Tag: traditës

  • Turizëm me identitet, fuqia e artizanatit dhe traditës

    Turizëm me identitet, fuqia e artizanatit dhe traditës

    Turizmi i viteve të fundit ka sjellë përfitime në disa industri mbështetëse, por artizanati dhe tradita shqiptare, edhe pse shumë të vlerësuara, kanë përfituar ekonomikisht më pak. Potenciali i tyre është i madh, por kërkon orientim të qartë dhe angazhim të palëve të ndryshme. Sfida të tilla si konkurrenca e suvenireve industriale, nevoja për standarde të unifikuara dhe përforcimi i markës kombëta…

  • “Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe argëtimit në zemër të Shushicës

    “Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe argëtimit në zemër të Shushicës

    Bysheku, vetëm 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, këtë të shtunë, u shndërrua në një qendër të gjallë festimi, ku natyra, tradita dhe argëtimi u bashkuan në një aktivitet unik. “Byshek Fest”, e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, solli një ditë të mbushur me atmosferë, mikpritje dhe gjallëri për banorët dhe vizitorët.
    Prej dekadash, elbasanasit e kanë zgjedhur Byshekun si një vend pushimi e relaksi, nën hijen e rrapit shekullor dhe pranë ujit të freskët që buron nga burimet natyrore. Në vitet e fundit, këtij vendi i janë shtuar edhe turistë të huaj, duke e futur Byshekun në hartën e pikave turistike më të vizituara të Elbasanit dhe duke e kthyer në një nga destinacionet e para që të huajt kërkojnë të zbulojnë.

    Nën hijen e rrapave, vizitorët shijuan ushqime tradicionale, muzikë live dhe aktivitete zbavitëse që pasqyruan shpirtin e kësaj zone. Një vend të veçantë zuri edhe panairi i punimeve artizanale të zonjave të zonës, ku u ekspozuan produkte të dorës si qëndisje, punime me grep, tekstile dhe produkte të tjera tradicionale që pasqyruan mjeshtërinë dhe trashëgiminë kulturore të trevës.

    Atmosfera festive u ndërthur me vlerat kulturore e natyrore të Byshekut, duke e bërë këtë festë një përvojë të veçantë për fëmijë, të rinj dhe familje të tëra.

    I pranishëm në festë, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë e promovimit të zonave rurale dhe vlerave të tyre natyrore e kulturore. “Bysheku është një perlë turistike e Elbasanit. Përmes kësaj feste ne jo vetëm që i japim jetë traditës, por krijojmë edhe një mundësi për të forcuar ekonominë lokale dhe për të afruar qytetarët me natyrën dhe bukuritë e saj”, u shpreh ai. Në këtë event ishin të pranishme edhe dy deputetet e Elbasanit, Aulona Bylykbashi dhe Evis Kushi.
    “Byshek Fest” nuk ishte thjesht një ditë argëtimi, por një urë lidhëse mes qytetit dhe fshatit, një mundësi për të risjellë në vëmendje pasurinë kulturore e natyrore që rrethon Elbasanin. Festa e Byshekut solli bukurinë e traditës dhe gjallërinë e komunitetit, nën hijen e rrapeve shekullorë dhe pranë ujit të freskët të burimit.

  • 100 vite nga lindja e Bik Ndojës, zaambli i jares shkodrane, fisniku i traditës së kangës dhe qytetarisë

    100 vite nga lindja e Bik Ndojës, zaambli i jares shkodrane, fisniku i traditës së kangës dhe qytetarisë

    Shkruan Albert Vataj

    Kur thue Shkodra, mundesh me nënkuptu tançka përfaqson kyt gurthemel të rand të historisë, kulturës, traditës dhe qytetarisë.

    Kur përmend Shkodrën, mundet me ndërmend gjithçkaqë që asht ngjiz dhe ka marrë vullnesë krenie në t’gjallt e t’pasionuemit, bijt e bijat e këtij qyteti, njiksaj përkatësie, e cilla ma shum’ se gjeografike, mundet me ken shpirtnore dhe artistike, siç diti me dëshmu dhe me xan vend në faqet e lavdishme të historisë si gurthemel i rand i kaprcyelleve.

