Tag: thiel

  • Dosja Epstein, cilat personalitete të tjera përmenden?

    Dosja Epstein, cilat personalitete të tjera përmenden?

    Publikimi i mbi 20 mijë faqeve dokumente nga dosja Epstein ka nxjerrë në dritë komunikime të shumta mes financierit të ndjerë të akuzuar për pedofili dhe figurave të njohura nga politika, biznesi dhe media.
    Dokumentet nuk provojnë fajësi, por tregojnë lidhje, kontakte dhe shkëmbime emailesh, që zgjojnë interes publik. Mes emrave të përmendur janë personalitete të tilla si Michael Wolff, Larry Summers, Kathryn Ruemmler, Peter Thiel, Noam Chomsky dhe Peggy Siegal.
    Materialet e reja zbulojnë se si Epstein kërkonte të ndikonte, të këshillonte apo të krijonte lidhje me figura me peshë globale.
    Michael Wolff
    Dokumentet tregojnë një seri emailesh mes gazetarit Michael Wolff dhe Epstein, ku diskutohej edhe mënyra sesi Trump duhej t’i përgjigjej pyetjeve për lidhjet me Epstein.
    Në një rast, Wolff sugjeron se Trump duhet “të lihet të fundoset vetë”, ndërsa në një tjetër i ofron Epstein një intervistë që mund të “falimentonte” politikisht Trumpin.
    Wolff ka pranuar publikisht se e ka intervistuar Epstein për librin “Fire and Fury” dhe ka publikuar disa kaseta, raporton BBC.

    Larry Summers
    Ish-sekretari i Thesarit i administratës Clinton rezulton të ketë pasur shkëmbime të rregullta emailesh dhe takime me Epstein. Epstein shpesh përpiqej ta lidhte Summers me figura ndërkombëtare, ndërsa në 2016 Summers i kërkoi të mos merrej me asgjë, që lidhej me Trump.
    Një zëdhënës i Summers ka thënë më herët se ai “u pendua thellë” për kontaktet me Epstein pas dënimit të tij.

    Kathryn Ruemmler
    Emailat e publikuara tregojnë se ish-këshilltarja juridike e Shtëpisë së Bardhë gjatë kohës së Obamës ka diskutuar me Epstein çështjen e pagesave ndaj Stormy Daniels.
    Epstein shkruante se “e njihte mirë anën e errët të Donaldit”, ndërsa komunikimet paraprijnë kohën kur Ruemmler iu bashkua Goldman Sachs. Kompania e ka mbrojtur publikisht, duke thënë se komunikimet ishin private dhe shumë kohë përpara se ajo të bashkohej me bankën.

    Peter Thiel
    Investitori miliarder Peter Thiel është ftuar nga Epstein në 2018, për të vizituar ishullin e tij në Karaibe, një ftesë që Thiel thotë se nuk e ka pranuar kurrë.
    Thiel ka deklaruar se është takuar disa herë me Epstein në vitet 2014–2015, por se nuk e ka pyetur mjaftueshëm për të shkuarën e tij. Ai e ka kritikuar Epsteinin publikisht.

    Noam Chomsky
    Linguisti i njohur Noam Chomsky ka shkëmbyer emaile me Epstein për tema akademike, personale dhe herë pas here politike.
    Në një komunikim të vitit 2016, Chomsky i shkruan Epstein duke komentuar parashikimet e tij mbi sjelljen e Trumpit pas zgjedhjeve. Chomsky ka pranuar se e ka njohur Epstein dhe se ai e kishte ndihmuar vetëm në transferimin e fondeve mes llogarive të tij.

    Peggy Siegal
    Dokumentet tregojnë se Epstein i kërkoi publicistes Peggy Siegal të kontaktonte Ariana Huffington për të hedhur dyshime mbi akuzat e Virginia Giuffre.
    Siegal ka thënë se nuk e ka përçuar kurrë kërkesën, duke e cilësuar atë “qesharake dhe tipike për botën deluzionale të Epsteinit”. Ajo ka deklaruar se Epstein shpesh përpiqej t’i përfshinte njerëzit në skenarët e tij të pakuptimtë.

  • Ajo la universitetin dhe u bë miliarderja më e re e Forbes, këshilla “e artë” Lucy Guo

    Ajo la universitetin dhe u bë miliarderja më e re e Forbes, këshilla “e artë” Lucy Guo

    Disa milionerë dhe sipërmarrës të suksesshëm nuk i kanë përfunduar kurrë studimet universitare.

