Nga Julia Vrapi
Shfaqje teatrore nga trupa artistike shqiptare dhe të huaja në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa”. Një festival i stileve dhe formave të reja teatrore sjell edhe këtë vit një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës. Jo vetëm shfaqje teatrore, por edhe aktivitete të ndryshme do të zhvillohen në ditët e festivalit “Skampa 2025” që nisi në qytetin e Elbasanit këtë vit edicionin e 27-të tij. Regjisori i njohur Adonis Filipi, themelues dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar “Skampa” shprehet për synimet e këtij festivali që nisi në Elbasan, e këtë vit sjell 11 shfaqje për publikun.
Sipas tij ky edicion i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa” mban titullin “Extension” (Zgjerim/Shtrirje), si një ftesë për të zgjeruar kufijtë tanë të të menduarit, të ndjenjës dhe të përjetimit të artit. “Vlerësimi për të bukurën në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia se arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimi i këtij festivali: për të na lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mirëpritur ndryshimin. Kohë e teatrit…”, shprehet Adonis Filipi, drejtor i festivalit. Më parë nga organizatorët e festivalit u zhvillua dhe një konferencë për mediat për edicionin e këtij viti, programin artistik të tij, etj.
Nga data 2 – 6 tetor do të ngjiten në skenën e festivalit 11 shfaqje teatrore në qytetin e Elbasanit, por edhe në Tiranë, nga nëntë trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave: trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria. Sa i takon aktiviteteve të tjera në festival do të vijojnë dhe workshop-et, ekspozitat fotografike dhe promovimet e librave. Festivali “Skampa 2025” zhvillohet nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë së Elbasanit dhe bashkëpunimin e Qendrës së Artit Elbasan, Ambasadës Greke në Shqipëri, Institutit të Kulturës turke “Yunus Emre Enstitüsü” – Tiranë, Universitetit të Arteve, teatri “Metropol” -Qendra Kulturore Tirana, etj.
Dita e parë shfaqje nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit
Festivali në ditën e parë të tij në program përmbante shfaqjen për fëmijë “Cikli i jetës” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë, si dhe “Medea-Material” nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe Stambollit. Shfaqja për të rritur “Medea-Material” ndërthur mitologjinë dhe historinë, kujtimet dhe ëndrrat. Heiner Müller, i njohur për bashkëpunimet e tij me artistë të njohur si Brecht dhe Robert Wilson, ka frymëzuar krijues të disiplinave të ndryshme dhe konsiderohet si një figurë udhëheqëse e teatrit avangardë postmodern, si në Gjermani ashtu edhe në mbarë botën. Më herët në materialin për shfaqjen nga festivali bëhej me dije se pjesa e tij e vitit 1982 “Medea-Material” është vënë në skenë në turqisht për herë të parë përmes një bashkëpunimi midis Teatrit Shtetëror të Ankarasë dhe atij të Stambollit. Në vijim programi artistik i festivalit vijon sot me të tjera shfaqje, që do të jenë në ambiente të hapura apo dhe në skenën e teatrit të Elbasanit. Festivali ndërkombëtar “Skampa” çdo vit është dhe një prej ngjarjeve artistike të rëndësishme për teatrin që zhvillohen në këtë qytet, duke sjellë për publikun trupa artistike teatrore të huaja dhe shqiptare me shfaqjet e tyre.
Tag: teatrore
-

“Skampa” edicioni i 27-të, festivali i stileve dhe formave të reja teatrore me performanca nga vende të ndryshme të…
-

Vepra shqiptare dhe të huaja përgjatë tetorit në Teatrin Kombëtar, në skenë dhe premiera “Si ta doni” e Shekspirit
Nga Julia Vrapi
Vepra teatrore shqiptare dhe të huaja përgjatë këtij muaji janë pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar. Programi artistik këtë muaj në teatër nis me shfaqjen teatrore “Ferma e kafshëve”, por në skenën në ditët fundit të tetorit do të jetë dhe premiera e komedisë “Si ta doni”, vepër e Shekspirit. “Ferma e kafshëve” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar te “Ar Turbina” në mbrëmjet e datave 2, 3, 4 dhe 5 tetor. Një përshtatje e veçantë e alegorisë së famshme nga George Orwell, që flet për pushtetin, manipulimin dhe shpresën. “Ferma e kafshëve” vjen në skenë me regji nga Driada Dervishi. Në “Fermën e kafshëve” në role janë aktorët Neritan Liçaj, Hervin Çuli, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, etj.
“Ferma e kafshëve” një produksion i Teatrit Kombëtar shënoi më parë premierën në vitin 2021, por nuk ka vijuar edhe skenat e teatrove të tjerë në vend apo edhe në festivale. Vepra teatrore “Turjela” produksion i Teatrit Kombëtar që erdhi në skenë në maj 2024 rikthehet për publikun. Vepra vjen në skenë me ngjarje që zhvillohen në Shqipëri në kohën e diktaturës. Sigurimi i shtetit ka një detyrë speciale për shkrimtarin Dritan Korami…të raportojë mendimet e gabuara të dikujt në familjen e tij! Nëse nuk e bën ndoshta mund të ketë pasoja për të vetë dhe ai merr një vendim. “Turjela” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo sjell në role aktorët Helidon Fino, Olta Daku, Muzafer Zifla, Neritan Liçaj dhe Indrit Çobani dhe do të jetë në skenë në datat 9, 10, 11 dhe 12 tetor. Në vijim kalendari artistik i TK-së këtë muaj vijon me “Pushtimi” me Gent Hazizin në 15 tetor. Por veç shfaqjeve teatrore programi artistik vijon edhe me “International Dance Festival of Tirana”.