    E ndërsa lyp me dallue prej tan atyne yjeve qi kan shndrit qiellin mëkimit të naltuar në shpirtje shkodrane, tue e nusnue këtë amë legjendash, ma i shndritshmi vezullim n’ta asht jarja shkodrane. E kur nëpër këtë tempull të muzikës kërkon me gjet nji emën, nji za, nji prej atyne qi e kanë këndue dhe e naltue këtë mjeshtëri të krijimit, do ta kesh sa t’pamujtun njaq edhe sfiduese. Gjithqysh, prej atyne që u përfaqësuen, e jarja shkodrane u mori njaq sa dhe u dha, nji za i gjithpranum në këtë virtuozitet interpretues, asht Bik Ndoja. Shpirti i tij krijues dhe tansia mëkuese përgjat nji jete në skenën e kangës dhe në ëndjen e adhurimit, u plazmu duke mbetun tash e përgjithmon të pashlyem, shkodrane, n’traditën e jares dhe shqiptare, n’galerinë e veprave që morën status thesari kombëtar.

    Bik Ndoja, jo vetëm me jaren, por me tan pasuninë shpirtnore që mori jetë kah kanga, mujti me i dhan njat za qi kishte me mbet ma i epërmi, ma i andshmi, ma i duartrokituni në skenën shqiptare dhe asaj botnore. Bik Ndoja kishte lindun për me këndu dhe kurrgja nuk mujti me e ba njat za me pushue, e njat zemër me rrah me dashni pa cak. Ai u ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritun për me shkëlqy si n’skenë njashtu edhe në podet e nderimeve dhe titujve, edhe pse meritoi ndoshta ma shumë se gjithkush tjetër. Shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane, njashtu siç shndrin në ag nji diell qi lind tue dëbu terrin.

    Bik Ndoja bani jetën e nji njeriu t’përkorë, pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij, siç nuk i munguen njerëz qi e vlerësuen talentin, u gjindën ndër ta qi u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli n’qiellin e vet. Por ai nuk u dha, nuk e shterri zanin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.

    Në vitin 1969, Bik Ndojës i’u akordua titulli “Artist i merituar”.  Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja “Mjeshtri i Madh” pret në institucionin e Presidencës, për t’iu akorduar ndoshta pas vdekjes.

    Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 për t’u shue më 27 dhjetor 2015. Ishte dhe mbetu lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit./KultPlus.com

  • Presidenti Bajram Begaj merr pjesë në festën “Logu i Bjeshkës” në Malësinë e Madhe: Xhubleta, një trashëgimi dhe…

    Presidenti Bajram Begaj merr pjesë në festën “Logu i Bjeshkës” në Malësinë e Madhe: Xhubleta, një trashëgimi dhe…

