Nga Julia Vrapi
“Si ta doni”, një komedi nga Shekspiri do të hapë festivalin e teatrit “Moisiu”, që këtë vit zhvillohet në Prishtinë në Kosovë. Trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut këtë vit në garën e festivalit teatror “Moisiu”. Komedia romantike për dashurinë dhe lirinë nga William Shakespeare, produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë me regji nga John Blondell hap këtë festival mbrëmjen e datës 22 nëntor dhe do të shfaqet në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Festivali është një projekt i ndërmarrë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatrit Kombëtar i Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar i Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe edicionin e tij të dytë e zhvilloi në Tiranë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet se festivali i teatrit shqiptar “Moisiu” në edicionin e tij të tretë, është platforma më e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve teatrore të hapësirës shqiptare. “Festivali “Moisiu” zhvillohet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke sjellë këtë edicion në Prishtinë trupat kryesore teatrore, dhe disa nga shfaqjet më të spikatura të sezonit”, shprehet Gonxhja në një postim në rrjete sociale. Sipas tij, edicioni i këtij viti sjell diversitet artistik, interpretime moderne dhe një shkëmbim krijues që e prek publikun e të gjitha moshave. “Prishtina kthehet për gjashtë ditë në kryeqytetin e teatrit shqip, duke afirmuar rolin e festivalit si urë bashkëpunimi kulturor në rajon”, shprehet ministri i MTKS. Festivali ka karakter garues dhe në fund të tij do të ndahen dhe çmimet nga juria e festivalit. Festivali që nisi si iniciativë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit duhej të zhvillonte vjet edicionin e tretë në Prishtinë. Edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në Shkup, edicioni i dytë në nëntor 2023 në Tiranë dhe vjet në nëntor duhej të zhvillohej në Prishtinë. Por pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, tre teatrot morën vendimin për anulimin e festivalit një vit më parë në Prishtinë. Edicioni i tretë i festivalit që nuk u zhvillua një vit më parë, po zhvillohet këtë vit në Prishtinë.
Programi i festivalit
Festivali nis më datë 22 nëntor këtë vit dhe vijon deri më datë 27 këtë muaj. Në datë 22 nëntor në skenë janë shfaqet “Si ta doni” nga Teatri Kombëtar, Tiranë dhe “Një dorëzim në Spokan” – Teatri Oda, Prishtinë. Në datën 23 nëntor në skenë do të jetë “Vojcek” nga Teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë dhe “Na ishte njëherë” nga teatri “Andon Zako Çajupi”, Korçë. Në datë 24 nëntor në festival është shfaqja “Martesa” nga Teatri Kombëtar, Prishtinë; në datë 25 nëntor në skenë në Prishtinë do të jetë shfaqja “Babai” produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Tiranë dhe po këtë datë dhe shfaqja “Marrëdhëniet”- Teatri i Qytetit, Gostivar. Në datën 26 nëntor në skenë janë shfaqjet “Në përballje me vdekjen” – Teatri i Tetovës dhe “Komedía e zezë” nga Teatri “Bekim Fehmiu”, Prizren, ndërsa mbrëmja e datës 27 nëntor do të jetë në Prishtinë ceremonia mbyllëse e festivalit.
Tag: teatrit
-

Komedia “Si ta doni” e Shekspirit nga Teatri Kombëtar hap festivalin e teatrit “Moisiu” në Prishtinë
-

“Ditët e Nëntorit”, Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe sopranoja Ermonela Jaho në Gjakovë me shfaqjen…
Nga Julia Vrapi
Vepra të njohura të muzikës klasike janë pjesë e programit në koncertin gala me sopranon Ermonela Jaho dhe Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Nesër në mbrëmje në skenën e Gjakovës në Kosovës sopranoja e njohur ndërkombëtarisht Ermonela Jaho sjell shfaqjen muzikore premierë “Një za, një shpirt”. Sopranoja Ermonela Jaho ka një aktivitet të suksesshëm në skenat e ndryshme në botë, dhe nesër në mbrëmje do të jetë me këtë shfaqje në kuadër të festivalit “Ditët e Nëntorit” që ka disa aktivitete në Gjakovë. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën drejtimin e dirigjentit Sergio Alapont, i cili e ka drejtuar këtë orkestër dhe në koncerte e shfaqje të tjera më parë. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se nesër në Gjakovë do të jetë një shfaqje unike për publikun. “Një mbrëmje magjike ju pret në Gjakovën historike, me sopranon e mirënjohur ndërkombëtarisht Ermonela Jaho.
Një shfaqje unike që vjen për të gjithë artdashësit në kuadër të “Ditëve të Nëntorit”, një nismë e fondacionit për Gjakovën, ku tingujt e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së, nën dirigjimin e maestro Sergio Alapont, do të bëhen njësh me zërin e fuqishëm të Ermonela Jahos, për të përcjellë te publiku një program të pasur me disa nga veprat më të njohura të muzikës klasike”, shprehet TKOB. Shfaqja premierë me sopranon Ermonela Jaho do të jetë në 15 nëntor në mbrëmje në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, por ky koncert konsiderohet dhe si një ndër performancat më të veçanta, një ngjarje që bashkon artin, shpirtin dhe identitetin kombëtar. Sa i takon aktivitetit artistik, Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë gjithë kalendareve artistikë, ka mbajtur peshën më të madhe, që nga fillimi i krijimit të saj e deri sot. Orkestra ka ekzekutuar në koncerte dhe shfaqje operistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit drejtuar edhe nga dirigjentë me famë ndërkombëtare dhe me pjesëmarrjen e instrumentistëve në vepra operistike dhe baleti, me këngëtarë dhe balerinë të huaj.
Jaho në shtator në skenën e TKOB
Në muajin shtator sopranoja Ermonela Jaho erdhi dhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një koncert gala. “Kur ndjenjat marrin zë” solli për publikun kryevepra botërore. Me interpretimin e sopranos Ermonela Jaho, nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, me korin dhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, publiku përjetoi një udhëtim të rrallë muzikor me kryevepra botërore nga Verdi, Bellini, Donizetti, Puccini, Cilea e të tjerë. Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë”, që u zhvillua mbrëmjen e datës 17 shtator shënoi edhe rikthimin e sopranos Ermonela Jaho në TKOB një vit pas koncertit të fundit. Në aktivitetin e saj ndër vite, sopranoja Ermonela Jaho ka performuar në shtëpi opere në mbarë botën, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala.
-

“E martuar me një të panjohur”/ Komedia italiane është vënë në skenën e teatrit “Zihni Sako” në qytetin e Gjirokastrës
Në skenën artistike të qytetit të Gjirokastrës trupa e teatrit “Zihni Sako” shfaqi për spektatorët komedinë italiane “E martuar me një të panjohur”.
Me regji të Aleksandër Kondit kjo pjesë prezanton situata komike dhe keqkuptime të cilat përcillen plot të qeshura nga spektatorët.
“Ishte një publik shumë i ngrohtë, më fali shumë të qeshura kështu që uroj dhe shpresoj që teatri i Gjirokastrës të bëjë bashkëpunime të tjera,të thërrasë aktorë dhe regjisorë sepse i bëjnë mirë trupës, i japin eksperiencë por edhe teatrit, qytetit”, tha aktorja Delinda Disha.
“Ne jemi të mbushur plot me emocionet që na ka dhuruar publiku dhe jemi të bindur që e kanë shijuar,kanë qeshur pa fund”, u shpreh aktorja Lejda Çeli.
“Pashë një sallë plot, mendoj se shfaqja shkoi shumë mirë,aktorët ishin në nivelin e duhur,publiku e përtypi në mënyrë të mrekullueshme shfaqjen, u bë pjesë e shfaqjes dhe të gjitha të qeshurat dhe duartrokitjet janë një kënaqësi për ne aktorët të motivojnë kur ti je në skenë dhe kupton që shfaqja ndiqet nga publiku”, tha regjisori Aleksandër Kondi.
Përgjatë sezonit artistik të vjeshtës në skenën e teatrit të Gjirokastrës kanë interpretuar trupa të ndryshme të cilat janë vlerësuar me duartrokitje nga spektatorët.Top Channel
-

Ismail Kadare: Ti ike udhës së pafundme…
Ismail Kadare
Poezi nga Ismail Kadare
Ti ike udhës së pafundmeKu zverdhin drurët gjetherënësMbi gjokse pellgjesh tani tundetI arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën, fill pas tejeSi stof i keq u zbeh blerimiDhe ngjajnë toka, pylli, reja,Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduarKu nis të fryjë erë e ftohtë,Ku ca mullarë të gjysmuarDuken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me veten time,Në këtë orë të vonë të muzgut,Ku qerrja baltave bën shkrime.Të lashta sa të Gjon Buzukut.
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,Të pi në gjunjë duke rënë,Në grykë, e di, do të më ngeletI ftohtë medalioni i hënës.
ObserverKult
Lexo edhe:
A DO TË KEMI MË AKTORË SI KADRI ROSHI, MARGARITA XHEPA APO TINKA KURTI?
Kiço Londo, drejtuesi që iu dha fizionomi dy teatrove të reja në Tiranë, Teatrit të Metropolit, që u themelua në vitin 2005 dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” të themeluar mbi 10 vjet më parë, për gati 20 vjet të karrierës së tij ia ka kushtuar punës me aktorët e rinj.
Duke e konceptuar skenën si një element nxitës për të krijuar profile aktorësh, drejtuesin dhe regjisorin e njohur Kiço Londo, që kur ishte në krye të Teatrit Kombëtar, gati dy dekada më parë, e ka munduar gjithmonë dilema:
A do të ketë profile të reja aktorësh në skenën e teatrit dhe në ekranin e filmit shqiptar, siç kanë qenë Kadri Roshi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Sandër Prosi, Naim Frashëri, Arbert Vërria, Violeta Manushi, Drita Pelinku, Ndricim Xhepa, e të tjera ikona të aktrimit.,,
Tekstin e plotë e gjeni KËTU
-

Aktorët e Teatrit Kombëtar me veprën e Shekspirit“Si ta doni”në skenë
“Si ta doni”, një komedi romantike e Shekspirit u shfaq në sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar. Me regji nga John Blondell komedia shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar. Vepra teatrore erdhi në skenë me një kast aktorësh të njohur në role. Luli Bitri, Genti Deçka, EliaZaharia, Dritan Boriçi, Lulzim Zeqja, Donald Shehu, FlorianAgalliu, Ilirda Bejleri, Erjona Kakeli, Laert Vasili, Ina Gjonçi, Flaura Kureta, Besmir Bitraku, Krist Lleshi dhe Enes Ajazi në rolet e kësaj komedie. Skenograf e kostumografia nga Blagoj Micevski dhe muzika nga kompozitori Endri Sina. Vepra erdhi në skenë me regji nga John Blondell, i cili dhe më parë ka vënë shfaqje në skenat tona teatrore. Ai është regjisor, drejtor artistik dhe profesor me karrierë ndërkombëtare.
Themelues i Lit Moon Theatre Company në Santa Barbara (SHBA) dhe Verona Shakespeare Fringe Festival në Itali, ai ka drejtuar mbi 110 produksione në SHBA, Evropë dhe Azi. “Si ta doni”, në origjinal “As youlike it”, është një komedi nga William Shakespeare që besohet se është shkruar në vitin 1599. Vepra në shqip është përkthyer nga Skënder Luarasi. Teatri Kombëtar që po vijon aktivitetin artistik me shfaqje në skenë, por “Si ta doni” u shfaq si premierë absolute. Më parë Teatri Kombëtar në muajin mars këtë vit hapi thirrjet për projekte artistike të bazuara në veprat e Shekspirit. WilliamShakespeare (23 prill 1564 – 23 prill 1616) është ndër dramaturgët më të mëdhenj të të gjithë kohërave, poet dhe tregimtar, i shquar i cili e zhvilloi aktivitetin e tij letrar gjatë shekullit XVI në Britani. -

“Libri i Xhunglës” në teatër/ Aventura e Moglit në skenën e teatrit të Kukullave në Tiranë
Fëmijët, të shoqëruar me prindërit udhëtuan në botën e xhunglës, që transformoi skenën e Teatrit të Kukullave.
Kukulla anatomike në përmasat e kafshëve të gjalla, të sjella me mjeshtëri nga aktorët argëtuan të vegjlit.
Një përrallë që për 50 minuta fëmijët jo vetëm e shijuan, por u bashkuan me personazhin e Moglit në aventurën e tij të rrezikshme për të mbijetuar në xhungël.
“Libri i Xhunglës” siç nuk e kishim më parë, erdhi në skenë nën konceptin e regjisores Ina Morinaj dhe talentit e aktotëve të teatrit, që u bënë një me kukullat.
“Reagimet ishin të shumta, kishte shumë elementë të veçantë dhe e prisnim që publiku do të reagonte”, u shpreh Ilia Kaçi.
“Mund të themi me plot gojën që kemi Moglin në të gjithë historinë e kësaj vepre. Ishte kryevepër, u prit shumë mirë”, tha Erdit Asllanaj.
“Mendoj se ia dolëm, qëllimi ishte ta fusnim publikun sa më shumë brenda kësaj xhungle dhe besoj se sikurse u kënaqëm ne, edhe publiku u kënaq shumë”, tha Aleksandër Grami.
“Jam shumë i lumtur që publiku e priti shfaqjen me kaq ngrohtësi. Publiku u argëtua, falënderoj shumë kolegët që më kanë dhuruar shumë ngrohtësi”, u shpreh Juxhin Plovishti.
Aventura e Moglit në xhungël vijon fundjavën e ardhshme në Teatrin e Kukullave.Top Channel
-

Komedia “Një martesë, një divorc, një funeral” në skenën e teatrit “Bylis”
“Një martesë, një divorc, një funeral” këtë mbrëmje në skenën e teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit. Komedia me regji nga Rovena Lule vjen në skenën teatrore për publikun me pjesëmarrjen e aktoreve të njohura të teatrit si Olta Daku, Zamira Kita, Egla Ceno dhe Paola Kodra. Në skenën e teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit komedia do të vijojë edhe mbrëmjen e datës 6 nëntor. Skenografia realizuar nga Beqo Nanaj dhe kostumografia nga Desantila Lika. Komedia “Një martesë, një divorc, një funeral” është vënë më parë në skenë në teatrin “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës nga regjisorja Rovena Lule.
Shfaqja më parë është pritur shumë ngrohtë nga artdashësit korçarë, të cilët kishin mbushur sallën e teatrit, ndërkohë që kjo komedi po vijon të shfaqet në skenat tona. Institucionet teatrore në vend këtë sezon artistik po sjellin në skena shfaqje të ndryshme me regji nga regjisorë shqiptarë dhe të huaj, ku edhe teatri “Bylis” solli më parë në skenë shfaqjen e parë këtë sezon komedinë “Pleqëri me kusure”, që ishte produksion i këtij teatri. Në sezonin e ri teatror shtator-dhjetor 2025 në këtë teatër të qytetit të Fierit në program janë parashikuar dhe tre premiera, ndërsa shfaqje teatrore rivënie në skenë këtë sezon do të jenë komedia “Një martesë, një divorc, një funeral” regjia Rovena Lule që shfaqet këtë mbrëmje dhe nesër; “Amour” dramë, regjia Besmir Bitraku dhe “Kurrë një herë tjetër” komedi regjisor Astjano Shehaj. -

Më 30 dhe 31 tetor Teatri Shëtitës me dramën magjepsëse, “Rendi i ri”, në teatrin “Petro Marko” të Vlorës
Nga Julia Vrapi
Drama “Rendi i ri”, një histori plot kthesa që del nga klima e jetës së sotme në një vend në recension. Shfaqja e re e Teatrit Shëtitës, “Rendi i ri” nga autori spanjoll Sergi Pompermayer me regji nga Kiço Londo po vijon rrugëtimin e suksesshëm në skenat e teatrove në vend. Pas skenave të teatrit në qytetin e Gjirokastrës dhe Elbasanit, drama “Rendi i ri” mbrëmjet e fundit të muajit tetor do të jetë në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit të Vlorës. Drama “Rendi i ri” vepër e shkruar në vitin 2014, ku ngjarja zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër disa rrëmbyes e të rrëmbyera do të jetë në Vlorë në datat 30 dhe 31 tetor ora 18:00. Shfaqja e re këtë sezon artistik e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, “Rendi i ri” nga autori Sergi Pompermayer, është një histori plot kthesa që del nga klima e jetës së sotme në një vend në recension.
Një produksion i Teatrit Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori i njohur Kiço Londo, ku ekipi teatror ka në përbërjen e tij talente të reja të spikatura për brezin e tanishëm. Shfaqja po mirëpritet nga publiku, për mesazhet që ajo përcjell, konceptin regjisorial dhe interpretimin e aktorëve në role. Shfaqja e prezantuar më parë në teatrin e Gjirokastrës dhe tetarin e Elbasanit, ku do të jetë për dy mbrëmje me radhe edhe në teatrin e Vlorës ka një kast të mrekullueshëm aktorësh: Era Çaushi, Xhoana Karaj, Igli Fusha dhe Aleksandër Kondi. “Rendi i ri” ka një ndërveprim të mirëfilltë me pjesëmarrjen e audiencës. “E gjithë loja zhvillohet në skenë dhe në mendjet e spektatorëve. Secili përpiqet në heshtje të zgjidh enigmën. Dhe kjo është surpriza me e bukur që mund të ofroj teatri detektiv”, thuhet rreth shfaqjes, produksion i Teatrit Shëtitës “Çajupi”.Vepra është përkthyer nga Natasha Habilaj, kostumet Silvi Vrapi dhe as regjisor Fabjo Rapushaj. Drama “Rendi i ri” këtë sezon artistik vjen në vijim të produksioneve të tjera teatrore më parë të Teatrit Shëtitës “Çajupi”, që kanë shënuar sukses në skenat tona.
Drama në skenë
Ngjarja në dramë zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër katër rrëmbyes e dy të rrëmbyera (nënë e bijë), që instinktivisht janë nën kthetrat e urrejtjes dhe grindjeve të vazhdueshme për vendin, pasiguri me trazira, me krizë demokracie, vënie në pikëpyetje të drejtësisë, abuzimin emocional, kompleksitetin e pakënaqësisë, anarkinë, seksin. Konfuzion ekzistencial. Një grua dhe dy burra, pasi kishin humbur vendet e punës, paratë dhe shtëpinë, të dëshpëruar, rrëmbejnë ish-ministren e punës dhe drejtoreshën e bankës më të madhe të vendit, duke e shantazhuar që të ndërhyjë te bordi i drejtorëve të bankës dhe aksionarët e saj kryesorë për të ndaluar sekuestrimin e pronave dhe dëbimet dhe për t’ua kthyer paratë atyre që kanë nënshkruar kredi pa i ditur shkronjat “e bukura” të marrëveshjeve. Drama “Rendi i ri”, e shkruar në vitin 2014 po prezantohet për herë të parë në vendin tonë. -

Firmosi shembjen e Teatrit Kombëtar, Rama shpërblen violinisten me postin e zëvendësministres së Arsimit
Shërbëtorët e bindur e të nënshtruar të Edi Ramës gjithmonë shpërblehen. Kushdo që i ka vënë fytyrën apo firmën punëve të pista të shefit të Rilindjes, ka marrë diçka prej pushtetit të tij.
Kjo është një trajektore që ne kemi parë prej kohës kur ai ishte në bashki dhe deri më sot kur drejton Shqipërinë prej 13 vitesh.
Siç mëson Lapsi.al, në mbledhjen e sotme të qeverisë, Herida Duro është emëruar zëvendësministre e Arsimit. Një violiniste me profesion që do të bëjë dhe implementojë politika në fushën e arsimit.
Diçka që bën pak sens, por oborri i pushtetit të Ramës ka parë plot çudi të tilla. Është gati normalitet katapultimi i njerëzve në këtë formë. Por arsye thelbësore e emërimit të saj në postin e zëvendësministres, me siguri është kontributi që Herida Duro ka dhënë në shembjen e Tetarit Kombëtar.
Asokohe ajo ka qenë drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës dhe pjesë e grupit të punës që bënë vlerësimin e Teatrit Kombëtar, nëse duhej shembur apo jo.
-

“Kohë në pentagram” vjen përmes veprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni
Nga Julia Vrapi
Pjesë nga veprat operistike në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vijnë në “Kohë në pentagram”. Një mbrëmje muzikore kushtuar 70-vjetorit të lindjes së regjisorit Nikolin Gurakuqi, një prej emrave më të rëndësishëm të skenës shqiptare. Opera “Tosca”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Otello” e shumë të tjera janë vënë në skenën tonë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, ndërsa aktiviteti i tij artistik është mirëpritur edhe jashtë vendit. “Kohë në pentagram” zhvillohet mbrëmjen e datës 18 tetor, ku publiku do të udhëtojë ndër vite përmes kryeveprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni. Një mbrëmje gala, që do të ngjisë në skenë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të sjellë për publikun arie apo skena operash që janë vënë në skenë më parë. “Kohë në pentagram” zhvillohet nën drejtimin muzikor të maestro Edmond Doko dhe Dritan Lumshit, me pjesëmarrjen e Solistëve, Korit dhe Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ndërsa sipas teatrit vjen një udhëtim artistik në pentagramin e kohës, aty ku muzika dhe kujtimet flasin një gjuhë të përjetshme. Regjisori Nikolin Gurakuqi më 25 korrik 2025 festoi dhe 70-vjetorin e tij. Opera “Goca e Kaçanikut” vepër operistike shqiptare e kompozuar nga Rauf Dhomi, që u shfaq në 2024 në Prishtinë dhe në Tiranë është edhe vepra më e fundit në vijim të aktivitetit të tij artistik. Me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” opera në TKOB u shfaq më 25 nëntor 2024 edhe si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.
Mbi 80 produksion operistike
Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj Itali, Greqi, Kosovë. Prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar në zhvillimin e artit skenik shqiptar. Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, fillimisht si korist, e më pas si solist ku realizoi një sërë rolesh të ndryshme, ku mund të përmendim, Gjergj Arianiti nga opera “Skënderbeu”; Mateo, opera “Paja”; Komandanti, opera “Borana”; Deloja, opera “Nëna e trimave”; Il Marchese, opera “La Traviata”; Don Bartolo, opera “Il barbiere di Siviglia”; Colline, opera “La Boheme”; Ferrando, opera “Iltrovatore”; etj. Ka interpretuar role edhe jashtë vendit si në Francë e Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut”, e shumë të tjera. Si pedagog pranë Universitetit të Arteve dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin profesional të shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë.