Komedia “Testamenti i ri” në skenën teatrore me regji nga Violeta Trebicka. Vepra që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Bylis” në Fier vijoi për publikun edhe disa mbrëmje me radhë përgjatë korrikut në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?!
Vepra e autorit Sacha Guttry në skenën e Teatrit Kombëtar në mbrëmjet e datave 3, 4 dhe 5 korrik erdhi me interpretimin e një kasti të njohur aktorësh. Në rolet e kësaj komedie janë aktorët Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Violeta Trebicka, Albana Koçaj, Igli Fusha, Sofi Kotepano, Mateo Dervishaj. As.regjisor Enerest Dalipaj, skenografia e kostumografia Desantila Lika, muzika Ronaldo Bulku. Kalendari i shfaqjeve teatrore për muajt maj- qershor në teatrin “Bylis” në Fier solli drama dhe komedi për publikun. Këto muaj në skenën e teatrit “Bylis” pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin dhe premierat teatrore, ku komedia “Testamenti i ri” regjisore Violeta Trebicka erdhi si premierë absolute në skenë.
Teatri “Bylis” në qytetin e Fierit pak ditë më parë bëri me dije se ka përfunduar dhe sezonin e parë teatror këtë vit. Gjatë këtij sezoni teatror sipas teatrit “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie, ndërsa me sezonin e ri që do të nisë në vjeshtë të tjera vepra premierë pritet që të jenë në skenë si produksione të këtij teatri.
Tag: teatrore
-

Komedia “Testamenti i ri” pas skenës së teatrit “Bylis” në skenën e Teatrit Kombëtar
-

Endri Çela: “Zullulandia” kur një popull nuk e pranon mendimin kritik e mbetet në zonën e komfortit të kafes e cigares
Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës dramatizuar dhe përshtatur nga Endri Çela ka për subjekt një ngjarje krejt të veçantë, e dhënë në plan satirik. Vepra teatrore shënoi këto ditë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, por regjisori Endri Çela në intervistën për gazetën “SOT” rrëfen punën për t’a sjellë në skenë dhe çfarë i përcjell ajo publikut. Regjisori tregon se dëshira që fjala kritike e Faik Konicës dhe mendimi i tij euridik të ketë më shumë zë, ka qenë shtysa e tij për të kthyer në vepër teatrore disa pjesë të veprës së tij letrare dhe kryesisht asaj publicistike. Ai shprehet se vjen në skenë një shfaqje që kritikon me humor dembelizmin, fallcitetin dhe i bën thirrje publikut për reflektim. Rolet në vepër vijnë nga kastë e zgjedhur aktorësh, por si regjisor Endri Çela shprehet se është i kënaqur që sëbashku ata kanë krijuar një shfaqje me nota të bukura satirike, me një humor të mprehtë që të fton ta ndjekësh. Ndër të tjera regjisor Endri Çela ndalet dhe te teatro sot, çfarë ndodh me mungesën e kritikës në fushën e artit, etj. Regjisori thotë se si drama si komedia, duhet të lërë gjurmë dhe t’i flasë aktualitetit. Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës vijon këtë fundjavë dhe në datat 24, 25 maj.
-Në skenën tonë teatrore premiera më e re quhet “Zullulandia” e punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës. Vepra erdhi premierë me regji dhe dramatizim nga ju, pse zgjodhët këtë herë të sillni për publikun “Zullulandia”?
Qasja ime me gjithë veprën e Faik Konicës ka qenë e hershme. Dëshira që fjala e tij kritike dhe mendimi i tij euridik të ketë më shumë zë, ka qenë shtysa ime për të kthyer në vepër teatrore disa pjesë të veprës së tij letrare dhe kryesisht asaj publicistike. Dhe, duke qenë se fjala e tij, e thënë një shekull më parë, vazhdon të jetë aktuale – në mos më shumë se kurrë pikërisht në këto muajt e fundit – zgjodha për ta dramatizuar dhe për ta përpunuar me materiale të realitetit të sotëm në mënyrë që të gjeja mënyrën e duhur për ta ngritur në skenë.
-“Zullulandia” e punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Ngjarjet dhe personazhet flasin për Afrikën, por për nga problemet dhe shqetësimet që trajton, ka për paralelizëm Shqipërinë. Çfarë mund të na thoni më shumë për vënien në skenë të kësaj vepre, ajo që përcillet përmes saj?