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në festën tradicionale të Malësisë së Madhe, “Logu i Bjeshkës”, që daton nga shekulli i kaluar dhe është një manifestim i traditës. “Mishërim i shpirtit të malësorit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar”, e cilësoi kreu i shtetit këtë festë ku ishte i pranishëm. Eventi festiv u mbajt në Qafën e Predelecit në Kelmend. Presidenti shprehu falënderimin për mikpritjen dhe vlerësimi që i bëhet trashëgimisë kulturore nga banorët e kësaj zone. “Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore. Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore”, tha Begaj mes të tjerash. Gjithashtu ai theksoi faktin se në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta. “Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës”, u shpreh ai. Dhe promovimin e saj botërisht e quajti një pasuri kombëtare.
    Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në “Logun e Bjeshkës”:
    “Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, në alpet shqiptare, në Qafën e Predelecit në Kelmend, në këtë festë që kaq bukur mishëron shpirtin e malësorit dhe krenarinë tonë kulturore si shqiptarë. Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe mikpritjen, si dhe për mundësinë që më dhatë të ndaj me ju këto çaste gëzimi e përkushtimi ndaj trashëgimisë sonë. Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore. Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore. Logu i Bjeshkëve është një ritakim me historinë, me artin, me veshjet, vallet, këngën dhe natyrën. Ai na kujton fuqinë e rrënjëve, respektin për zakonet dhe përkushtimin për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi. Këtu, në alpet shqiptare, ku natyra ruan madhështinë e saj dhe ku zakonet flasin ende me zërin e brezave, Logu i Bjeshkëve nuk është vetëm ngjarje festive, por është një dëshmi e gjallë e pasurisë shpirtërore dhe etnografike të trevave veriore të Shqipërisë, një homazh për traditat e zonës, për bukuritë natyrore, për patriotizmin dhe identitetin tonë kombëtar.
    Ai përfaqëson jo vetëm festën e bukurisë, shpirtit dhe traditës malësore, por edhe një vlerë të çmuar për unitetin, kulturën dhe dinjitetin shqiptar. Logu i Bjeshkëve është qilimi i kulturës shqiptare i shtruar mes gjelbërimit të këtyre grykave magjepsëse, i qëndisur me gojëdhënat e këtyre trojeve, i shoqëruar me tingujt e kthjellët të kësaj krahine dhe i ndërkombëtarizuar veçanërisht përmes Xhubletës, tashmë pasuri e kulturës botërore njerëzore. Në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta. Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës. Logu i Bjeshkëve promovon botërisht këtë pasuri të shenjtë shqiptare dhe na kujton rëndësinë e mbrojtjes së saj.
    Më shumë se një manifestim popullor, Logu është një agora shqiptare, një hapësirë ku komuniteti mblidhet për të festuar dhe për të forcuar lidhjet mes traditës dhe të sotmes. Vajza e Bjeshkës, e veshur me kostum popullor, nuk përfaqëson thjesht bukurinë e jashtme, por dinjitetin, mençurinë dhe qëndresën e gruas shqiptare dhe banorëve të këtyre trevave. Ky manifestim unik përçon për brezat e sotëm e të ardhshëm mesazhe të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tradicionale, trashëgiminë tonë kulturore dhe bashkimin e komuniteteve rreth zakoneve të lashta dhe mikpritjes së Malësisë. Përmes veshjeve popullore, këngëve epike, valleve dhe simbolikës së “Vajzës së Bjeshkës”, Logu vazhdon të jetë një udhërrëfyes i gjallë i identitetit të palëkundur shqiptar në thellësi të alpeve.
    Me rastin e Logut të Bjeshkëve, uroj që kjo festë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore të vazhdojë të mbledhë zemrat e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të identitetit, krenarisë dhe bukurisë, sepse këtu në Malësi identiteti dhe traditat nuk janë muzeale. Ato janë pjesë e të përditshmes, ato jetohen, ruhen në sofra, në biseda, në ndërlidhjet me natyrën, në vargjet e kësaj zone, si ato të Gjergj Fishtës që na flasin përjetësisht. Udhëtimi ynë drejt integrimit evropian na mëson t’i kthejmë këto thesare në asete të mbrojtura. Le të punojmë e të sigurohemi që ne do t’ua lëmë, siç i trashëguam, këto thesare, këto peizazhe, bashkë me legjendat e tyre, brezave të ardhshëm, duke i promovuar e forcuar. U uroj organizatorëve suksese të mëtejshme në ruajtjen dhe promovimin e këtij thesari kulturor të papërsëritshëm, si dhe të gjithë pjesëmarrësve, vendas e të ardhur nga Diaspora, një përvojë të paharrueshme në gjirin e natyrës dhe traditës shqiptare. Le të jetojë përherë fryma e mikpritjes, forcës dhe hijeshisë që Logu përcjell ndër breza. Gëzuar Logun e Bjeshkëve!” Gëzuar festën e shpirtit shqiptar!”.

