Ministri për Pushtetin Vendor Ervin Demo ka prezantuar këtë të martë, më 25 nëntor, në Tiranë, sistemin e matjes së performancës së bashkive, një mekanizëm të ri vlerësimi që synon të përmirësojë cilësinë e qeverisjes vendore dhe të forcojë standardet e administrimit lokal.
Sipas qeverisë, sistemi ka për qëllim rritjen e transparencës, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë në bashkitë, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e tyre për të qenë më konkurruese në përthithjen e fondeve të Bashkimit Europian.
Ministri Ervin Demo gjatë fjalës së tij, bëri me dije se raporti për vitin 2024 përfshin tre fusha kryesore: menaxhimin financiar, ofrimin e shërbimeve dhe mirëqeverisjen dhe integrimin europian.
“Sot ne do të prezantojmë gjetje dhe rekomandime të marra nga raporti i sistemit të matjes së performancës bashkiake për vitin 2024, që përfshin 3 fusha: menaxhimin financiar, ofrimin e shërbimeve dhe mirëqeverisjen dhe integrimin europian.”, tha Demo. Ai shtoi: “Sot jemi të gjithë fitues, bashkitë që kanë miratuar planet strategjike për menaxhimin më efikas të funksioneve për vitin 2025 do të përfitojnë transfertë financiare si një incentivë për angazhimin e tyre. 10 nga bashkitë të cilat përfitojnë më shumë janë Librazhdi, Mati, Kolonja, Prrenjasi, Puka, Fushë-Arrëzi, Shijaku, Dropulli etj.”
Gjatë fjalës së tij, ministri Demo theksoi se bashkitë shqiptare kanë shënuar progres historik në menaxhimin financiar, shërbimet publike dhe mirëqeverisjen, duke u afruar me standardet europiane.
“Të ardhurat nga burimet e veta të bashkive kanë arritur në 44.4 miliardë lekë në vitin 2024, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2015. Të ardhurat nga taksa e pasurisë janë rritur me 84.6%, nga 3.9 miliardë lekë në vitin 2015 në 7.2 miliardë lekë në vitin 2024,”, tha Demo, duke theksuar se ky është një tregues i qartë i administrimit më efikas vendor.
Ai theksoi gjithashtu se detyrimet e prapambetura të bashkive janë ulur nga 12 miliardë lekë në vitin 2015 në vetëm 3.1 miliardë lekë në vitin 2024, duke e cilësuar këtë si “një hap të rëndësishëm drejt disiplinës fiskale dhe menaxhimit të shëndoshë financiar”.
Në fushën e shërbimeve publike, Demo veçoi progresin në sektorin e arsimit parashkollor, ujitje-kullimit dhe menaxhimin e mbetjeve:“Mbulimi i kostos së shërbimit të mbetjeve u rrit nga 68% në 2023 në 83% në 2024, ndërsa raporti fëmijë-mësues në kopshtet dhe çerdhet po i afrohet mesatares së BE-së.”
Duke folur për Grantin Bazuar në Performancë, Demo e cilësoi atë si një instrument transformues për pushtetin vendor: “Sot të 61 bashkitë e vendit janë të pajisura me dokumente planifikimi strategjik dhe gati për projektet e fondeve europiane. Ky mekanizëm nuk është thjesht financim, por një ushtrim real europian.”
Demo njoftoi gjithashtu nisjen e bashkëpunimit me INSTAT dhe institucionet e tjera për ngritjen e një sistemi të integruar të të dhënave vendore, që do të shërbejë si bazë për vendimmarrje dhe matje të performancës në vite.
Tag: Tiranë
-

Performanca e bashkive, ministri Demo: Sukses! Janë trefishuar të ardhurat
-

Maqedonia e Veriut/ Hekurudha e re me ambicie 1.9 miliard euro
Me investimin prej 1.9 miliard eurosh përmes kredisë së paralajmëruar nga Britania e Madhe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut po vendos një objektiv ambicioz: brenda pesë vjetësh, hekurudhat maqedonase do të kenë një linjë moderne nga veriu në jug, nëpër të cilën trenat e pasagjerëve do të lëvizin me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë drejt Selanikut dhe Beogradit, ndërsa trenat e mallrave me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.
Plani është që të ruhet sa më shumë traseja ekzistuese, mbi të cilën do të ndërtohet një linjë hekurudhore krejtësisht e re dhe paralelisht me të, të vendoset një vijë e dytë, gjë që do të rezultonte në rreth 200 kilometra hekurudhë moderne dykahëshe, thotë për Shërbimin maqedonas të Radios Evropa e Lirë, drejtori i ndërmarrjes publike Hekurudhat e Maqedonisë – Transport, Sinisha Ivanovski.