Vepra e Shekspirit në skenë
Premiera teatrore “Si ta doni” vepër e Shekspirit do të shfaqet për publikun në datat 30 dhe 31 tetor. Komedia është në sezonin e ri artistik 2025-2026 të Teatrit Kombëtar dhe do të vijë në skenën teatrore me regji nga John Blondell dhe me një kastë aktorësh të njohur të teatrit. Komedia ka në role aktorë si Genti Deçka, Lulzim Zeqja, Laert Vasili, Luli Bitri, Elia Zaharia, Donald Shehu, Dritan Boriçi, Besmir Bitraku, Flaura Kureta, Erjona Kakeli, etj. Regjisori John Blondell ka sjellë edhe më parë në skenën tonë teatrore vepra të Shekspirit, por këtë herë me regji prej tij vjen premiera teatrore “Si ta doni”.
Në origjinal “As you like it” komedi nga William Shakespeare është përkthyer nga Skënder Luarasi. Fabula është mjaft e thjeshtë: problemi dramatik në sjelljen e çoroditur të dy vëllezërve të ligj ndaj dy vëllezërve të mirë, si dhe pengesat e lidhura me këtë sjellje ndaj martesës së disa çifteve në këtë pjesë teatrore (sidomos të Rozalindës me Orlandon) zgjidhen pa vështirësi dhe, pa pikë dyshimi, kemi të bëjmë me një fund të lumtur. Trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar ka vijuar këto ditë shtatori provat për të sjellë në skenë shfaqjen “Si ta doni”, por sezoni i ri artistik 2025-2026 do të ketë dhe të tjera vepra të Shekspirit.
-

“Zemërimi i shkronjave” u shfaq për herë të parë në 1985, shfaqja rikthehet në skenën teatrore pas 40 vitesh
Nga Julia Vrapi
“Zemërimi i shkronjave” pas 40 vitesh rikthehet në skenën teatrore. Kjo shfaqje që u shfaq për herë të parë në vitin 1985 në Teatrin e Kukullave rikthehet këtë shtator në skenë për fëmijët. “Zemërimi i shkronjave” me humor, argëtim dhe sigurisht edukim e bazuar në tekstin e Minerva Kumit rikthehet pas 40 vitesh në skenë me regji nga Endri Çela. Shfaqja vjen në skenë në kuadër të projektit “Marionetat e Trashëgimisë”. Aktiviteti mbështetet nga programi i granteve “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. “Kjo iniciativë risjell traditën për një gjeneratë të re, duke fuqizuar fëmijët përmes edukimit mbi trashëgiminë kulturore dhe duke promovuar pasurinë artistike të Shqipërisë”, thuhet nga “EU4Culture”, që dhe më parë ka sjellë në vëmendje shfaqjen që rikthehet në skenën teatrore. Regjisori Endri Çela më herët për vënien në skenë të kësaj shfaqje teatrore ka shprehur se pas një hulumtimi mes veprave më të suksesshme ndër vite të repertorit të hershëm të Teatrit të Kukulla, u përzgjodh pikërisht “Zemërimi i shkronjave” për t’ia rikthyer publikut të vogël mesazhin se e folura bukur dhe pastër është diçka e qënësishme. “Vepra e shkruar nga Minerva Kumi ka patur një sukses të jashtëzakonshëm ndër vite. Prindërit tanë e mbajnë mend akoma batutën e famshme “dua e-në me kaçurrelat tek balli”. Prandaj për nder të këtij suksesi, për kënaqësinë e nostalgjikëve, por edhe për mesazhin edukues ende domethënës edhe në ditët e sotme, u vendos kjo vepër, për të cilën shpresojmë të ketë të njëjtin sukses”, shprehet regjisori. Veprat teatrore për të rritur, por dhe për fëmijë mbajnë emrin e regjisorit Endri Çela, por shfaqja“Zemërimi i shkronjave”është projekti i 19-të i karrierës së tij për teatrin e fëmijëve, por është i pari projekt me kukulla.
Shfaqja do të shoqërohet me audio-përshkrim
Për herë të parë, shfaqja do të shoqërohet me audio-përshkrim, të mundësuar nga Shoqata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNAA), duke siguruar aksesueshmëri për fëmijët me shikim të dëmtuar. Kjo është një nismë e përbashkët e dy projekteve të mbështetura nga “EU4Culture”, “Marionetat e Trashëgimisë” dhe “ANNEX Labs”, që shënon një hap të rëndësishëm në festimin e kreativitetit, gjithëpërfshirjes dhe trashëgimisë kulturore. “Pas premierës, shfaqja e rivitalizuar do të jetë pjesë e programit të rregullt të teatrit, gati për t’u shijuar nga fëmijët dhe familjet”, thuhet nga “EU4Culture”. Këtë të premte në ora 18:00 në teatër do të jetë rivënia në skenë e shfaqjes “Zemërimi i shkronjave”. Olsi dhe Ini janë dy djem që nuk flasin bukur. Flasin me shkurtime se nuk kanë kohë të flasin gjatë. Flasin shëmtuar, se nuk janë radio shekullore që të artikulojnë bukur, pastër dhe pa gabime. Madje do të guxojnë të krijojnë edhe një shqipe të re, moderne. Të gjitha këto i zemërojnë shkronjat e Abetares dhe i vënë në lëvizje që të gjejnë një zgjidhje. Njëra pas tjetrës ato fillojnë të ikin nga fjalori i fëmijëve, duke u përpjekur që t’u mësojnë në këtë mënyrë rëndësinë e të folurit mirë. Por Olsi dhe Ini e gjejnë nga një zgjidhje të shpejtë dhe praktike. Gjersa në fund, në konkursin e interpretimit të vjershave…Një “luftë gjuhësore” mes të folurit të fëmijëve të sotëm dhe të folurit saktë. Një komedi ku fëmijët dëgjojnë ç’ndodh kur nuk shqipton dot një shkronjë, apo një tjetër. -

