Tag: Tiranë

  • “Black Eagle” në Belgjikë, dëshmon edhe biznesmeni nga Vlora, babai i tij drejtues i rrjetit të trafikut të drogës: S’kisha dijeni që im atë ishte në kërkim ndërkombëtar

    “Black Eagle” në Belgjikë, dëshmon edhe biznesmeni nga Vlora, babai i tij drejtues i rrjetit të trafikut të drogës: S’kisha dijeni që im atë ishte në kërkim ndërkombëtar

    Vijon procesi “Shqiponja e Zezë” në Belgjikë, ku 34 persona akuzohen se i përkasin një organizate kriminale aktive në shitjen e kokainës në shkallë ndërkombëtare.
    Arten Hamzai, i biri i Alfredo Hamzai, drejtuesit të rrjetit të trafikut, ka deklaruar para Gjykatës së Apelit të Brukselit të mërkurën se ai nuk dinte asgjë për aktivitetet e babait të tij dhe tha se ishte i bindur se ai ishte i përfshirë në pasuri të paluajtshme.
    27-vjeçari, i lindur në Tiranë, Shqipëri, prej shumë vitesh jeton në rajonin e Antwerp me prindërit e tij. Në kohën e ngjarjes, ai punonte si profesionist i lirë në një dyqan veshjesh në pronësi të tezes së tij, ndërsa studionte për kontabilitet në një universitet në Antwerp.
    “Babai im ishte në biznesin e pronave të paluajtshme dhe kishte trashëguar shumë para. E dija se ai kishte një precedent penalë, por më thanë se ishte para se të lindja unë. Nuk kisha dijeni se im atë ishte ende subjekt i disa urdhërarresteve evropiane dhe ndërkombëtare në 2020 dhe 2021. Unë dhe nëna ime jetojmë në shtëpinë tonë në Deurne”, tha ai.
    Sa i përket shijes së tij të dukshme për sendet luksoze, si orët Rolex ose Richard Mille, të cilat mund të vlejnë deri në 400,000 euro, i pandehuri deklaroi se ai kishte “interesim për orët mekanike që në fëmijëri”.
    Sa i përket faktit që ai kishte aksione në emër të tij në kompani të ndryshme që i përkisnin babait të tij, si Summer Depo në Vlorë, pronar i një kompleksi të madh të pasurive të paluajtshme dhe mikpritëse, apo Bakkery Factory, Pear 2019 në Vlorë dhe 2A Construction, ai tha se nuk ishte në dijeni të kësaj.

  • Sherri në Kamëz, arrestohet dy kushërinjtë në kërkim

    Sherri në Kamëz, arrestohet dy kushërinjtë në kërkim

    Policia e Tiranës ka kapur dy kushërinjtë Marjo dhe Ersjon Boja, të cilët pak ditë më parë i prenë rrugën 38-vjeçarit Redi Vata në Kamëz dhe më pas e dhunuan me sende të forta.
    “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasit e shpallur në kërkim M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, pasi më datë 24.03.2025, në Kamzë, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta, shtetasin R. V.”- njofton policia.
    Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë së Tiranës, e cila vendosi procedimin në gjendje të lirë të këtyre 2 shtetasve.

  • Dhunimi i 43-vjeçarit me aftësi ndryshe, e ëma: Është në reanimacion, Policia hesht

    Dhunimi i 43-vjeçarit me aftësi ndryshe, e ëma: Është në reanimacion, Policia hesht

    Fatbardha Hysi, nëna e 43-vjeçarit me aftësi ndryshe, Fabjol Hysi, i cili u dhunua brutalisht nga dy të rinj pak ditë më parë në Lushnjë, ka treguar dje i biri është ende në reanimacion dhe i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Ajo ka rrëfyer në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24, se i biri shkonte në xhami këto kohë pasi agjëronte dhe atje konsumonte dhe iftarin.
    Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:20 të mbrëmjes, ndërsa ende nuk e ka të qartë motivin, por shprehet se dy autorët, Enea Korreshi (17 vjeç) dhe Irdi Nasufi (20 vjeç), mund ta kenë ngacmuar dhe bulizuar të birin. Fatbardha Hysi shprehet se Fabjoli nuk ka reguar teksa është dhunuar, pasi në të kundërt do të ishin lënduar dhe dy personar e tjerë. Ndër të tjera, nëna e Fabjolit tha se njeh vetëm familjen e 17-vjeçarit, por asnjë prej tyre deri ë tani nuk i ka kërkuar ndjesë për ngjarjen.
    “Fabjoli  është në reanimacion, i intibuar. Mjekja që e operoi më tha që do heqin tubin, do i zvogëlojnë ilaçet të shohin si do reagojë ai. Sot do fillojnë dhe të shohim si do jetë sot dhe nesër. Nuk ka pasur probleme me fëmijët, nuk është bullizuar. Ka qenë operuar në Greqi që 15-vjeç, ka vuajtur. Vetëm në kokë të mos e kishin goditur. Ka shokë, ka shkuar dhe te Radio Lushnja, shokët e tij i ka ndihmuar, nuk ka qenë i bullizuar.
    Djali ishte në xhami, shkonte çdo ditë hante iftarin. Ora ka qenë 8:20. Ata rrinë atje, ai kishte dalë vetëm atë natë. Nuk e di a i njeh, ata janë adoleshentë. Asnjërin nuk njoh, vetëm atë me mbiemër Korreshi njoh, atë tjetrin jo. Nuk jetojmë në një lagje, kemi 18 vite që kemi ikur. Ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në xhami.
    Fabjoli mbante ramazan, konsumonte iftarin aty. Xhamia është 100 metër larg kryqëzimit, ai ishte vëtëm. Problemi i tij është që nuk dëgjon dhe nuk flet, ka bërë shkollën në medrese, 8-vjeçare. Nuk ka pasur shkollë tjetër te në. Është i aftë të lëviz, nuk ka probleme të tilla.  Nuk e di çfarë ka ndodhur, asnjë konflikt nuk ka pasur. Do ta kenë ngacmuar dhe bulizuar ata.
    Ai nuk është përgjigjur, se po të ishte përgjigjur do ishin vrarë ata, do ishin me gjak. Policia të pyes në shkolla se si janë ata fëmijë. Si përgjigjen, si janë me shokët. Njëri është në vit të 2 në gjimnaz, atë tjetrin nuk e di. Policia nuk na ka thënë asgjë, do shkoj të bëj kallëzim, sepse nuk di asgjë.
    Familja e 17-vjeçari nuk u përmend, të paktën të thoshte të na falësh që ndodhi kjo. Se dhe unë nënë jam, i di problemet sociale për fëmijët.  Ai minoreni ka dalë nga burgu. Unë për atë familjen e adoleshentit do thoja të më kishte ardhur, se më njeh. Nënë e 17-vjeçari është edhe mësuese. Familjen e tjetrit nuk e njoh”, u shpreh Fatbardha Hysi.

  • KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Durrësit

    KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Durrësit

    Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA shpalli mbrëmjen e të mërkurës vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Durrësit, Arben Sharra. Vendimi u mor më 26 mars në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Mimoza Tasi, Razarta Schuetz e Sokol Çomo anëtarë, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Sharrës.
    Prokurori i Durrësit, Arben Sharra u shkarkua nga detyra më 30 qershor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia me veprimet e tij, për dyshimet e ngritura për fshehje të disa pasurive si dhe pamundësinë financiare për krijimin e tyre – konkluzione që u kundërshtuan nga subjekti. Ndërkohë, Sharra u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u gjetën problem penalizuese në aspektin profesional.
    Arben Sharra e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2004 dhe fillimisht e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Tiranës. Në vijim Sharra u transferua për në Dibër, ndërsa prej vitit 2010 dhe deri në shkarkimin e tij nga detyra, punoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

  • Vrasja e Martin Canit, gjykata merr sot vendimin nëse dosja kalon për gjykim! Në seancë edhe shoku që u plagos

    Vrasja e Martin Canit, gjykata merr sot vendimin nëse dosja kalon për gjykim! Në seancë edhe shoku që u plagos

    Në Gjykatën e Tiranës mbahet sot seanca e radhës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në seancë janë paraqitur prindërit e 14-vjeçarit, Engjell dhe Florina Cani, si edhe shoku i plagosur me prindërit e tij.
    Në seancën paraprake pritet të dilet me një vendim për kalimin e dosjes për gjykim. Në seancë do të paraqitet edhe autori 14-vjeçar që dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin Cani. Autori i vrasjes, 14 vjeç, akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri.
    Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024 në Tiranë, nga një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës.
    2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.

  • Kushtetuesja shtyn seancën për Gerd Hoxhën, thirret si palë e tretë edhe KLGJ

    Kushtetuesja shtyn seancën për Gerd Hoxhën, thirret si palë e tretë edhe KLGJ

    Gjykata Kushtetuese

    TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datë 23 prill vendimin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK dhe GJKKO. Në seancën e sotme, trupa gjykuese e Kushtetueses pritej që të merrte vendimin lidhur me rasin e gjyqtarit Gerd Hoxha. Po sot, u vendos që Gjykata Kushtetuese të thërrasë si palë të tretë edhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
    Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Gjykata Administrative që të vendoste lidhur me rastin e gjyqtarit Hoxha, i cili u skualifikua nga gara për një vend si gjyqtar në Gjykatën e Posaçme për shkak të një fotoje që kishte me kryebashkiakun tashmë të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Edhe pse fotoja ishte shkrepur në një event të ambasadës britanike në Shqipëri, sërish është marrë si provë për të skualifikuar nga gara Hoxhën, i cili më pas bëri edhe ankimimin. 
    Gerd Hoxha pretendon se u skualifikua dhe nuk u emërua vetëm për një foto rastësore me kryebashkiakun e arrestuar, ndaj edhe vendosi që çështjen e tij ta ndjekë të në gjitha hallkat ligjore. 

    Në datën 27 mars, Kushtetuesja e vënë në lëvizje prej Gjykatës administrative të Tiranës dhe me palë të interesuar Kuvendin e Shqipërisë pranoi kërkesën për të vendosur lidhur me ligjin për institucionet e posaçme SPAK dhe GJKKO. Neni 6 është diskutuar nga gjyqtari Hoxha, pasi më 24 korrik të vitit të shkuar ai u skualifikua nga gara për t’u bërë pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit. Zëvendëskryetari i gjykatës së Tiranës e vlerëson si antikushtetues vendimmarrjen e komisionit që në përbërje ka hetues, dhe që është filtri i fundit përpara se kandidatët të shqyrtohen nga KLP dhe KLGJ./ZËRI

  • ‘Na ofendoi’/ Dhunimi i 43-vjeçarit në Lushnjë, Fabjol Hysi në gjendje të rëndë! E ëma: Vetëm në kokë mos e kishin goditur

    ‘Na ofendoi’/ Dhunimi i 43-vjeçarit në Lushnjë, Fabjol Hysi në gjendje të rëndë! E ëma: Vetëm në kokë mos e kishin goditur

