Shqipëria vazhdon të përballet me flakët që e kanë “pushtuar” prej ditësh nga veriu në jug. Në 24 orët e fundit, janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 23 mbeten aktive njoftoi dje Ministria e Mbrojtjes. Në qarkun Vlorë, përpjekjet janë përqendruar në disa vatra problematike, përfshirë Syrin e Kaltër dhe Malin e Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”. Vatra të tjera mbeten aktive por në vëzhgim në fshatrat Pecë, Sirikat, Kardhikaq të bashkia Finiqit, Kuç të Himarës dhe Brataj të Selenicës. Në qarkun Dibër, në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, forcat janë përqendruar në monitorim të situatës. Vatra me intensitet të lartë janë regjistruar edhe në fshatin Tërnovë, ku flakët që po zhvillohen në disa fronte po përhapen nga era.
Aktualisht operojnë forca të MZSH, pyjore, bashkiake dhe ushtria, duke arritur të mbajnë larg rrezikun nga banesat. Në qarkun Berat, situata më kritike është në fshatin Plashnik të Poliçanit, dhe Zona e Mbrojtur “Rezervati i Menaxhuar Balloll”. Në Plashnik, ku për shkak të erës dhe flakëve të forta janë rrezikuar banesa në disa lagje, dje janë evakuuar 20 banorë. Janë angazhuar 4 helikopterë, dy të Emirateve të Bashkuara Arabe. Zjarre të tjera ka në Zhapokikë, Orizaj, Vokopolë dhe afër qytetit të Poliçanit, të cilat po mbahen në monitorim ose janë vendosur nën kontroll. Sot pasdite u njoftua nga AKMC se është shuar plotësisht vatra e rrezikshme e zjarrit në fshatin Velçan, ku ka kaluar rreziku për banorët. Dy helikopterë dhe zjarrfikës bënë shuarjen e tij dhe vatra do monitorohet.
Situata në Qarqet Elbasan, Tiranë dhe Gjirokastër
Në qarkun Elbasan, situata më serioze është në fshatin Kullollas të Gramshit, ku janë angazhuar mbi 200 forca tokësore dhe ajrore, përfshirë helikopterë dy çekë dhe sllovakë. Zjarret në Kodovjat dhe Sojnik janë izoluar dhe nuk paraqesin rrezik për banesa. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Në qarkun Tiranë, ka vatra në malin e Bërzhitës në fshatin Ibë, në Damjan-Fortuzaj, Isufaj, Ferraj dhe Zall-Herr të bashkisë Tiranë, si dhe në fshatrat Spanesh dhe Kazie të bashkisë Rrogozhinë. Pjesa më e madhe e tyre janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, policisë dhe strukturave të tjera, por terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen e mjeteve në disa raste. Në qarkun Gjirokastër, zjarri në fshatra Dhuvjan, Lugar dhe Frashtan paraqitet e qetë. Në Hormovë të Tepelenës dhe majën e Golikut vazhdon monitorimi. Po ashtu, në malin e Sopotit ka zjarre afër antenave të RTSH-së, por situata po mbahet nën kontroll.
Situata në Qarqet Shkodër, Kukës dhe Korçë
Në qarkun Shkodër, në zonën malore të Fushë Arrëzit (fshati Xath), zjarri ka rrezikuar zonën e Trunit dhe majën Kunor Dardhës. Pavarësisht terrenit të thyer, po operohet nga toka dhe ajri me ndihmën e helikopterëve të FA. Në qarkun Kukës, një vatër e rrezikshme ka përfshirë zonën pyjore të Parkut Natyror Korab-Koritnik në fshatin Bele. Forcat po punojnë për izolimin e zjarrit në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore. Në qarkun Korçë, zjarri në fshatin Gërmenj të Kolonjës ka përfshirë një sipërfaqe me pisha. Puna është vështirësuar nga shpërthimet e municioneve të vjetra në zonë, ndërkohë që janë angazhuar forcat operacionale dhe makineri për hapjen e rrugëve dhe brezave mbrojtës. Dy vatra të reja zjarri të fuqishme u shfaqën sot pasdite edhe në malësinë e Mirditës, teksa era favorizonte flakët. Forca të shumta gjenden në terren në fshatin Velë, teksa janë angazhuar vullnetarisht edhe banorët. Në total, për përballimin e situatës janë angazhuar 1,143 forca tokësore, 409 efektivë të Forcave të Armatosura, 65 automjete zjarrfikëse, 23 mjete ushtarake, si dhe 3 helikopterë të FA-së. Përforcime ka pasur me 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia.
Detajet
Po punohet në këto zona:
Syri i Kaltër (Delvinë) – Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Vatra në sipërfaqe me shkurre dhe pyje, po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore.
Kuç (Himarë) – Zjarr në sipërfaqe pyjore, në operim forcat zjarrfikëse.
Brataj (Selenicë) – Zjarr në shkurre dhe pyje, forcat zjarrfikëse në terren.
Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, terren i thyer; po monitorohet nga punonjës të AdZM dhe forca vullnetare.
Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, në operacion 8 zjarrfikës, forca pyjore, bashkiake dhe FA, me mbështetje nga një helikopter.
Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë, dje u evakuuan 20 banorë. Në terren po operojnë zjarrfikës, punonjës të AdZM, forca ushtarake dhe 3 helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
Velçan (Berat) – Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat. Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa 20 efektivë shtesë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
Orizaj (Skrapar) – Zjarr në shkurre, pa rrezik për banesat, nën monitorim.
Vokopolë (Poliçan) – Vatra me intensitet të ulët, nën monitorim.
Mbrakull (Poliçan) – Situatë e qetë dhe nën kontroll.
Ibë (Tiranë) – Zjarr i vënë nën kontroll, u shmang rreziku për banesat.
Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Tiranë) – Vatra e vënë nën kontroll, pa rrezik për banesat.
Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë) – Vatra është vënë nën kontroll, pas një pune mjaft të vështirë për shkak të terrenit.
Spanesh, Kazie (Rrogozhinë) – Zjarr i izoluar, nën vëzhgim.
Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull) – Zjarr i vënë nën kontroll, situata e qetë.
Hormovë (Tepelenë) – Zjarr në lartësitë e Majës së Golikut; një vatër tjetër pranë antenave të RTSH, po mbahet nën monitorim.
Kullollas, Kodovjat, Ermenj (Gramsh) – Është ndërprerë përhapja drejt fshatit Nartë, pas punës së forcave. Në terren zjarrfikës, forca bashkiake, FA dhe vullnetarë.
Mukaj, Sojnik (Gramsh) – Zjarr në shkurre e ferra, nuk rrezikohen banesat; në terren forca zjarrfikëse, FA dhe vullnetarë.
Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz) – Situata e rënduar, zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
Gërmenj (Kolonjë) – Zjarr në pyje pishe, në operim nga forcat zjarrfikëse.
Velës (Mirditë) – Zjarri në pyll pishe, në terren forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore dhe vullnetare, me vështirësi për shkak të dendësisë së bimësisë.