Studiuesit në Klinikën Mayo në Shtetet e Bashkuara thonë se kanë identifikuar një lloj qelize “përgjigjëse të parë”, që mund të synohet për të forcuar trajtimet e kancerit dhe kanë zhvilluar një antitrup që ndihmon në këtë proces.
Dy ekipe studiuesish thanë se kanë zbuluar se qelizat mieloide “mund të manipulohen për të rritur aktivitetin e qelizave T që vrasin tumorin” dhe nga ana tjetër të forcojnë disa imunoterapi që janë “standardi i kujdesit për disa lloje kanceri”.
Disa nga trajtimet “nuk kanë efekte të qëndrueshme” sipas ekipeve, të cilat po zhvillojnë një test klinik për qelizat e përmirësuara.
“Identifikimi i qelizës mieloide ishte një zbulim i papritur”, tha Michelle Hsu e Klinikës Mayo, hulumtimi i së cilës u botua në Journal for ImmunoTherapy of Cancer, një botim i British Medical Journal.
Ekipet shpjeguan se synonin “të përmirësonin trajtimet që ndërhyjnë në proteinat imunosupresive” dhe të adresonin një proces riciklimi, që i vë proteinat problematike “përsëri në lojë” edhe pas trajtimit.
“Studimi ynë zbuloi rëndësinë e procesit të riciklimit dhe ne paraqesim një mënyrë për ta adresuar atë”, tha Haidong Dong, një tjetër studiues në Klinikën Mayo.
Ekipi tha në dokument se antitrupi që ata zhvilluan “mund të ofrojë një zgjidhje për mungesën e përgjigjeve të vërejtura me terapitë aktuale”, dhe mund të jetë një “mënyrë unike për të synuar dhe eliminuar” një imunosupresant të rrezikshëm./ DPA News.