“Nuk do të mbajmë hekurudhën ekzistuese veri-jug. Do të ruajmë vetëm trasenë dhe do të ndërtohet një hekurudhë krejtësisht e re, sepse parametrat e asaj ekzistuese janë maksimalisht për 100 kilometra në orë dhe ajo nuk përputhet në asnjë parametër me hekurudhën për 160 kilometra në orë. Pra, e gjithë hekurudha në të dy drejtimet, me elektrifikim dhe sinjalizim, duhet të kushtojë maksimum 1.9 miliard euro”, thotë Ivanovski në një intervistë për REL-in.
Sipas marrëveshjes me Qeverinë britanike, shton ai, një nga kushtet është që realizuesi i punimeve në hekurudhë të jetë një kompani britanike, e cila do të kryejë 20 për qind të vlerës totale, gjë që do të vërë në dispozicion 1.5 miliard euro për nënkontraktorë, pra kompani maqedonase. Megjithatë, Ivanovski thekson se problemi qëndron në faktin se në vend nuk ka kompani të specializuara për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e hekurudhave.
Infrastruktura hekurudhore aktualisht është në një nivel shumë të ulët, me një linjë ku trenat lëvizin maksimalisht me 50 kilometra në orë, ndërsa në disa segmente me kthesa, ku trenat madje lëvizin edhe më ngadalë se 20 kilometra në orë.
Hekurudha do të zhvillojë edhe turizmin
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, në nëntor njoftoi se po përgatitet ndërtimi i “hekurudhës së shpejtë” nga Shkupi në Selanik dhe, sipas tij, në këtë mënyrë shteti do të zhvillojë edhe turizmin.
Ai tha se Qeveria maqedonase ka miratuar vendimin për zgjidhjen urbanistike për lokalitetin Stobi, ku po hapen gjithashtu verari në rajonin e Tikveshit.
Nikolloski theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve është lehtësimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja hoteliere dhe mbajtja e turistëve që kalojnë nëpër Korridorin 10, pra rrugën E-75.
Hekurudha e re që pritet të lidhë qytetet Nish dhe Shkup është në plan ndërtimi. Ajo është pjesë e projektit të Korridorit 10, i cili do të lidhë Athinën, Selanikun, Shkupin, Nishin, Beogradin, Zagrebin, Lubjanën dhe Salzburgun.
Megjithatë, një pjesë e opinionit profesional e sheh me rezerva të mëdha “hekurudhën e shpejtë” të paralajmëruar, duke theksuar se projekti po shtyhet përpara pa një analizë të mjaftueshme dhe duke paralajmëruar një rrezik potencial financiar të madh për shtetin.
Profesori Dejan Trajkovski nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” e sheh projektin si “humbje” dhe, sipas tij, ai do të kushtojë shumë më tepër sesa kredia prej 1.9 miliard eurosh, madje thotë se me interesa dhe humbje të paraportuara, shuma do të arrinte në 3.3 deri në 3.5 miliardë euro.
“Qeveria po përgatitet të marrë miliarda euro borxh për një projekt të falimentuar të quajtur hekurudhë e shpejtë, pa asnjë analizë ekonomike, pa studim fizibiliteti, pa debat publik, vetëm me një vendim të papërgjegjshëm politik. Ata duan një hekurudhë që do të sjellë humbje, në vend të energjisë dhe fitimeve nga Lugina e Vardarit”, thotë Trajkovski.
Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë – Transport, Sinisha Ivanovski, thotë se aktualisht po zhvillohen studimi i fizibilitetit, vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe studime të tjera për projektin që pritet të tregojnë mënyrën e ndërtimit të trasesë.
Sa i përket leverdisë ekonomike, ai thotë se duke qenë se Maqedonia e Veriut aktualisht renditet e fundit në rajon për projektet infrastrukturore (hekurudhore dhe rrugore), pret që shteti të përfitojë nga ky projekt.
Përfitimet ekonomike
“Portet në Greqi po përjetojnë rritje të vazhdueshme të vëllimit të punës dhe rruga më e shpejtë dhe më efikase për kompanitë transportuese kalon nëpër Maqedoninë e Veriut. Sa më e shkurtër të jetë rruga, aq më të ulëta janë kostot, gjë që është përfitim i drejtpërdrejtë edhe për ne”, shpjegon Ivanovski.