Teatri “Bylis” nis sezonin e ri artistik me një komedi, tre premiera do të jenë në skenën teatrore
Nga Julia Vrapi
Sezoni i ri artistik sjell në skenën e teatrit “Bylis” drama dhe komedi. Institucionet teatrore në vend këtë sezon artistik do të sjellin në skena shfaqje të ndryshme me regji nga regjisorë shqiptarë dhe të huaj, ku edhe teatri “Bylis” sjell në skenë shfaqjen e parë këtë sezon. Teatri “Bylis” në Fier hap sezonin e ri artistik këtë shtator me komedinë “Pleqëri me kusure”. Një produksion i teatrit të Fierit, që mbrëmjen e datës 18 shtator do të jetë në skenë për publikun. Komedia “Pleqëri me kusure” e autorit Odise Plaku vjen në skenë me regji nga Eliona Thomaraj. Produksion i teatrit “Bylis” shfaqja do të vijojë edhe në19 shtator dhe në role janë aktorët Astrit Hasani, Miola Seitaj dhe Klajdi Marku. Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor 2025 në këtë teatër të qytetit të Fierit në program janë parashikuar premiera: “Metoda Gronholm”, dramë, regjia Katerina Polikronopulu; “Foleja e ndrikullave” komedi, regjisore Miola Seitaj; “Çdo gjë e shkëlqyer” komedi, regjia Altin Basha. Të tre këto shfaqje që do të vijnë në sezonin artistik janë në vijim dhe të premierave të tjera më parë. Ndërsa shfaqje teatrore rivënie në skenë këtë sezon do të jenë: “Një martesë, një divorc, një funeral” komedi, regjia Rovena Lule; “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku; “Kurrë një herë tjetër” komedi, regjisor Astjano Shehaj. Sezoni artistik janar-qershor më parë u mbyll në teatrin e qytetit e Fierit me shfaqjen premierë “Testamenti i ri” autorit Sacha Guttry dhe me regji nga Violeta Trebicka.
Aktiviteti artistik në teatër
Në skenën e teatrit “Bylis” përgjatë vitit veç shfaqjeve teatrore që vijnë në skenë për publikun herë pas here zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme, mes tyre dhe ato që janë për të rinjtë. Në aktivitetet artistike dhe kulturore është dhe festivali “Rin’ Fest’ Teatër” në teatrin “Bylis”. Në qytetin e Fierit “Rin’ Fest’ Teatër” është një projekt teatror me shkollat e mesme, ku regjisorë të ekipeve teatrore janë aktorët e teatrit “Bylis”. Por shfaqjet dhe premierat teatrore këtë sezon artistik vijnë pas thirrjes për projektet, që u hap më parë. Sipas njoftimit nga Bashkia e Fierit produksionet teatrore do të pasuronin jetën kulturore për vitin 2025. Teatri “Bylis” u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapo diplomuar, të cilët u emëruan në Fier nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Teatri “Bylis” përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës. Ai e nisi veprimtarinë në godinën e ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh. Teatri “Bylis” në Fier disa vite më parë iu nënshtrua edhe rikonstruksionit të plotë nga Bashkia e Fierit. Në skenën e tij në vite janë ngjitur trupa teatrore vendase dhe të huaja. -

“Marmelladov” shkëputur nga kryevepra e Dostoevskyt “Krim dhe ndëshkim” çel sezonin e ri artistik në Teatrin Metropol
Nga Julia Vrapi
“Marmelladov” çeli sezonin e ri artistik të teatrit Metropol. Vepra teatrore “Marmelladov” është një fragment i shkëputur nga novela “Krim dhe ndëshkim” e autorit të njohur Fyodor Dostoevsky, përshtatur dhe dramatizuar për t’u ngjitur në skenën e teatrit nga Xhino Musollari. Kjo vepër teatrore ka qenë dhe më parë në skenë, ndërsa këtë shtator çeli dhe sezonin e ri artistik në teatrin Metropol në Tiranë. Sipas regjisorit tema e shfaqjes mbetet e aktualizuar për shkak të trajtimit të çështjeve universale, duke e bërë të lidhur me auditorin e sotëm. Në këtë vepër teatrore, mjeshtëria e autorit ndërthur jetët e individëve të ndryshëm të shoqërisë së djeshme, së sotme dhe të nesërme si një profeci ideologjike dhe ndjesore. Secili prej personazheve bart botëkuptime të cilat sjellin avancimin, e shpeshherë edhe degradimin e shoqërisë. “Kompleksiteti i qënieve njerëzore shpërfaqet nën trysninë e rrethanave sociale, politike, ideologjike dhe religjioze. Boshti qëndror mbi të cilin shfaqja frymon është segmenti jetësor i një humani, viktimë e vetes dhe e furtunave të jetës”, thuhet rreth shfaqjes teatrore. Xhino Musollari që sjell këtë vepër në skenë është një nga artistët e njohur me aktivitetin e tij artistik në teatrin tonë. Musollari është diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në jetën e tij artistike ai ka qenë si aktor me role të ndryshme në teatër, ndërsa në këtë vepër që çel sezonin e ri artistik në teatrin Metropol në Tiranë Musollari vjen si regjisor.
