Tag: transmetueshme

  • Seksi i pambrojtur, sa shumë keqinformime: Mitet e rreme më të zakonshme dhe rreziqet reale

    Seksi i pambrojtur, sa shumë keqinformime: Mitet e rreme më të zakonshme dhe rreziqet reale

    Rreth seksit të pambrojtur flitet pak dhe kryesisht në mënyrë të pasaktë. Edhe pse jetojmë në epokën e aksesit të menjëhershëm të informacionit, është thuajse e pabesueshme se ende ka kaq pak vetëdije mbi rreziqet e mospërdorimit të mjeteve mbrojtëse dhe kontraceptive.

    Shumë persona nënvlerësojnë rreziqet që lidhen me marrëdhëniet seksuale të pambrojtura: infeksionet seksualisht të transmetueshme po rriten, shtatzënitë e padëshiruara ndodhin edhe tek të rinjtë e vegjël dhe mungesa e vetëdijes është e përhapur, jo vetëm tek të rinjtë.

    Siç e shpjegon doktori Claudio Paganotti, gjinekolog dhe seksolog në Institutin Klinik “Città di Brescia”:

    “Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në Itali mbi infeksionet seksualisht të transmetueshme tregojnë një ndalesë gjatë periudhës së Covid-it. Pastaj, që nga viti 2021, ato janë rritur shumë, sidomos infeksionet bakteriale si gonorrea, sifiliza dhe klamidia. Disa prej tyre janë dyfishuar, pra janë rritur deri në 100%.”

    Rreziqet e seksit të pambrojtur

    “Seks i pambrojtur ka dy rreziqe kryesore,” shpjegon Paganotti:

    Të kontraktosh një infeksion seksualisht të transmetueshëm, ato që dikur quheshin “sëmundje të errëta”;
    Një shtatzëni e padëshiruar.

    Përveç këtyre, ka pasoja edhe më serioze: përhapja e infeksioneve që mund të shkaktojnë infertilitet, tumore ose probleme gjatë shtatzënisë. Po ashtu, mund të ketë pasoja psikologjike, si ankth dhe stres lidhur me rrezikun vetë.

    Çfarë duhet bërë pas një marrëdhënieje të pambrojtur?

    “E para është të shkosh tek mjeku dhe, nëse personi nuk dëshiron shtatzëni, të marrësh menjëherë pilulën e ditës pasuese. Pas 10-15 ditësh duhet bërë testi i shtatzënisë dhe më pas testet për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Këto teste nuk duhen bërë menjëherë për shkak të periudhës së inkubacionit. Nëse ka simptoma, si sekrecione ose sinjale të tjera, mund të bëhet tampon vaginal.

    Ekzistojnë teste të gjakut për HIV, sifilizë dhe klamidi. Pra, tri gjërat kryesore që duhen bërë janë: pilula e ditës pasardhëse, testi i shtatzënisë dhe testet për infeksionet seksualisht të transmetueshme,” shpjegon Paganotti.

    Infeksionet seksualisht të transmetueshme më të zakonshme

    Sipas doktor Paganotti-t, janë shtatë:

    Tri bakteriale: klamidia, gonorrea, sifiliza;
    Tri virale: herpes genital; infeksionet HPV (që shkaktojnë kondiloma dhe tumorin e qafës së mitrës); HIV dhe infeksionet nga HBV dhe HCV;
    Një protozoar: Trichomonas vaginalis, që shkakton sekrecione të gjelbërta dhe me erë të keqe. Kur shfaqen këto simptoma, ka shumë gjasa të jetë Trichomonas.

    “Problemi është se shpesh këto infeksione janë pa simptoma për një periudhë dhe personi nuk e di se është infektuar,” shton doktori.

    Pse mungon ende vetëdija? Mitet e rreme mbi seksin e pambrojtur

    Problemi kryesor është mungesa e vetëdijes. Paganotti thotë:

    “Ekzistojnë ende besime popullore krejtësisht të gabuara. Shpesh mendohet se me marrëdhënien e parë nuk mund të ndodhë shtatzëni, se një grua nuk mbetet shtatzënë nëse nuk arrin orgazmën, ose se nuk ka shtatzëni nëse marrëdhënia zgjat më pak se një minutë. Duhet të kujtojmë se ndërprerja e marrëdhënies nuk është metodë kontraceptive. Ka një shkallë dështimi 20% dhe, natyrisht, nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Metoda e vetme për t’i parandaluar është prezervativi.

