Nën një spektakël dritash, u prezantua në Tiranë ‘HangArt’ një vatër e re për kulturën, e cila është ringritur pranë ambienteve të Kinostudios së dikurshme.
I pranishëm në këtë aktivitet, kryeministri Rama vuri theksin tek mangësitë që ka vendi për drejtues të aftë institucionesh që talentet artistike t’i kthejë në burim ekonomie. Kryeministri Rama tha se në këtë drejtim do të investohet.
Shefi i qeverisë nënvizoi se nevoja për një qasje të re që godinat të mos jenë thjesht ambiente për vepra artistike, por edhe për debatin mbi artin bëhet edhe më e madhe tanimë që gjithë institucionet e artit në vend janë në ristrukturim.
‘Ambicia jonë është të rrisim burimet për kulturën dhe pjesë e këtij qëllimi është edhe vet organzimi i ri i ministrisë dhe kombinimi në një strukturë i ekonomisë kulturës dhe inovacionit dhe ne e kemi rritur buxhetin dhe jemi duke punuar dhe për një sërë skemash të reja që do ti vijnë në shërbim të njerëzve të kulturës dhe skenës dhe aktiviteteve të drejpërdrejta në të gjitha fushat që mbulon ky hark i gjerë institucional. Dua të them se do të bëjmë një përpjekje të posaçme për të stimuluar edukimin e menaxherve të kulturës.
Në këtë pikë ndjej që ka një hendek mes aktoreve që janë të pjekur plot gjëra interesante për të dhënë dhe për të ndarë me publikun dhe pjesës së menaxherve të menaxhimit të kulutrës që tek ne është e mangët dhe duhet që të investojmë në këtë drejtim sepse krijojmë hapësira të reja. Por pastaj pyetja e madhe që mbetet është si do të arrijmë që këto hapësira t’i kthejmë në hapësira pjellorie dhe begatie sa i përket produkteve që mund të sjellin këto hapësira. Këtu nuk është çështje as e talenteve, as e parave që duhen investuar për këto hapësira, por dhe për mënyrën se si këto hapësira menaxhohen’, tha ai.
Teksa foli për Teatri Kombëtar, ai tha se skena e rraskapitur e teatrit të vjetër, fatmirësisht i hapi rrugë ndërtimit të teatrit të ri.
‘Sot ne pamë një zhvillim shumë të madh në qëndrën e re kombëtare për fëmijët ku do të strehohet një pjesë domethënëse e kulutrës dhe aktivitetit artistik në funksion të moshave të reja. Por sa i kemi në kapacitet për ta transformuar atë investim që po bëhet atje në territore të begata për ata që do ta shfrytëzojë atë qendër dhe për ata që do të jenë protagonsitë atje. Lind edhe pyetja për galerinë dhe Teatrin Kombëtar që është në ndërtim e sipër dhe s’do të ketë më një skenë të rraskapitur si ajo që i hapi rrugën teatrit të ri kombëtar’, tha ai.
Ministëri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe prezantoi dhe nismën CulturAlb, edicioni i katërt të Javëve Kulturore Ndërkombëtare si dhe rrjetin e qendrave për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Gonxhja, bëri një pasyqrim të aktiviteve që pritet të mbahen në vend.
‘Sipas fushave të mbështetura për vitin 2025 shifrat flasin qartë se kemi një ekuilibër shumë më të drejtë, muzika dhe baleti 31 për qind, artizanti dhe trashëgimia 23 për qind, artet pamore 22 për qind, teatët dhe kinematografi 14 për qind, letëria 10 për qind. Viti 2025 do të sjell 3500 evente nga skena e pavarur artistike ose 52 për qind akticitete më shumë se viti 2024 me 600 mijë spektatorë të pritshëm’, tha ai.
