Tag: tender

  • “Mashtroi” në tenderin 100 mln lekë të Policisë, 9 muaj burg për “bosin” e Lel-Medical

    “Mashtroi” në tenderin 100 mln lekë të Policisë, 9 muaj burg për “bosin” e Lel-Medical

    Sami Podgorica, i konsideruar si pronari në hije i kompanisë “Lel-Medical” që drejtohet nga bashkëshortja e tij, Ëngjëllushe Podgorica, është dënuar me 9 muaj burgim, pasi ka falsifikuar dokumentat, me të cilat ka marrë pjesë në një tender me fond mbi 100 milionë lekë të vjetra, të zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit.
    Megjithatë, gjykata ka vendosur që ta pezullojë dënimin me burgim, duke e konvertuar në një vit shërbim prove.
    Vendimi është marrë në 1 Korrik 2025 nga gjyqtari i Tiranës, Sokol Pasho, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së kryeqytetit.
    Në 4 Korrik të vitit 2024, saktësisht një vit më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shpall tenderin me objekt “Blerje aparat testues alkoli, Loti I”, me fond limit 11.079.200 lekë të reja.
    Në vijim të procedurës, institucioni kualifikon dy operatorët ekonomikë që merrnin pjesë në atë tender, njëri prej të cilëve “Lel-Medical”, me ofertë 8.3 milionë lekë dhe tjetri me ofertë 9.2 milionë lekë.
    Pas këtij vendimi, operatori tjetër pjesëmarrës në tender kundërshtoi kualifikimin e “Lel-Medical”, me pretendimin se nuk përmbushte kriteret e përcaktuara paraprakisht në tender. Komisioni përkatës pranë autoritetit kontraktor e refuzoi fillimisht ankimin dhe rasti përfundoi pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

    Në informacionin që iu përcoll KPP-së thuhej, ndër të tjera, se “Led-Medical” ka paraqitur një çertifikatë profesionale, të cilën nuk e posedon zyrtarisht. Ky informacion, i cili referonte dyshime për falsifikim dokumentesh, kërkoi kryerjen e ekspertizave të posaçme.
    Për këtë arsye, KPP nisi verifikimet fillestare, duke kërkuar fillimisht informacion pranë Drejtorisë së Akreditimit dhe në institucione të tjera. Kjo e fundit kthen përgjigje, duke deklaruar se çertifikata e përdorur në tender është e skaduar. Por, në dokumentat për tenderin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, çertifikata e paraqitur nga ‘Lel-Medical” rezultonte e vlefshme.
    Ky detaj forcoi më shumë dyshimet se dokumenti i dorëzuar nga ‘Lel-Medical” ishte i falsifikuar. Rasti u përcoll për hetime të mëtejshme në Prokurori.
    “Nuk e dija që ishte problem”
    Pas nisjes së hetimeve, prokuroria ka marrë në pyetje personin e dyshuar për falsifikimin, Sami Podgoricën.
    Ai ka deklaruar para grupit hetimor se “atij dokumenti kishte pak kohë që i kishte kaluar vlefshmëria (sipas datës së vlefshmërisë) dhe, për të siguruar dokumentin autentik me një afat tjetër ishte i pamundur të sigurohej nga unë, në një kohë të shpejtë, dhe kështu pa u menduar gjatë, unë mendova që të krijoja një dokument te ri, me një afat vlefshmërie të mevonshme, duke menduar se nuk krijoja ndonjë pasojë, ku më vonë.
    Podgorica deklaroi gjithashtu se, “pasi të kisha fituar këtë tender, do të bëja kërkesën tek autoritetet lëshuese për zgjatjen e vlefshmërisë, sipas kërkesës që më ishte bërë”.
    Në foto: Vendimi i Gjykatës së Tiranës
    Sami Podgorica, formalisht, nuk rezulton të ketë detyrë ortaku apo administratori në kompaninë e zotëruar nga bashkëshortja e tij. Megjithatë, më së paku, aktivizimi i tij në tenderin 100 milionë lekë (të vjetra) të Policisë së Shtetit dëshmon për një rol të rëndësishëm të tij tek kompania “Lel-Medical”.
    Qartësisht, Podgorica ka pranuar falsifikimin para Prokurorisë së Tiranës. Në këto kushte, ai është marrë i pandehur për veprën penale të “falsifikimit të dokumentave”.
    Në ditën e parë të Korrikut 2025, gjykata e shpalli fajtor, duke e dënuar me 9 muaj burg, por duke ia shndërruar në shërbim prove, ndoshta edhe për faktin se ai është rreth 70 vjeç.
    /Boldnews.al/

  • Pas SPAK-ut dhe Gardës, “AlbaScan” fiton tender edhe nga Gjykata e Posaçme

    Pas SPAK-ut dhe Gardës, “AlbaScan” fiton tender edhe nga Gjykata e Posaçme

    Një nga kompanitë që duhet të ishte nën hetim për të paktën dy procedura, e para për thyerjen e sistemit të saj në Burgun e Peqinit dhe e dyta për tenderin e laboratorëve në shkolla, ka fituar një tjetër tender nga institucionet që duhet ta hetojnë dhe gjykojnë. Pak kohë më parë, kompania AlbaScan fitoi një tender në vitin 2024 nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, me vlerë gjysmë milioni euro.
    Ndërkohë, pak javë më parë, e njëjta kompani fitoi tender edhe nga Garda e Republikës me një vlerë rreth 400 mijë euro. Një seri institucionesh, të rëndësisë së veçantë, që “rreshtohen” për t’i dhënë miliona lekë kësaj firme!
    Por, a nuk dështoi kjo kompani me sigurinë në Peqin, ku një i dënuar vrau një bashkëvuajtës? Po laboratorët në shkolla që kushtuan 17 milionë euro ku janë?!
    Normalisht, këto afera duhet të hetoheshin nga SPAK-u, e cila i ka dhënë tender. Gjithashtu, nëse Prokuroria e Posaçme, do të faktonte abuzimet e zyetarëve shtetërorë, çështjen do ta gjykonte Gjykata e Posaçme.
    Por, çfarë veprimesh bën kjo gjykatë?!

    Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për skaner çantash dhë urë metal detektori
    Pak javë më parë, Gjykata e Posaçme që gjykon dosjet e SPAK-ut hapi një tender me objekt “skaner çantash dhe urë metal detektor”. Në dokumente përcaktohej se dilte fituese oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim.
    “Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë/lot kanë marrë pjesë, AlbaScan me vlerë 12.050.000 lekë” thuhet në dokumente. Pra, ka pasur vetëm një ofertues që edhe u shpall fitues.
    Sipas dokumenteve, kompania AlbaScan është në pronësi të vëllezërve Elton dhe Elision Jorgjis. 8 muaj më parë, Prokuroria e Posaçme ka shpallur kompaninë Albascan si fituese në tenderin rreth 500 mijë euro për blerjen e skanerit për automjete dhe bollard automatik. Sipas dokumentave të bëra publike Agjencinë e Prokurimeve, në këtë tender janë paraqitur dy oferta. E para ishte ajo e kompanisë ALComm Solutions, e cila e ofroi skanerin me çmimin 340 mijë euro. Ndërsa Albasan ofroi çmimin 450 mijë euro.
    Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në SPAK e skualifikoi ofertën e ulët me argumentin se ajo ALComm Solutions nuk përmbushte kapacitetin e kërkuar ekonomik dhe financiar duke shpall fituese Albascan me ofertë 110 mijë euro më të lartë.
    Kjo kompani është bërë e “famshme” në tenderin 17 milionë euro të AKSHI-t për laboratorët në shkolla. Në atë kohë pati denoncime se tenderi ishte tejet i fryrë, madje kompjuterët iu shitën shkollave me një çmim plot 4 herë më të lartë sesa vlera e tregut.
    Por, rasti më flagrant me pasoja në njerëz ka qenë ai i Burgut të Peqinit. Tenderi  për mirëmbajtjen e sistemit të sogurisë e kishte fituar AlbaScan. Skandali shpërtheu kur në burgun e Peqinit një i burgosur kreu një vrasje të bujshme brenda institucionit penal. Hetimet zbuluan se arma ishte futur pa u kontrolluar, pasi slaneri qe duhej të identifikonte armën nuk punonte. Madje, edhe disa kamera sigurie ishin gjithashtu jashtë funksionit.
    Por, këto skandale janë “harruar”, ku tashmë AlbaScan fiton lehtësisht tendera nga SPAK-u, Gjykata e Posaçme apo edhe nga Garda e Republikës. Deri në vitin 2019, firma fitonte “thërrime” nga tenderët, por pas kësaj kohe vëllezërit Jorgjis kanë arritur të fitojnë plot 35 milionë euro nga buxheti i shtetit.
    /VoxNews/

  • AFERA BANKERS/ Bolv Oil, Alb Star e Phoenix, kush janë përfituesit e parave që duhet të ishin në arkën e shtetit

    AFERA BANKERS/ Bolv Oil, Alb Star e Phoenix, kush janë përfituesit e parave që duhet të ishin në arkën e shtetit

