Muze Etnografik, duke ekspozuar objekte tradicionale të jetës së përditshme shqiptare, tekstile të qëndisura dhe punime në bakër, si dhe një pjesë të veçantë dedikuar trashëgimisë së Moisiut. Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland“), të Wedekind-it (“Fruhlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”). Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.
     

  • Rritje e numrit të vizitorëve në Butrint, një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

    Rritje e numrit të vizitorëve në Butrint, një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

    Numri i vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit ka ardhur në rritje. Kjo bëhet me dije nga vetë parku, që ka ndarë në faqen e tij dhe të dhënat për numrin e vizitorëve gjatë muajit mars 2025. “Parku kombëtar i Butrintit, + 36 për qind më shumë vizitorë dhe + 113 për qind më shumë te ardhura në mars 2025. Numri i vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit ka ardhur gjithnjë e në rritje, duke dëshmuar edhe një herë vlerat e rralla kulturore dhe natyrore që ky vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s mbart. Ju ftojmë të vizitoni Butrintin, ku historia dhe natyra gërshetohen në një harmoni te papërsëritshme”, thuhet në faqen e parkut të Butrintit. Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
    Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Brenda parkut ndodhen zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se “Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë” dhe se çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm.

  • Ndërhyrje restauruese në kishën e Shën Todrit, muri i oborrit jugor ishte i dëmtuar dhe rrezikonte shembjen

    Ndërhyrje restauruese në kishën e Shën Todrit, muri i oborrit jugor ishte i dëmtuar dhe rrezikonte shembjen

    Nga Julia Vrapi
    Ndërhyrje restauruese në kishën e Shën Todrit, që u rindërtua në mesin e shekullit XVI dhe u zbukurua me pikturat e Onufrit. Kisha e Shën Todrit është një monument i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Berati, por muri i oborrit jugor ishte i dëmtuar dhe rrezikonte shembjen, çka solli dhe ndërhyrjen restauruese të tij. Punimet po kryhen nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat. “DRTK Berat është duke kryer ndërhyrje restauruese në murin e oborrit jugor të kishës së Shën Todrit, monument kulture kategoria e parë lagjja “Kala”. Muri ishte i dëmtuar kishte pësuar çarje dhe rrezikonte shembjen”, shprehet kjo drejtori e trashëgimisë. Ndërhyrjet në murin e oborrit jugor të kishës monument kulture në Berat janë në vijim dhe të atyre më parë, që kanë pasur qëllim restaurimin  e objekteve monument kulture.
    Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat monitoron dhe administron qendrën historike Berat, si pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Specialistët e drejtorisë hartojnë projekte konservimi, restaurimi, vlerësimi, projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel rajonal e vendor. Herë pas here Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën me dije ndërhyrjet që kryhen në objektet monument kulture, ku këtë kohë është ndërhyrja në murin e oborrit jugor të kishës së Shën Todrit, që ishte i dëmtuar dhe rrezikonte shembjen.
    Historiku i kishës
    Kisha e “Shën Todrit” është shpallur monument kulture në vitin 1961. Kisha e Shën Todrit gjendet pranë hyrjes për në “Kala” nga ana lindore dhe është e tipit njënefëshe me çati druri. Ajo u rindërtua në mesin e shekullit XVI dhe u zbukurua me pikturat e Onufrit. Në kishë ruhen disa elementë arkitektonike paleokristiane të ripërdorura në dritaren e absidës si dhe në brendësinë e kishës. Nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore thuhet se në pikëpamjen ndërtimore, kisha ruan gjurmë të kohërave të ndryshme.
    “Pasuria ndërtimore që trashëgojmë sot është ngritur mbi gjurmët e një kishe më të hershme që mendohet se shkon e shek. XI-XIII, apo ndoshta dhe më e vjetër. Kjo gjë shihet në brendësi të kishës prej sondazhit të kryer në vitet ’70 të shekullit të kaluar”, thuhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat. Kisha ndodhet në lagjen “Kala” në Berat, lagje që ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rrethues.
    Deri në shekullin XIII qyteti mesjetar zhvillohej kryesisht brenda territorit të kalasë, ku, përveç shumë monumenteve me karakter religjioz, mbrojtës dhe inxhinierik, kishte edhe një numër të konsiderueshëm banesash. Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX.