Nëse investimi do të kthehet plotësisht, këtë do ta tregojnë studimet, shton ai, duke theksuar se projektet infrastrukturore rrallë sjellin përfitim të drejtpërdrejtë financiar. Sipas Ivanovskit, roli thelbësor i këtyre projekteve është përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe shërbimeve për qytetarët dhe transportin publik, i cili zakonisht subvencionohet në të gjitha metropolet e mëdha.
Më 6 nëntor, qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkombëtar në Korridorin 8.
Tuneli i planifikuar është pjesë e Korridorit më të gjerë panevropian 8, një korridor transporti që lidh brigjet e Adriatikut dhe Detit të Zi. Traseja lidh Barin dhe Brindisin në Itali me portin e Durrësit në Shqipëri, prej nga vazhdon nëpër Ballkanin jugor drejt Bullgarisë dhe më tej deri në Varna në Detin e Zi.
Rrjeti rrugor dhe hekurudhor ndjek një drejtim të ngjashëm, duke lidhur qytete kyç si Tirana, Shkupi, Sofja dhe Plovdivi.
Përveç Korridorit 10, Maqedonia e Veriut pjesërisht përmes kredisë britanike, planifikon edhe rindërtimin e plotë të hekurudhës Shkup-Kërçovë, përmes Tetovës dhe Gostivarit. Kjo segment konsiderohet si zgjidhje kyç për lidhjen e ardhshme hekurudhore me Shqipërinë. Dy vendet po kërkojnë një zgjidhje për këtë, pasi traseja drejt Ohrit ndodhet në një zonë të mbrojtur nga UNESCO-ja. Lidhja me Shqipërinë do të ndërtohej brenda të paktën tetë vjetësh, thotë Ivanovski. -

Dosja “Partizani”, zvarritet çështja në Gjykatë, seanca u shty pasi mungonte njëri prej avokatëve
sali berisha dhe jamarber malltezi
TIRANË- Dosja ‘Partizani’ është zvarritur sërish, ndërsa këtë të martë seanca u shty për shkak se mungonte një prej avokatëve. Gjykata e Posaçme shtyu seancën për në datën 10 Dhjetor në ngarkim të Sali Berishës, Jamambër Malltezit, Fatmir Bektashit, Xhimi Begesë dhe Andia Pustinës, për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj. Ky i fundit është avokati mbrojtës i Bektashit.
Në seancën e datës 10 nëntor, GJKKO rrëzoi kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, lidhur me pavlefshmërinë e akteve të administruara gjatë hetimeve për dosjen “Partizani”.
Sipas vendimit të gjykatës, pretendimet e mbrojtjes u vlerësuan si të pabazuara në ligj. Trupi gjykues theksoi se ndaj prokurores së çështjes, Irena Gjoka, nuk ekziston asnjë vendim që ndalon ushtrimin e detyrës së saj, ndërsa caktimi i ekspertëve është bërë në përputhje me procedurat ligjore.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. -

14 vite non-grata nga Greqia/ Marin Mema: Më trajtuan si terrorist…
Gazeta “KOHA JONË” themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga “Sami Frasheri”, Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA – ALBANIA -

Nga Iraku në Orosh: Transformimi i rrezikshëm i Erzen Ukës, ish-komandoja që u shndërrua në simbol të radikalizimit
Nga Klevis Hoxhaj
Arrestimi i Erzen Ukës në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, ka rikthyer vëmendjen te një nga rastet më të theksuara të radikalizimit individual në Shqipëri.
Ish-komando i ushtrisë shqiptare dhe pjesëmarrës në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, Uka u shndërrua ndër vite nga ushtarak i trajnuar, në një individ të monitoruar nga strukturat e Antiterrorit për propagandë dhe aktivitet me prirje ekstremiste.
Ai u bë i njohur për organet e drejtësisë që në vitin 2015, kur u arrestua fillimisht me dyshimet se po përpiqej të rekrutonte të mitur për t’iu bashkuar organizatës ISIS.
Çështja shkaktoi debate të forta në gjykatë, ku Uka pati përplasje të ashpra me gjyqtarin e seancës.
Hetimet treguan se, pas shërbimit ushtarak jashtë vendit, ai nisi të shfaqte publikisht një profil krejtësisht të ri, të shoqëruar me diskurse fetare radikale dhe materiale propagandistike të postuara në rrjetet sociale, përfshirë edhe flamuj të ISIS-it.
