Atletik Bilbao, Manchester United, Tottenham dhe Bodo/Glimt janë ekipet e kualifikuara për në fazën gjysmëfinale të Europa League.
Ndeshja më dramatike ishte ajo e luajtur në “Old Trafford”. Takimi i parë në Francë ishte mbyllur me rezultatin 2-2. Në Manchester, “Djajtë e Kuq” kaluan në epërsi 2-0 në pjesën e parë, falë golave të Ugarte dhe Dalot.
Mirëpo, miqtë nga Lyoni bënë surprizën e madhe pas mesit të pjesës së dytë, duke barazuar rezultatin me golat e shpejtë të Tolisso dhe Tagliafico. Para se të mbyllej koha e rregullt, Tolisso mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Lyonin me 10 lojtarë, ndërsa ndeshja shkoi në shtesë.
Megjithëse me një lojtar më pak, francezët bënë mrekullinë në shtesë, duke shënuar dy herë dhe përmbysur gjithçka në 4-2. Por, aty ku u mendua se Manchesteri kishte marrë fund, vendasit realizuan një kryevepër të vërtetë, të denjë për skenar filmash hollivudianë. Në gjashtë minutat e fundit të shtesës së dytë, “Djajtë e Kuq” shënuan tre herë me Bruno Fernandes, Mainoo dhe Maguire, duke përmbysur rezultatin nga 2-4 në 5-4 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale.
Dramatike ishte edhe eliminimi i Lazios në Itali ndaj norvegjezëve të Bodo/Glimt. Italianët ishin mundur në transfertë 2-0 në ndeshjen e parë, por fituan të dytën 2-0 në kohën e rregullt me golat e Castanos dhe Noislin, duke çuar ndeshjen në shtesë. Aty, Dia e çoi ndeshjen në 3-0 për Lazion, por norvegjezët shkurtuan diferencën me Helmersen, duke e çuar sfidën te penalltitë, ku Lazio gaboi tre gjuajtje, përfshirë edhe atë të fundit nga Castellanos.
Tottenham, ndërkohë, u kualifikua falë fitores 1-0 në Gjermani ndaj Frankfurtit, kundërshtar me të cilin në Londër ishte ndarë në barazim 1-1. Golin e suksesit për “Spurs”-at e shënoi Solanke me penallti.
Sukses i lehtë në shtëpi për Bilbaon, që fitoi 2-0 ndaj Rangers, ku Nedim Bajrami luajti vetëm pak minuta në fund. Gjysmëfinalet do të jenë: Bilbao – Manchester United dhe Tottenham – Bodo/Glimt.
Ndërkohë, në Conference League për ekipet e mëdha nuk pati surpriza. Chelsea, ndonëse u mund nga Legia e Varshavës 2-1, kishte fituar thellë takimin e parë 3-0 dhe u kualifikua në gjysmëfinale.
Fiorentina barazoi me Celjen e Sllovenisë, por falë fitores 2-1 në ndeshjen e parë, avancoi më tej, ku do të përballet me Betisin e Sevillës, që eliminoi polakët e Jagiellonias.
Suprizën e bëri Djurgarden, që eliminoi Rapidin e Vjenës, ndonëse këta të fundit kishin fituar ndeshjen e parë.