Tag: teatrit
-

Hapet shtëpia e re e artistëve “Hangart”, Rama: Skena e rraskapitur e Teatrit Kombëtar i hapi rrugë të riut
-

Oltsen Gripshi: Përmes shfaqjeve teatrore trajtohen edhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut
Nga Julia Vrapi
Në skenat tona vihen shfaqje të ndryshme teatrore, vepra të autorëve shqiptarë dhe të atyre të huaj, ku përmes tyre trajtohen tema të ndryshme e përcillen edhe mesazhe për shoqërinë. Një ditë e veçantë kushtuar artit skenik është dhe Dita Ndërkombëtare e Teatrit, që shënohet çdo vit më 27 mars. Në këtë ditë nga artistë të ndryshëm dhe më gjerë jo vetëm u soll në vëmendje rëndësia e teatrit në vendin tonë, por dhe zhvillimet apo problemet me të cilat përballet aktiviteti i tij artistik. Ph.D. Oltsen Gripshi historian arti, i cili herë pas here ka reaguar për zhvillimet e artit sjell në vëmendje se teatri ka një rëndësi të madhe në kulturën dhe historinë e vendit tonë.
Gripshi ndalet dhe te rëndësia e teatrit në shoqëri dhe ndikimi i tij, ku sipas tij përmes shfaqjeve teatrore trajtohen tema të rëndësishme, si liria, demokracia dhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut. Ph.D. Oltsen Gripshi thotë se përmes teatrit janë përcjell mesazhe, që kanë frymëzuar njerëzit në tërë botën. “Teatri mbetet një nga format më të vjetra dhe më të fuqishme të shprehjes artistike, duke sjellë histori, emocione dhe mesazhe që frymëzojnë njerëzit në mbarë botën, pasi ai shëmbëllen fenomenologjinë e jetës reale në skenë, ku çdokush shikon veten si pjesë përbërëse e asaj të vërtete që na rrethon çdo ditë”, shprehet ai.
Fillimet teatrore në vendin tonë janë të hershme, ku herë pas here studiues të ndryshëm kanë sjellë në vëmendje dhe shfaqjet e para, veprat që janë vënë në skenë. Për Ph. D. Oltsen Gripshin historian arti, teatri ka pasur shumë rëndësi edhe në zhvillimet kulturore të vendit tonë. “Teatri ka një rëndësi të madhe në kulturën dhe historinë e Shqipërisë, duke qenë një nga format më të fuqishme të shprehjes artistike dhe një mjet për edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë. Që nga kohët e lashta, kur ilirët zhvillonin forma të hershme të teatrit, e deri në ditët e sotme, ai ka luajtur një rol kyç në zhvillimin kulturor të vendit”, thotë ai.
Roli dhe rëndësia e teatrit në Shqipëri
Oltsen Gripshi historian arti shprehet për rolin dhe rëndësinë e teatrit në vendin tonë se ai jo vetëm ka shërbyer për të përcjellë historinë dhe vlerat, por përmes shfaqjeve janë trajtuar një sërë temash të rëndësishme. Ai thotë se vendi ynë ka pasur një histori të pasur teatrore me aktorë dhe regjisorë, që me aktivitetin e tyre kanë arritur që të lënë gjurmë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare “1. Ruajtja e identitetit kombëtar- Teatri ka shërbyer si një mënyrë për të përcjellë historinë, traditat dhe vlerat kombëtare, sidomos gjatë periudhave të vështira historike. 2. Ndikimi në shoqëri – Përmes shfaqjeve teatrale trajtohen tema të rëndësishme si liria, demokracia dhe problemet sociale, duke ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut. 3. Zhvillimi i artit dhe kulturës – Shqipëria ka pasur një histori të pasur teatrore me aktorë dhe regjisorë të njohur, të cilët kanë lënë gjurmë në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, ke fundit ishte shfaqja “15 ditë prilli” të autores Anissa Markarian, vendosur për herë të parë premierë në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, nga regjisorja e talentuar Driada Dervishi”, thotë Ph. D. Gripshi historian arti.