    Fabjol Hysi

    TIRANË- Fabjol Hysi është ende në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa ende merr mjekimin në spitalin e Traumës në Tiranë. 43-vjeçari me aftësi të kufizuara në të folur dhe të dëgjuar u dhunua me grushta dhe me gurë nga dy të rinj, Enea Korreshi (17 vjeç) dhe Irdi Nasufi (20 vjeç), të cilët i çanë kafkën dhe më pas e braktisën 43-vjeçarin me aftësi ndryshe.
    Në dëshminë e tyre të parë, të dy janë shprehur se e kishin dhunuar 43-vjeçarin pasi ai i kishte ofenduar, por pretendimet e tyre janë marrë me rezerva për shkak se Hysi nuk është në gjendje të flasë apo dhe të dëgjojë. Ndaj hetuesit, do të duhet që të shqyrtojnë pamjet filmike që kanë kapur bizneset aty pranë, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në Lushnje.
    Fatbardha Hysi, nëna e 43-vjeçarit ka treguar dje i biri është ende në reanimacion dhe i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Po ashtu, ajo tregoi se i biri shkonte në xhami këto kohë pasi agjëronte dhe atje konsumonte dhe iftarin.
    “Fabjoli është në reanimacion, i intibuar. Mjekja që e operoi më tha që do heqin tubin, do i zvogëlojnë ilaçet të shohin si do reagojë ai. Sot do fillojnë dhe të shohim si do jetë sot dhe nesër. Nuk ka pasur probleme me fëmijët, nuk është bullizuar. Ka qenë operuar në Greqi që 15-vjeç, ka vuajtur. Vetëm në kokë të mos e kishin goditur. Ka shokë, ka shkuar dhe te Radio Lushnja, shokët e tij i ka ndihmuar, nuk ka qenë i bullizuar. Djali ishte në xhami, shkonte çdo ditë hante iftarin. Ora ka qenë 8:20. Ata rrinë atje, ai kishte dalë vetëm atë natë. Nuk e di a i njeh, ata janë adoleshentë. Asnjërin nuk njoh, vetëm atë me mbiemër Korreshi njoh, atë tjetrin jo. Nuk jetojmë në një lagje, kemi 18 vite që kemi ikur. Ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në xhami. Fabjoli mbante ramazan, konsumonte iftarin aty. Xhamia është 100 metër larg kryqëzimit, ai ishte vëtëm. Problemi i tij është që nuk dëgjon dhe nuk flet, ka bërë shkollën në medrese, 8-vjeçare. Nuk ka pasur shkollë tjetër te në. Është i aftë të lëviz, nuk ka probleme të tilla. Nuk e di çfarë ka ndodhur, asnjë konflikt nuk ka pasur. Do ta kenë ngacmuar dhe bulizuar ata,”- tha nëna e 43-vjeçarit.
    Aktualisht, Gjykata e Fierit vendosi të linte në burg Nasufin, ndërsa Korreshi edhe për shkak të moshës së tij, është në masën “detyrim paraqitje”. Lidhur me ngjarjen, hetimet vazhdojnë./ZËRI

  • Përplasja në Kamëz! Arrestohen dy kushërinjtë Boja

    Përplasja në Kamëz! Arrestohen dy kushërinjtë Boja

    PAMJE NGA VENDNGJARJA

    TIRANË-Kushërinjtë Marjo Boja dhe Ersjon Boja, 26 dhe 30-vjeç, të shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohen për plagosjen e 38-vjeçarit Redi Vata, janë arrestuar.
    Ngjarja ndodhi më 24 mars në rrugën “OSBE” në Kamëz. Dy kushërinjtë Boja i kanë prerë rrugën me makinë Vatës dhe më pas kanë zbritur dhe kanë nisur ta godasin atë me sende të forta. 38-vjeçari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit në banesën e Marjo Bojës, policia gjeti një armë zjarri me leje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat për momentin janë sekuestruar. Vetë Redi Vata nuk ka dhënë detaje për hetuesit në lidhje me shkakun e sherrit.
    Njoftimi i policisë:
    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasit e shpallur në kërkim M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, pasi më datë 24.03.2025, në Kamzë, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta, shtetasin R. V.. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë së Tiranës, e cila vendosi procedimin në gjendje të lirë të këtyre 2 shtetasve.

    Ditën e ngjarjes Policia në një njoftim zyrtar njoftoi se në vendngjarje ishte gjetur dhe një gëzhojë, por autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna për të shtëna me armë zjarri. Ende nuk dihet se kush ka qëlluar./ZËRI

  • Dumani në Holandë, takohet me kryeprokurorin holandez. Ambasada jep detajet nga takimi

    Dumani në Holandë, takohet me kryeprokurorin holandez. Ambasada jep detajet nga takimi

    Kreu i SPAK, Altin Dumani është takuar këtë të enjte me kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorit Kombëtar të Holandës, John Lucas, gjatë një vizite në Holandë. Ambasada holandeze në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimi, ku në fokus të diskutimeve ka qenë lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.
    “Trafiku i organizuar i drogës dhe pastrimi i paligjshëm i parave nuk ndalen në kufij, dhe as qasja e Holandës për të luftuar këto çështje.

    Nga data 25 deri më 28 mars, Holanda po pret një konferencë të rëndësishme ku marrin pjesë prokuroritë kryesore nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, së bashku me aktorë të tjerë. Aktiviteti u hap nga Ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë i Holandës, z. David van ëeel.
    Konferenca synon të forcojë dhe koordinojë përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar serioz dhe të ndajë perspektivat e përbashkëta.
    Prokuroria holandeze është krenare që ka mirëpritur në këtë aktivitet të veçantë në emër të Shqipërisë, Z. Altin Dumani, Drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK“, thuhet në njoftimin e ambasadës.

  • Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani: Mos e braktisni Shqipërinë pasi është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur

    Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani: Mos e braktisni Shqipërinë pasi është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur

    Imzot Theofani shpesh thoshte: ‘Nëse në jetën politike kryevepra ime ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën e letrave kryevepra ime është Kremtorja.’”
    Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, na ka nderuar duke dhënë intervistën e tij të parë për gazetën “Tema”.
    Është një bisedë e lirshme rreth besimit ortodoks, pagëzimit të tij të fshehtë gjatë komunizmit, ekzistencës së Kishës së fshehtë në atë periudhë, shkollimit të tij në SHBA nën kujdesin e At Liolinit, vlerësimeve të tij maksimale për Kryepeshkopin Anastas dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, vlerësimeve mbi Fan Nolin, kulturën e tij, dashurinë për Kishën Ortodokse dhe rolin e tij në historinë e Kishës, si dhe për çështje të debatueshme si Natyrës së Madhe dhe Vija e Teodosit në Shqipëri.
    Si asnjëherë më parë, lexuesi ka shansin të lexojë një intervistë tërësisht kulturore nga një Kryepeshkop i Shqipërisë, jeta e të cilit pasqyron historinë e krishterimit në Shqipëri dhe sfidat që ajo ka përballuar.
    Ai rrëfen se si i ka rënë në dorë Dhiata e Parë në gjimnaz, në vitin 1974, si ka ndikuar ajo në jetën e tij, dhe më pas për pagëzimin e fshehtë nga At Kozmai, me dëshmitar Petro Zhejin, i cili u bë nuni i tij.
    “Atë Kozmain e kam njohur nëpërmjet disa motrave besimtare me banim në Korçë, të njohura si motrat Cico, të cilat i njihnim përmes Theofan Popës. Së bashku me Petro Zhejin, që u bë nuni im, i kemi vizituar ato shpeshherë.”

