Adriatik BALLA
Në Maqedoninë e Veriut klubet shqiptare u bënë disa bvjet që dominojnë skenën e futbollit elitar në këtë vend e një pjesë e tyre kanë mundur të sigurojnë edhe titull kampion. Këtë rrugëtim të suksesshëm të ekipeve shqiptare në vendin fqinj e hapi e para Shkëndija e Tetovës në vitin 2011, ndërsa tani, vetë ky klub ka siguruar së fundmi titullin e pestë kampion në këtë vend, ndërsa ka fituar titull edhe Shkupi e Struga. Edhe ekipet e tjera shqiptare kanë bërë paraqitje të mira, duke dëshmuar progres në ligën e parë në Maqedoninë e Veriut. Nga 12 skuadra që ka kampionati, gjysma janë skuadra shqiptare dhe ky është një tjetër progres në futbollin shqiptar në këtë vend.
Shkëndija siguron titullin
Shkëndija e Tetovës e ka fituar titullin e kampionit për herë të pestë në histori të klubit. Shkëndija të mërkurën mposhti Rabotniçkin 2:1, në kuadër të javës së 31-të të elitës së futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund, por Shkëndija siguroi titullin të mërkurën. Shkëndija është katër pikë para Sileksit, që zë vendin e dytë. Por Shkëndija ndeshjen e radhës e ka ndaj Gostivarit, skuadër që është tërhequr nga gara. Rrjedhimisht, Shkëndija fiton me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen ndaj Gostivarit. Ndeshjen e fundit tetovarët e kanë ndaj Sileksit. “Historia shkruhet sërish në ngjyrat kuqezi!. KF Shkëndija shpallet kampione e Maqedonisë për herë të pestë në histori, një arritje madhështore që mban vulën e zemrës, përkushtimit dhe forcës sonë si klub dhe si komunitet. Faleminderit lojtarëve, stafit, tifozëve në çdo cep të botës. Përkundër mungesës në tribuna, dashuria juaj ndihej në çdo sekondë. Kjo është për ju!”, shkruan në postimin e klubit tetovar. Shkëndija ka fituar titullin edhe në vitin 2011, 2018, 2019 dhe 2021.
Vllaznia në Shqipëri e motivuar për trofeun
Ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut Shkëndija e siguroi titullin, në Shqipëri ende nuk është caktuar fituesi. Pritet të luhet dhe një duel final më 12 maj, mes Egnatias dhe Vllaznisë, për të mësuar emrin e skuadrës kampione. Trajneri Bërdariç si zakonisht pas çdo ndeshjeje e lë skuadrën dhe futbollistët dy ditë pushim, në mënyrë që të rikuperohen siç duhet. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, çlodhja dhe rikuperimi është shumë i rëndësishëm. Dhe pavarësisht se në prag është finalja ndaj Egnatias, numri një i pankinës shkodrane i cilëson si të mjaftueshme ditët e ardhshme për të përgatitur sa më mirë sfidën. Gjithashtu, nga sa mësohet, ditën e hënë dy futbollistë që shfaqën probleme fizike ndaj Dinamos, Gurishta dhe Deliu, kanë bërë kontrollet dhe analizat mjekësore. Shkodrani ka pasur një bllokim në pulpë në minutat e fundit ndaj bluve, por nuk duket se do e pengojë ta nisë nga minuta e parë në finale ndaj Egnatias. Ndërsa disi më i rëndë duket lëndimi i Deliut, por shpresat që edhe ai të jetë në fushë janë të mëdha për ndeshjen e së hënës. Grupi kuqeblu pritet të jetë i plotë dhe të mos ketë mungesa.