    Bankers Petroleum

    TIRANË- Skandali i “Bankers Petroleum” është kthyer në një “manual” zhvatjeje të shtetit. Kjo kompani për 2 dekada shiti 532 mld lekë naftë, ndërsa shtetit i ka paguar “plot” asnjë qindarkë në taksa. Kështu është kthyer në skemën më të hapur të fshehjes të të ardhurave dhe të zhvatjes së shtetit dhe aseteve kombëtare. Ndërsa hetimet për të gjetur përgjegjësit ende vazhdojnë, duket se “shenjat” e abuzimit ishin thënë prej kohësh…
    Që në vitin 2018, në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, shkruhej se Bankers nuk po derdhte tatime në buxhetin e shtetit. Edhe atëherë ishte e qartë se kompania deklaronte shpenzime të fryra dhe deri në atë kohë kishte shmangur pagesën e 60 milionë dollarëve tatim mbi fitim. Kompania fshihej pas pretendimeve se dilte me humbje. Por këtë gjë nuk e kishte konstatuar as AKBN dhe as Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. 
    Por kush janë përfituesit?
    Ndër vite, nëpërmjet kontratave nënkontraktuese, miliona euro kanë kaluar tek Simmons, Phoenix, “Albstar” e Idajet Ismailajt, “Bolv Oil” në pronësi të Behar Çukajt, Q.Sinaj, Western Atlas, Smape, etj. Në vitin 2016, në median “BIRN” u publikuan raportet e ekspertëve që kishin kontrolluar shpenzimet e Bankers, duke listuar kështu përfituesit kryesore dhe shkeljet e bëra nga kompania, të cilat u mohuan kategorikisht teksa vit pas viti pretendonin se kishin humbje. 
    KOMPANITË DHE ABUZIMET
    Crosco
    Crosko është një kompani kroate e cila ofron shërbime shpimi. Ajo e fitoi kontratën me një tender në prill 2009 dhe vetëm për vitin 2011 u pagua 17.2 milionë dollarë. Por në vitin 2011, kontrata me Crosco u shtua në volum dhe kjo u bë pa tender tjetër. Bankers deklaroi para ekspertëve se në atë kohë nuk besonte se një tender do të sillte çmime më të ulëta.
    Phoenix
    Phoenix është një kompani tjetër shpimesh. Ajo fitoi fillimisht një kontratë në vitin 2008 përmes një procesi tenderimi, por vijoi punën pasi kontrata fillestare përfundoi dhe Bankers argumenton se kjo qe zgjidhja më e mirë në atë kohë. AKBN argumenton se kostot e kësaj kompanie, 16.9 milionë dollarë vetëm në vitin 2011, nuk duhet të njihen për shkak se u përfituan pa garë. AKBN hedh poshtë pretendimin e Bankers për vijimin e punës me këtë kompani duke argumentuar se programi i shpimeve të kësaj kompanie në vitin 2011 qe shumë më i madh se sa në vitin 2008 dhe se rrjedhimisht, edhe interesi i kompanive të tjera mund të qe i lartë në rast se do të zhvillohej një tender.
    Albstar
    Kontratat e Bankers me kompaninë shqiptare Albstar, e cila ofron punime civile si rrugë etj., ishte më e debatueshmja. Albstar nisi të punojë me Bankers fillimisht në vitin 2004 me një kontratë 15 mujore, e cila u zgjat në vijimësi. Bankers u justifikua me faktin se nuk kishte arsye që të ndryshonte kompani për shkak se aktualja kishte eksperiencë. Por fakti që punimet civile nuk konsiderohen si punime specifike të naftës bëri që AKBN ta rrëzojë pretendimin me argumentimin se në Shqipëri ka 1,951 kompani ndërtimi dhe vetëm në qarkun e Fierit ka 111 kompani të tilla.
    Bolv-Oil
    Kompania e transportit të naftës Bolv-Oil ka punuar me Bankers që nga viti 2008 fillimisht si fituese tenderi dhe më pas, me zgjatje kontrate vazhdimisht. Bankers pretendon se kjo qe zgjidhja më ekonomike për të. Vetëm gjatë vitit 2011, kontrata e kompanisë me Bankers qe me vlerën 10.1 milionë dollarë.
    Tea-Co është një kompani tjetër transporti që fitoi një kontratë trevjeçare në vitin 2008, në bazë të konkluzionit të një tenderi të zhvilluar që në vitin 2005. Bankers pretendon se kontrata me të qe për shkak se nuk ishin në gjendje të identifikonte operatorë të tjerë në treg të aftë për të ofruar kamionë me vakum. AKBN i hedh poshtë këto pretendime duke argumentuar se Bankers nuk ka asnjë provë për zhvillimin e një tenderi dhe se i vetmi dokument për këtë kompani është një memorandum i brendshëm.
    Q.Sinaj
    Kompania Q.Sinaj ofron shërbime transporti lëngjesh të tilla si heqja e ujit të ndotur, kamionë me presion dhe transportim me tanker. Kjo kompania ka punuar me Bankers që nga viti 2004, fillimisht me një kontratë gjashtëmujore ndërsa kontrata u shty vazhdimisht. Bankers pretendon se kjo kompani ka marrë pjesë në një tender në vitin 2008 ku humbi, ndërsa një tender në vitin 2009, u konfirmua fituese krahas Bolv-Oil. 
    Western Atlas
    Kjo është një kompani tjetër, e cila ofron shërbime elektrike dhe shërbime shpimi me përdorim eksplozivësh. Ajo filloi të punojë për Bankers në vitin 2008 pas një tenderi për “shërbime të ndryshme në fushën e naftës”. Bankers pretendonte se puna e kësaj kompanie është tepër teknike dhe se ajo beson se kjo është kompania e vetme e aftë për punë të tilla në Shqipëri. AKBN nuk ishte e aftë ta vërtetonte këtë pretendim.
    Smape
    Smape është një kompani që ofron shërbime tubash të gjatë. Bankers filloi të përdorte shërbimet e kësaj kompanie më 2011, fillimisht në shkallë të vogël në formë testi, por kostoja e kontratës u rrit në mënyrë të papritur në 2 milionë dollarë. Më pas, kompania mori pjesë në një tender dhe e fitoi. AKBN thotë se në fakt Bankers kishte për detyrë që të kryente tender që në fillim dhe argumenton se nuk kishte arsye që kontrata të ofrohej fillimisht pa tender.
    Edhe pse kishte kompani të tjera, edhe pse duhet të bënin tendera, sërish dukej sikur Bankers kishte krijuar realitetin dhe rregullat e saj të lojës. Pak nga pak, thuri një skemë perfekte për të fituar sa më shumë. Deri më tani Prokuroria ka arritur që të zbulojë se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, pra nga të lartpërmendurit.
    Por ka diçka që nuk është zbuluar ende pas 20 vitesh mashtrim! Ku janë paratë? Ku kanë përfunduar të ardhurat që duhet të ishin në buxhetin e shtetit për të ndërtuar rrugë, shkolla, spitale, për të rritur pensionet? Në cilat llogari kanë përfunduar? Si janë konvertuar? Në pasuri të paluajtshme, apo kanë gjetur një tjetër mënyrë për t’i futur në treg dhe për ti pastruar nga gjurmët e naftës së nëntokës shqiptare? 
    Nuk janë pak para! Bëhet fjalë për një kompani që nxori 532 miliardë lekë naftë dhe s’ka paguar asgjë! Tashmë “topi” është tek drejtësia, e cila duhet të shpojë thellë nëntokë për të gjetur paratë./ZËRI

  • Zyrtarisht i pandehur, kreu i KPP, Jonaid Myzyri sërish në SPAK

    Zyrtarisht i pandehur, kreu i KPP, Jonaid Myzyri sërish në SPAK

    Jonaid Myzyri

    TIRANË-Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, i cili u mor i pandehur është paraqitur sërish sot në SPAK, për t’u njohur me akuzat. Myzyri është marrë i pandehur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkelje të barazisë në tender. Ai akuzohet se këtë vepër penale e ka kryer në bashkëpunim.

    Myzyri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në tenderin për spërkatjen e mushkonjave. Ky nuk është tenderi i vetëm ku kreu i Prokurimeve Publike po hetohet. Jonaid Myzyri është vënë në ndjekje penale edhe për një tender tjetër atë të vitit 2020 që lidhet me mirëmbajtjen rutinë të segmentit rrugor “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit” me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. 
     

  • Skandali i tenderit mbi 2 miliardë lekë që hodhi në ‘zjarr’ kreun e KPP-së, Jonaid Myzyri dhe vartësit e tij

    Skandali i tenderit mbi 2 miliardë lekë që hodhi në ‘zjarr’ kreun e KPP-së, Jonaid Myzyri dhe vartësit e tij

    Një tender i vitit 2020 që lidhet me mirëmbajtjen rutinë të segmentit rrugor “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit”, është bërë shkak për marrjen të pandehur të Jonaid Myzyri, kreut aktual i Komisionit të Prokurimit Publik.
    Tenderi në fjalë mësohet se kalon shumën mbi 2 miliard lekë. Ndërsa në listën e personave të pandehur që SPAK pritet t’i komunikojë akuzën gjatë javës së ardhshme janë dhe 3 anëtare të gjykimit të ankesave nga subjektet private në KPP.
    Mësohet se të gjithë personat akuzohen për veprën penale të “Shkeljes së pabarazisë në tendera”, duke pasur në fokus pikërisht abuzimet me tenderin për mirëmbajtjen e rrugës “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit”. Ky nuk është tenderi i vetëm ku kreu i Prokurimeve Publike po hetohet. Pasi Jonaid Myzyri është vënë në ndjekje penale edhe për një tender tjetër, që lidhet me blerjen dhe spërkatjen me pesticide të mushkonjave. Gjatë këtyre muajve, Myzyri është parë shpesh të paraqitet në SPAK, ku pasi ka dhënë shpjegime ka dalë nga dera e Prokurorisë së Posaçme duke mos pohuar asnjë fjalë për gazetarët.