    Ai tregon se kontakti i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992, i rekomanduar nga Mitropoliti Dhimitër, një mik i ngushtë i Kryepeshkopit Anastas qysh nga rinia, i cili i tregoi për veprimtarinë e tij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidh me Kryepeshkopin, të cilit i tha se kur të përfundonte studimet, do të kthehej në Shqipëri.
    Fortlumturia e Tij, Imzot Joan, rrëfen se gjatë studimeve në Boston u ndihmua nga At Artur Liolini dhe së bashku punuan për disa kohë në organizimin e Bibliotekës së Fan Nolit.
    “Aty hasëm edhe disa tekste të shkruara nga ai, që tregojnë qartë se për të, kisha ishte më e rëndësishmja. Ai ka shkruar: ‘Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha’. Ndërsa përkthimin dhe hartimin e Kremtores – një libër shërbesash që përmban psalmet, odet dhe troparët e vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur ‘kënaqësinë e tij më të madhe’ dhe ‘veprën, në të cilën janë përqendruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale’. At Arturi më ka treguar se Imzot Theofani shpesh thoshte: ‘Nëse në jetën politike kryevepra ime ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën e letrave kryevepra ime është Kremtorja.’”
    Intervista është një dëshmi përpara shqiptarëve se Kisha jonë Ortodokse ka sot në krye të saj një Kryepeshkop të denjë, një shqiptar të ditur, të urtë dhe të përkushtuar ndaj Zotit, siç e meriton historia e krishterimit shqiptar.

    FOTOGRAFIA E PARË SI KRYEPESHKOP I KISHËS ORTODOKSE TË SHQIPËRISË

    ————–
    Jeni lindur në një vend zyrtarisht ateist dhe në një shoqëri që e ndëshkonte lidhjen me fenë pas vitit 1967. Si ka qenë rinia juaj në ateizmin zyrtar të Shqipërisë dhe kush ka qenë pika e kthesës drejt të qenit një besimtar ortodoks? Si e keni njohur priftin Kozma Qirio dhe kur e keni marrë vendimin për t’u pagëzuar? Si e ka pritur familja juaj atëherë këtë vendim? I njoftuat ata?
    Imzot Joani: Rinia ime gjatë ateizmit ka qenë pak a shumë si e gjithë të rinjve në atë kohë. Ne u rritëm pa praninë e besimit institucional, por në shpirtin e çdo njeriu ndjehen dhe ndodhin gjëra të ndryshme, sepse ne nuk jemi kopje. Gjithsekush ka veçantinë e tij dhe rrugën e tij. Jeta jonë ka një vazhdimësi, ku e kaluara jonë ndikon në ngjarjet që na ndodhin tani, ose në të ardhmen. Takimi im i parë me besimin ndodhi në vitin 1974, kur isha në vitin e katërt të gjimnazit. Sapo kisha mësuar frëngjisht dhe më ra në dorë një libër – Dhiata e Re – në frëngjisht. Ai që ma dha nuk dinte se çfarë libri ishte. Kur e lexova, diçka ndryshoi thellësisht në shpirtin tim. Mënyra sesi ishte shkruar, fjalët e thjeshta të Zotit, por shumë të thella, më bindën për vërtetësinë e tij. Këto janë të vërteta psikologjike. Edhe kur dikush të tregon diçka, shpeshherë, mënyra si ta thotë të bind që është e vërtetë.
    Në atë kohë nuk praktikohej ndonjë besim, të paktën tek të rinjtë që unë njihja. Nuk ishte se unë praktikoja një besim dhe pastaj u ktheva. Kontakti im me Ungjillin ishte besimi im i parë. Atëherë vendosa të pagëzohem, gjë që realizua pak më vonë. Prindërve nuk u thashë, jo sepse ishin kundër, por nuk doja t’i trembja. Por nëna ime e kishte kuptuar.
    Atë Kozmain e kam njohur nëpërmjet disa motrave besimtare me banim në Korçë, të njohura si motrat Cico, të cilat i kemi njohur nga Theofan Popa. Së bashku me Petro Zhejin, që u bë nuni im, i kemi vizituar ato shpesh herë. Kemi vizituar gjithashtu edhe Atë Kozmain, i cili banonte në fshatin Bestrovë në Vlorë.