Në shtator të vitit 2020, Gjykata e Tiranës e dënoi Ukën me tre vite burg për nxitje të veprave me qëllime terroriste dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, duke vulosur juridikisht faktin se ai ishte kthyer në objekt monitorimi serioz për shërbimet e sigurisë.
Hetimet asokohe përfshinë jo vetëm aktivitetin e tij online, por edhe video të postuara nga ai, ku Uka shihej duke demonstruar taktika të përdorimit të armëve brenda shtëpisë, përfshirë edhe dy djem të mitur që stërviteshin prej tij.
Autoritetet thanë se qëllimi i këtij “trajnimi shtëpiak” ishte indoktrinimi dhe përgatitja graduale e të miturve për të shërbyer si pjesë e një grupimi me orientim radikal islamist.
Ai mbeti nën monitorim edhe pas dënimit, teksa vijoi të shfaqte prirje radikale dhe të publikonte reagime, mesazhe dhe simbolikë të lidhur me ISIS-in.
Në planin personal, Uka ishte i divorcuar dhe në përplasje të vazhdueshme me ish-bashkëshorten, e cila kishte marrë kujdestarinë e fëmijëve me vendim gjykate. Edhe për këtë çështje ai u hetua, pasi dyshohej se kishte penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës.
Sipas Policisë, gjatë muajve të fundit ai kishte jetuar së bashku me Julian Cumrakun në një banesë të braktisur në Orosh.
Cumraku është nip i pronarit të shtëpisë dhe dyshimet se të dy po mbanin aktivitete të dyshimta ishin monitoruar prej kohësh nga Antiterrori.
Situata kulmoi të hënën e 24 nëntorit, kur shërbimet e Policisë së Pukës u përballën me rezistencë të armatosur nga brenda asaj banese.
RENEA u thirr në vendngjarje dhe rrethimi zgjati 12 orë, deri në dorëzimin e dy të dyshuarve, pas negociatave me familjarë dhe në kushtet kur largimi nga zona ishte bërë i pamundur.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan armë luftarake, municion, pajisje të përdorshme për shpërthime, granata dore si dhe një flamur i ISIS i vendosur në mur, i cili, sipas Antiterrorit, shërbente si simbol identifikues i radikalizimit të tij.
Materialet e sekuestruara, sipas hetuesve, konfirmojnë se Uka nuk ishte thjesht një individ me pikëpamje të skajshme, por një person me arsimim ushtarak dhe njohuri reale mbi armët, i cili po kërkonte të ndërtonte një profil operativ brenda vendit.
Rasti i Erzen Ukës është aktualisht një shembull i qartë se radikalizimi i dhunshëm nuk ka nevojë domosdoshmërish të lidhet me udhëtime jashtë vendit apo përfshirje në zonat e luftës.
Ai mund të zhvillohet në mënyrë të heshtur, brenda komuniteteve të vogla, në izolim dhe pa shumë vëmendje publike, duke e kthyer individin në rrezik real për sigurinë kombëtare.
Autoritetet dhe inteligjenca shqiptare kanë nisur të adresojnë zyrtarisht një dimension të ri rrezikshmërie: elementet e trajnuar ushtarakisht dhe të orientuar drejt radikalizmit. -

Rama pompon miliarda nga paratë e qytetarëve shqiptarë tek miku i tij izraelit dhe…
Tre muaj më parë, shoqëria shtetërore Kayo themeloi një kompani të përbashkët me Timak. Kompania e quajtur Timak Defence, me objekt prodhimin dhe përshtatjen e mjeteve ushtarake, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 13 gusht të këtij viti.
Por ende pa u mbushur mirë dy muaj e gjysmë nga themelimi i kompanisë, qeveria filloi menjëherë të pompojë miliarda lekë nga buxheti në llogaritë e saj përmes kontratave sekrete.
Kontratat
Në 26 shtator të këtij viti, Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë mori vendim për instalimin e një sistemi anti dron të njohur si C-UAS. Dy javë më vonë, Reparti Ushtarak 3001 në Tiranë ka lidhur kontratën me kompaninë Timak Defence. Vetëm tre ditë më vonë është nxjerrë urdhri për zbatimin e kontratës dhe në fund të tetorit, Reparti Ushtarak 3001 derdhi 6.1 milionë euro në llogarinë e Timak Defence.
Nuk dihet se me çfarë proçedure është lidhur kontrata, pasi në buletinin e prokurimit publik nuk ekziston asnjë gjurmë e saj. Nuk dihet as se cila është shuma totale e saj. Pagesa prej 6.1 milionë eurosh mund të jetë e plotë, por mund të jetë edhe e pjesshme.