    Por edhe prezervativi nuk mbron plotësisht: për shembull, kondilomat shpesh gjenden në zona të pambuluara nga prezervativi, kështu që mjafton një kontakt me këto zona. Është e rëndësishme të përdoret mbrojtja edhe në marrëdhënie orale. Ekziston edhe ‘dental dam’, një copë lateksi ose poliuretani që pengon shkëmbimin e lëngjeve trupore gjatë seksit oral. Po ashtu, ekziston vaksina për HPV, e vetmja mënyrë për të parandaluar kondilomat dhe tumorin e qafës së mitrës, dhe vaksina për hepatit B dhe C.

    Një e dhënë tjetër e rëndësishme ka të bëjë me gratë homoseksuale: edhe në këtë rast ka rreziqe, sidomos në përdorimin e lodrave seksuale, të cilat duhet gjithmonë të dezinfektohen dhe pastrohen.

    Në Itali nuk ka shumë të dhëna mbi infeksionet seksualisht të transmetueshme midis grave, ndryshe nga SHBA-të. Më të përhapurat janë gonorrea, sifiliza, infeksionet nga klamidia, herpes dhe HPV, ndërsa HIV është më pak i shpeshtë krahasuar me meshkujt. Zakonisht transmetohen përmes kontaktit direkt genital, përdorimit të lodrave seksuale të pambrojtura ose seksit oral.”

  • Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Nga Mimoza Picari/

    Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të familjes në adresimin e këtyre sëmundjeve, sipas specialistëve. Rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% në dekadën e fundit, apo shtimi i rasteve me diabet me 6 mijë në vit, vetëm dy prej grupit të gjerë të sëmundjeve jo të transmetueshme, tregon sipas tyre rëndësinë e rritjes së investimeve në sektorin e shëndetësisë. E megjithatë ISHP i konfirmoi Faktoje.al se mbajtja nën kontroll e vdekjeve tregon shtim të përpjekjeve në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Raportet

    Në Shqipëri, sipas OBSH sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku i 90% të vdekjeve. Ekspertët vlerësojnë se këto sëmundje janë në rritje të vazhdueshme të nxitura nga plakja e popullsisë me ritme të shpejta, ndjekur nga mënyra e jetesës dhe dobësitë në sistemin shëndetësor.

    Sipas INSTAT, mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç nga 33 që ishte mbi një dekadë më parë. Disa elementë të stilit të jetesës, argumentojnë specialistët, si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, obeziteti dhe rënia e riprodhimit po shtojnë grupe të mëdha sëmundjesh jo të transmetueshme, si ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (sëmundjet e zemrës dhe ato të enëve të trurit) dhe ato tumorale që zënë rreth 68% të vdekjeve në vend, përkatësisht 53 dhe 15%.

    Shifrat

    Të dhënat që japin një pasqyrë më të saktë për rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo të transmetueshme, pra jo infektive, janë ato të shtrimeve në spital. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë këto dy grupe sëmundjesh përbëjnë rreth 27% të gjithë shtrimeve në spitale. Në strategjitë e shëndetit vlerësohet se sëmundjet jo të transmetueshme po shtohen në mënyrë të vazhdueshme. Disa tregues janë rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% nga viti 2015- 2023, 6 mijë raste të reja me diabet apo dhe rritja e numrit të vizitave në shëndetin parësor sipas INSTAT me 9.6% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraardhës.