    Nga Bill Gates dhe Mark Zuckerberg, te Lucy Guo – e cila u shtua së fundmi në listën e miliarderëve të Forbes.
    Siç raporton CNBC, themeluesja 30-vjeçare nga Kalifornia u shpall miliarderja më e re e Forbes që e ka fituar vetë pasurinë e saj, në qershor. Pasuria neto e Guo-s vlerësohet në 1.25 miliardë dollarë, pas blerjes së kompanisë së saj të parë, Scale AI, nga Meta. Marrëveshja e vlerësoi platformën e etiketimit të të dhënave për inteligjencën artificiale në 29 miliardë dollarë.
    Guo, themeluese e platformës për monetizimin e krijuesve të përmbajtjes Passes, e cila u lançua në vitin 2022, ka treguar se nuk i ka përfunduar studimet universitare.
    Ajo nisi studimet në shkencat kompjuterike dhe ndërveprimin njeri-kompjuter në Universitetin Carnegie Mellon në Pensilvani. Me vetëm një vit dhe tetë lëndë të mbetura për të përfunduar diplomën, ajo vendosi t’i ndërpriste studimet. Vendimi i saj i habiti prindërit, emigrantë nga Kina.
    “Prindërit e mi sakrifikuan gjithçka për të emigruar në SHBA dhe për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë. Për ta, arsimi ishte gjithçka. Kur unë pothuajse lashë shkollën, ata e morën si një goditje në shpinë,” – tha ajo.
    Në vend që të vazhdonte universitetin, Guo vendosi të ndiqte programin Thiel Fellowship, të krijuar nga bashkëthemeluesi i PayPal, Peter Thiel, i cili u ofron të rinjve 200,000 dollarë për të ndërtuar kompani inovative.
    “Mendoj se prindërit e mi e panë si një shenjë se nuk i doja. Por nuk ishte kjo — ishte një bast me veten, një zgjedhje për të investuar në atë që besoja se do të më jepte një të ardhme më të mirë,” – shton ajo.
    Pse është i nevojshëm universiteti?
    Edhe pse e ndërpreu shkollimin, Guo thekson se arsimi universitar ka përfitimet e veta, sidomos në krijimin e rrjeteve sociale dhe profesionale. Ajo shpjegon se ndjekja e universitetit e ekspozoi ndaj një rrethi njerëzish që më vonë u bë i vlefshëm për të si themeluese.
    “Këshilla ime është të qëndroni në kolegj për një deri në dy vjet. Atje do të bëni miqtë tuaj më të mirë dhe do të takoni njerëzit më të zgjuar. Të gjithë shkojnë në kolegj për të takuar njerëz,” – shpjegon ajo.
    Sipas Guo-s, nuk ekziston ndonjë mjedis tjetër me një përqendrim kaq të madh njerëzish që kërkojnë miq dhe partnerë të rinj. Në botën profesionale, përkundrazi, shumica e njerëzve tashmë kanë rrjete të konsoliduara dhe nuk janë në kërkim të miqësive të reja.
    Guo beson se pasuria më e madhe e një kompanie janë njerëzit e saj.
    “Sigurohuni që të njihni shokët e klasës më të zgjuar dhe të bëheni miq të vërtetë me ta. Universiteti është vendi më i mirë për të gjetur partnerët dhe punonjësit tuaj të ardhshëm,” – thotë ajo.
    Ky rrjet, sipas saj, funksionon si një “pishinë talentesh” që mbetet e vlefshme në të ardhmen, pasi u jep themeluesve qasje te drejtues dhe bashkëpunëtorë të aftë. Guo pranon gjithashtu se studentët e tjerë të Thiel Fellowship kanë qenë një burim frymëzimi dhe motivimi.
    “Bëhesh pjesë e një komuniteti ku është pothuajse normale të krijosh kompani ‘unicorn’. Për të ndërtuar një biznes të tillë, duhet të jesh pak i çmendur dhe mjaftueshëm arrogant për të besuar se ke një shans. Është më e lehtë ta besosh kur je i rrethuar nga njerëz që tashmë e bëjnë këtë. Kjo është magjia e San Franciskos dhe e Shoqërisë Thiel,” – përfundon ajo.
    Nuk është rastësi që shumë nga ish-pjesëmarrësit e programit kanë themeluar kompani të njohura — nga Ethereum i Vitalik Buterin dhe Figma e Dylan Field, deri te Oyo Rooms i Ritesh Agarwal.

    Top Channel