Ajo që dihet e sigurtë është se thesari ka filluar të pompojë miliarda lekë me breshëri në llogarinë e Timak Defence.
Në 29 tetor, qeveria shqiptare lidhi një tjetër kontratë sekrete me Timak Defence, këtë herë për blerjen e automjeteve taktike të transportit të lehtë. Autoriteti zbatues i kontratës është Reparti Ushtarak nr 4300 në Tiranë.
Një ditë më vonë, në 30 tetor Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes nxorri urdhërin e monitorimit dhe të nesërmen kompania lëshoi një tjetër faturë prej 4.4 milionë eurosh në drejtim të buxhetit.
Paratë u paguan 4 nëntor. E gjitha në një kohë rekord dhe koordinim perfekt, aq sa 17 vendimet e inceneratorit në një ditë duken amatorizëm.
Në total, qeveria ka ekzekutuar deri me tani 10.5 milionë euro pagesa nga buxheti në drejtim të Timak Defence, teksa aksionarët e saj shijojnë lumenjtë e parave të qytetarëve nga pozitat e tyre të monopolit me ligj.
Nga Arjetë u bë Yeffet
Vetëm pak muaj para se miliardat e buxhetit të fillonin të rridhnin drejt Timak, kompania e cila vetëreklamohet se prodhon automjete, pësoi ndryshime të rëndësishme në strukturën e pronësisë. E zotëruar që nga themelimi i saj në masën 100 për qind nga Arjeta Puca, kompanisë iu bashkua një pronar i ri përmes një transaksioni shumë të pazakontë.
Në 17 qershor, Arjeta Puca shiti 49 për qind të aksioneve të Timak për një çmim prej vetëm 490 eurosh. Blerësi ishte Ron Yeffet, një izraelit me nënshtetësi shqiptare dhe nën rrogoz shumë i afërt me Edi Ramën.
Shitja e Timak
Çfarë e nxiti zonjën Puca të shiste biznesin e saj kaq lirë, në një kohë kur Timak reklamohej fort si General Motors-i i Shqipërisë, edhe pse në të vërtetë është thjesht një repart saldimi, i cili ansemblon hekura të prodhuar nga të tjerët? Gjithçka do të bëhej e qartë vetëm pak muaj më vonë.
Menjëherë pas hyrjes së mikut të Edi Ramës si pronar me 49 për qind të aksioneve, Ardi Veliu hyri në ortakëri me kompaninë Timak. Shoqëria shtetërore Kayo dhe Timak bashkëthemeluan kompaninë Timak Defencë, ku Timak mban 80 për qind të aksioneve dhe Kayo 20 për qind.
Kësaj kompanie iu dha me vendim qeverie, monopoli i furnizimit me automjete të ushtrisë, gardës dhe policisë. Por jo vetëm kaq. Tashmë kompania ka marrë edhe monopolin e dronëve, teksa Edi Rama reklamon në studiot televizive se do të mbrojë Trumpin dhe gjithë udhëheqësit e botës në samitin e Natos në Tiranë me dronët e prodhuar nga Roni dhe Arjeta.
Edi Rama dhe Arjeta Puca
Por kontratat e mbrojtjes po përvijohen si fronti i ri i plaçkitjes, krismat e të cilës do të dëgjohen ndoshta pas disa vitesh. Njësoj siç ndodhi me infrastrukturën. Por me një ndryshim të vetëm.