    Arsyet

    Ekspertët argumentojnë se me këtë panoramë që paraqet kjo fushë e shëndetit publik nevojitet forcimi i parandalimit primar, dhe të komplikacioneve në hallkat e shëndetit parësor, përmes mjekëve të familjes atyre specialistë si porta e parë, dhe më pas forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore” – Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik

    “Fatkeqësisht nuk e shoh këtë të ndodhë në Shqipëri. Mjeku i familjes prej vitesh është shndërruar në një shkrues të thjeshtë recetash. Ka gjithmonë e më pak kohë për t’u marrë me pacientin dhe nuk ka pajisjet e duhura për të bërë të mundur një trajtim të hershëm të sëmundjeve kronike dhe një parandalim të komplikacioneve. Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore. Ky është një alarm sepse nga mungesa e burimeve njerëzore nuk vuajnë vetëm spitalet, por në radhë të parë vuajnë qendrat shëndetësore dhe ambulancat”, thotë për Faktoje.al Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Autoritetet zyrtare kanë hartuar disa strategji gjatë viteve të fundit për sëmundjet jo të transmetueshme. Shefi i departamentit të sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik Alban Ylli i tha Faktoje. al se ka një shtim të përpjekjeve për parandalimin e tyre, në sistemin shëndetësor parësor. Ai thotë se janë mbajtur nën kontroll vdekjet e standardizuara, pra duke hequr efektin e moshës, të cilat qëndrojnë thuajse në shifra të njëjta prej 5 vitesh.

    “Qytetarët kanë filluar ta vendosin shëndetësinë tek prioritetet e tyre, krahasuar me 20 apo 25 vite më parë. Nga ana tjetër dhe sistemi shëndetësor ka filluar të përmirësohet. Ka më shumë se ç’të ofrojë si në kujdesin e shëndetit parësor, p.sh. Check-up që shpesh herë e kritikojnë për arsye politike. Tashmë tek mjeku i familjes mund të bëhen shumë teste, dhe ky mjek ofron më shumë se më parë. Mund të ofrohen shërbime, mund të merret trajtimi aty, të mbahet pacienti nën kontroll pa shkuar në spital. Ka rezultate në kapjen e hershme të sëmundjeve kronike. Pra në disa nivele të sistemit shëndetësor nga parësori deri tek terciari ofrohen më shumë shërbime”, konfirmon Z. Ylli.

    Ai thotë se qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen edhe për stilin e jetesës, pasi rritja e disa sëmundjeve jo të transmetueshme ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga duhanpirja, alkooli apo konsumimi i ushqimeve të përpunuara. E megjithatë eksperti i shëndetit publik në ISHP Alban Ylli, mendon se ka vend për përmirësime në sistemin shëndetësor.

    “Mendojmë se kemi vizionin e duhur për t’u marrë me këto sëmundje, por jo për të gjitha gjërat bëhet aq sa duhet. Ka shumë mungesa në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor shqiptar, në opinionin tim, ofron shërbim të mirë në kushte emergjencash, por në terma sistematik ne çedojmë shumë”, vijon Z. Ylli.

    Monitorimi

    “Buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%” – Nevila Xhindi, eksperte

    Një monitorim i strategjisë kombëtare të shëndetit publik 2021-2030, nga organizata joqeveritare “Together For Live” në gusht të vitit 2024, me mbështetjen e delegacionit të BE, nënvizoi disa çështje. Një prej tyre lidhet me buxhetin e alokuar për shëndetin parësor në raport më atë në tërësi për shëndetësinë. Ky dokument zbulon se ai ka pësuar rënie të vazhdueshme nga viti 2020 deri në vitin 2023 nga 11.4% në 9.1%, ndërsa është rritur për herë të parë pas shumë vitesh në vitin 2024 në 11.8%. Por krahasuar me 4 vite më parë, rritja ishte e lehtë me vetëm 0.4%. Ekspertja që ka kryer monitorimin e strategjisë për tre vitet e para, Nevila Xhindi konfirmoi për Fakotje.al dhe një tjetër element.

    “Nëse përqindja e shpenzimeve të qeverisë për sistemin e shëndetësisë ishte 10% si vlerë bazë, pra në vitin që nis monitorimi, dhe targeti i saj është 12 % në vitin 2030, papritur në vitin 2023 bie në 9.6%. Nga ana tjetër dhe buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%. Është ambicioze, por aktualisht varion nga 2.8%-3% të PBB”, thotë Znj. Xhindi.

    Reformat

    Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, thotë se investimet në shëndetësi duhet të rriten, ndërsa siç shprehet ai ka nevojë dhe për një riformatim të mjekëve të familjes dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre në raport me popullsinë. Por një prej çështjeve më shqetësuese sot mbetet rritja e sëmundjeve tumorale. Kritikët shohin me skepticizëm disa çështje, sidomos kur bëhet fjalë për konceptin multidisiplinar në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Trajtimi i të sëmurëve me sëmundje tumorale, jo vetëm që nuk kryhet sipas sistemit dhe trajtimit multidisiplinar, i cili ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara, por kemi mangësi dhe defekte edhe në elementë të veçantë të trajtimit, që është e paimagjinueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend europian. Pra, që të kesh mangësi në kemioterapi, të kesh preparate të radioterapisë që qëndrojnë të prishura për ditë të tëra dhe ka raste edhe me javë të tëra. Apo si ajo pajisja e brakiterapisë që për vite të tëra nuk u vendos në punë. Të gjitha këto tregojnë, që ne nuk kemi arritur ta fusim në Shqipëri konceptin e trajtimit multidisiplinar që është kaq i domosdoshëm për trajtimin e komplikacioneve të sëmundjeve kronike”, argumenton Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Ndërgjegjësimi

    Nga ana tjetër Z. Ylli sjell disa argumente që lidhen me mbajtjen nën kontroll të vdekjeve nga sëmundjet kronike.

    “…Sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike” – Alban Ylli, Shefi i departamentit të dëmundjeve kronike në ISHP

    “Njerëzit do vazhdojnë të ankohen. Unë personalisht jam i bindur, dhe e kam vënë re se ti mund të ofrosh dyfishin e parave, mund ta rrisësh financimin e medikamenteve dhe mund të kesh sërish shumë ankesa, sepse kostot e trajtimit të kancereve në rastin konkret janë aq të larta, sa duhet ta kuptojë shoqëria shqiptare që investimi në këtë fushë duhet të vazhdojë të jetë i madh. Por duhet të merremi edhe me kontrollin e stilit të jetesës. Më pak duhanpirje më pak kancere në mushkri dhe sëmundje ishemike në zemër. Por sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike. Kemi fakte që përmes kapjes së hershme ne mbajmë nën kontroll vdekshmërinë. Ne po na rriten sëmundjet jo të transmetueshme, por po mbajmë nën kontroll vdekjet dhe kjo tregon menaxhim më të mirë në sistemin shëndetësor. Ka më shumë kancere, por vdekshmëria nuk po rritet. Për sëmundjet kardiovaskulare, shtrimet në spital janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që vdekshmëria e standardizuar, pra duke hequr efektin e moshës, po ulet për shumicën e sëmundjeve kronike”, argumenton Z. Ylli

    Reagimi

    Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktoje.al për një intervistë në lidhje me politikat e ndjekura për sëmundjet jo të transmetueshme, buxhetet e alokuara dhe vizionin për të ardhmen, por nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë se disa elementë duhen korrigjuar në kujdesin e shëndetit parësor, si porta ku parandalimi ka shumë rëndësi.

    “Teknologjia sot po luan një rol të jashtëzakonshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Aktiviteti i mjekut të familjes në gjithë vendet e zhvilluara po mbështetet nga programe, deri tek ato të inteligjencës artificiale ndërkohë ka dekada që aplikacionet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës së mjekut të familjes, nga kartela elektronike deri tek aplikacionet që menaxhohet dhe monitorohet në distancë shëndeti i pacientit. Ndërkohë për sa i takon mjekut të familjes në Shqipëri, burimet pakësohen dhe kjo është një situatë e papranueshme dhe që duhet korrigjuar sa më shpejt”, sugjeron Z. Dasho.

    RekomandimetSëmundjet jo të transmetueshme kanë një trend global rritje. Ekspertët mendojnë se sfidat për parandalimin dhe trajtimin e tyre janë të mëdha në sisteme shëndetësore si ai në Shqipëri, i cili shfaq disa dobësi në ofrimin e shërbimeve si në kujdesin parësor ashtu dhe në spitalet rajonale dhe ato terciare. Njohës të fushës së shëndetësisë nxisin një riformatim të këtij sistemi që synon uljen e numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme ashtu dhe vdekshmërinë prej tyre./ Faktoje.al