Aktorë në role
Në role në shfaqjen “Marmelladov” janë aktorët Marius Dhrami, Lindar Kaja, Brikena Peti, Endrit Ahmetaj, Erjon Hodo, Serxhjo Danga, Jurgen Dervishi, Erd Kullolli. Kostumogafia Frenci Gjerasi dhe skenografia Ibrahim Burgu. Fyodor Mikhailovich Dostoevsky ishte një romancier, shkrimtar, eseist dhe gazetar rus. Ai konsiderohet si një nga romancierët më të mëdhenj si në letërsinë ruse ashtu edhe në atë botërore dhe shumë prej veprave të tij konsiderohen kryevepra shumë me ndikim. Ndërsa “Marmelladov” shkëputur nga novela “Krim dhe ndëshkim” e Dostoevskyt erdhi në skenën tonë teatrore përshtatur dhe dramatizuar nga Xhino Musollari. “Krim dhe Ndëshkim” është roman i publikuar më 1866 nga shkrimtari rus Fjodor Dostojevski. Romani ndahet në gjashtë pjesë, të cilat përmbajnë pesë deri në tetë kapituj secila. “Marmelladov”, ku secili prej personazheve në skenë bart botëkuptime, të cilat sjellin avancimin, e shpeshherë edhe degradimin e shoqërisë është në vijim dhe të tjera veprave teatrore, që do jenë këtë sezon që ka nisur në teatrin Metropol. Teatri ndërkohë ka bërë me dije se do të zhvillojë audicion për aktorë më datë 27 shtator për një tjetër premierë teatrore, që do të vijë në skenë për publikun. -

Odise Plaku: Pa një konkurs dramaturgjie të rregullt dhe të organizuar, shumë autorë ndihen të izoluar
Në skenat tona vihen vepra të ndryshme, por me rëndësi është dhe zhvillimi i dramaturgjisë kombëtare. Dramaturgu Odise Plaku thotë se për të ndërtuar një skenë teatrore më të pasur dhe më të shumëllojshme duhet që të inkurajohen dramaturgët. Në intervistën për gazetën “SOT” dramaturgu vjen me një rrëfim për aktivitetin artistik, por dhe çfarëndodh sot me prurjet teatrore në skenat tona. Ai shprehet se sot në teatrin tonë ka një rikthim të vëmendjes ndaj krijimtarisë dhe autorëve shqiptarë, por promovimi i dramaturgjisë shqipe duhet të jetë më sistematik dhe më i strukturuar. Sipas tij edhe konkurset për dramaturgjinë kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj fushe, sepse ofrojnë një platformë konkrete dhe të strukturuar për autorët që të shprehin krijimtarinë e tyre dhe të përballen me një audiencë më të gjerë. Sezoni artistik që u mbyll solli disa vepra teatrore që mbanin emrin e Odise Plakut si dramaturg, të cilat u vlerësuan dhe me çmime dhe u shfaqën në skena brenda dhe jashtë vendit. Ai shprehet se në këtë fazë të krijimtarisë së tij janë disa vepra të përfunduara, që thjesht presin momentin e duhur për të dalë në dritë.
-Vepra “Engjëjt” që pas premierës në muajin shkurt në Tiranë vijoi në skena të ndryshme teatrore dhe pjesëmarrje në festivale teatri. Një vepër e shkruar nga ju, me regji nga Naser Shatrolli dhe interpretim nga Vefi Redhi. Në sezonin e vjeshtës, a do të vijojë më tej në skena kjo vepër? Çfarë planesh keni për shfaqjet e ardhshme?
Po, me siguri që “Engjëjt” do të vazhdojë të jetë në skenë edhe këtë sezon. Kemi një pjesëmarrje të konfirmuar në Kosovë në muajin shtator, dhe jemi duke synuar të shfaqemi edhe në Athinë, si dhe në disa qytete të tjera të vendit. Është shumë e rëndësishme për ne që ky mesazh të arrijë sa më larg dhe të prekë sa më shumë njerëz, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe reflektimin mbi ngjarjet e dhimbshme që kemi përjetuar.Tashmë kjo vepër është bërë trup në trupat tanë qoftë të Naserit si regjisor dhe Vefit si aktore, dhe vëmendja jonë e përbashkët është përqendruar në pyetjen “Ku do të jenë engjëjt nesër?”. “Engjëjt” tashmë është një vepër e vlerësuar me çmime të rëndësishme si në festivalin e parë të monodramës “Flas shqip” në Tiranë Vefi Redhi u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë” dhe Naser Shatrolli me çmimin “Regjisori më i mirë”. Ndërsa në Festivalin Mono Akt në Kosovë u vlerësua me çmimin “Shfaqja më e mirë”.
-Drama shqipe në skenat tona teatrore trajton tematika të ndryshme, por për ju sa është e rëndësishme vënia e veprave shqiptare në skena?
Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që veprat shqipe të jenë prezente dhe të zhvillohen fuqishëm në skenat tona teatrore. Drama jonë reflekton jo vetëm realitetin shoqëror e historik, por edhe shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar. Përmes veprave shqipe, ne tregojmë historitë tona, vuajtjet, shpresat dhe aspiratat e një populli që ka kaluar shumë sfida.Kur vepra shqipe vjen në skenë, ajo krijon një hapësirë ku publiku mund të njohë veten, të përjetojë ndjesi të përbashkëta dhe të nisë një dialog mbi temat që janë të rëndësishme për ne. Këto drama na ndihmojnë të ruajmë lidhjen me rrënjët tona kulturore dhe të mbajmë gjallë kujtesën kolektive, veçanërisht për gjeneratat e reja që mund të jenë larguar nga traditat apo që nuk i kanë përjetuar drejtpërdrejt ngjarjet historike.Gjithashtu, dramaturgjia shqiptare ka potencial të madh për të ofruar perspektiva të reja dhe ngacmime që nxisin reflektim dhe ndryshim.Sot në teatrin tonë ka një rikthim të vëmendjes ndaj krijimtarisë dhe autorëve shqiptarë, dhe kjo është një gjë shumë pozitive që dëshmon për një ndërgjegjësim në rritje për rëndësinë e zhvillimit të dramaturgjisë tonë kombëtare. Ka shumë projekte që po realizohen, si shfaqje të reja, festivale teatrore dhe iniciativave që synojnë promovimin e autorëve të rinj dhe të atyre më të njohurve. Ky trend është shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon që zëri i dramaturgëve shqiptarë të dëgjohet dhe të çojë mesazhe që lidhen ngushtë me realitetin, kulturën dhe identitetin tonë.Megjithatë, duhet thënë se ende ka shumë punë për të bërë. Promovimi i dramaturgjisë shqiptare duhet të jetë më sistematik dhe më i strukturuar. Po ashtu, për të ndërtuar një skenë teatrore më të pasur dhe më të shumëllojshme, është e nevojshme që të inkurajohen dramaturgët që të eksperimentojnë dhe të sjellin ide të reja, duke mos u ndalur vetëm te temat tradicionale, por duke reflektuar mbi ndryshimet shoqërore dhe kulturore që po ndodhin në shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë, dramaturgjia shqiptare do të bëhet më e gjallë dhe më e lidhur me audiencën e sotme, duke krijuar një dialog të fuqishëm mes artit dhe jetës së përditshme. Unë gjej rastin të falënderoj Bashkinë e Tiranës që ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të veprave të mia të cilat kanë parë dritën e skenës, por edhe janë vlerësuar nga spektatori.
-Ndërkohë që në Kosovë ekziston edhe një konkurs për dramën shqipe, sa shërbejnë këto konkurse për zhvillimin e dramaturgjisë? Si ndikon mungesa e një konkursi të tillë në vendin tonë?
Konkurset për dramaturgjinë kanë një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj fushe, sepse ato ofrojnë një platformë konkrete dhe të strukturuar për autorët që të shprehin krijimtarinë e tyre dhe të përballen me një audiencë më të gjerë. Kur ka konkurse të organizuara dhe të mirëstrukturuara, ato nxisin shkrimtarët të shkruajnë më shumë, të eksperimentojnë me idetë dhe të përmirësojnë stilin e tyre. Një konkurs i tillë është gjithashtu një mundësi që autorët e rinj të njihen dhe të promovohen në skenën artistike, gjë që është shumë e rëndësishme për rinovimin dhe freskimin e dramaturgjisë kombëtare.Në Kosovë, ky model funksionon prej vitesh dhe si autor kam qenë pjesëmarrës në disa prej tyre, madje ka vepra që janë futur “në rrethin e ngushtë të fituesve” si quhet atje.Mungesa e një konkursi të tillë tek ne krijon një boshllëk në inkurajimin sistematik të autorëve dhe në mbështetjen e krijimtarisë së re. Shumë vite më parë Ministria e Kulturës organizonte një konkurs për dramën shqipe, më parë ishte Teatri Kombëtar që nënte përzgjedhje dhe lexim skenik të pjesëve. Tashmë këto janë zhdukur si praktika.Sot, pa një konkurs të rregullt dhe të organizuar, shumë autorë ndihen të izoluar dhe nuk kanë hapësira të qarta për të nxjerrë veprat e tyre në dritë. Kjo mungesë i bën institucionet tona kulturore më pak dinamike dhe kufizon mundësitë për zhvillimin e dramaturgjisë kombëtare. Për të avancuar, do të ishte e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të rifillojnë ose të krijojnë iniciativa të reja që do të mbështesin në mënyrë aktive shkrimtarët dhe dramaturgjinë, duke e kthyer konkursin në një praktikë të vazhdueshme dhe të përkushtuar. Një konkurs i tillë jo vetëm që do të nxiste kreativitetin dhe do të promovonte vepra të reja, por do të krijonte edhe një sens komuniteti midis dramaturgëve dhe do të fuqizonte skenën teatrale në përgjithësi. Pa këto hapësira të organizuara dramaturgjia rrezikon zhvillimin e saj me prurje të reja.
-Sezoni artistik që u mbyll solli dy vepra premierë të shkruara nga ju në skenë – monodrama “Engjëjt” dhe komedia “Pleqëri me kusure”, që pati premierën në Fier. Si ka qenë bashkëpunimi për këto vepra me regjisorët? Çfarë keni sugjeruar dhe si është ndërtuar marrëdhënia krijuese?
Ky ka qenë një sezon shumë i frytshëm për mua nga pikëpamja krijuese dhe bashkëpunuese. Dy vepra të ndryshme në natyrë, njëra monodramë me tematikë tronditëse si “Engjëjt”, dhe tjetra një komedi sociale si “Pleqëri me kusure” më dhanë mundësinë të shprehem në dy dimensione të ndryshme të dramaturgjisë dhe të bashkëpunoj me regjisorë që i vlerësoj shumë për qasjen e tyre profesionale dhe vizionin që sjellin në skenë. Bashkëpunimi ka qenë me të vërtetë i vlefshëm dhe frymëzues. Unë gjithmonë e kam parë marrëdhënien dramaturg-regjisor si një proces bashkëkrijimi, ku teksti është një pikënisje dhe pastaj merr jetë përmes syrit dhe ndjeshmërisë regjisoriale. Në të dy rastet, kam pasur mundësinë të ndaj vizionin tim mbi veprat, të sugjeroj thekse të caktuara që lidhen me qëllimin tematik, me ritmin, me ndërtimin e karaktereve apo tonin emocional të skenave. Por gjithmonë, këtë e kam bërë në funksion të bashkëpunimit dhe respektimit të gjuhës artistike të regjisorëve.Kur ndjen që puna jote interpretohet me përkushtim dhe ndjeshmëri në skenë, është një ndjesi përmbushjeje shumë e veçantë. Dhe kur kjo përmbushje ndodh në bashkëpunim të hapur e të ndershëm me regjisorët, është edhe më e vlefshme. Në këtë kuptim, ky sezon më ka motivuar që të shoh përpara me dëshirën për të sjellë vepra të reja dhe për të ndërtuar bashkëpunime të tjera artistike që pasurojnë jo vetëm skenën, por edhe vetë procesin krijues. Për mua, çdo bashkëpunim i tillë është një mundësi për të mësuar, për t’u rritur si autor dhe për të kontribuar në teatrin shqiptar. Ndihem me fat që këtë vit isha autori i parë që në MonoAkt përfaqësohesha me dy vepra “Engjëjt” dhe “Amber Alert” një produksion tërësisht grek ku aktorja Georgia Zoi fitoi çmimin “Aktorja më e mirë”, ndërsa unë si autor me “Mirënjohjen speciale” për veprat e mia.