Të mbytur nga skandalet në qeveri, si dhe nga frika prej SPAK, tashmë kanë shpikur stilin e shoqërive aksionere shtetërore për të çuar miliardat e buxhetit tek miqtë e qeverisë. Ndaj nuk është çudi që pas disa vitesh, edhe ky të dalë si një vendim gjeostrategjik me pak korrupsion brenda./Kapitali
-

Belgjika thërret me urgjencë kryeprokurorin Çela dhe Altin Dumanin, dosje voluminoze me përgjime dhe emra të…
Në një lëvizje të papritur dhe me ton urgjence, autoritetet e Belgjikës kanë thirrur Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani në Bruksel, ku i kanë vënë përballë materiale të reja të klasifikuara, të konsideruara si kritike për sigurinë hetimore të dy vendeve. Gjatë takimit dyditor të zhvilluar më 18–19 nëntor, Prokurorja e Përgjithshme Federale Ann Fransen ka prezantuar dosje voluminoze me informacione të avancuara mbi rrjetet e krimit të organizuar, duke përfshirë hetime financiare, transaksione të dyshimta dhe përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale. Sipas burimeve zyrtare, këto të dhëna janë rezultat i muajve të mbledhjes së informacionit nga njësitë belge të inteligjencës penale.Takimi është mbajtur në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Belgjikës, por atmosfera ka qenë dukshëm më e rëndë se herët e tjera: palët kanë analizuar rritjen e aktiviteteve të grupeve kriminale, kanalet e pastrimit të parave dhe lëvizjen transnacionale të strukturave të trafikut. Ndër temat kryesore ishte edhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, që do të fokusohet në koordinim të menjëhershëm dhe në shkëmbim të informacionit në kohë reale. Gjithashtu, janë trajtuar çështje të ndihmës juridike, si zbatimi i vendimeve penale, përshpejtimi i letërporosive dhe procedurat që kanë hasur pengesa në bashkëpunimet e mëparshme.Pjesëmarrësit vlerësuan se shkëmbimi i deritanishëm i të dhënave ka dhënë rezultate, por nënvizuan se volumi dhe rëndesa e materialeve të reja kërkojnë një nivel më të lartë koordinimi. Ndërkohë në fokus të veçantë ka qenë zbatimi i legjislacionit antimafia, duke synuar sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale të personave të hetuar ose të dënuar në të dy vendet. Belgjika insiston në masa më agresive për goditjen e pasurive të paligjshme, ndërsa pala shqiptare ka shprehur gatishmëri për intensifikim të operacioneve të përbashkëta.
Reagon Prokuroria e Përgjithshme
Nga ana tjetër, detaje rreth vizitës së z. Çela dhe z. Dumani ka dhënë edhe Prokuroria e Përgjithshme gjatë një reagimi për mediat. “Prokurori i Përgjithshëm, Z. Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive, zhvilluan një takim pune me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës Ann Fransen, në datat 18-19 nëntor, në Bruksel, Belgjikë.Takimi koordinues u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore.Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan shumë pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet. Ndërkohë u diskutua edhe mbi hapësirat ligjore për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të koordinimit, sidomos në drejtim të zbatimit efikas të legjislacionit antimafia, me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale ndaj subjekteve të hetuar ose të dënuar në të dy vendet”, njoftoi dje Prokuroria e Përgjithshme. -

Kërcënohen prokurorë dhe gjyqtarë, arrestimet e fundit vënë në alarm pushtetin dhe krimin, SHBA marrin në dorë…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë forcuar ndjeshëm angazhimin e tyre në mbështetje të sigurisë së sistemit shqiptar të drejtësisë, duke fokusuar vëmendjen tek mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të posaçme. Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë të ditur ditën e djeshme se tetë anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët sigurojnë drejtuesit e SPAK dhe ekipet hetimore, janë dërguar në Budapest për një trajnim të specializuar nën drejtimin e Shërbimit Sekret të SHBA. Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së SHBA-së, trajnimet janë zhvilluar në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara (ILEA Budapest), një qendër ku ofrohen programe të avancuara për strukturat e sigurisë së vendeve partnere. Pjesëmarrësit nga Shqipëria kanë qenë pjesë e Gardës së Republikës dhe mbulojnë sigurinë fizike të disa prej figurave kryesore të drejtësisë së specializuar, përfshirë drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
Në deklaratën e saj, Ambasada theksoi:
“Shtetet e Bashkuara ndihmojnë në mbrojtjen e atyre që na ndihmojnë të luftojmë krimin e organizuar. Tetë anëtarë të Gardës së Republikës kryen së fundmi një trajnim taktik të nivelit të lartë nga Shërbimi Sekret i SHBA në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit në Budapest.” Në vijim, ambasada bëri të ditur se mbështetja nuk kufizohet vetëm në trajnimet praktike, por përfshin edhe pajisje moderne për rritjen e sigurisë së stafit që garanton mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjithashtu ofron pajisje taktike dhe zhvillon trajnime të rregullta me individët e guximshëm që mbajnë të sigurt zyrtarët e drejtësisë në Shqipëri.”
Pse po rritet mbështetja amerikane për sigurinë e SPAK?