Vepra flet për një popull të prapambetur që kërkojnë më shumë të drejta nga Evropa dhe i kanë sytë drejt saj. Zullutë nuk e pranojnë të shohin nga vetja, t’i zgjidhin problemet me vetveten, të kuptojnë se ç’duhet bërë, të ndalen e të reflektojnë, por zgjedhin të mbeten në vend, të pinë kafe e cigare e të merren me kotësira. Gjendje kjo, e cila shfrytëzohet nga politika që, për interesa të ulta personale, e çon popullin akoma edhe më mbrapa. E parë në këtë vështrim kam krijuar një shfaqje që sjell një festë të madhe, por që festohet diçka që nuk kuptohet. Një shfaqje me një humor të hidhur dhe elegant, siç i ka hije Faik Konicës, duke demaskuar politikën, rininë neglizhente, fodullëkun e një populli që nuk e pranon mendimin kritik dhe përparimtar dhe mbetet në zonën e komfortit të kafes e cigares. Një shfaqje që kritikon me humor dembelizmin, fallcitetin dhe i bën thirrje publikut për reflektim. Shfaqja flet me një estetikë moderne dhe komunikon në mënyrë direkte me publikun, duke e përfshirë publikun në festën zulluliane. Gjatë shfaqjes shpërndahet tortë e pihet shampanjë; ftohet gjithsecili edhe të flasë e të bisedojë me aktorët mbi problematikat tona aktuale.
-Gjashtë aktorë në role janë në këtë vepër teatrore, si ka qenë ky bashkëpunim, dhe si i keni parë në personazhet që ata luajnë në skenë?
Është kënaqësi të punosh me aktorë që të kuptojnë dhe me të cilët arrin të ndash gjuhën tënde teatrore. Neritan Liçaj dhe Sokol Angjeli kanë skalitur role të bukura në këtë shfaqje. Adriana Tolka dhe Katerina Fili i kanë dhënë akoma më shumë ngjyra shfaqjes dhe Brendi Bega e Anxhelo Dauti e kanë pasuruar me role interesante. Jam i kënaqur që sëbashku kemi krijuar një shfaqje me nota të bukura satirike, me një humor të mprehtë që të fton ta ndjekësh shfaqjen për 1 orë e 10 minuta. Që të argëton dhe, sigurisht, të bën që të reflektosh në fund të saj.
-Kjo shfaqje është një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Sa do të vijojë këtë sezon në skenë dhe a do jeni dhe në skena të tjera jashtë Tirane?
Do të jemi për publikun këtë fundjavë dhe fundjavën tjetër. Më pas ende nuk e dimë saktësisht kalendarin artistik për shkak të sezonit veror i cili, kuptueshëm, e bën teatrin më pasiv. Por shfaqja do të ketë rrugëtim të gjatë. Do të rikthehemi edhe sezonin e vjeshtës. E rëndësishme është që deri tani është pritur mirë dhe kjo na gëzon.
-Ju jeni regjisor i teatrit, dhe këtë vit në maj shënohet dhe 80-vjetori i Teatrit Kombëtar. Çfarë ka përfaqësuar ky teatër në jetën artistike?
Në këndvështrimin tim teatri është mënjanuar nga jeta artistike këto vitet e fundit. Uroj shumë që të kthehen sytë dhe të drejtohet drejt rrugës së duhur; drejt kthimit të tij në një tempull të mendimit elitar dhe të një estetike bashkëkohore.
-Kemi shfaqje, premiera te ndryshme ne skena, por sipas artistëve ndihet mungesa e kritikës profesionale në art. Për ju si ndikon kjo, çfarë sjell mungesa e saj?
Është e vërtetë që nuk kemi kritikë. Siç nuk kemi kontrolle në ushqimet që hamë, siç nuk po dimë ç’mjek po na kurojnë, apo ç’mësues po edukojnë brezat e ardhshëm, nuk kemi as kritikë që të thonë në ç’drejtim po e argëtojmë dhe edukojmë shoqërinë. Pra, hasim realisht me një problematikë madhore. Ka artistë që luajnë dhe vendosin shfaqje vetëm për lekë, ose për të qenë të dashur me publikun duke i dhënë publikut vetëm argëtim momental. Unë zgjedh të mos e gënjej publikun me një “u çu kënaqëm nga kjo shfaqje, qeshëm, tani hajde të ikim në shtëpi e të shohim Big Brotherin”. Unë dua që publiku të dali nga shfaqja i trazuar. Që shfaqja t’i ketë lënë gjurmë. Që të reflektojë. Si drama si komedia, duhet të lërë gjurmë dhe t’i flasë aktualitetit. Artisti duhet të punojë për ta përmirësuar shijen estetike dhe mendimin përparimtar.
