Ishte si një “bombë”, që shpërtheu gjatë lamtumirës së Taulant Xhakës (34 vjeç) nga futbolli i luajtur. “Bombë” e ndezur nga vëllai i tij, Graniti (32 vjeç).
Kapiteni i Zvicrës është një nga shumë ish-bashkëlojtarë, që kishin ardhur në “Joggeli” për ndeshjen e lamtumirës së veteranit të FC Basel. Pak pasi Taulanti doli nga tuneli i stadiumit dhe eci drejt qendrës së fushës mes duartrokitjeve të fuqishme, Graniti mori mikrofonin.
“Në emër të familjes ‘Xhaka’ dua të falënderoj lojtarët, stafin dhe të gjithë klubin”, – tha mesfushori i Bayer Leverkusenit. Dhe pastaj bëri deklaratën bombastike: “Njëri Xhaka po largohet, por tjetri do të kthehet së shpejti”.
Që Granit Xhaka të rikthehet te klubi i tij i zemrës që këtë verë, duket pothuajse e pamundur, pavarësisht premtimit të 32-vjeçarit. Mesfushori strateg ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028. Kohët e fundit, drejtuesit e klubit gjerman e kanë bërë të qartë disa herë se nuk duan të ndahen me Xhakën këtë verë. Aq më pak për një shumë transferimi që FC Basel mund ta përballojë.
Më e mundshmja është që Xhaka ta përmbushë premtimin e tij brenda një ose dy vitesh. Kjo përputhet edhe me deklaratën e Daniel Stuckit, pas fitores kundër Lucernës. Për “Blick”, drejtori sportiv i FC Basel tha: “Është bukur kur Granit Xhaka e thotë një gjë të tillë, por për momentin, kjo nuk është realiste”.





