Skandalet me tendera sekretë dhe procedura të mbyllura vijojnë të tronditin sistemin shëndetësor shqiptar, duke ngjallur shqetësime për abuzime me fondet publike. Së fundmi, është zbuluar një kontratë prej rreth 2 milionë eurosh për mirëmbajtjen e një sistemi informacioni në QSUT, e cila është dhënë pa garë dhe me negocim të mbyllur. Kjo praktikë rikthen në vëmendje periudhën e pandemisë, kur tenderat sekrete ishin të zakonshëm, por tashmë, në mungesë të emergjencës, ngritja e dyshimeve është e pashmangshme.
Në të njëjtën kohë, spitalet, si Onkologjiku dhe Pediatria, përballen me mungesë medikamentesh dhe kushte të vështira, duke e bërë kontrastin me fondet e shpërdoruara edhe më të fortë. AKSHI, institucioni që menaxhon këto tendera, duket se ka ndjekur një model të përsëritur të mos-transparencës dhe mungesës së përgjegjësisë. Por ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohet shëndetësia dhe prioritetet që vendosen në ndarjen e buxhetit shtetëror. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, qytetarët janë ata që paguajnë çmimin më të lartë, jo vetëm me para, por edhe me shëndetin e tyre.
Detajet
Konkretisht tenderat sekretë dhe të mbyllur vijojnë për mjekësinë, edhe pse pandemia e Covid 19 ka disa kohë që nuk është më zyrtarisht. Në atë kohë, Ministria e Shëndetësisë, Spitalet Universitarë, Rajonalë apo Lokalë realizuan qindra procedura sekrete, vetëm me negocim për materiale apo shërbime të ndryshme. Por, edhe në ditët e sotme kur gjithçka ka kaluar, institucionet shtetërore vijojnë të akordojnë miliona euro me procedura tepër të dyshimta. I tillë është rasti i ndjekur nga AKSHI, një institucion që prokuron dhjetëra miliona euro në muaj, me disa sisteme kompjuterike të institucioneve. Këto para’ hidhen “lumë”, ku arsyetohet se krijohen dhe mirëmbahen sisteme, por gjendja në realitet e mjekësisë lë shumë për të dëshiruar, sidomos te Onkologjiku apo edhe në pavijone të tjera. Madje, edhe te Pediatria, ku mungojnë vazhdimisht ilaçe për fëmijët e sëmurë rëndë.
Faksimile: Njoftimi i tenderit nga AKSHI për sistemin e mirëmbajtjes së informacionit
Sipas dokumenteve që ka analizuar “VoxNews”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka bërë një procedurë tjetër të mbyllur, me negocim pa shpallje. Ose më saktë, është negociuar me firmën se sa para do për të mirëmbajtur. Objekti i tenderit është “mirëmbajtja e sistemit të informacionit të Shëndetit Publik për Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’”, thuhet në këto dokumente. Vlera totale përfundimtare e kontratës është plot 194.400.000 lekë me TVSH, ose rreth 2 milionë euro. Këto para do t’i jepen firmës ONI SHPK, me adresë në lagjen “Vasil Shanto” në qytetin e Shkodrës.
Firma zotërohet nga Fatjon dhe Reshat Koçkiçi. Mësohet se paratë i janë dhënë aforfe kësaj firme, teksa është nënshkruar edhe kontrata në datë 20 mars 2025. Mësohet se ka dyshime se e gjitha kjo shumë është një shtesë fondi për këtë projekt, teksa nuk jepen të dhëna se përse kjo shumë e majme me një procedurë të mbyllur. Dy janë mundësitë, ose fondi dhe specifikimet e tenderit të mëparshëm janë bërë gabim, ose këto para’ po i jepen firmës si “shpërblim”. Në të dyja rastet, zyrtarët e spitalit apo edhe të AKSHI-t janë përgjegjës, por koha e ka treguar se ata gjithmonë “amnistohen” nga institucionet ligjzbatuese, aq sa marrin guximin dhe vijojnë të bëjnë kontrata dhe shtesa kontratash sekrete
