Eurodeputeti rumun Cristian Terheș në një intervistë ekskluzive për emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, ka dhënë një paralajmërim të fuqishëm për situatën aktuale në Shqipëri, duke tërhequr një paralele me fushatën antikorrupsion të Rumanisë 15 vjet më parë. Ai ka akuzuar se struktura e antikorrupsionit në Shqipëri po shfrytëzohet për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe për të dëmtuar biznese. Terheș theksoi se gjykatat rumune kanë filluar të shpallin pafajësi për individë të hetuar në atë periudhë, për shkak të shkeljes së procedurave ligjore.
Ai i bëri thirrje shoqërisë civile dhe opozitës shqiptare të raportojnë drejtpërdrejt në Bruksel për të siguruar një pasqyrë të saktë të ngjarjeve.
Sipas tij, Shqipëria ka mundësinë të arrijë anëtarësimin në BE deri në vitin 2027, por reformat duhet të kryhen jo për të kënaqur burokratët e Brukselit, por për të shërbyer popullit shqiptar.
Pjesë nga deklarata:
Po, dua të them, sinqerisht, ju jeni me fat që kjo po ndodh, sepse unë e di që ka shtete të tjera kandidate që nuk e kanë këtë privilegj.
Por në fund të ditës, nëse Kryeministri juaj ka një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë këta funksionarë evropianë, ju që jeni në opozitë tani, duhet të bëni një punë shumë të mirë në shpjegimin e asaj që po ndodh realisht në Shqipëri, sepse kjo është mënyra e vetme për të ndihmuar vendin tuaj. Siç thashë, edhe unë vetë, nëse nuk do të isha njoftuar shpejt për atë që po ndodhte në Shqipëri, do të ishte shumë e vështirë për ata që nuk janë pjesë e delegacionit ndërparlamentar shqiptar të dinë të gjitha detajet që po ndodhin atje. Shikoni, Rumania ka qenë në një situatë të ngjashme me vendin tuaj 10-15 vjet më parë, ku patëm një fushatë shumë të fuqishme kundër korrupsionit. Por kur e morëm vesh se kjo fushatë kundër korrupsionit po përdorej nga disa njerëz në fushën politike dhe në atë të inteligjencës për të larguar politikanë të caktuar apo për të shkatërruar disa kompani, ne reaguan publikisht. Kështu që, sepse ne e nxorrëm situatën në dritë, burokratët evropianë nuk kishin mundësi tjetër përveçse të pranonin problemet.
Pra, tani në Rumani, për shembull, gjithnjë e më shumë njerëz janë shpallur të pafajshëm, sepse gjyqtarët kanë zbuluar se mënyra se si janë kryer hetimet penale 10-15 vjet më parë ishte bërë duke shkelur procesin e duhur ligjor. Kjo është pikërisht ajo që kam zbuluar edhe unë gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri. Mirë, ajo që kam pasur fokus kur kam qenë atje ka qenë kryesisht situata e sistemit gjyqësor. Kam pasur disa kolegë të tjerë që kanë pasur fokus në procesin zgjedhor. Ata ishin gjithashtu vëzhgues në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të fundit. Gjatë asaj kohe unë kam dashur të vij, por ne kishim zgjedhje edhe në Rumani.
Por në fund të ditës, të gjitha, le të themi, edhe akuzat për keqbërje gjatë zgjedhjeve, mund të zgjidhen shumë lehtë nëse keni një sistem gjyqësor të fortë, të lirë dhe të pavarur. Sepse ky është themeli dhe baza e çdo qeverie demokratike dhe të dobishme për popullin. Në bazë të asaj që tha Komisioneri Costa dje në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, ju jeni shumë pranë arritjes së atij qëllimi. Mendoj se, nëse nuk gaboj, është 2027. Mendoj se ky është objektivi që ju të bashkoheni me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, nëse nuk gaboj.
Dua të theksoj këtë: Objektivi është shumë i rëndësishëm për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por në fund të fundit, disa reforma që po bëni në vendin tuaj, duhet t’i bëni ato jo për të kënaqur politikanë të caktuar apo burokratë në Bruksel, por për të kënaqur popullin shqiptar. Kjo është arsyeja pse theksoj përsëri rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës, procesit të duhur ligjor dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor gjatë këtij procesi reformues.
Ishte hera ime e parë në Shqipëri dhe u kam premtuar shumë liderëve atje se do të kthehem përsëri. Pra, duhet t’i uroj shoqërisë shqiptare për forcën e saj në ndjekjen e këtij rrugëtimi të integrimit evropian dhe mund të mbështeteni plotësisht te unë. Dhe gjithashtu, ju inkurajoj të vazhdoni të luftoni për këtë integrim në BE, por në të njëjtën kohë, nëse mendoni se ka disa gjëra që gjatë këtij procesi reformues nuk janë bërë në mënyrën e duhur, duhet të ngrini këtë vetëdije, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të korrigjuar disa gjëra nëse nuk janë bërë siç duhet, për t’u siguruar që të arrini këtë objektiv sa më shpejt dhe sa më mirë për popullin tuaj. Faleminderit shumë për ftesën.