-Si regjisor këtë vepër teatrore për të rritur tani premierë në skenën e teatrit e sollët pas asaj me titull “Lule Sajza”. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi këtë shfaqje me regji nga ju, por që vijoi në skena të ndryshme teatrore, si edhe në festivale?
“Lule Sajza” ka qenë një reflektim mbi gabimet tona të së shkuarës, të cilat duhen të mësohen nga të rinjtë dhe të mos mbeten në harresë për të tjerët, pasi po përsëriten në një formë tjetër edhe në të tashmen tonë. Ka qenë një shfaqje e vlerësuar nga kritika botërore për shkak të pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Showcase, nëntorin e vitit 2024, dhe një vlerësim për punën time që më motivoi për të vazhduar punën me Faik Konicën tani.
Intervistoi: Julia Vrapi
Çfarë ndodh te “Zullulandia”?
Shfaqja “Zullulandia” mbi motivet e Faik Konicës, regjia dhe dramatizimi Endri Çela. “Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar. Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Europa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen.Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Europës mbi Zullulandian. Në role aktorët Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti. Skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreografe Semela Skënderasi, kompozitor Petrit Jakupi. -

“Vizita” e teatrit “Migjeni” ngjitet në skenën e Hungarisë
“Vizita” që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, u shfaq në skenën e Tiranës, por ka vijuar edhe nëpër skenat e tjera teatrore jashtë vendit. Pas skenave në Itali, në Prizren në Kosovë apo dhe në Bosnje, shfaqja teatrore “Vizita” me regji nga Davide Iodice u ngjit edhe në skenën e Budapestit në Hungari.“Vizita” në ishte në skenë në MITEM FESTIVAL, Budapest Hungari. Më herët teatri “Migjeni” bëri me dije se shfaqja do të ishte në skenën e Budapestit mbrëmjen e datës 16 maj në Gobbi Hilda Stage, National Theatre of Budapest, Hungari. “Kjo shfaqje vazhdon në të dytin vit të jetës së saj të shkruaj një faqe të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar”, thuhet nga teatri. Vepra me regji nga Davide Iodice shënoi premierën botërore në tetor 2023 në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.“Vizita” me tekst nga Fabio Pisano është e mbështetur në kryeveprën e H.G. Wells “Vizita e mrekullueshme. Në festivalin mbarëkombëtar të teatrit “Mosiu” “Vizita” mori çmimet: Shfaqja më e mirë; Muzika më e mirë origjinale; Skenografia më e mirë. Në vijim kjo shfaqje u vlerësua dhe me një tjetër çmim. Në Festivalin e Teatrit MESS, Sarajevë u vlerësua me çmimin e kritikës dhe medias “Oslobodenje ”. Kjo shfaqje teatrore e vlerësuar me disa çmime deri tani erdhi në skenë më parë nga bashkëpunimi mes teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës dhe Sardegna Teatro, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Shfaqja “Vizita” me regji të italianit Davide Iodice, muzika është nga Lino Cannavacciolo, teksti nga Fabio Pisano është shqipëruar nga Zija Vukaj. Aktorët në këtë shfaqje teatrore janë Nikolin Ferketa, Raimonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksandër Prenga dhe Vladimir Doda. Ndihmës regjisor në vepër është Jozef Shiroka dhe kostruksionet skenografike dhe kostumet Divni Gushta.Nga Julia VrapiMaterialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.“Vizita” që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, u shfaq në skenën e Tiranës, por ka vijuar edhe nëpër skenat e tjera teatrore jashtë vendit. Pas skenave në Itali, në Prizren në Kosovë apo dhe në Bosnje, shfaqja teatrore “Vizita” me regji nga Davide Iodice u ngjit edhe në skenën e Budapestit në Hungari.“Vizita” në ishte në skenë në MITEM FESTIVAL, Budapest Hungari. Më herët teatri “Migjeni” bëri me dije se shfaqja do të ishte në skenën e Budapestit mbrëmjen e datës 16 maj në Gobbi Hilda Stage, National Theatre of Budapest, Hungari. “Kjo shfaqje vazhdon në të dytin vit të jetës së saj të shkruaj një faqe të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar”, thuhet nga teatri. Vepra me regji nga Davide Iodice shënoi premierën botërore në tetor 2023 në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.“Vizita” me tekst nga Fabio Pisano është e mbështetur në kryeveprën e H.G. Wells “Vizita e mrekullueshme. Në festivalin mbarëkombëtar të teatrit “Mosiu” “Vizita” mori çmimet: Shfaqja më e mirë; Muzika më e mirë origjinale; Skenografia më e mirë. Në vijim kjo shfaqje u vlerësua dhe me një tjetër çmim. Në Festivalin e Teatrit MESS, Sarajevë u vlerësua me çmimin e kritikës dhe medias “Oslobodenje ”. Kjo shfaqje teatrore e vlerësuar me disa çmime deri tani erdhi në skenë më parë nga bashkëpunimi mes teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës dhe Sardegna Teatro, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Shfaqja “Vizita” me regji të italianit Davide Iodice, muzika është nga Lino Cannavacciolo, teksti nga Fabio Pisano është shqipëruar nga Zija Vukaj. Aktorët në këtë shfaqje teatrore janë Nikolin Ferketa, Raimonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksandër Prenga dhe Vladimir Doda. Ndihmës regjisor në vepër është Jozef Shiroka dhe kostruksionet skenografike dhe kostumet Divni Gushta.Nga Julia Vrapi
-

“Zullulandia” në teatër, ngjarjet flasin për Afrikën, por për problemet që trajton ka për paralelizëm Shqipërinë
Nga Julia Vrapi
Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Dramatizuar dhe përshtatur nga Endri Çela vepra “Zullulandia” ka për subjekt një ngjarje krejt të veçantë, e dhënë në plan satirik. Ngjarjet dhe personazhet flasin për Afrikën, por duket qartë që, për nga problemet dhe shqetësimet që trajton, ka për paralelizëm Shqipërinë. Pjesa teatrore që do të jetë këtë muaj në skenë flet për zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës dhe të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që, për të fituar lirinë, dërgojnë përfaqësuesin e tyre, ambasadorin Denizullu-Serpen në Paris. Mirëpo, injoranca e këtij i bën kancelarët e Parisit dhe të Londrës që të tallen me të. Kur ky kthehet në atdhe, populli i paditur dhe fodull e pret me nderime.
Mirëpo mes kësaj injorance, ekziston edhe një i ditur, Plugu, cili është i vetmi që e ka kuptuar talljen dhe u tregon realitetin; se të huajt po tallen me popullin zullu. Ai u këshillon që të mos presin më prej të huajve, por të bëhen vetë të zotët e vetes. Mirëpo, këto fjalë jo vetëm që nuk kuptohen nga turma, por shkaktojnë edhe revoltë. Ata e fyejnë, e kërcënojnë dhe janë gati ta ndëshkojnë. Atëherë Plugu kupton se fajin e paska patur vet, se nuk plugohet dot një shkëmb. Prandaj braktis atdheun, duke marrë rrugën e mërgimit. Skenografia nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreografe Semela Skënderasi, kompozitor Petrit Jakupi, video Marjo Cani. Në rolet e shfaqjes interpretojnë aktorët Sokola Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 ai vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.
Premiera në skenë
Premiera teatrore, që është prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë është në vijim dhe të shfaqjeve të tjera që kanë ardhur më parë në skenë për publikun. Sipas kalendarit artistik të bërë me dije më parë, premiera teatrore “Zullulandia” do të jetë në skenë në datat 21 22, 23, 24 dhe 25 maj. Ndërsa pas disa ditësh në skenën e këtij teatri do të jetë kjo premierë, programi artistik po vijon me shfaqje teatrore për të rritur, por edhe për fëmijë. Në vijim të kalendarit artistik, mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit me regji dhe dramatizim nga Stefan Çapaliku në skenë erdhi shfaqje teatrore “Vrasje në vjeshtë”. Pas kësaj shfaqje në skenë pritet të vijë një tjetër produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shfaqja “Koncerti”. -

“Vrasje në vjeshtë” bazuar mbi motivet “Njeriu i netëve të vjeshtës” rikthim në skenën teatrore
Shfaqja teatrore “Vrasje në vjeshtë” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shfaqja “Vrasje në vjeshtë” është mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të autorit Gjergj Vlashit. Regjia dhe dramatizimi Stefan Çapaliku. Në shfaqjen që do të jetë në skenë në datat 17, 18, 19 dhe 20 këtë muaj interpretojnë Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj. Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit. Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë.
Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar. Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht. Si regjisor Stefan Çapliku ka sjell dhe të tjera vepra teatrore në skenë më parë, por këtë herë vjen me shfaqjen “Vrasje në vjeshtë”. -

Shfaqja teatrore “12 burra të zemëruar” premierë në Teatrin Kombëtar
Nga Julia Vrapi
“12 burra të zemëruar” shfaqje premierë në Teatrin Kombëtar. Në qendër të shfaqjes teatrore me regji nga Albert Minga qëndron një akuzë, 12 perspektiva të ndryshme dhe një vendim i vështirë. Veprën e autorit Reginald Rose që trajton tema universale e sjell në skenë regjisori Albert Minga, që ka zgjedhur të ruajë strukturën origjinale të saj, por duke i dhënë një frymë të re. Në rolet e veprës një kast aktorësh të njohur për publikun. Premiera teatrore vjen në skenë pas një pune që ka vijuar regjisori Albert Minga me aktorët, i cili shprehet se tashmë publiku ka mundësin të takojë “12 burrat e zemëruar”.
“Më në fund çasti i mirëpritur erdhi! Rrugëtimi i gjatë nis dhe merr udhë sot! Miq dhe dashamirës të shumtë, ju të dashuruar pas teatrit, tashmë keni mundësinë “të takoheni” me “12 burrat e zemëruar”, keni mundësinë të mësoni gjithçka për ta…Ejani në teatër!..Ne po ju presim!”, shprehej një ditë më parë regjisori i mirënjohur Albert Minga në rrjete sociale. Si regjisor Albert Minga ka sjellë dhe të tjera vepra teatrore që janë mirëpritur dhe vlerësuar nga publiku dhe kritika e teatrit, por këtë herë ai sjell në skenë veprën e autorit Reginald Rose. Në rolet e veprës janë Alfred Trebicka, Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Lulzim Zeqja, Ligoraq Riza, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Igli Zarka dhe Doriana Çaushi.
Vepra “12 burra të zemëruar” në skenë
Duke u përqendruar te një djalë 16-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, drama e sallës së gjyqit “gërmon” në përvojat personale, diskriminimin dhe emocionet që pengojnë sistemin e drejtësisë dhe mënyra si arsyeja, logjika dhe dhembshuria mund të ndikojnë në proces. Viktor Zhusti me rol në këtë premierë që e sjell në skenë regjisori Albert Minga, ndërsa flet për atë që përcjell shfaqja thotë se problemi është shumë më i rëndë. “Këtu nuk luftohet për të gjetur nëse është ose jo fajtori një fëmijë. Nuk është ky problemi kryesor. Të gjejmë një kriminel. Po të ishte kushti do ishte thjesht një dramë policore e thjeshtë, pa interes. Problemi është shumë më i rëndë dhe shumë më i nënvizuar, t’i thërrasim arsyes njerëzore”, shprehet aktori Viktor Zhusti. Ndërsa aktori Alfred Trebicka thotë se vepra ka shumë mesazhe.
“Karakteri që unë kam i thotë treshit, atij rebelit të pandreqshëm që duam argument. Në këtë sens vepra ka shumë mesazhe sa i përket qasjes që ne duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit”, thotë aktori Trebicka. Produksioni më i ri i Teatrit Kombëtar që ka një kast aktorësh të njohur në role, rikthen pas vitesh mungesë në teatër edhe aktorin Niko Kanxheri. Pjesë e kësaj premiere, aktori Niko Kanxheri tregon punën që ka bërë me rolin e tij. “Kur m’u ofrua ky rol isha i trembur si një fëmijë, sepse u bënë vite që nuk luaj në skenë, frikë nëse do të jem në gjendje apo jo. Ky rol ishte roli i një njeriu pa këmbë, por që koka i funksionon mirë, dhe thashë okej ky rol duhet mbrojtur”, tregon aktori Niko Kanxheri. Vepra teatrore “12 burra të zemëruar” do të vijojë dhe net të tjera për publikun në Teatrin Kombëtar. Skenografia Genc Shkodra, kostumografia Laedia Hajdari, kompozitor Endri Sina, përkthyes i veprës Artur Lena, dizajn grafik Klea Mani.
-

Mimoza Marjanaku: Të jesh në skenë është një punë e madhe, por vështirësia dhe kënaqësia ecin paralelisht në çdo herë
Në drama dhe komedi aktorja Mimoza Marjanaku ka sjellë personazhe të ndryshme. Nga një shfaqje tek tjetra me role që janë mirëpritur nga publiku në sallë, ku së fundmi erdhi në skenë në shfaqjen teatrore “15 ditë prilli”. Shfaqja teatrore “15 ditë prilli” është një dramatizim i romanit me të njëjtin titull nga Anisa Markarian me regji nga Driada Dervishi. Në skenën teatrore aktorja e mirënjohur Mimoza Marjanaku ishte me disa personazhe, që siç tregon dhe vetë erdhën natyrshëm dhe pa sforco edhe pse pas kuintave ishte nxitimi për të kapur kohën. Në intervistën për gazetën “SOT” aktorja Mimoza Marjanaku tregon për emocionet që i dhuroi kjo vepër që shënoi premierën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qyteti të Durrësit, për të vijuar më pas edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë.
12 aktorë, që sollën në skenë shfaqjen ku ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së ish-udhëheqësit, i cili zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe. Personazhe të ndryshme të të gjitha sferave, të të gjithë shtresave të shoqërisë, se si i përjetojnë këto 15 ditë. Aktorja Mimoza Marjanaku tregon se vepra që u soll premierë, duke qenë shqiptare dhe me historinë e dhimbshme që ka kaluar kombi ynë, pati shumë impakt te publiku. Mimoza Marjanaku prej vitesh në skena, por pas çdo roli tregohet edhe dashuria e saj për teatrin. Me role të ndryshme nga një vepër në tjetrën, por për aktoren Mimoza Marjanaku të jesh në skenë në çdo herë është kënaqësi, është emocion që mbart një punë të madhe, të lodhshme, orë të gjata, për të bërë më të mirën para publikut.
Por ndërsa për aktoren teatri është një dashuri të madhe, ajo ka treguar më parë se gjithashtu edhe poezia i fal shumë asaj. Marjanaku ka treguar se kur reciton i duket sikur i flet vetes dhe i thotë sekretet e saj, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Sipas saj poezia e interpretuar shkon më lehtë te publiku dhe kjo mbase është e veçanta.
-Shfaqja teatrore “15 ditë prilli” erdhi në skenën tonë teatrore. Shfaqja është një dramatizim i romanit me të njëjtin titull nga Anisa Markarian, ku në role jeni edhe ju në skenë. Nga një vepër në një tjetër, projekte me të rinjtë dhe ka qenë një sezon artistik i mbarë me angazhime në teatër. Por ku keni hasur dhe vështirësi apo jeni ndjerë më mirë?
Të jesh në skenë në çdo herë është kënaqësi, është emocion që mbart një punë të madhe, të lodhshme, orë të gjata, për të bërë më të mirën para publikut. Vështirësia dhe kënaqësia ecin paralelisht në çdo herë.
-Pas një pune bashkë me regjisoren Driada Dervishi premiera teatrore u ngjit në skenë. Ngjarjet tregojnë 15 ditët e festimit të ditëlindjes së ish-udhëheqësit, i cili zhvillohet gjatë një periudhe dyjavore, duke përshkruar ngjarje të ndryshme që ndodhin brenda kësaj periudhe. Personazhe të ndryshme të të gjitha sferave, të të gjithë shtresave të shoqërisë, se si i përjetojnë këto 15 ditë. Vepra ka ngjallur interesin e publikut, por vetë ju si aktore, çfarë mund të thoni më shumë mbi atë që përcolli tek spektatorët, jo vetëm në skenën e teatrit të Durrësit, por në vijim dhe në skenën teatrore të Tiranës?
Vepra duke qenë thellësisht shqiptare, duke qenë historia më e dhimbshme që kemi kaluar si komb, pati shumë impakt te publiku. Dhe jo vetëm te ajo kategori që e kanë jetuar, por edhe të rinjtë që e kishin të dëgjuar qoftë edhe përciptazi. Ky në fund të fundit është dhe misioni që ka arti.
-Të luash disa role duhet të jetë emocionuese dhe e vështirë. Si është të kalosh nga personazh në personazh në një shfaqje teatrore?
Në fillim, kur regjisorja Driada Dervishi na tha se do luanim disa personazhe, unë e prita me pak skepticizëm, sepse kisha frikë se nuk mund ti bëje siç duhej disa personazhe, mund të ishte njëri shumë mirë e te tjetri të çedoje. Çdo sipërmarrje ka vështirësi. Për mua, më e vështirë ka qenë koha fizike për t’u shndërruar nga një personazh në tjetrin, por ja dolëm dhe arritëm të kishim një spektakël të pëlqyer nga publiku.
-Për ju cili nga personazhet ka qenë më i vështirë?
Ndoshta duket mendjemadhësi, por nuk kam pasur vështirësi në asnjë personazh. Erdhën natyrshëm dhe pa sforco edhe pse pas kuintave sforcoheshim për të kapur kohën.
-Ku afrohen dhe largohen personazhet mes tyre?
Janë të gjithë personazhet “modeli i njeriut të ri të komunizmit” – këtu jo vetëm afrohen por i bën të njëjtë, personazhe skematike. Në jetë, njerëzit kanë karaktere të ndryshëm. Edhe pse në diktaturë, njerëzit se brendshmi kishin bindje dhe besim ose mosbindje dhe mosbisedim ndaj sistemit. Kishte njerëz që kundërshtuan dhe u masakruan nga sistemi. Këtu largohen personazhet nga njëri -tjetri.
-Monodrama “Gruaja në sirtarë” me interpretimin tuaj në skenë, kur pritet të jetë në teatër?
Jam në proces provash dhe momentalisht nuk e kam një datë të përcaktuar. Është shkruar nga Anisa Markarian dhe regji të Suela Bakos.
-Më herët për këtë monodramë keni shprehur se është një sfidë në karrierën tuaj…
Unë e shoh si një sfidë në gjithë udhëtimin tim në teatër. Të jesh vetëm në skenë dhe ti imponohesh publikut të dëgjojë vetëm ty, nuk është e lehtë.
-Prej vitesh në skenën teatrore me aktivitetin tuaj, por sa vijnë sot të rinjtë në teatër?
Kjo është një pyetje që më jep kënaqësi në përgjigje. Të rinjtë i janë afruar teatrit, kanë filluar ta ndjekin, ta shijojnë, të diskutojnë dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e mirë.
-Qendra Kulturore e Durrësit dihet ka një projekt restaurimi që po zbatohet pjesë- pjesë. Nëse ndalemi te teatri, çfarë ka vijuar në ndërhyrje?
Momentalisht nuk është ndërhyrë në skenë dhe në sallë. Po punohet në gjithë ambientet e tjera dhe kjo na e dha mundësinë për t’a dhënë shfaqjen në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Për fatin tonë, ne kemi Amfiteatrin, të cilin e kemi shfrytëzuar gjatë sezonit të verës dhe do vazhdojmë ta bëjmë dhe këtë verë me një shfaqje tjetër që pritet të fillojë. Do doja ta mbyllja me këtë fjali: trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” është një trupë e mrekullueshme, e denjë për të merituar emrin që mban në shpinë.
Intervistoi: Julia Vrapi
Vepra “15 ditë prilli”
Vepra teatrore “15 ditë prilli” bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Anisa Markarian shënoi disa javë më parë premierën në skenën teatrore. Vepra mbrëmjen e datës 1 mars erdhi si premierë absolute në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit me regji nga Driada Dervishi për të vijuar dhe net të tjera. Teksti i shfaqjes, një gërshetim i situatave sa dramatike, aq groteske e me nota humori. Kjo shfaqje teatrore ishte dhe premiera e parë për këtë vit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Drama është konceptuar pa role kryesore dhe në të interpretojnë aktorë të njohur të skenës shqiptare, si dhe të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Yllka Mujo, Hervin Çuli, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Adelina Muça, Sanie Hoti, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Jaho Guma janë në rolet e shfaqjes, që disa javë më parë erdhi premierë në skenën teatrore. Si roman “15 ditë prilli” i shkrimtares Anisa Markarian rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.
-

Oltsen Gripshi: Përmes shfaqjeve teatrore trajtohen edhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut
Nga Julia Vrapi
Në skenat tona vihen shfaqje të ndryshme teatrore, vepra të autorëve shqiptarë dhe të atyre të huaj, ku përmes tyre trajtohen tema të ndryshme e përcillen edhe mesazhe për shoqërinë. Një ditë e veçantë kushtuar artit skenik është dhe Dita Ndërkombëtare e Teatrit, që shënohet çdo vit më 27 mars. Në këtë ditë nga artistë të ndryshëm dhe më gjerë jo vetëm u soll në vëmendje rëndësia e teatrit në vendin tonë, por dhe zhvillimet apo problemet me të cilat përballet aktiviteti i tij artistik. Ph.D. Oltsen Gripshi historian arti, i cili herë pas here ka reaguar për zhvillimet e artit sjell në vëmendje se teatri ka një rëndësi të madhe në kulturën dhe historinë e vendit tonë.
Gripshi ndalet dhe te rëndësia e teatrit në shoqëri dhe ndikimi i tij, ku sipas tij përmes shfaqjeve teatrore trajtohen tema të rëndësishme, si liria, demokracia dhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut. Ph.D. Oltsen Gripshi thotë se përmes teatrit janë përcjell mesazhe, që kanë frymëzuar njerëzit në tërë botën. “Teatri mbetet një nga format më të vjetra dhe më të fuqishme të shprehjes artistike, duke sjellë histori, emocione dhe mesazhe që frymëzojnë njerëzit në mbarë botën, pasi ai shëmbëllen fenomenologjinë e jetës reale në skenë, ku çdokush shikon veten si pjesë përbërëse e asaj të vërtete që na rrethon çdo ditë”, shprehet ai.
Fillimet teatrore në vendin tonë janë të hershme, ku herë pas here studiues të ndryshëm kanë sjellë në vëmendje dhe shfaqjet e para, veprat që janë vënë në skenë. Për Ph. D. Oltsen Gripshin historian arti, teatri ka pasur shumë rëndësi edhe në zhvillimet kulturore të vendit tonë. “Teatri ka një rëndësi të madhe në kulturën dhe historinë e Shqipërisë, duke qenë një nga format më të fuqishme të shprehjes artistike dhe një mjet për edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë. Që nga kohët e lashta, kur ilirët zhvillonin forma të hershme të teatrit, e deri në ditët e sotme, ai ka luajtur një rol kyç në zhvillimin kulturor të vendit”, thotë ai.
Roli dhe rëndësia e teatrit në Shqipëri
Oltsen Gripshi historian arti shprehet për rolin dhe rëndësinë e teatrit në vendin tonë se ai jo vetëm ka shërbyer për të përcjellë historinë dhe vlerat, por përmes shfaqjeve janë trajtuar një sërë temash të rëndësishme. Ai thotë se vendi ynë ka pasur një histori të pasur teatrore me aktorë dhe regjisorë, që me aktivitetin e tyre kanë arritur që të lënë gjurmë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare “1. Ruajtja e identitetit kombëtar- Teatri ka shërbyer si një mënyrë për të përcjellë historinë, traditat dhe vlerat kombëtare, sidomos gjatë periudhave të vështira historike. 2. Ndikimi në shoqëri – Përmes shfaqjeve teatrale trajtohen tema të rëndësishme si liria, demokracia dhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut. 3. Zhvillimi i artit dhe kulturës – Shqipëria ka pasur një histori të pasur teatrore me aktorë dhe regjisorë të njohur, të cilët kanë lënë gjurmë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, ke fundit ishte shfaqja “15 ditë prilli” të autores Anissa Markarian, vendosur për herë të parë premierë në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, nga regjisorja e talentuar Driada Dervishi”, thotë Ph. D. Gripshi historian arti.
Ndër të tjera ai ndalet dhe te edukimi i brezave të rinj, duke pohuar se teatri shërben si një shkollë për artistët e rinj dhe si një mjet edukues për publikun, duke sjellë vepra që nxisin mendimin kritik dhe krijueshmërinë. Por dhe sa i takon turizmit dhe ekonomia kulturore , sipas Ph.D. Oltsen Gripshit teatri është gjithashtu një atraksion për vizitorët, veçanërisht në qytetet si Tirana, Prishtina, Durrësi, Shkodra dhe Korça, ku tradita teatrore është e theksuar. Ai thotë se institucione të rëndësishme si Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri “Aleksandër Moisiu” si i pari teatër i hapur në Shqipëri që në vitet e para të shekullit XX, në fillim me shfaqje amatore, por më pas si profesionit dhe Teatri “Migjeni” në Shkodër kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e teatrit në Shqipëri. “Këto institucione kombëtare dhe vendore vijojnë të jenë e të luajnë një rol qendror për jetën kulturore shqiptare”, thotë Gripshi historian arti. 27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.