Trajnimet dhe pajisjet e reja jepen në një kontekst kur prokurorët e SPAK janë bërë objekt i presionit politik dhe i kërcënimeve të tërthorta. Vetë kreu i institucionit, Altin Dumani, ka deklaruar publikisht dje se hetuesit dhe prokurorët janë nën presion të shtuar, si nga krimi i organizuar, ashtu edhe nga segmente të politikës. “Vështirësi është menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”, tha Dumani dje gjatë vizitës zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave.Kujtojmë se gjatë javëve të fundit, disa hetime dhe procedime të hapura nga SPAK kanë krijuar tension politik, duke shtuar retorikën kundër institucioneve të drejtësisë dhe duke rritur rrezikun për personat që i udhëheqin këto procese. Në këtë linjë, rritja e masave të sigurisë shihet si reagim ndaj një situate më komplekse dhe më të ekspozuar se më parë. Mbështetja e drejtpërdrejtë e Shërbimit Sekret të SHBA-së ka edhe një dimension të qartë diplomatik.Duke rritur kapacitetin mbrojtës të strukturave shqiptare, Uashingtoni dërgon sinjalin se pavarësia dhe funksionimi i SPAK-ut janë prioritet strategjik. Edhe pse ambasada nuk ka komentuar mbi hetime specifike, fakti që programet e sigurisë po thellohen në këtë moment, interpretohet si tregues i pritshmërive për zhvillime të rëndësishme në dosjet penale që prekin nivele të larta të politikës dhe administratës. Dhe goditja më e bujshme që është bërë nga SPAK së fundmi është marrja e pandehur e zv.kryeministres Belinda Balluku, hetime që nuk kanë përfunduar ende. Gazeta SOT raportoi pak javë më parë se prokurori i kësaj çështje mori kërcënime të forta dhe SPAK u detyrua që t’i shtojë mbrojtjen me 6 truproja. -

SHBA në alarm, nis verifikimin e investimeve të huaja të rrezikshme, siguria kombëtare në dorë të kinezëve me…
Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re të monitorimit dhe kontrollit të investimeve të huaja, pas sinjaleve të qarta të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po nxisin ngritjen e një mekanizmi të posaçëm ligjor për filtrimin e investitorëve që mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Ky mekanizëm, i cili është diskutuar së fundi mes Ambasadës amerikane dhe qeverisë shqiptare, vjen në një moment kur projekti “Smart City” ka shtuar shqetësimet mbi përfshirjen e kompanive të huaja në sistemet e survejimit dhe të dhënave sensitive të vendit.
Alarmi i SHBA
Në përgjigjen zyrtare për mediat, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka sqaruar dje se një mekanizëm i tillë synon rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës, duke garantuar që investimet e huaja të mos përbëjnë rrezik për sektorët kritikë të vendit. “Një mekanizëm për shqyrtimin e investimeve është një mjet ligjor që u lejon qeverive të shqyrtojnë investimet e huaja për t’u siguruar që ato nuk paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare. Një mekanizëm i tillë do të mbronte sektorët kritikë të Shqipërisë nga aktorë keqdashës dhe do të mbështeste një mjedis investimesh të hapur dhe transparent që është i drejtë dhe i parashikueshëm për kompanitë amerikane dhe të tjerë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një partner i besuar në ekonominë globale”, thekson ambasada.Gjithashtu, një zyrtar amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e partneriteteve të drejta dhe teknologjive të sigurta. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur prosperitetin ekonomik dhe partneritete të drejta për amerikanët, përfshirë bizneset amerikane në Shqipëri, si dhe për të forcuar sigurinë e teknologjive kritike.” Këto deklarata vijnë në vazhdën e takimit pak ditë më parë mes të Ngarkuarës me Punë Nancy Vanhorn dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, ku palët diskutuan mbi ofrimin e ekspertizës amerikane për koncesionet dhe mbi nevojën për një mekanizëm më të fortë kontrolli të investimeve të huaja.
Projekti “Smart City”
Gazeta “SOT” e theksoi edhe në artikujt e kaluar se në qendër të shqetësimit amerikan qëndron projekti “Smart City”, një sistem i avancuar monitorimi që synon mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave në shkallë kombëtare. Projekti i qeverisë shqiptare për të integruar kamerat, radarët dhe sensorët në një platformë të vetme, synon të modernizojë menaxhimin e sigurisë dhe të trafikut në vend. Kontrata për zbatimin e sistemit është dhënë drejtpërdrejt kompanisë Presight AI, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo është firmosur në Abu Dhabi dhe më pas është klasifikuar si dokument “sekret”. Ky klasifikim ka kufizuar transparencën publike, duke lënë të paqartë detajet teknike të marrëveshjes dhe shkallën e aksesit që kompania e huaj mund të ketë mbi infrastrukturën e sistemit.