  • “Dasma shkodrane”, monumenti që Kol Idromeno i dedikoi traditës dhe kulturës, historisë dhe pasurisë shpirtërore të Shkodrës

    “Dasma shkodrane”, monumenti që Kol Idromeno i dedikoi traditës dhe kulturës, historisë dhe pasurisë shpirtërore të Shkodrës

    Nga Albert Vataj
    Ka çaste kur një vepër arti bëhet më shumë se një dritare mbi të shkuarën; ajo kthehet në një rit të gjallë, një këngë pa zë që rreh në zemrën e kujtesës. “Dasma shkodrane”, kjo kryevepër e Kol Idromenos e vitit 1924, është një prej atyre mrekullive ku historia dhe arti bashkëjetojnë në një përqafim të rrallë. Një kanavacë ku ngjyrat janë të rrahura nga drita e një qyteti që mbartte mbi supe peshën e traditës dhe hijeshinë e një elegance qytetare, që e shndërron momentin e dasmës në një ikonë të shpirtit kombëtar.Vështroni këtë peizazh të gjallë: oborri me kalldrëm, muret e larta, portiku që hapet si një skenë teatri, aty ku përplasen zërat e këngëve dhe hapa të veshjeve të trasha, të gjera e të hijshme. Femrat me çitjane të zeza e përparëse të bardha, me shallin e mbështjellë rreth kokës, ecin në një ritëm solemn, një koreografi e lashtë që përçon rregulla dhe krenari. Fëmijët e vegjël, të veshur me rroba festive, mbahen prej dore nga nënat apo qëndrojnë kureshtarë në skaj, duke marrë pjesë pa e ditur në një liturgji të përjetshme. Në sfond, një minare e hollë përshëndet qiellin dhe tingujt e largët të qytetit.

    Idromeno nuk e pikturoi thjesht një dasmë; ai ngriti një monument të një qytetërimi të tërë, një kod të heshtur zakonesh e marrëdhëniesh që merr formë përmes veshjes, qëndrimit dhe hapit. Dhe kjo tablo, e veshur me atë tejdukshmërinë e kujtesës që na bën të ndjehemi sikur jemi të fshehur pas xhamit të një dritareje, ose hipur mbi një pemë të lagjes, është një dëshmi e rrallë se si arti shndërrohet në dokument dhe rit njëherësh.Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një pikturë, por një mjet për të eksploruar shpirtin e një bashkësie. Në fjalët e antropologut Clifford Geertz, një vepër arti është një mekanizëm që forcon rregullat, vlerat, lidhjet shoqërore. Dhe “Dasma shkodrane” bën pikërisht këtë, na lejon të lexojmë kodin e heshtur të një shoqërie ku familja, nderi dhe riti janë të shenjtë.Nga kjo tablo mësojmë se si ndërtohej marrëdhënia midis fiseve, si peshoheshin rolet gjinore, si merreshin vendimet që mbartnin peshën e një fisi të tërë. Dhe ndonëse sot emocionet tona janë të tjera, ndonëse syri ynë modern sheh më shumë folklor se sa kod social, fuqia e kësaj vepre është se ajo i tejkalon kohët, ajo na lidh me një identitet që, edhe pse i kaluar, është ende i gjallë në rrënjët e shpirtit shqiptar.Kështu, Kol Idromeno nuk na la thjesht një pikturë; ai na la një rrëfim të përjetshëm, një akt solemn dashurie ndaj qytetit të tij dhe kulturës që e ushqeu. Dhe çdo herë që sytë tanë ndalen mbi këtë kryevepër, ne bëhemi pjesë e asaj dasme, dëgjues të këngëve të vjetra, pjesëmarrës në një vallëzim që nuk resht kurrë.“Dasma shkodrane” mbetet kështu një dritare drejt një kohe kur arti, tradita dhe jeta ishin një, dhe ku çdo hap i nuseve e çdo vështrim i burrave ishte një poezi e shkruar me ngjyrë e dritë.

  • Simbol i traditës rumune, mbërrin në portin e Durrësit veliera “Mircea”

    Simbol i traditës rumune, mbërrin në portin e Durrësit veliera “Mircea”

    Në portin e Durrësit ka mbërritur veliera “Mircea”, anija shkollë e Marinës Rumune, një prej simboleve më të njohura të traditës dhe formimit detar në Rumani.

    E ndërtuar në vitin 1938 në kantierin gjerman Blohm & Voss, kjo velierë elegante me tre direkë ka shërbyer prej më shumë se 85 vitesh si anije stërvitore për kadetët e Akademisë Detare Rumune. Emri i saj vjen nga princi i njohur i Vllahisë, Mircea cel Bătrân, dhe që prej vitit 1939 vazhdon të përfaqësojë krenarinë detare të vendit.

