Bota E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 12:36
Irani ka dhënë sinjale të forta se mund të jetë i gatshëm të bëjë kompromis për çështjen bërthamore, duke deklaruar se po shqyrton mundësinë e ndalimit të plotë të pasurimit të uraniumit – një zhvillim që mund të ndryshojë balancën në negociatat me Perëndimin.
Zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, konfirmoi sot se aktualisht pasurimi i uraniumit nuk po kryhet, ndërsa opsioni për ta ndërprerë atë tërësisht po analizohet në nivel institucional.
“Në përputhje me interesat kombëtare, mundësia e ndalimit të plotë të procesit të pasurimit është duke u shqyrtuar. Organizatat përgjegjëse do të vendosin se çfarë është më e mira për vendin,” deklaroi Mohajerani.
Ndërkohë, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Teherani është i gatshëm të rifillojë bisedimet bërthamore me administratën e presidentit të SHBA-së Donald Trump, ndërsa ish-ministri i Jashtëm Kamal Kharrazi sinjalizoi se Irani mund të negociojë edhe uljen e nivelit të pasurimit.
Irani ndodhet në një situatë të rëndë ekonomike të shkaktuar kryesisht nga sanksionet ndërkombëtare të lidhura me programin bërthamor. Riali është në rënie të vazhdueshme, ndërsa inflacioni po përshkallëzohet me ritme rekord.
Sipas analistëve, insistimi i vazhdueshëm për projektet bërthamore mund të çojë vendin në kolaps ekonomik dhe të nxisë trazira sociale, çka po e shtyn Teheranin të rishqyrtojë strategjinë e tij.
Negociatat bërthamore mes Iranit dhe fuqive perëndimore u pezulluan pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor, teksa Irani ndërpreu edhe bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).