    FORTLUMTURIA E TIJ, IMZOT JOANI NË GJIMNAZ, KUR KA NDESHUR PËR HERUE TUE PARË DHIATËN E RE

    Në vitet 1979-1990 keni punuar në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavionin e rehabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale. Çfarë është kjo terapi dhe ka një lidhje lidhje mes këtij profesioni dhe përkushtimit tuaj ndaj fesë?
    Imzot Joani: Terapia okupacionale përdoret në aspekte të ndryshme, për të ndihmuar njerëzit që të kapërcejnë problemet fizike, emocionale, shoqërore dhe ata që përballen me probleme të shëndetit mendor. Këta të fundit, mund të gjenden në një situatë të pamundur të punojnë, ose të krijojnë lidhje sociale, duke shkëputur lidhjet me ambientet jashtë tyre. Reabilitimi i tyre nëpërmjet angazhimit kërkon një kohë të gjatë dhe durim, ku përfshihen punë të lehta dhe psikoterapi. Lidhja mes këtij profesioni dhe përkushtimit ndaj fesë është e dukshme. Sepse çfarë është feja, në kuptimin e krishterë? Është përpjekja për rehabilitimin e njeriut dhe restaurimi i lidhjes së këputur ndërmjet njeriut dhe Perëndisë. Etërit e Kishës e kanë parë gjithmonë Kishën si një spital për shërimin e njeriut dhe jo si një gjykatë për të dënuar të tjerët. Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij – thuhet në Ungjill.
    Si është një ceremoni pagëzimi ilegale? Ku u zhvillua dhe çfarë i mungon nga një pagëzim legal që bëhet sot?
    Imzot Joani: Në kohë normale pagëzimi bëhet në kishë, ndërsa në kohë persekutimesh pagëzimi është bërë në fshehtësi. Nga ana kishtare nuk i mungon asgjë dhe është njësoj i vlefshëm, nëse është bërë nga një prift ose peshkop kanonik. Unë u pagëzova në bodrumin e shtëpisë së Atë Kozmait. Ishte ai, nuni dhe unë, ndërsa jashtë shtëpisë rrinte si roje djali i Atë Kozmait, Ilia, që sot është prift në Vlorë.
    Çfarë ishte Kisha e fshehtë ortodokse shqiptare? Kush qëndronte pas saj? Sa e rrezikuar ka qenë organizata politikisht?
    Imzot Joani:Termi Kishë e nëndheshme është një term i njohur, sidomos në vendet e Europës Lindore, që tregon veprimtarinë e fshehur fetare në kohën e perskutimeve. Në vendin tonë, ku persekutimi ishte jashtëzakonisht i egër nuk ishin grupe të organizuara, për shkak sepse pjesa më e madhe e hierakëve kishte ndërruar jetë dhe kishin mbetur pak priftërinj. Gjithsekush që ka jetuar në atë kohë e kupton sesa i madh ishte rreziku nëse dikush do të na denonconte. Kisha e nëndheshme, në të cilën isha përfshirë edhe unë, ishte një grup i vogël në Tiranë, në Korçë dhe në Vlorë. Pa dyshim që ka patur edhe në qytete e vende të tjera, por unë nuk i kam njohur, sepse gjithçka bëhej në fshehtësi të madhe.
    Cilët nga hierarkët e Kishës Ortodokse të Shqipërisë keni njohur që kanë mbijetuar pas ndalimit zyrtar të fesë?
    Imzot Joani: Nga hierarkët nuk kam njohur ndonjërin personalisht, ngaqë kishin ndërruar jetë. Por kam njohur vetëm disa priftërinj, ndërmjet tyre edhe Atë Kozmain.
    Si arritët të ikni në SHBA më 1990? Kush ju lidhi me shkollën ku studiuat dhe kush ju ndihmoi për të marrë vizë?
    Imzot Joani: Në vitin1990, pas hapjes së ambasadave, u lejua të mernim pasaportat dhe shkova në Itali, së bashku me Petro Zhejin dhe një kushëririn e tij. Atje u pranuam si refugjatë dhe morëm vizë në ambasadën amerikane. Në Amerikë na u dha Karta jeshile (Green Card). Atje kontaktova Atë Artur Liolinin, i cili më ndihmoi që Kryepeshkopata shqiptare e Amerikës të më jipte një bursë studimi, nga një fondacion i krijuar në kujtim të Imzot Theofan Nolit. Në Amerikë, për kishat ortodokse, janë dy shkolla të rëndësishme teologjike: Holy Cross Greek Orthodox School of Theology (Shkolla Teologjike Ortodokse Greke e Kryqit të Nderuar) në Boston, nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike dhe Saint Vladimir’s Orthodox Theological Seminary (Seminari Teologjik Ortodoks i Shën Vladimirit) në Neë York, nën juridiksionin e OCA (Kisha Ortodokse e Amerikës). Meqenëse Kryepeshkopata Shqiptare e Amerikës e ka qendrën në Boston, studjova në atë qytet.

    AT ARTUR LIOLINI, QË UDHËHOQI KISHEN ORTODKSE TE SHQIPTARËVE NË BOSTON

    Keni bërë disa cikle studimesh teologjike në Boston. Mund të na i përmbledhësh ato?
    Imzot Joani: Në Boston, u diplomova me “High Distinction” në MTS (Master i Studimeve Teologjike) në vitin 1993. Në 1995 shkova përsëri për të ndjekur studime të mëtejshme në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston. Në vitin 1997 u diplomova me “High Distinction” në MT (Master i Teologjisë, një master i avancuar, ekuivalent me kandidat i shkencave) po në Holy Cross, Boston.

    Cili ishte kontakti juaj i parë me Kryepeshkopin Anastas? Sa i qartë keni qenë për personalitetin e tij të lartë para se ta njihnit? Sa ju ka motivuar në jetën tuaj njohja me të? A është ai njeriu që i dedikoni karrierën në hierarkinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë?
    Imzot Joani: Kontakti im i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992. Njëri nga profesorët e mi, Mitropoliti Dhimitër, më vonë Kryepeshkopi Dhimitër, meqenëse ishte një mik i ngushtë me Kryepeshkopin Anastas, qysh nga rinia e hershme, më tregoi rreth veprimtarisë së atij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidha me Kryepeshkopin, të cilit i thashë që kur të mbaroj studimet do të kthehem në Shqipëri. Ai u gëzua dhe më përgëzoi. Në atë kohë gjendja në Shqipëri ishte e vështirë, por unë mendova se në Amerikë një prift më shumë apo më pak do të ishte njësoj, ndërsa në Shqipëri ishte një nevojë e madhe për klerikë. Për më tepër ishte vendi im ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe ndjeja një detyrim. Këto ishin arsyet përse u ktheva.
    Mendoj se shembulli i tij ka qenë i rëndësishëm për të gjithë klerikët e kishës sonë, përfshirë edhe mua. Dashuria e tij për Kishën dhe për të gjithë njerëzit, urtësia dhe përkujdesja për grigjën që i kishte besuar Perëndia, durimi dhe vendosmëria për të realizuar objektivat që i kishte vënë vetes për rindërtimin nga gërmadhat të kishës sonë, ishin gjithmonë një shembujt i gjallë, me shumë fuqi, për të frymëzuar të tjerët. U dorëzova nga ai si dhjak, prift dhe peshkop.
    Ju keni filluar karrierën si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ku janë sot studentët tuaj? Sa është përqindja e atyre që nuk e kanë braktisur përkushtimin ndaj Kishës?
    Imzot Joani: Kur u ktheva në Shqipëri fillova të punoja si pedagog në Seminarin Teologjik të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Vitet që kam kaluar, si laik dhe më vonë si klerik, në seminarin ortodoks, që më vonë u ngrit në gradën e Akademisë Teologjike, janë vite të paharruara për mua. I kam dhënë mësim të gjithë brezave të parë të studentëve, shumica e të cilëve tashmë janë klerikë dhe tre prej tyre janë Mitropolitë – Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, ai i Elbasanit dhe ai i Beratit.
    Shumë primat ortodoksë vijnë nga shkollat e Athinës, Kostandinopojës dhe Moskës. Ju vini nga studime të thella në Boston. A është më liberale shkolla amerikane dhe a ka ndonjë peshë në formimin ortodoks diferenca mes formimit kulturor në këto shkolla?
    Nga përvoja ime mund të them se, ndonëse studentët nga shkolla amerikane janë më mendjehapur, përsëri nuk janë liberalë. Megjithë ndryshimet kulturore, në formimin ortodoks nuk ka ndryshime. Në shkollat e larta ortodokse në Amerikë ka një seriozitet të madh në studimet dhe një kërkesë dhe pritshmëri ndaj studentëve. Ato janë shkolla të akredituara sipas standarteve të universiteteve amerikane dhe botojnë libra të rëndësishëm teologjikë më shumë se çdo kishë tjetër.

    Ka një debat të madh mbi Kryepeshkopin e parë, Fan Noli, dhe kufirin e paqartë të tij mes politikanit dhe kryepeshkopit. A keni një mendim tuajin?
    Imzot Joani: Imzot Theofan Noli ka qenë figurë poliedrike. Ai ishte pajisur nga Perëndia me talente të jashtëzakonshme. Ishte poet, përkthyes i pashoq, zotërues i shumë gjuhëve, ekspert i mirë i muzikës, në vecanti të asaj fetare, diplomat i shquar, politikan dhe mbi të gjitha njeri i kishës. Ai dha një kontribut të paçmuar për ndërgjegjësimin kombëtar dhe përgatitjen e autoqefalisë, si edhe të teksteve kishtare.
    Kur isha student në Boston, së bashku me Atë Artur Liolinin, punuan për disa kohë në organizimin e Bibliotekës së Fan Nolit. Aty hasëm edhe në disa tekste të shkruara nga ai, që tregojnë qartë se për atë kisha ishte më rëndësishmja. Ai ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha”. Ndërsa përkthimin dhe hartimin e Kremtores – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe tropare të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “kënaqësinë e tij më të madhe” dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale”. Atë Arturi më ka treguar se Imzot Theofani shpesh thoshte: “Nëse në jetën politike kryevepra ime ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën e letrave kryevepra ime është Kremtorja”. Këto fjalë të tijat e tregojnë qartë kufirin ndërmjet politikanit dhe kryepeshkopit.

    Ortodoksia dhe patriotizmi shqiptar kanë qenë bashkëudhëtarë në formimin e shtetit shqiptar. Shumica e rilindasve tanë ishin ortodoksë. Hirësia e tij Anastas më pati thënë se një nga shkaqet e konvertimit të madh të shqiptarëve të jugut në bektashinj ka qenë mungesa e një Dhiate në gjuhën shqipe, që shkaktonte dhe mungesë të kulturës fetare tek ata. Sa ju duket e besueshme kjo?
    Imzot Joani: Pa dyshim që mungesa e një literature në gjuhën shqipe ishte një nga faktorët kryesorë në konvertimin masiv të shqiptarëve. Por, mendoj, se shekulli 19-të ishte tashmë shumë vonë, duhet të ishin bërë disa shekuj më parë. Deri në fillim të shekullit XVII-të popullsia e krishterë ishte dominuese. Kthimi masiv ndodhi nga fundi i shekulllit 17-të deri në fundit e shek 18-të. Mendohet se në këtë shekull u kthyen në myslimanë rreth treqind mijë shqiptarë. Arsyet kryesore ishin: përbuzja, keqtrajtimi, diskriminimi, sistemi i rëndë fiskal, si edhe dëshira për të patur përfitime. Por, nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, personale apo kolektive, si edhe karakteri dhe psikologjia e shqiptarëve. Një shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe shkatërrimi i madh i kulturës së krishterë që u bë gjatë luftrave shqiptaro-turke në shekujt XV-XVI, në të cilat u shkatërruan kisha e manastire, biblioteka dhe kronika, që do të ishin mjaft të vlefshme, jo vetëm për studimet e sotme historike, por edhe për ruajtjen e ndërgjegjes historike të shqiptarëve. Vendi mbeti thuajse pa klerikë dhe ata që mbetën, shpesh ishin të pakualifikuar. Një pjesë e popullsisë kthehej vetëm për shkak të disa grindjeve me klerin. Kthimi i ortodoksëve në islamizëm mori përmasa të mëdha në shekullin XVIII.
    Në shekullin e 19-të ne kemi zgjim të nacionalizmit në Ballkan, frymëzuar nga idetë e Revolucionit francez. Në fillim këto ide të reja, duke zgjuar një ndërgjegje kombëtare, ndihmuan në luftën e popujve ortodoksë të Ballkanit për tu çliruar nga pushtimi turk dhe Kisha, duke përkrahur popullin e saj në këtë luftë, filloi të merrte tepër e më tepër një karakter etnik. Besimi dhe kombi u lidhën ngushtë dhe filluan të mos dalloheshin nga njëri-tjetri, duke krijuar një konfuzion të kategorive. Dhe ky konfuzion pati koston e tij, sepse më vonë, nacionalizmi, që në fillim ishte dukur si një forcë çlirimtare dhe i ndihmoi këta popuj në çlirimin e tyre kombëtar, u bë një faktor ndarje dhe urrejtje, duke u kthyer kështu në një konflikt etnik të pandërprerë.
    Edhe popullsia ortodokse shqiptare, e cila nuk ishte shumicë, pati një ndërgjegjësim kombëtar dhe rilindësit ortodoksë u përfshinë për ta përhapur këtë ndërgjegjësim. Ata u përpoqën të përgatisnin literaturën për shkollat shqipe dhe literaturën fetare, ku vendin kryesor do e kishte Dhiata e Re. Përpjekja e tyre e madhe dha fryte, Të cilat i gëzojmë edhe sot.
    Ju jeni një njohës i thellë i historisë së krishterimit tek ne. Na thuaj pak mbi historinë e kishave më të vjetra ortodokse në Shqipëri. Cilat janë ato dhe cilës periudhë i përkasin?
    Imzot Joani: Tashmë dihet se krishtërimi u përhap në hapësirat ku jetonin shqiptarët qysh në shekullin e parë. Kemi dëshmi të shumta, të cilat e vërtetojnë këtë, si p.sh., peshkopi i parë i Durrësit ishte Shën Qesari, një nga 70 nxënësit e Krishtit; peshkopi që e pasoi, shën Asti, u martirizua në vitin 98 etj. Varret e vjetra të zbuluara jashtë mureve të Butrintit (shek II) tregojnë praninë e një komuniteti të hershëm të krishterë.
    Gjithashtu, bazilikat e vjetra, sot të rrënuara, i kemi kudo në vendin tonë: në Durrës, Elbasan, Ballsh, Korçë, Pogradec, Sarandë, Delvinë, Butrint, Vlorë etj. Rreth 30 bazilika janë zbuluar në hapësirën gjeografike të banuara me shqiptarë. Cilësia e tyre dhe përmasat e mëdha tregojnë se në shek 5-të dhe 6-të arkitektura kishtare ishte shumë e zhvilluar.
    Po ashtu, Kishat e vjetra ortodokse, shtrihen pothuajse në tërë territorin e Shqipërisë. Po përmend dy nga kishat e vjetra, por numri është shumë herë më i madh. Kisha e Labovës së Kryqit, siç shihet sot, është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të gjatë kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse një themel fillestar mund të shkojë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527-565. Kisha e Ristozit, në rrëzë të malit të Moravës, në juglindje të Korçës mendohet të jetë ndërtuar në vitin 896 nga Shën Klementi dhe rindërtuar në gjysmën e dytë të shekullit 14-të. Pushtimet e shumta sollën shkatërrime të mëdha dhe shumë kisha të datuara në kohë të ndryshme janë ndërtuar mbi themelet e një kishe akoma më të vjetër.
    Kur ndodhi Ndarja e Madhe mes Kishave të Romës dhe Kostandinopojës? Si u nda territori shqiptar? A ka një vijë të qartë mes gjeografisë së katolikëve dhe ortodoksëve në Shqipëri?
    Imzot Joani:Zakonisht përmendet viti 1054 si ndarja e madhe, por konfliktet kishin filluar më parë dhe debatet vazhduan edhe më pas. Ndarja ishte një proces që vazhdoi në disa shekuj. Arsyet ishin teologjike, eklesiologjike, kulturore dhe politike. Theodosi (347-395), ishte perandori i fundit që sundoi perandorinë romake të lindjes dhe perëndimit. Ndarja që iu bë perandorisë në lindje dhe perëndim dhe e ashtuquajtura linja e Theodosit, ngaqë u nda në kohën e tij, përkoi në kufirin që ndante perandorinë nga ana kulturore dhe gjuhësore: latinishtja në perëndim dhe greqishtja në lindje. Territori ku banojnë sot shqiptarët ishte në perandorinë e lindjes.
    Nuk ka një vijë të qartë mes gjeografisë së katolikëve dhe ortodoksëve në Shqipëri, por mund të themi se ortodoksët janë më shumë në jug dhe katolikët më shumë në veri.

    KISHA E LABOVËS SË KRYQIT ME NJË THEMEL FILLESTAR NË KOHËN E PERANDORIT JUSTINIAN NË VITET 527-565.

    Pse Shqipëria pati në Mesjetë shkrimtarë dhe dijetarë katolikë, por nuk njohim të tillë ortodoksë? A ka pasur dhe janë identifikuar me grekë?
    Imzot Joani: Pa dyshim që ka patur, por, meqenëse gjuha që përdorej në atë kohë në liturgji dhe në shkrimet teologjike, ishte greqishtja, është vështirë që autorët të identifikohen nga ana etnike. Por, gjuha shqipe në Kishën Orthodhokse, në periudhën para turke, duhet të jetë përdorur edhe më shumë se sa mendohet. Këtë konkluzion e nxjerrim nga disa dëshmi mbi arbëreshët e Italisë, të cilët siç dihet vinin nga besimi orthodhoks dhe në fillimet e tyre vareshin nga Patriarkana e Ohrit, nga ku vareshin edhe orthodhoksët e Shqipërisë, dhe pajiseshin me priftërinj nga kjo Patriarkanë. Marafioti, 1601, tregon se ata kishin sjellë me vete një traditë të përdorimit të shqipes në shërbesat fetare, dhe kjo traditë të paktën duhet të kishte qenë e shek. XIV-XV. Ndonëse autori nuk përmend libra, me të drejtë mund të besohet se ata duhet të kishin patur në përdorim libra në gjuhën shqipe. Dokumenti më i vjetër që kemi në këtë drejtim, gjendet brenda një Kodiku greqisht në biblotekën Ambroziane të Milanos. Eshtë një fletë me format 15 X 13.5 cm, brenda Kodikut me format 23.3 X 15.3. Në atë është një pjesë (perikope) nga Ungjilli i Matheut (27:62-66 – pjesë që këndohet të Premten e Madhe), Himni i Pashkës dhe urimi Për shumë vjet o Kryezot. Mendohet të jetë i shekullit XIV, datë të cilën ka edhe kodiku.
    Në Jug të Shqipërisë ka shumë toponime dhe emra njerëzish që tingëllojnë si veriore dhe i identifikojnë me katolikët. A është e vërtetë? Gjeni të tilla në Labëri, Zagori, Frashër, etj.?
    Imzot Joani: Është e vërtetë që sot mund të tingëllojnë si katolikë, por këto emra janë në fakt varianti shqiptar i emrave të krishterë, përdorur si në veri ashtu edhe në jug. P.Sh. emri i kishave kushtuar Shën Gjergjit ka mbetur Shën Gjergj, ndërsa emrat e njerëzve në jugun ortodoks, nën influencën e greqishtes, ishin në shumicë Jorgo. Po ashtu, kishat quhen Shën Pjetri, Shën Mëhilli etj, por emrat janë Petro, Mihal etj.
    Si është sot Bota Ortodokse përtej Shqipërisë? A mund të na jepni një panoramë të gjeografisë së Ortodoksisë në botë?
    Imzot Joani: Bota ortodokse shtrihet kryesisht në Europën Lindore dhe në Ballkan, por ka gjithashtu një prani të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, ku janë patriarkanat e vjetra. Gjithashtu, si pasojë e emgracioneve të mëdha, sot kemi një prani të madhe në të gjitha vendet e Europës perëndimore, në Amerikë, Australi etj. Popullsia ortodokse llogaritet në rreth 300 milionë.

    KRYEPESHKOPI ANASTAS, QË RINGRITI KISHEN ORTODKSE TË SHQIPERISË

    Autoriteti i lartë i Hirësisë së Tij, Kryepeshkopit Anastas, e ringjalli Kishën dhe e zhvilloi atë. A ka mundësi të reja financimi dhe a ka një strategji afatgjatë për këtë?
    Imzot Joani: Kryepeshkopi Anastas bëri disa hapa të rëndësishëm për të siguruar pavarësinë ekonomike të kishës ortodokse në Shqipëri. Me përpjekje të mëdha ndërtoi dy hidrocentrale, të cilët jo vetëm ndihmojnë Kishën, por edhe vendin, sepse janë një burim energjie të pastër. Ne do të përpiqemi, sipas mundësive tona, për të krijuar burime të reja financimi dhe për të ndërtuar një strategji afatgjatë.
    Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme janë edhe donacionet e besimtarë, që vitet e fundit kanë filluar të rriten.

    Cilat janë raportet tuaja me shtetin shqiptar? Çfarë problemesh të pazgjidhura keni me pronat? Cila është pesha e financimit të qeverisë në Kishën Ortodokse?
    Imzot Joani: Raportet e Kishës me shtetin janë pak a shumë si të gjitha raportet ndërmjet komunitetteve fetare dhe shtetit. Kemi një marrëveshje me shtetin, e cila është ratifikuar në parlament, por që nuk është zbatuar akoma në tërësinë e saj. Problemi me pronat është i një rëndësie të veçantë dhe duhej të kishte më tepër vullnet politik për zgjidhjen. Ato u sekuestruan me një dekret dhe mund të ishin kthyer, nëse egzistonte vullneti, me anë të një dekreti tjetër. Kështu nuk do të vazhdonim me gjyqe që zgjasin pafundësisht. Pronat janë të rëndësishme për komunitetet fetare, për të qenë të pavarura dhe mendoj se është një çështje që ka bëjë me sigurinë kombëtare, sepse nëse nuk do të jenë të pavarura ekonomikisht, do të ketë gjithmonë ndërhyrje nga grupime të tjera, të cilat nuk do të jenë gjithmonë dashamirëse ndaj vendit tonë.
    Cilat janë raportet tuaja me besimet e tjera fetare në Shqipëri? A është harmonia fetare në Shqipëri e rrezikuar?
    Imzot Joani: Kur flitet për fenë në Shqipërinë gjithmonë përmendet bashkëjetesa fetare, e cila është një thesar i madh i vendit tonë. Por si çdo gjë, ashtu edhe bashkëjetesa, nuk është statike. Asgjë në këtë botë nuk është e imunizuar nga ndryshimet, lëvizjet, rritjet dhe humbjet. Brezat e mëparshëm hodhën themelet dhe e zhvilluan këtë traditë. Është detyra e jonë sot dhe atyre që do të vijnë, që ta ruajmë dhe ta forcojmë vazhdimisht, sepse ashtu si çdo pasuri ajo duhet mbrojtur dhe zhvilluar më tej për të mirën e të gjithëve.

    Tani që jeni Kryepeshkopi më i ri i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, a keni filluar të mendoni se me çfarë do të identifikohet epoka juaj në krye të kësaj Kishe?
    Imzot Joani:Mendoj se duhet të përqendrohemi në disa drejtime: në ruajtjen e mësimeve të Zotit, të transmetuara nga apostuj deri në ditët tona, në unitetin e kishës, në forcimin e bashkëjetësës fetare, në përkujdesjen ndaj të gjithëve, sidomos ndaj atyre që janë të varfër, në nevojë, në sëmundje, në vetmi dhe të mënjanuar dhe në nxitjen e dialogut, si në atë pan-ortodoks, ashtu edhe në dialogun me të gjithë të tjerët. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të jetë miqësore dhe dëshiron të jetojë në paqe me të gjithë, duke ndjekur këshillën e Shën Pavlit: Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit (Rom. 12:18).

    Duke ju falënderuar për intervistën, a mund të kemi një mesazh tuajin për çdo të ri shqiptar që dëshiron të jetë një besimtar i devotshëm ortodoks?
    Imzot Joani: Me respekt dhe me vlerësim ndaj tyre, dëshiroj t’ju japë të rinjve një këshillë atërore: ta duan vendin e tyre dhe të mos e braktisin, sepse është e pamundur të duash Perëndinë dhe mos të duash vendin që të ka lindur dhe rritur dhe njerëzit që banojnë në të. Sakrificat për të tjerët mund të kenë një kosto, por mendoj se ato do të sjellim më shumë gëzim dhe do ta plotësojnë jetën e tyre, sepse një jetë pa gëzim është një jetë e gjymtuar./tema.net