  • Raportimi i “Gijotina”/ PL kërkon hetimin nga SPAK të Anuela Ristanit për tenderin e mobilimit të zyrës

    Raportimi i “Gijotina”/ PL kërkon hetimin nga SPAK të Anuela Ristanit për tenderin e mobilimit të zyrës

    Partia e Lirisë ka lëshuar një deklaratë përmes Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, duke denoncuar një tender të Bashkisë së Tiranës të firmosur nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.
    Detajet e tenderit u raportuan disa ditë më parë nga Gijotina, teksa në dekelratën për mediat, Merja kujtoi se tenderi kap vlerën marramendëse prej 465 mijë eurosh dhe ka për objekt mobilimin e zyrave të bashkisë.
    Merja e ka cilësuar këtë veprim si “krim institucional” dhe shpërdorim flagrant të fondeve publike, duke argumentuar se zyrat ekzistuese janë tashmë funksionale dhe të pajisura me të gjitha nevojat logjistike. Partia e Lirisë shprehet se në vend që të ndalet ajo që e konsiderojnë si “vjedhje e pandalshme” e epokës së mëparshme në bashki, zonja Ristani, e komanduar nga Edi Rama, po vazhdon të shpenzojë fondet e taksapaguesve në mënyrë të papërgjegjshme.
    Deklarata thekson kontrastin mes këtij tenderi luksoz dhe nevojave të qytetarëve të Tiranës, duke përmendur mungesën e ngrohjes dhe mësuesve të kualifikuar në çerdhe e kopshte, si dhe problemet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe infrastrukturës rrugore në periferi. Partia e Lirisë e sheh këtë tender si një shpenzim të pajustifikueshëm për të dekoruar zyrën e kryetares së komanduar pa votë dhe pa përgjegjësi elektorale.
    Nëpërmjet deklaratës, Partia e Lirisë i kërkon Anuela Ristanit të japë llogari publike për këtë tender, duke publikuar arsyetimin teknik, listën e objekteve të porositura me kostot përkatëse, emrin e subjektit fitues dhe lidhjet e tij me pushtetin.
    Njëkohësisht, i është drejtuar një thirrje e fortë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të nisur menjëherë hetimet mbi këtë tender, duke e parë si pjesë të një vargu të gjatë abuzimesh të dyshuara në Bashkinë e Tiranës. Partia e Lirisë e konsideron këtë jo vetëm një shpenzim të pajustifikueshëm, por edhe një fyerje ndaj qytetarëve.
    Në fund të deklaratës, Partia e Lirisë shprehet se Bashkia e Tiranës është kthyer në një “bankë private të korrupsionit” dhe bën thirrje qytetarëve të mos heshtin, duke kërkuar që çdo tender i dyshimtë të ndëshkohet me ligj dhe çdo zyrtar që shpërdoron fondet publike të largohet me turp nga detyra.
    Lexo edhe:
    Anuela heq mobiljet e Veliajt nga zyra, tender 465 MLN lekë për poltron rrotullues, tavolinë ovale, kasafortë sekrete…

  • ‘465 mijë euro për kolltuqe?!’ – PL: Anuela Ristani shpenzon si mbretëreshë pa votë, Tiranës i mungon uji dhe arsimi

    ‘465 mijë euro për kolltuqe?!’ – PL: Anuela Ristani shpenzon si mbretëreshë pa votë, Tiranës i mungon uji dhe arsimi

    Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, ka reaguar ashpër ndaj një tenderi të fundit të Bashkisë së Tiranës, të firmosur nga kryetarja e komanduar Anuela Ristani. Sipas Merjës, tenderi prej 465 mijë eurosh për mobilimin e zyrave të bashkisë është një shpenzim i pajustifikueshëm dhe një akt i rëndë shpërdorimi të fondeve publike.

    Ajo thekson se ky veprim është një fyerje ndaj qytetarëve që paguajnë taksa, ndërsa shërbimet publike mbeten të papërmirësuara. Partia e Lirisë kërkon nga Ristani transparencë të plotë mbi tenderin dhe i bën thirrje SPAK-ut të nisë hetimet për këtë çështje.

    Deklarata e Sekretares për Marrëdhëniet me publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja:

    Të nderuar qytetarë!
    Në një akt që flet qartë për mungesë totale përgjegjësie dhe respekti ndaj qytetarëve të Tiranës, kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, ka firmosur një tender marramendës prej 465 mijë eurosh për mobilimin e zyrave të bashkisë zyra që janë jo vetëm funksionale, por të pajisura tashmë me çdo nevojë logjistike.

    Kjo nuk është më vetëm arrogancë, por krim institucional: në vend që të ndalet vjedhja e pandalshme që karakterizoi epokën Veliaj, e komanduar nga Edi Rama, zonja Ristani vazhdon të shpërdorojë fondet publike si të ishin buxheti i shtëpisë së saj personale.
    Në një kohë kur çerdhet dhe kopshtet kanë mungesë ngrohjeje e mësuesish të kualifikuar, qindra familje në periferi vuajnë për ujë të pijshëm dhe rrugë të asfaltuara, qytetarët paguajnë taksa të larta por marrin shërbime minimale, kryetarja e komanduar vendos të shpenzojë gjysmë milioni euro për kolltuqe, tavolina, kasaforta dhe orendi të luksit të lartë.

    Dhe për çfarë? Për të dekoruar zyrën e vet, si “mbretëreshë kalimtare”, pa votë dhe pa përgjegjësi!
    Kjo është vjedhje klasike me tender, ku fondet e qytetarëve kanalizohen në kompani të afërta me pushtetin, për qëllime personale apo për të mbushur arkën e korrupsionit politik.
    Ne i kërkojmë Anuela Ristanit të japë menjëherë llogari publike për këtë tender dhe të publikojë, arsyetimin teknik për nevojën e mobilimit të ri, listën e objekteve të porositura dhe kostot përkatëse, emrin e subjektit fitues dhe lidhjet e tij me pushtetin.

    Gjithashtu, i bëjmë thirrje SPAK, të nisë hetimet pa vonesë mbi këtë tender dhe të shohë këtë rast si pjesë të një zinxhiri të gjatë abuzimesh në Bashkinë e Tiranës.
    Ky nuk është vetëm një shpenzim i pajustifikueshëm është një fyerje ndaj çdo qytetari që paguan taksa me shpresën se ato do përkthehen në shërbime, jo në poltrona të rehatshme për zyrtarë që nuk kanë dalë asnjëherë para votës së popullit. Bashkia e Tiranës është kthyer në një bankë private të korrupsionit. Dhe qytetarët nuk duhet të heshtin.
    Është koha që çdo tender i tillë të ndëshkohet me ligj dhe çdo zyrtar që shpërdoron fondet publike të largohet nga zyra me turp.

     

  • Bashkëpunimi me Ramën/ Kompania e vëllait të Agron Kapllanaj, 12.5 mln euro tendera nga rindërtimi

    Bashkëpunimi me Ramën/ Kompania e vëllait të Agron Kapllanaj, 12.5 mln euro tendera nga rindërtimi

    Bashkëpunimi me Ramën/ Kompania e vëllait të Agron Kapllanaj, 12.5 mln euro tendera nga rindërtimi

    Sot do të ndalemi sërish tek skemat korruptive, të ngjashme me ato “5D” apo “5B”, të cilat duket se nuk janë vetëm ekskluzivitet i Rilindjes, por janë ndërtuar edhe në emër të opozitarizmit.

    Do të ndiqni në fillim një hyrje, për njohjen e protagonistit të radhës, për të kaluar më pas, tek skemat që vetëm nga ky investigim janë zbuluar plot 70 milionë euro, të marra nga xhepat e qytetarëve dhe kanë përfunduar në xhepat e atyrë që vitet e fundit u janë shfaqur qytetarëve si opozitarë.

    Disa të rinjë në Fieri përleshen me agjentët e BKH-së dhe Policinë e Shtetit, teksa këta të fundit ishin duke zhvilluar një hetim për llogari të SPAK.

    Guximi për të të ndjekur e për të dhunuar oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ngritën pikpyetje të mëdha mbi identitetin e këtyre personave, që shumë shpejt u mësua se ishin njerëz të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj.

    Lajmi nisi të merrte një tjetër rrjedhë në media, kur këtë herë vëmendja u fokusua tek justifikimi i ngjarjes, dhe të afërmit dhe nipërit e Kapllanajt nga dhunues, nisën të shfaqen si viktima, dhe se agjentët e BKH-së nuk kishin vepruar konform ligjit, por që provat rrëzojnë një pretendim të till.

    Po kush është Agron Kapllanaj, dhe nga i buron e gjithë kjo forcë atij dhe njerëzve pranë tij, sa arrijnë deri në dhunimin e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë SPAK?

    Agron Kapllanaj, e ka nisur karrierën e tij si kryetar i Komunës Qendër Mallakastër, dhe në vitin 2015 u zgjodh nën siglën e Partisë Demokratike si kryetar i Bashkisë së Mallakastrës. Në vitin 2021 ai kandidoi për deputet por pa arritur të siguronte një mandate, dhe më pas u bë një nga aktorët e angazhuar publikisht për pengmarrjen e logos dhe flamurit të Partisë Demokratike në krahë të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt. Kapllanaj u emërua nga Basha si kryetar i degës së PD-së në Mallakastës, e më pas ai u angazhua për thellimin e përplasjeve në PD-në e Fierit, duke u kyçur derën demokratëve të këtij qarku.

    Emërimi i Agron Kapllanajt nga Lulzim basha dhe Enkelejd Alibeaj si gardiani i tyre në Fier, duke se nuk ishte aq i rastësishëm. Siç e tregoi edhe ngjarja e fundit kundër oficerëve të BKH-së dhe SPAK, Kapllanaj do të mundej edhe me forcën fizike tu kundërvihej demokratëve. Kjo aftësi, veç bizesit duket se e ka gjenzen që më herët, nga e shkuara e errët e këtij personazhi.

    Rehabilitimi i tij në politikë është një mister që shoqërohet me plot dritëhije. Ai është një emër i njohur për drejtësinë italiane. Përtej ‘Adriatikut’ ai ka një skedë mjaft të pasur në veprimtari kriminale, ndërsa ka qenë i dënuar edhe me burg. Një gjë të tillë e ka deklaruar vetë ish-kryetari i Bashkisë Mallakastër (2015-2019) në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ. Siç edhe mund ta shihni nga dokumenti që është publikuar nga SYRI TV, Kapllanaj rezulton i dënuar në Itali në vitin 2003 me 2 vite burg për vjedhje. Dënimi i tij është dhënë nga Gjykata e Firences. Por dënimi në Itali është vetëm maja e ajsbergut e asaj që kompromenton figurën e tij në politikë.

    Agron Kapllanaj ka të dhëna se bashkëpunon me Edi Ramën dhe me disa nga kryetarët socialistë të bashkive. Ai dhe vëllai i tij Shkëlqim Kapllanaj, përmes kompanisë së ndërtimit që ndodhet e regjistruar në emër të këtij të fundit kanë përfituar vetëm në 8 vite miliona euro tendera.

    Kompania e vëllait të Agron Kapllanaj, 12.5 milionë euro tendera nga rindërtimiGjithçka lidhet me paratë. Ndërsa Agron Kapllanaj u zgjodh kryebashkiak nën siglën e Partisë Demokratike, e kërkoi të bëhej deputetë nën këtë sigël, duket se milionat e përfituara nga kundërshtarët ishin edhe më të rëndësishme se sa mandate në tentativë. Kompania në emër të të vëllait apo njerëzve të tjerë të lidhur me të, rezultojnë nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike, apo atyre që rëndom janë quajtur tendera korruptiv e me shkelje. Vetëm nga procesi i rindërtimit, kompania “Shkëlqimi 07” ka përfituar 12. 5 milionë euro, ku numërohen 8 tendera të dhëna nga bashkitë e drejtuara nga socialistët.

    Tërmeti i vitit 2019 do të shërbente gjithashtu edhe për të afruar gjithnjë e më shumë familjen Kapllanaj me fondet e menaxhuara nga socialistët. Teksa ende nuk ishin pastruar qytetet nga mbetjet inerte të palleteve dhe banesave të shembura nga tërmeti, qeveria vendosi t`i japë “Shkëlqimi 07”, në emër të vëllait të Agron Kapllanajt, një ndër tenderat e parë të rindërtimit. Bëhet fjalë për tenderin me objekt: Rikonstruksioni i objektit me 1-3 kate mbi tokë, të shkollës 9 – vjeçare, “Jashar Hoxha Paskuqan Bashkia Kamez. Ky tender u mbajt me urgjencë. Qeveria, si autoritet kontraktor, hapi procedurën në datën 17 mars të vitit 2020, pra vetëm katër muaj pas tërmetit tragjik, dhe e mbylli procedurën dhjetë ditë më pas, në datën 27 mars 2020.

    Nga të dhënat e bëra publike nga Opendata Albania, rezulton se tenderi u fitua nga “Shkëlqimi 07” dhe kompania tjetër e afërt me familjen Kapllanaj, “Grand Konstruksion” në bashkëpunim me dy kompani të tjera, MODESTE dhe FLED. Vlera e këtij tenderi ishte 74,013,931 apo rreth 740 mijë euro. Por ky tender është edhe një moment për të ngritur dyshime për përfshirjen në abuzim nga institucionet shtetërore. Në të njëjtën kohë, që përfitoi 740 mijë euro për ndërtimin e shkollës në Kamëz, “Shkëlqimi 07”, po nga programi i rindërtimit përfiton edhe një kontratë nga Bashkia e Vorës.

    Bëhet fjalë për tenderin me objekt: Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Ahmetaq, Vorë” dhe “Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Ramazan Subashi” Marikaj, Bashkia Vorë”. Ky tender, së bashku me atë të Kamzës, u hapën në të njëjtën ditë, pra në 17 mars 2020, dhe afati i dorëzimit të ofertave ishte e njëjta datë pra 27 mars 2020. Ndërsa kontrata mes qeverisë dhe “shkëlqimi 07” u lidh në datën 9 qershor 2020. Në këtë tender, vlera e fituar nga kompania e Kapllanajt ishte 1.4 milionë euro për rindërtimin e dy shkollave.

    Tashmë i mbetet SPAK të hetojë nëse Agjencia e Prokurimit Publik ka shkelur ligjin, duke lejuar që e njëjta kompani, të futet në dy gara të ndryshme, të shpallura në të njëjtën ditë, dhe të fitojë në të dyja garat. Mbetet për t`u provuar nëse ‘Shkëlqimi 07’ plotësoi kriteret dhe kushtet teknike nga punonjësit, te makineritë dhe kapacitetet logjistike, që në të njëjtën ditë, të fitonte dy tendera të ndryshëm për ndërtimin e tre shkollave njëkohësisht, me afat kryerjen e punimeve 6 muaj për të treja shkollat…

    Kjo ishte vetëm nisja. Një tjetër tender me urgjencë, që fitoi “Shkëlqimi 07” nga programet e rindërtimit, ishte edhe ai me objekt: Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji” Bashkia Tiranë. “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 20 në zonën zhvillimore “5 Maji”. Tenderi u shpall në datën 27 gusht të vitit 2020, pra në të njëjtën kohë “Shkëqlimi “07 po ndërtonte dhe shkollën në Kamëz, ndërsa mblloja e tenderit u bë në datën 8 shtator 2020, apo dhjetë ditë nga data e shpalljes. Ndërsa policia nxirrte me dhunë banorët e 5 Majit nga shtëpitë e tyre, makineritë e vëllait të Agron Kapllanajt kishin zbarkuar aty për të zbatuar këtë projekt.

    Në datën 26 nëntor të vitit 2020, pra në ditën kur u mbush një vit nga fakteqësia natyrore, qeveria lidhi kontratën me “shkëqlimin 07” duke i dhënë tenderin për projektin dhe ndërtimin e godinës 20 në lagjen 5 maji. Ky tender, ishte dhe më i madhi që kompania e vëllait të Agron Kapllanajt mori nga qeveria në atë kohë, me vlerë plotë 3.8 milionë euro. Tenderi iu dha kompanisë Shkëlqimi 07 nga Erion Veliaj, teksa kryebashiaku i Tiranës tashmë i arrestuar, pregatiste drejtorët “5D”, për të shembur banesat e dhjetëra familjeve në zonën e 6 majit, me qëllim që të hapeshin sheshe ndërtimi.

    Në 14 maj 2021, vetëm pak javë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e përgjishme, ku Agron Kapllnaj kandidonte me duke humbur mandatin në qarkun e Fierit për Partinë Demokratike, qeveria i vjen si ngushëllim familjes Kapllanaj. Për këtë, bashkia socialiste e Kavajës drejtuar nga Redian Krali, i jep “Shkëlqimi 07” tenderin për Rikonstruksioni i mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta ne ndërtesa. Vlera e këtij tenderi ishte 3.4 milionë euro me TVSH.

    Teksa kompania e vëllait të Agron Kapllanajt, kishte fituar disa tendera brenda disa muajve nga programi i Rindërtimit, dhe supzohet se duhet të kryente punimet për realizimin e tyre, REdian Krali firmosi në 12 prill 2022 një tender me vlerë rreth 770 mijë eurosh, me objekt rindërtimi i stacionit zjarrfikës në Kavajë. Edhe ky tender dyshohet se është abuziv, për shkak se është shënuar me flamur të kuq pasi iu dha kompanisë së Vëllait të Agron Kapllanajt dhe dy kompanive të tjera, pa konkurrencë.

    Por skandali nuk është vetëm kaq. Një muaj pas tenderit për godinën e zjarrfikëses, në Kavajë Redian KRali firmosi për vëllain e Agron Kapllanajt edhe një tjetër tender të majm. Më 20 maj 2022 shkëlqimi 07 mori tenderin me vlerë 1.4 milionë euro me objekt rikonstruksionin e godinës së bordit të kullimit. Kuptohet që bashkia Kavajë kishte emergjencë për rindërtimin e godinës së bordit të Kullimit, ndërkohë që në Kavajë ende kishte shumë familje të pastreha nga tërmeti. Edhe tenderi për rindërtimin e godinës së bordit të Kullimit, është fituar pa garë nga vëllai i Agron Kapllanajt, i klasifikuar edhe ky me flamur të kuq për mungesë konkurrence.Për dhuratën e fundvitit të vitit 2021 mendoi bashkia e Shijakut, e cila shpalli një tender në dhjetor 2021, me objekt Rindërtim i objektit social kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak (Programi i Rindertimit). Vlera e këtij tenderi me tvsh ishte 1.9 milionë euro, dhe u fitua pikërisht nga kompania “shkëlqimi 07” e vëllait të Agron Kapllanajt. Edhe ky tender s`kishte sit ë ishte ndryshe, pa garë dhe me flamur të kuq për mungesë konkurrence. Madje tender i dhënë pothuajse me 99% të vlerës së fondit limit.

    Sikur të mos mjaftonin 7 tendera nga program Rindërtimit në vitet 2020-2021 dhe 2022, Bashkia e Lushnjes e Eriselda SEfës, në vitin 2024, i jep tenderin e fundit në kuadër të rindërtimit, kompanisë Shkëlqimi 07. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Hysen Xheka” në karbunarë. Vlera e këtij tenderi ishte 530 mijë euro, ndërsa nga gara u skualifikuan 29 kompani pjesëmarrëse, dhe Eriselsa Sefa zgjodhi pikërisht kompaninë e vëllait të “opozitarit” Agron Kapllanaj.

    Ndërsa opozita akuzonte qeverinë për abuzime e vjedhje në procesin e rindërtimit, pjesë e tortës dhe tenderave me flamuj të kuq e pa garë ishin kompanitë e ligjura me Agron Kapllanajn, që vetëm nga procesi I rindërtimit përfituan 8 tendera me vlerë 12.5 milionë euro, vlerë kjo jo pak e vogël për një person që ditën shfaqej si opozitar e natën përfitonte tendera nga Partia që duhet të mundëte në zgjedhje.

    RINDERTIMI

    Qeverisja Vendore Shijak Rindërtim i objektit social kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak (Programi i Rindertimit) 190,601,138 Rishpallje me Lidhje Kontrate SHKELQIMI 07 SHPK 189,000,000.00

    Qeverisja Vendore Kavajë Rindërtimi i godinës së Bordit të Kullimit (Programi i Rindertimit) 145,876,213 Lidhur Kontrata SHKELQIMI 07 SHPK 145,250,480.00

    Qeverisja Vendore Kavajë Rikonstruksioni i mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta ne ndërtesa (Programi i Rindërtimit) 346,224,318 Lidhur Kontrata SHKELQIMI 07 SHPK 342,476,805.00

    Local Unit Kavajë Rindërtimi i stacionit të zjarrfikëses (Programi i Rindertimit) 78,087,633 Signed the Contract “Grad Konstruksion M” shpk & “Shkëlqimi 07” shpk & “Modeste”shpk & “Fled” shpk 77,663,3

    Rindërtimi i shkollës 9-vjecare Ahmetaq” Ahmetaq, Vorë” dhe “Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Ramazan Subashi” Marikaj, Bashkia Vorë” (Programi i Rindertimit) SALILLARI SHPK – SHKELQIMI 07 SHPK – Oferta fituese Leke pa TVSH 145,636,977

    Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar, në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji” Bashkia Tiranë. (Programi i Rindërtimit). “Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 20 në zonën zhvillimore “5 Maji” “Shkelqimi 07″ shpk – “Gran Konstruksion M” shpk – “Fled” shpk 386100000

    Minikonkursi Nr. 4 (Kontrate ne baze te Marreveshjes Kuader me REF-54446-03-16-2020) – Rikonstruksioni i objektit me 1-3 kate mbi tokë, të shkollës 9 – vjeçare, “Jashar Hoxha Paskuqan Bashkia Kamez (Programi i Rindertimit) MODESTE sh.p.k – SHKELQIMI 07 sh.p.k – GRAND KONSTRUKSION M sh.p.k – FLED sh.p.k – 74,013,931 lekë pa tvsh

    Rindërtim i shkollës ‘Hysen Xheka’ – Karbunarë. • Shkëlqimi 07. 53297198

    / Emisioni PLUG

  • Tenderi 10 mln euro i KLGJ-së shkon për vëllain e Damian Gjiknurit dhe Ermal Beqirin e “Soft”

    Tenderi 10 mln euro i KLGJ-së shkon për vëllain e Damian Gjiknurit dhe Ermal Beqirin e “Soft”

    Një tender me fond mbi 10 milion euro i Këshillit të Lartë Gjyqësor për mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve ka shkuar për kompanitë “Kreatx” dhe “Soft and Solution”, të dyja të lidhura ngushtë me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

    Shoqëria “Soft & Sulution” është në pronësi të Ermal Beqirit, një biznesmen që është shndërruar në lojtarin kryesor të tenderave qeveritarë, kryesisht në procedurat e zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

    Ndërsa kompania tjetër fituese, “Kreatx”, e krijuar në vitin 2011, ka pranuar vetëm pak muaj më parë si ortak biznesmenin Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit dhe aktualisht deputetit të Partisë Socialiste, Panajot Gjiknuri.

    Ekstrakti i QKB-së për “Kreatx” shpk

    Tenderi me objekt “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)” u shpall nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) në 21 shkurt të këtij viti dhe fondi limit për këtë procedurë u caktua 1.025.905.001 lekë të reja (mbi 10 milionë euro).

    Bazuar në të dhënat e konsultuara nga “Boldnews.al”, rezulton se në tender kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë. Bashkimi i kompanive “Soft & Solution” dhe “Kreatx” kanë paraqitur ofertë ekonomike në vlerë 924.375.000 lekë të reja.

    Kjo ofertë nuk është më e ulta. Ofertuesi me vlerë më të ulët, dhe jo pak, por rreth 1 milionë euro më pak (818.800.000 lekë të reja), është bashkimi i operatorëve “Advanced Bussines Solution”, për të cilat janë hedhur shpesh dyshime publike se fsheh interesat e Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit Edi Rama, si edhe kompania “Data Log”.

    Rezultatet e tenderit 10 mln euro të Këshillit të Lartë Gjyqësor

    Në një vështrim të shifrave, logjika ekonomike do të shkonte në favor të ofertuesit më të ulët, pavarësisht ngarkesave publike që mund të ketë për kompaninë “ABS”.

    Por, ky konkurent është skualifikuar dhe shkaqet e përjashtimit janë aq flagrante, sa ngrihet dyshimi se është përfshirë fiktivisht në këtë procedurë.

    Më konkretisht, sipas asaj që ka konstatuar komisioni tenderues i KLGJ-së, rezulton se bashkimi i operatorëve “ABS” dhe “Data Log” kanë bërë gabime trashanike.

    Kështu, dy kompanitë kanë nënshkruar një kontratë bashkëpunimi, referuar një ligji të vitit 2006, ndërkohë që ai ligj ka ndryshuar në vitin 2020.

    Në këtë kuadër, një kontratë që mbështetet në një bazë ligjore të shfuqizuar sjellë si pasojë pavlefshmërinë e saj absolute.

    Po ashtu, ky bashkim operatorësh ka aplikuar për këtë tender, duke iu referuar si autoritet kontraktor Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe jo Këshillit të Lartë Gjyqësor, siç ishte në realitet.

    Në vijim, komisioni tenderues ka gjetur mangësi të shumta nga bashkimi i operatorëve të skualifikuar “ABS-Data Log” edhe në kriteret teknike dhe ekonomike.

    Moria e problemeve në ofertën e kompanive me vlerë më të ulët krijon dyshimin se ato mund të jenë përfshirë në garë “në momentin e fundit” dhe nuk kanë pasur si qëllim fitimin e tenderit, pavarësisht se kanë paraqitur vlerën më të ulët.

    Bold news

  • Tenderët e Policisë — Loja e Madhe ku Emiljano Dushaj Del Përsëri Fitues?

    Tenderët e Policisë — Loja e Madhe ku Emiljano Dushaj Del Përsëri Fitues?

    Kur një tender i Policisë së Shtetit me vlerë 6.6 milionë euro shpallet publikisht, qytetari i thjeshtë mund të mendojë se është fjala për rritje të sigurisë publike apo për modernizim të forcave të rendit. Por për ata që i ndjekin këto “lojëra me letra” prej vitesh, aroma e pazareve të parapërgatitura ndjehet që në rreshtin e parë të dokumentacionit.
    Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka shpallur tenderin për blerjen e pajisjeve dhe armatimit, por mënyra sesi është konceptuar procedura dhe, sidomos, kushtet teknike që kërkohen, lënë shumë pak hapësirë për konkurrencë të vërtetë. Pra, më shumë sesa garë, kemi një shfaqje me skenar të shkruar paraprakisht, ku spektatori është publiku shqiptar, ndërsa fituesit janë tashmë të zgjedhur.
    Kush tjetër, përveç Emiljano Dushajt?Nëse do të bëhej bast për këtë tender, emri i biznesmenit Emiljano Dushaj dhe kompanisë së tij “Military System Supply Company (MSSC)” do të ishte favorit absolut. Jo sepse ka ofertën më të mirë, por sepse kriteret janë “përshtatur” si për masën e kostumit të një rrobaqepësi besnik: kërkohet një xhiro vjetore prej rreth 2 milionë eurosh — një kusht që, çuditërisht, e përmbush vetëm kompania e Dushajt dhe ndoshta një tjetër, për sy e faqe.
    Pra, në emër të ligjit, tenderi zhvillohet, por në thelb është një garë me një kalë. Kompanitë e tjera ndoshta thjesht do të mbajnë radhën për të humbur, sa për të mbuluar formalitetin.
    Nuk është hera e parë që ky emër del si përfitues në tenderë të ngjashëm të shtetit. Në fakt, vitin e kaluar ndodhi e njëjta skemë, me tre kompani që ndanë lotet si të ishin miq në një tavolinë pazari. A ka ndonjë marrëveshje nën dorë mes operatorëve? A janë të gjitha këto skenare për të devijuar vëmendjen nga fakti se fondet publike po kthehen në çifte tenderash për të njëjtët emra të njohur?
    Rreziku i kapjes së shtetit përmes tenderëveKy tender është një ilustrim klasik i asaj që shumë analistë e quajnë “kapje e shtetit përmes tenderëve publikë.” Kur kriteret shkruhen për të nxjerrë jashtë loje konkurrentët dhe për të favorizuar të zakonshmit, kemi të bëjmë me një formë të rafinuar korrupsioni të ligjshëm. Dhe në këtë rast, ndodh pikërisht në zemër të sistemit që supozohet se mbron ligjin — në Policinë e Shtetit.
    Kur fituesit janë të njëjtët, kur procedurat ndjekin gjithmonë të njëjtën rrugë të drejtë për te xhepat e përhershëm, nuk kemi më shtet ligjor — kemi shtet të personalizuar.
    Pse hesht Prokuroria? Pse nuk ka hetime?Është e pakuptueshme se si tendera me vlera milionëshe kalojnë në mënyrë kaq të qetë, pa asnjë hetim, pa asnjë interesim nga SPAK apo institucionet që duhet të ndjekin paranë publike. Sepse këto tenderë nuk janë thjesht kontrata — janë mënyra se si rrjedhin paratë e shqiptarëve tek rrethit i vogël i të përhershmëve.
    Në fund të ditës, qytetari nuk sheh më shumë rend, më shumë siguri, më shumë transparencë. Sheh thjesht që të njëjtët përfitojnë gjithmonë. Dhe kjo, nuk është thjesht padrejtësi — kjo është rrënim i besimit në shtet.