  • Monumentet e kulturës në Gjirokastër në rrezik, problemet e pronësisë kërcënojnë godinat muzeale

    Monumentet e kulturës në Gjirokastër në rrezik, problemet e pronësisë kërcënojnë godinat muzeale

    Problemet e pronësisë në objektet “Monument Kulture” në Gjirokastër po rrezikojnë ruajtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të qytetit të gurtë.

    Ndërkohë që disa nga godinat historike dhe shtëpitë karakteristike janë dëmtuar ose kanë humbur vlerat muzeale, autoritetet po ndërhyjnë për të shpëtuar të tjera siç është banesa e Angonatëve, një kompleks i njohur edhe si kartolina e Gjirokastrës.
    Megjithatë, zbatimi i projekteve të restaurimit është bërë i vështirë për objektet muzeale që përballen me çështje pronësie.
    Vaso Polo, specialist në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Gjirokastër, shprehet se “problemi i pronësisë është problemi kryesor për të gjitha banesat gjirokastrite. Secili projekt ndërhyrjeje kërkon një certifikatë pronësie dhe është e nevojshme që të ketë njerëz përgjegjës për administrimin e këtyre objekteve.”
    Në qytetin e Gjirokastrës disa objekte të trashëgimisë kulturore janë restauruar me fonde publike ose në bashkëpunim me pronarët por një pjesë tjetër janë në gjendje të degraduar. Polo thekson se shumë prej objekteve, si shtëpia Lolomani, kanë shumë bashkëpronarë ose nuk kanë certifikata pronësie, gjë që e bën të vështirë ndërhyrjen dhe restaurimin e tyre. Ai shton se shumë objekte me vlera të mëdha për qytetin janë aktualisht pa pronarë.
    Gjirokastra, e njohur për vlerat e saj arkitektonike dhe ndërtimore, u fut në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Shtëpitë karakteristike dhe godinat muzeale janë bërë atraksione të preferuara për turistët. Gjirokastra ka një tjetër trashëgimi të pasur nga periudha e fillimit të shekullit XX, kur arkitektura u ndikua nga stili italian, dhe shtëpitë e tregtarëve dhe intelektualëve të asaj kohe filluan të ndryshojnë fasadat, me shtimin e ballkoneve në banesat tradicionale.
    Në këtë kontekst, ekspertët e trashëgimisë kulturore kërkojnë që të gjenden zgjidhje ligjore për problemet e pronësisë, për të garantuar ruajtjen dhe restaurimin e këtyre objekteve historike.

    Top Channel

  • Arkeologjia nënujore dhe digjitalizimi i pasurisë kulturore nënujore mbledh specialistët në Ulqin

    Arkeologjia nënujore dhe digjitalizimi i pasurisë kulturore nënujore mbledh specialistët në Ulqin

    Specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në trajnimin për arkeologjinë nënujore dhe digjitalizimin e pasurisë kulturore nënujore. Kjo bëhet me dije nga IKTK që thotë se 4 specialistë të tij janë pjesë e këtij trajnimi. “Në një atmosferë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë kulturore, në Ulqin nisi trajnimi për Arkeologjinë Nënujore dhe Digjitalizimin e Pasurisë Kulturore Nënujore , ku morën pjesë edhe 4 specialistë të IKTK”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Dita e parë e workshop-it përfshiu: Prezantimin e programit dhe objektivave të trajnimit; Njohjen me Qendrën Ndërkombëtare për Arkeologjinë Nënujore në Zadar
    Ligjërata mbi historinë dhe metodologjitë e përdorura në arkeologjinë nënujore; Ushtrime praktike për dokumentimin 2D të gjetjeve me metoda tradicionale grafike. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kapaciteteve profesionale në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë nënujore shqiptare. Ky aktivitet u organizua nga Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Nënujore e UNESCO-s në Zadar, Kroaci, në bashkëpunim me Universitetin e Malit të Zi, në kuadër të programit IPA për Adriatikun Jugor. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përkatësisht nga Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik.