Nga Julia Vrapi
Shfaqja teatrore “Vizita këtë sezon artistik vijon turin në skenat italiane. “Vizita” me tekst nga Fabio Pisano është e mbështetur në kryeveprën e H.G. Wells “Vizita e mrekullueshme dhe u vendos në skenë nga regjisori italian Davide Iodice me interpretimin e trupës së aktorëve të teatrit “Migjeni”, duke shënuar dhe premierën në tetor 2023. Zyrtarisht kjo shfaqje ka hyrë në vitin e tretë të jetës saj artistike dhe do të jetë këtë mbrëmje në Lenghis Festival në Gorizia, Itali, për të vijuar më pas dhe në teatro të tjerë. Kjo bëhet me dije nga teatri “Migjeni” i qytetit të Shkodrës që thotë se pjesëmarrja në festival i paraprin turit në skenat e tjera italiane . “Më 27 tetor 2023 do ishte premiera e shfaqjes “Vizita” me regji të Davide Iodice. Zyrtarisht kjo shfaqje ka hyrë në vitin e tretë të jetës saj artistike. Më 1 nëntor 2025 në orën 20.30, do jemi pjesëmarrës në Lenghis Festival në Gorizia, Itali”, shprehet teatri “Migjeni”. Në vijim shfaqja teatrore “Vizita” do të jetë më 2 dhjetor në Teatro Puccini Firenze; 5 dhjetor në Teatro Trianon, Napoli; 7 dhjetor Teatro Massimo, Cagliari; 9 dhjetor Teatro Eliseo, Nuoro dhe 11 dhjetor Teatro la Ribalta-Kunst der Vielfalt në Bolzano. “Vizita” që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, u shfaq në skenën e Tiranës, por ka vijuar edhe nëpër skenat e tjera teatrore jashtë vendit. Ka qenë më parë në Itali, ku vijon sërish një tur artistik, por është shfaqur edhe në Prizren në Kosovë apo dhe në Bosnje. “Vizita” ishte në skenë edhe në MITEM FESTIVAL, Budapest Hungari. Me regji të italianit Davide Iodice, muzikë Lino Cannavacciolo, tekst të Fabio Pisano (shqipëruar nga Zija Vukaj) u vlerësua me tre çmime si “Shfaqja më e mirë”, “Muzika më e mirë” dhe “Skenografia më e mirë” edhe në festivalin teatror “Moisiu”, që u mbajt në muajin nëntor të vitit 2023. Në Festivalin e Teatrit MESS, Sarajevë u vlerësua me çmimin e kritikës dhe medias “Oslobodenje ”.
Bashkëpunimi për shfaqjen në skenë
Shfaqja “Vizita” erdhi në skenë më parë nga bashkëpunimi mes teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës dhe Sardegna Teatro, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Aktorët në këtë shfaqje teatrore janë Nikolin Ferketa, Raimonda Markja, Pjerin Vlashi, Fritz Selmani, Rita Gjeka Kacarosi, Julinda Emiri, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Aleksandër Prenga dhe Vladimir Doda. Ndihmës regjisor në vepër është Jozef Shiroka dhe kostruksionet skenografike dhe kostumet Divni Gushta. Regjisori Davide Iodice që e solli këtë vepër më parë premierë në skenën e qytetit të Shkodrës ka një aktivitet të pasur artistik, por veç veprës “Vizita” në skenën tonë teatrore kanë qenë dhe të tjera shfaqje me regji prej tij. Ai është diplomuar për regji në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike “Silvio d’Amico” në Romë me maestro Andrea Camilleri. Teatri i tij është objekt i botimeve në libra dhe revista të specializuara kombëtare dhe ndërkombëtare.
Tag: teatro
-

“Vizita” nga Davide Iodice dhe aktorët e teatrit “Migjeni” pas “Lenghis Festival” vijon turin në skenat italiane