-Për lexuesin, ju jeni i njohur për krijimtarinë tuaj në dy zhanre të veçantë: vëllime letrare dhe vepra skenike. Në vijim të rrugëtimit tuaj artistik, çfarë mund të presim? A ka ndonjë projekt të ri që pritet të dalë në dritë?
Në këtë fazë të krijimtarisë sime janë disa vepra të përfunduara, që thjesht presin momentin e duhur për të dalë në dritë. Më së shumti është letërsi për fëmijë, një zhanër që e dua shumë dhe që më jep kënaqësi të veçantë. Është një botë e pastër dhe e ndjeshme, dhe përmes saj ndiej se lidhem me një brez që ka nevojë për letërsi me shpirt e mesazh.Por në këtë fazë mendja dhe shpirti im është përqendruar në shkrimin e veprave skenike. Edhe kur nuk kam pasur mbështetje institucionale apo nuk më është inskenuar menjëherë ndonjë vepër, unë nuk kam ndalur së shkruari. Kam shkruar drama, komedi, monodrama, me të njëjtin pasion dhe përkushtim si në fillim. Mbetem gjithmonë në pritje të përgjigjeve për projekte të reja, sepse procesi krijues kërkon jo vetëm frymëzim, por edhe mbështetje dhe bashkëpunim për të marrë jetë në skenë.Aktualisht po shijoj frytet e një pune shumëvjeçare. Kam një kënaqësi të veçantë kur shoh se vepra që ke shkruar vite më parë, më në fund ngjitet në skenë dhe takohet me publikun. Për shembull, drama “Shtëpia e re” u shkrua në vitin 2004, por u vu në skenë në vitin 2024. Po ashtu “Engjëjt”, e shkruar në 2015, mori jetë këtë vit. Kjo më bën të ndihem i plotësuar dhe më tregon se asgjë nuk humbet kur shkruhet me zemër, gjithçka e gjen kohën dhe vendin e vet. Kam ripunuar disa nga veprat e vëna në skenë vite më parë. Unë do të vazhdoj të krijoj, me bindjen se fjala e shkruar dhe ajo e thënë në skenë kanë forcën për të prekur dhe për të ndryshuar.
Intervistoi: Julia Vrapi -

Endri Çela: Ne nuk shohim çfarë ndodh me teatrin në botë, të rinjtë duhet të eksperimentojnë më shumë
Vepra të ndryshme teatrore nga një sezon artistik në tjetrin vihen në skenat tona nga regjisorët. Regjisori Endri Çela thotë se teatri është pasqyrë dhe reflektim. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Endri Çela thotë se me punën e tij krijuese nuk synon vetëm që ta argëtojë publikun, por të punojë për një të gjë të madhe, për të ardhmen dhe për pasurimin e shpirtit. Ndër të tjera regjisori Çela ndalet dhe problemet që janë në jetën artistike, çfarë ndodh me festivalet e teatrit, mbështetja për të rinjtë apo dhe kritika teatrore sot. Ashtu si dhe të tjerë artistë e krijues edhe regjisori Endri Çela e sheh të rëndësishme kritikën në fushën e artit, që duhet bërë nga profesionistë të fushës.
Sipas tij teatri pa kritikë sjell kaos në cilësinë artistike dhe zhgënjim tek artistët dhe tek publiku, ku si pasojë vjen edhe mosinteresimi apo braktisja e mëvonshme nga publiku i teatrit.Veprat teatrore për të rritur, por dhe për fëmijë mbajnë emrin e regjisorit Endri Çela, por shfaqja“Zemërimi i shkronjave”është projekti i 19-të i karrierës së tij për teatrin e fëmijëve, por është i pari projekt me kukulla.Shfaqja është pjesë e projektit Marionetat e Trashëgimisë: Ringjallja e Traditës për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Fuqizimi i të Rinjve përmes Edukimit mbi Trashëgiminë Kulturore.“Zemërimi i shkronjave”, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1981 pritet të debutojë sërish në shtator. Kjo nismë mbështetet nga programi i granteve “EU4Culture”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Si regjisor Çela tregon se që në leximin e parë të kësaj vepre të shkruar nga Minerva Kumi, pa potencialin e madh për ta përpunuar e për ta pasuruar me realitetin e ditëve të sotme.
– Vepra teatrore “Zemërimi i shkronjave” pritet të jetë premierë me sezonin e ri artistik që nis muajt e vjeshtës. Ju më herët jeni shprehur se kjo vepër qëështë dhe projekti juaj më i fundit si regjisor pas 40 vitesh vjen akoma më e përshtatur me realitetin. Si regjisor çfarëmund të thoni më shumë, pra realiteti sot te “Zemërimi i shkronjave” që u vu në skenë 40 vite më parë?
Që në leximin e parë të kësaj vepre të shkruar nga Minerva Kumi, pashë potencialin e madh për ta përpunuar e për ta pasuruar me realitetin e ditëve të sotme. Sigurisht që problematika ka mbetur e njëjta: e folura keq e gjuhës sonë. Po ashtu edhe personazhet e dy fëmijëve, Olsi dhe Ini, kanë mbetur po të njëjtët shokë që e degradojnë gjuhën shqipe. Por, me ndryshimin që në përshtatjen time, fëmijët janë akoma më të përkëdhelur. Gjithashtu, janë shtuar skena ku paraqiten problematika të kohës së sotme si: e folura me shkurtime, e folura si në chat-et online, apo përdorimi i fjalëve të huazuara nga gjuhët e huaja. Gjithashtu, kam reduktuar disa skena, të cilat i flisnin vetëm kohës së atëhershme. Gjithçka që kam bërë, e kam bërë për ta sjellë veprën më të freskët, më të pasuruar me përditshmërinë dhe me më shumë nota humori.
– Kjo ështënjëvepër shqiptare. Për ju si regjisor sa ka rëndësi dramaturgjia shqipe në skenën tonë teatrore nëse flasim për teatrin për të rritur?
Sigurisht që është shumë e rëndësishme, sepse vepra shqiptare na paraqet neve fiks ashtu siç jemi. Vërtetë që qenia njerëzore është kudo e njëjtë dhe kudo njeriu është një qënie komplekse me interesa dhe instikte të njëjta, por sërish ka ndryshime të vogla që mund të paraqiten në situata specifike, kryesisht në ato me “background” historik. Gjithashtu ndryshime paraqiten edhe në gjuhën e përdorur, apo në temperamentin e personazheve. Për më tepër që ia vlen të theksohet se inskenimi i veprave shqiptare stimulon edhe autorët tanë. Sa më shumë vepra shqiptare të vihen, aq më shumë zhvillohet dramaturgjia jonë, aq më afër akoma do jemi me publikun tonë.
-Si regjisor keni sjellë në skena shfaqje për të rritur dhe fëmijë. Në punën tuaj, krijimtarinë pasi ju keni përshtatur dhe vepra çfarë keni synuar të përcillni te publiku?
Të vërtetën. Shpirtin njerëzor. Shqetësimet e shoqërisë sonë dhe paralajmërimet se ku jemi duke shkuar. Kam shkruar për fëmijë dhe për adoleshentë, por kam përshtatur edhe për teatrin e të rriturve. Në veprat që mbajnë shkrimin tim, por edhe në ato që mbajnë vetëm emrin tim si regjisor, kam dashur dhe do vazhdoj t’ tregoj publikut gjëra që ai ka frikë t’i dëgjojë, ose nuk ka mundur t’i dëgjojë. Teatri është pasqyrë dhe reflektim. Prandaj nuk synoj vetëm ta argëtoj publikun dhe kaq. Jo. Nuk është mision i një artisti dhe nuk më përket as mua. Nuk dua duartrokitje momentale. Dua të punoj për një të gjë të madhe, për të ardhmen dhe për pasurimin e shpirtit. Dua që publiku të largohet nga skena me mendim, me forcë brenda vetes dhe me shpresë.
-Teatrin për të rritur si e shikoni sot, ku mendoni se duhet synuar me politikat shtetërore institucionale për jetën artistike teatrore në vend?
Mjafton të kihet parasysh cilësia artistike; të mos bëhen kompromise. Të rriten fondet, të shtohen hapësirat me infrastruktura, të ulen qeratë e sallave ekzistente, të motivohen të rinjtë dhe trupat private teatrore. T’u lihet hapësira e duhur krijuese artistëve. Vetëm se kujdes: jo pseudo artistëve, ARTISTËVE.
-Në vendin tonë zhvillohen disa festivale teatri. Si ndikojnë në jetën artistike?
Gjithçka që bëhet me synimin për t’i shërbyer artit dhe publikut, është e vlefshme. Gjithçka që bëhet për të marrë ato lekë, është e pavlefshme. Mbase këtu mund të gjendet arsyeja pse festivaleve u ka rënë interesi.
– Sot shohim vepra teatrore në skenat tona, por ajo kritikë teatrore për vlerat artistike e bërë nga profesionistë të fushës mungon. Mungesa e saj çfarë sjell?
Kritika nuk të lë në moçal, por të rrit. Teatri pa kritikë sjell kaos në cilësinë artistike dhe zhgënjim tek artistët dhe tek publiku. Si pasojë vjen edhe disinteresimi apo braktisja e mëvonshme nga publiku i teatrit.
-Publiku ju njeh nga aktiviteti artistik me teatrin, por çfarëiu thoni të rinjve që nisin këtë rrugë të artit?
Të rinjtë të jenë sa më eksperimentues, të mos ngurojnë të provojnë veten dhe të japin çdo gjë nga vetja. Pagesa sigurisht që është e rëndësishme, por publiku kur shikon shfaqjen tënde nuk e di çfarë të ka penguar ty të mos japësh maksimumin prandaj të duartroket dhe të mban mend për atë që u ke dhënë. Dhe ti, si i ri që je, të duhet të investosh shumë. Kam parë disa shfaqje pjesëmarrëse në festivale teatrore për të rinjtë, të cilat nuk e kalonin nivelin studentor, qoftë në idetë e përdorura, qoftë edhe në shpenzimet e derdhura për prodhimin e shfaqjes. Ky fakt është për të ardhur keq. Mbase ata, në këtë mënyrë, ia kanë privuar vetes mundësinë e dytë.
-Ju jeni diplomuar në Akademinë e Arteve sot Universiteti i Arteve. Sot shkollat e artit po përballen në vend edhe me probleme. Universiteti i Arteve për ju sot si qëndron me shkollat e tjera jashtë, çfarë duhet synuar më shumë?
Nuk jam shumë kompetent për të folur mbi programet mësimore, por, me aq sa di, mendoj se kemi mbetur pak mbrapa duke përdorur vetëm metodat klasike të teatrit. Në përgjithësi ne jemi të mbyllur ndaj të resë, nuk shohim ç’ndodh me teatrin nëpër botë, nuk i ndjekim trendet. Mbetemi vetëm tek teatri klasik, që sigurisht është i bukur, por nuk është i vetmi. Mbase bashkëpunimi mes universitetit tonë dhe vendeve të tjera është hapi më i mirë që mund të bëhet për përmirësim.
-Ndërkohë që në Kosovë ekziston një konkurs për dramën shqipe, sa shërbejnë këto konkurse për zhvillimin e dramaturgjisë? Si ndikon mungesa e një konkursi të tillë në vendin tonë?
Vitet e fundit Kosova ka pasur një zhvillim të madh në skenën teatrore. Ka vite që janë më përpara nesh në cilësi dhe organizim, prandaj mendoj se si fillim duhet të marrim shembull prej tyre. Ne, artistët shqiptar, duhet të bëhemi bashkë, siç ata janë bërë. Duhet të rriten fondet nga Ministria, siç Ministria e ka rritur fondin për teatrin e Kosovës, dhe pse jo, edhe të organizojë konkurse të dramës shqipe siç thoni ju që organizohen në Kosovë. Nuk do shumë mend që konkurset, nëse bëhen siç duhet, janë stimulime dhe sjellin zhvillim. Rrofshin konkurset e drejta, kritika e drejtë, festivalet e drejta, meritokracia e artistëve dhe cilësia e artistëve të vërtetë.
-Çfarë do të sjellë sezoni i ri artistik për ju veç premierës së shfaqjes për fëmijë në Teatrin e Kukullave?
Jam duke përgatitur dy projekte të tjera, të cilat pres t’i hedh në konkurrim. Shpresoj për mirë.
Intervistoi: Julia Vrapi -

Sezoni artistik shtator-dhjetor, një dramë dhe dy komedi do të jenë premiera në skenën e teatrit “Bylis”
Nga Julia Vrapi
Vepra premierë, dramë dhe komedi në sezonin e ri artistik shtator-dhjetor në skenën e teatrit “Bylis”, por edhe shfaqje rivënie. Këtë sezon pritet që të jenë në skenë për publikun tre shfaqje premierë, vepra që janë miratuar më parë edhe nga këshilli artistik. Programi i teatrit “Bylis” në Fier përgjatë një viti ka vepra të ndryshme teatrore, pjesë shqiptare dhe të huaja, ku dhe sezoni që do të nisë sjell të tjera produksione të tij në skenë për publikun. Teatri “Bylis” në Fier bën me dije se sezonin e ri që pritet të nisë në shtator deri në fund të tij do të jenë tre shfaqje teatrore premierë. “Rikthehemi në shtator. Teatri “Bylis”, pasi ka përfunduar me sukses sezonin e parë teatror, me 3 shfaqje premierë dhe 2 rivënie, ju njeh me shfaqjet teatrore të sezonit të ri teatror! Eja në teatër!”, shprehet teatri i Fierit.
Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor: Premiera: “Metoda Gronholm”, dramë, regjia Katerina Polikronopulu; “Foleja e ndrikullave” komedi, regjisore Miola Seitaj; “Çdo gjë e shkëlqyer” komedi, regjia Altin Basha. Rivënie do të jenë: “Një martesë, një divorc, një funeral” komedi, regjia Rovena Lule; “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku; “Kurrë një herë tjetër” komedi, regjisor Astjano Shehaj. Sezoni artistik më parë u mbyll në teatrin e qytetit e Fierit me shfaqjen premierë, “Testamenti i ri”. Një komedi nga Violeta Trebicka, që përcolli emocione te artdashësit fierakë. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?! Vepra e autorit Sacha Guttry me interpretimin e aktorëve të njohur pas skenës së teatrit të Fierit erdhi edhe në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në mbrëmjet e para të muajit korrik. Në skenën e teatrit “Bylis” përgjatë vitit veç shfaqjeve teatrore herë pas here zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme, mes tyre dhe ato që janë për të rinjtë.
Sezoni i kaluar artistik
Gjatë sezoni artistik të kaluar në teatrin “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie. Në sezonin e kaluar artistik veprat teatrore premiera në skenën e teatrit “Bylis” në Fier ishin “Pleqëri me halle ” (“Banja”) – komedi, regjisore Eljona Thomaraj; “Testamenti i ri” – komedi, regjisore Violeta Trebicka; “Një mbrëmje në teatër” – komedi, regjisor Xhuljano Brisku. Ndërsa shfaqje rivënie në teatër në skenë ishin “15 ditë Prilli”, dramë satirë, regjisore Driada Dervishi; “Klani i të divorcuarve”, komedi, regjisore Andia Xhunga. Në muajin mars këtë vit u hap dhe thirrja për aplikim për projektet teatrore për teatrin e Fierit, ku sipas njoftimit më parë nga Bashkia e Fierit produksionet teatrore do të pasuronin jetën kulturore për vitin 2025.
-

Lëshohet në qarkullim pulla postare kushtuar Bekim Lumit
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë.
ObserverKult
Lexo edhe:
KATËR SHPELLA TË NJOHURA TË KOSOVËS TANI NË PULLA POSTARE
-

Posta e Kosovës nderon regjisorin Bekim Lumi
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.
Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.
Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.
Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.
Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.
Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.
Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.
Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.
Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë./KultPlus.com