Tag: trajner

  • Giuntoli prezanton Tudor si trajner të ri, falënderon edhe Motta: Bëri një punë të shkëlqyer

    Giuntoli prezanton Tudor si trajner të ri, falënderon edhe Motta: Bëri një punë të shkëlqyer

    Para se të fillonte konferenca për shtyp e prezantimit të Igor Tudor si trajneri i ri i Juventusit, drejtuesi i sektorit teknik të bardhezinjve, Cristiano Giuntoli, mori fjalën për të sqaruar situatën rreth largimit të Thiago Motta:
    “Dua ta falënderoj Thiago Motta dhe stafin e tij për punën e shkëlqyer gjatë këtyre muajve. Dua të sqaroj edhe marrëdhënien tonë me Thiago, e cila do të mbetet me shumë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë. Mbas deklaratave të mia, pas ndeshjes me Fiorentinën, morëm kohën e duhur për të reflektuar dhe vendosëm t’i japim një shtysë të re ekipit. E bëmë për të mirën e Juventusit. Zgjedhja jonë menjëherë ra mbi Igor, kryesisht për cilësitë e tij teknike dhe morale.
    Igor do të qëndrojë me ne deri në fund të sezonit, përfshirë edhe Kupën e Botës për Klube. Më pas do të takohemi dhe shpresa është që të vazhdojmë së bashku. Ne kemi shumë besim te skuadra, jemi optimistë për të ardhmen”.
    Më pas, trajneri Igor Tudor mori fjalën për të dhënë komentet e tij të para, pas rikthimit te Juventusi, ku ka luajtur si fyutbollist dhe ka qenë ndihmës i Andrea Pirlos si trajner: “Para së gjithash, dua t’ju përshëndes të gjithëve. Dua të falënderoj drejtorin dhe klubin për këtë mundësi. Do të jap gjithçka për të mos zhgënjyer askënd.
    Është emocionuese, sepse të gjithë do të donin ta drejtonin këtë klub. Kam shumë dëshirë t’i arrij objektivat, besoj fort te kjo skuadër. Të mërkurën mbërritën të gjithë lojtarët nga kombëtaret, janë të lodhur, por nuk ka justifikime. Unë kurrë nuk kam kërkuar justifikime në jetën time. Kështu që, le t’ia fillojmë nga këtu”.

  • Befason Danilo: Pasi ta lë futbollin, do të nis universitetin. Guardiola më “bëri lavazh truri”

    Befason Danilo: Pasi ta lë futbollin, do të nis universitetin. Guardiola më “bëri lavazh truri”

    Në janar, Danilo u largua nga Juventusi për t’u rikthyer në Brazil dhe bashkuar me Flamengon. Në një intervistë për “The Guardian”, mbrojtësi brazilian foli për këtë vendim: “Një nga objektivat e mia ishte të afrohesha më shumë me popullin brazilian, me tifozët. Kjo mund të më ndihmojë që të forcoj rolin tim në kombëtaren braziliane”.
    Danilo përmendi edhe rastin e Filipe Luis, ish-mbrojtësit që u bë trajner menjëherë pas tërheqjes nga futbolli: “Ai e la futbollin në dhjetor dhe në shkurt ishte trajner i ekipit U-17 të Flamengos. E telefonova dhe i thashë: Je i çmendur. Ai m’u përgjigj se nuk e dinte që trajnerët punonin kaq shumë”.
    Duke folur për planet e tij pas karrierës si futbollist, Danilo mohoi mundësinë për t’u bërë trajner: “Unë trajner? Për momentin nuk ka asnjë shans. Futbolli ende ka shumë për të më dhënë, por kur të tërhiqem do të duhet të hap një kapitull të ri në jetën time.
    Dua të regjistrohem në universitet, të studioj psikologji dhe komunikim. Jeta është e paparashikueshme, e kam mësuar veten të ndryshoj mendje, por sot për sot përgjigja ime për të qenë trajner është: e pamundur”.
    Danilo foli gjithashtu për ndikimin që Pep Guardiola pati në karrierën e tij gjatë kohës te Manchester City: “Pep i edukon lojtarët e tij. Kjo është gjëja më e rëndësishme e punës së tij. Ai i bën të gjithë të mendojnë për futbollin në të njëjtën mënyrë: kohë, hapësirë, lëvizje, posedim, kujdes për topin. Të bën të kuptosh hapësirat në fushë si askush tjetër.
    Guardiola më ‘bëri lavazh truri’, por në mënyrë pozitive. Ishte si të isha në universitet. Ajo që përjetova me të më ndihmoi të ngrija nivelin tim dhe ta mbaja atë deri sot. Nuk është se isha idiot para se të shkoja te Manchester City, por kuptova që po luaja futboll në mënyrë krejtësisht të gabuar. Nëse do ta kisha takuar më herët, do ta kisha pasur jetën shumë më të lehtë. Jam me të vërtetë i lumtur që pata mundësinë të mësoj prej tij”.