Lidhjet e Presight AI dhe G42 me teknologjinë kineze
Grupi G42, i cili zotëron Presight AI, është përmendur më herët në raportime ndërkombëtare për lidhjet e tij me teknologji kineze dhe bashkëpunimin me kompani të ekspozuara ndaj inteligjencës kineze. Këto elemente janë bërë objekt shqetësimi për shumë vende perëndimore, të cilat prej vitesh po rrisin kontrollin mbi aksesin e aktorëve të huaj në sistemet kritike të teknologjisë së informacionit. Ekipi drejtues i Presight AI përfshin figura të rëndësishme nga qeveria e Emirateve, si Dr. Sultan Ahmed Al Jaber dhe Mansoor Al Mansoori, por në nivel të grupit mëmë G42, drejtimi ekzekutiv mbahet nga Peng Xiao, me origjinë kineze, i njohur për rolin e tij të mëparshëm në kompaninë kibernetike DarkMatter. Kjo strukturë drejtimi ka kontribuar në vlerësimin e riskut nga partnerët perëndimorë.Sistemet e monitorimit të këtij lloji funksionojnë përmes platformave të integruara, përditësimeve të rregullta të programeve dhe shpesh mbështeten në cloud për ruajtjen e të dhënave. Në situata të tilla, edhe nëse të dhënat kontrollohen nga autoritetet shqiptare, kontraktori i huaj mund të ketë rol në mirëmbajtjen, përditësimin ose diagnostikimin e sistemeve. Kjo krijon varësi teknologjike. Rreziku nuk qëndron vetëm në çështjen e privatësisë së qytetarëve, por edhe në faktin se Shqipëria është territor ku zhvillohen shpesh lëvizje te trupave, të personelit dhe të ekipeve operative aleate. Një sistem që mbledh dhe përpunon të dhëna në kohë reale mbi qarkullimin dhe aktivitetet në terren shihet me kujdes të shtuar, sidomos nëse kompanitë që e operojnë atë janë të perceptuara si të ekspozuara ndaj ndikimeve të vendeve që nuk konsiderohen partnere.
Bashkëpunimi i Ramës me kinezët
Nisma e SHBA-ve për një mekanizëm të ri shqyrtimi të investimeve duket se synon pikërisht vendosjen e një filtri të qartë mbi projektet e tilla, ku përfshihen teknologji të avancuara, të dhëna sensitive dhe akses në infrastrukturë kritike. Kujtojmë se ka qenë SHBA që ndaloi në 2019 pazarin e Ramës me kinezët për implementimin në Shqipëri të rrjetit “5 G”. Qeveria shqiptare mori vendim të anulonte futjen e teknologjisë 5G nga kinezet pas ndërhyrjes së amerikanëve pasi binte në kundërshtim me rregullat e sigurisë së NATO-s. SHBA i bëri disa herë thirrje Ramës që të kishte kujdes me implementimin e 5G duke e detyruar të tërhiqej nga marrëveshja me Huawei. Ai jo vetëm që u tërhoq nga çdo flirt me Huawei-n, por u bë zë i hapur pro nismës globale për rrjete të pastra, duke ftuar edhe vendet fqinje t’i bashkohen kësaj nisme. SHBA e quajti Shqipërinë “shembull për të tjerët” në rajon, ndërsa zyrtarët euro-atlantikë e konsideruan Tiranën si një hallkë të sigurt në zinxhirin e mbrojtjes kibernetike. -

Kapet me armë në automjetin e tij, arrestohet 34-vjeçari në kryeqytet
Policia ka vendosur në pranga një 34-vjeçar pasi lëvizte me armë zjarri në kryeqytet. Ai është arrestuar nga shërbimet e komisariatit nr.5 ndërsa i është sekuestruar arma e zjarrit me krehër dhe fishekë të cilat i mbante në automjetin e tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të kontrolleve të pandërprera dhe të mbështetura në informacionet e marra se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, finalizuan operacionin policor të koduar “Moment”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi O. Z., 34 vjeç, banues në Kamëz”, theksohet në njoftimin e policisë.
“Në fshatin Kasallë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Volksëagen”, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën 34-vjeçari e posedonte pa leje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Lëvizte me armë zjarri në automjet, vihet në pranga 34-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit me krehër dhe fishekë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në kuadër të kontrolleve të pandërprera dhe të mbështetura në informacionet e marra se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet, finalizuan operacionin policor të koduar “Moment”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi O. Z., 34 vjeç, banues në Kamëz.
Në fshatin Kasallë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Volkswagen”, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën 34-vjeçari e posedonte pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.