Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në forumin prestigjioz të Dialogut Global të Berlinit si një moment dinjitoz dhe ambicioz për vendin. Në sezonin e pestë të podkastit “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e javës”, ai ndau reflektime mbi përfaqësimin e Shqipërisë dhe ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar.
“Dje, në forumin prestigjioz të Dialogut Global të Berlinit, isha i ftuar bashkë me Diellën, ministren tonë të Inteligjencës Artificiale, e cila për herë të parë komunikoi ‘live’ me një gazetar, moderatorin e mirënjohur gjerman Ali Asllan”, tha Rama, duke theksuar rolin e inovacionit dhe teknologjisë në imazhin e ri të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka ndodhur një ndryshim thelbësor i imazhit dhe i qasjes ndaj Shqipërisë në Gjermani, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të tejkaluar paragjykimet e së shkuarës. “Ky ndryshim është një frut me shije të veçantë i përpjekjeve tona, sepse deri jo shumë vite më parë, në atë vend, shiheshim ende përmes filtrave të paragjykimeve më shkurajuese”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek takimi vjetor i Procesit të Berlinit, i zhvilluar këtë javë në Londër, ku Shqipëria u përfaqësua në nivel të lartë. Ai vlerësoi praninë e Kryeministrit britanik Keir Starmer dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili shprehu qartë mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Forumi Global Dialogue (BGD), ku Rama ishte i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kishte në fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.