    Gjatë dekadave, “Mircea” ka udhëtuar në shumë dete, duke marrë pjesë në misione stërvitore dhe ngjarje ndërkombëtare, përfshirë festivalin “OPSAIL 1976”, i mbajtur për 200-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.

    Veliera, me një gjatësi prej mbi 82 metrash dhe direkë që arrijnë deri në 44 metra, mirëpret në bord 135 kadetë dhe një ekuipazh prej 89 profesionistësh. Pas rikonstruksionit në vitin 2002, ajo ka ruajtur hijeshinë klasike, duke u pajisur edhe me teknologji moderne, duke u renditur ndër anijet më të mira të klasit të saj në botë.

    “Mircea” është pjesë e një familjeje anijesh stërvitore të ndërtuara sipas të njëjtit model, me “motra” të njohura në SHBA, Gjermani, Ukrainë dhe Portugali, por mbetet një nga më të dashurat për brezat e marinarëve rumunë.

  • Simboli i traditës rumune, mbërrin në portin e Durrësit veliera “Mircea”

    Simboli i traditës rumune, mbërrin në portin e Durrësit veliera “Mircea”

    Në portin e Durrësit ka mbërritur veliera “Mircea”, anija shkollë e Marinës Rumune, një prej simboleve më të njohura të traditës dhe formimit detar në Rumani.
    E ndërtuar në vitin 1938 në kantierin gjerman Blohm & Voss, kjo velierë elegante me tre direkë ka shërbyer prej më shumë se 85 vitesh si anije stërvitore për kadetët e Akademisë Detare Rumune.
    Emri i saj vjen nga princi i njohur i Vllahisë, Mircea cel Bătrân, dhe që prej vitit 1939 vazhdon të përfaqësojë krenarinë detare të vendit.
    Gjatë dekadave, “Mircea” ka udhëtuar në shumë dete, duke marrë pjesë në misione stërvitore dhe ngjarje ndërkombëtare, përfshirë festivalin “OPSAIL 1976”, i mbajtur për 200-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së.
    Veliera, me një gjatësi prej mbi 82 metrash dhe direkë që arrijnë deri në 44 metra, mirëpret në bord 135 kadetë dhe një ekuipazh prej 89 profesionistësh.
    Pas rikonstruksionit në vitin 2002, ajo ka ruajtur hijeshinë klasike, duke u pajisur edhe me teknologji moderne, duke u renditur ndër anijet më të mira të klasit të saj në botë.
    “Mircea” është pjesë e një familjeje anijesh stërvitore të ndërtuara sipas të njëjtit model, me “motra” të njohura në SHBA, Gjermani, Ukrainë dhe Portugali, por mbetet një nga më të dashurat për brezat e marinarëve rumunë./tvklan

  • Një festival për promovimin e traditës rome/ Për herë të parë në Roskovec vjen ‘Roma Romale 2025’

    Një festival për promovimin e traditës rome/ Për herë të parë në Roskovec vjen ‘Roma Romale 2025’

    Për herë të parë në Roskovec do të zhvillohet festivali ‘Roma Romale 2025’ në 12 Prill 2025. Aktiviteti do të grumbullojë artistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Durrësin, Lezhën, Matin, Lushnjen, Delvinën, Ersekën dhe Fierin.
    Festivali do të zhvillohet në kuadër të promovimit të traditës rome, duke përfshirë kërcimet tradicionale, muzikën dhe veshjet karakteristike të këtij komuniteti.
    Pjesëmarrës në festival do të jetë edhe një grup nga Maqedonia e Veriut, nën drejtimin artistik të Ermina Redjepovës, e cila do të jetë gjithashtu e ftuar speciale në këtë ngjarje.
    Programi i festivalit është miratuar nga kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi. Moderimi i festivalit do të jetë në duar të Sokol Gugas dhe Silvana Braçes, dy emra të njohur të botës së prezantimit në Shqipëri.