Ndër të tjera ai ndalet dhe te edukimi i brezave të rinj, duke pohuar se teatri shërben si një shkollë për artistët e rinj dhe si një mjet edukues për publikun, duke sjellë vepra që nxisin mendimin kritik dhe krijueshmërinë. Por dhe sa i takon turizmit dhe ekonomia kulturore , sipas Ph.D. Oltsen Gripshit teatri është gjithashtu një atraksion për vizitorët, veçanërisht në qytetet si Tirana, Prishtina, Durrësi, Shkodra dhe Korça, ku tradita teatrore është e theksuar. Ai thotë se institucione të rëndësishme si Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri “Aleksandër Moisiu” si i pari teatër i hapur në Shqipëri që në vitet e para të shekullit XX, në fillim me shfaqje amatore, por më pas si profesionit dhe Teatri “Migjeni” në Shkodër kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e teatrit në Shqipëri. “Këto institucione kombëtare dhe vendore vijojnë të jenë e të luajnë një rol qendror për jetën kulturore shqiptare”, thotë Gripshi historian arti. 27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. -

Rama sjell Bufin dhe shokët e tij në ditën tradicionale të Teatrit të Kukullave
Rama ka uruar sot MIRËMËNGJES 😊dhe duke i falenderuar dy të rinjtë që ma dërguan këtë krijim të bukur, për Bufin dhe shokët e tij, si edhe duke ua plotësuar dëshirën që ta ndaj me të gjithë ju, pikërisht në ditën tradicionale të Teatrit të Kukullave, ju uroj të diel të buzëqeshur.
-

Intransigjentë dhe indiferentë
Nga Elsa Demo
Në muajt e parë të protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar shihja jo pak studentë të Arteve. Aq nuk vinin as për shfaqjet. Ndiqnin pedagogët, të cilëve protesta po iu jepte mundësinë për të çliruar ndrydhjen e dhuntive nga mungesa e një jete normale artistike. Ishte rast për të shfaqur në jetën publike, në atë realen, intransigjencën që Shekspiri apo Beketi ua jepte ta shfaqnin në skenë “me gjasme”.
Fjalori i de Niros drejtuar Trumpit zbriti në sheshin e teatrit. Atë qershor, live në televizion nga skena e çmimeve “Tony”, aktori hollivudian e kishte zgjidhur edhe një herë gjuhën kundër presidentit të vet. Nën shembullin e tij, një aktor-pedagog nga Tirana po rindizte karrierën po edhe kamerat e kanaleve televizive kombëtare, që nuk e kishin ndarë mendjen, bojkot a mbështetje për teatrin, njëlloj si artistët që nuk kishin kaluar ende në përpunimin e kryebashkiakut, i ngarkuar nga Partia t’i jepte drejtim. Versioni shqiptar i de Niros, teksa e lagte shiu, si në filmat e Kinostudios edhe ky, me njërën dorë lart si mesia, me tjetrën në çantën e vogël prej lëkure mbi stomak, iu drejtua kreut të qeverisë: Shikomë në sy, ti, son of a bitch! Fuck you, fuck youuuu!
Nuk kaloi shumë, ai dhe të tjerë u shfaqën në fotokartolinën me kryetarin e bashkisë. Kush nuk mundi të ishte i pranishëm, prej rëndimit të veshëve, kyçeve a peshës së famës, e dha miratimin nga Facebook-u. Nuk u dukën më në shesh as pedagogët e kategorisë së dytë, hije e kolegëve që u përpunuan brenda natës, nuk u dukën as studentët e Arteve. Çështja e Teatrit Kombëtar, megjithëse vazhdon të konsiderohet në studimet mbi korrupsionin në Shqipëri, si rast i pastër i kapjes së shtetit në nivelet më të larta, njerëzit i ka lënë të ndarë.
Pyetja “kujt t’i besosh?”, e fortë sa shembja e teatrit, mbetet hon mes nesh.
Një ditë pas rrafshimit, 18 maj 2020, artisti me karrierë ndërkombëtare, Adrian Paci e dënoi aktin me anë të një letre. Paci, që e ndan jetën dhe aktivitetin krijues midis Milanos dhe Shkodrës, e shpalli veten “një kundërshtar publik me shumë” të Edi Ramës.
Qëndrimi i tij pati jehonë. I shkrova “falemnderit”, ma ktheu “Tani është vonë”. Nuk më kujtohet nëse i shkrova “nuk është vonë”, por mbaj mend ndjesinë e asaj “vonë”, kur kjo fjalë shpreh një akt njerëzor të fundëm, tek i cili e gjejnë veten si në një gji gëzimi dhe dhimbja. Mirëpritja në masë e asaj letre shpjegohet me nevojën për ngushëllim të njerëzve të plagosur nga një padrejtësi. Ka dhe një arsye tjetër. Letrën e shkruante një njeri i afërt me kryeministrin dhe sistemin e tij.
Paci është mirëpritur gjithnjë nga skena e artit në Shqipëri, nga Galeria Kombëtare po ashtu. Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, ai u caktua të përfaqësojë Shqipërinë në një bienale arkitekture, pa qenë i asaj sfere, megjithëse vepra e tij “Kolona” shprehte një bashkim gjuhësh nga fushat humane, një akuzë nëpërmjet modelit të kitsch-it kundër dehumanizimit. Edhe angazhimi i tij me një shtëpi arti në vendlindje, “Art House”, ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Shkodrës.
Po ta mendosh në kontekstin e propagandës që vinte nga të gjitha drejtimet, ajo letër ishte akt intransigjence: “një i yni del kundër”. E gjitha kjo ka dhe një shpjegim njerëzor, i lidhur me një proces që vepron në brendësi të njeriut pas fakteve të kryera, ngadalë, kur ka ndodhur tek ai dekantimi i përzierjeve, manipulimeve, dualizmit, kur ka reshtur tek ai konflikti mes intelektualit në vetmi dhe intelektualit në shoqëri, kur ka rënë personazhi tek ai, për t’u takuar me atë gjë, që e ngre njeriun në sytë e vetes, edhe atëherë kur njeriu bie në sytë e publikut, kur luzma e denigron, e dënon, pra për t’u takuar me ndërgjegjen.
Pak muaj pas asaj letre, në nëntor 2020, Paci bashkëpunon me Platformën e Artit Bashkëkohor “Harabel”, me bashkëshorten e atij që punoi deri në momentin e fundit për shembjen e Teatrit dhe deri në momentin e arrestimit, që aty të ngrihet një teatër nga ndërtues që kanë përfituar miliona euro fonde publike. Vepra “Bukurshkrimi”, e kripur në kontradikta me veten si objekt kulturor dhe me vendin ku u ekspozua, anulon integritetin shprehur në letrën disidente. “Harabeli” kishte menduar ta vendoste në një hapësirë publike në Tiranë: “Dy ministri i qëndrojnë anash, përballë ka Katedralen Ortodokse, nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar”. Në fakt, nga ana tjetër qëndronte gropa e Teatrit Kombëtar. Mospërputhja e parë kjo.
Para se ta shembnin, Teatrit i këputën fijet e mbrojtjes ligjore, për t’u lënë jashtë qendrës historike të qytetit, me qëllimin që t’i hapej rrugë ndërtimit në atë territor. Me dy vendime të njëpasnjëshme të qeverisë, ngushtohej zona e mbrojtur e Tiranës, në perimetrin ekzistues të së cilës do të ndërtoheshin objekte të larta, me efekt bunkerizues. Në këtë logjikë progresi urbanizues, “Harabeli” e propozon veprën e Pacit si “pjesë e një projekti që ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.” Mospërputhja e dytë kjo. Në njërën anë të dialogut të hapur qëndron administrimi i hapësirës urbane si dëshmi e vendimmarrjeve arbitrare qeveri-bashki, në bashkëpunim me biznesin e ndërtimit dhe investimin e parasë së dyshimtë.Në anën tjetër, vepra e artit është në një konflikt interesi mes komisionerit të veprës, “Harabelit” dhe bashkisë së Tiranës që ofron hapësirën publike. Prej këtej vjen mospërputhja e tretë.
“Bukurshkrimi” është një bankë shkolle, rekuizitë nga vitet e komunizmit. Mbi bankë, në dy pllaka bronzi janë gdhendur sipas fletores me shkrim dore nga Paci në vitin 1975, fjali të diktuara: “Tirana është kryeqyteti ynë; Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur; Tirana po zbukurohet dita-ditës.” Xoxa, sërish në rolin e kuratores, lexon aty “sfumaturat mes kësaj pune të vogël dhe qytetit përreth me shenjat dhe shprehjet që artikulohen përditë mbi hapësirën e tij urbane”. Mund ta shtysh deri natën vonë me sfumaturat dhe përligjjen e objektit si vepër arti. Vetëm si objekt kulturor par excellence nuk mund ta shoh. Nuk mund ta shkëpus qëllimin estetik nga qëllimi për të cilin i japin vëmendje. Është vepër me funksion: dje, dora e partisë kontrollonte dorën e fëmijës; sot vepra e artistit përdoret si mëngë e qeverisjes politike. E komisionuar, instaluar dhe lexuar sipas pikëpamjes së një mecenati me axhendë politike, vepra komprometon edhe ndonjë cilësi me origjinë nostalgjinë.
Sipërmarrjet e “Harabelit”, nuk i trajton dot thjesht estetikisht. Dhe të dëgjosh “Harabelin” tek i vë për mision artit ndërgjegjësimin për një të ardhme më të mirë apo destinacionin turistik, në përputhje me prioritetet e Bashkisë?
Të instaluara në lagje e sheshe, duke pasur për skenografi qytetin, këto objekte vihen në marrëdhënie me polisin. Vlerësimi i tyre për të bukurën, për shijen që lënë, lidhet me këto sfera, qytetin dhe politikën dhe me vlerën e përdorimit në to. Nuk i gjykon dot vetëm nga pamja e jashtme. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për një seri veprash nga “Arti në hapësirën publike”, projekt i qeverisë i vitit 2022. Instalacioni në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare, përbri Onkologjikut, “Terminal for Tirana” nga Karolina Halatek, është vendosur në një hapësirë, e cila ka hyrë në hartën e hapësirave shoqërisht të plagosura dhe të helmuara nga PPP-të dhe korrupsioni, aq sa debati publik ngec keq, kur niset ta ndajë përgjegjësinë individuale nga sistemi i kapur. Nga përvoja familjare në vitet e fundit, kam provuar se nuk është çështje fati e numrash të hysh asaj porte të Onkologjikut. Më sfilitëse se sëmundja bëhet vuajtja që shkakton një sistem shëndetësor i korruptuar që ka dehumanizuar raportin mjek-pacient, duke rrezikuar seriozisht jetën e njeriut. Përtej ca pak mjekëve të zotë e humanë, ai territor të shtyn ta kërkosh fuqinë dhe shpëtimin jo më në tokë, jo më tek njerëzit.
Objektet që kam diskutuar edhe në shkrimet e mëparshme, herë manifestojnë shpëlarjen e punëve të ndyra nëpërmjet artit (“Bleta” nga Sislej Xhafa, në Landfillin e Tiranës), e herë komprometojnë identitetin e vendit, e peizazhit ku janë instaluar. Si të tilla janë të destinuara të jenë të përkohshme. Kur jam përballë tyre nuk mund t’i vrojtoj e painteresuar, sikur të jenë produkt i pastër i intelektit apo shpirtit krijues. Ndjej zemërim dhe neveri, kur shoh që për këto projekte qeveria ka paguar edhe artistë që sot janë angazhuar në organizimin e diasporës për llogari të Partisë Socialiste në zgjedhjet e majit.
Të gjitha këto janë dëshmi e një botëkuptimi për artin krijuar nën qeverisjen e Ramës.
Jo vetëm nuk gjej bukuri në punët e Driant Zenelit, po sërish e them, aty vegjeton një art frikacak. Rrembi i parë frikacak qëndron tek fshirja e problematikës lokale nga vepra e artit, kur artisti shkon në minierën e kromit në Bulqizë për të ndërtuar një kozmos të paqenë, aty ku realiteti nuk ka nevojë për fantazitë e Driantit po për dorën e shtetit. Propozim për Bienale ky, për të cilën Paci mund të thotë se është maja e artit botëror për nga integriteti integral. Rrembi i dytë frikacak është që ky lloj arti shpëlan imazhin e një kompanie të fuqishme me aktivitet të shumanshëm, nga biznesi i pasurive të nëntokës shqiptare, tek tregtia e lavatriçeve e së fundi hedhur edhe në botën e artit.
Në këtë kontekst i kam parë disa nga punët e ekspozitës personale, me të cilën u inaugurua Gallery Of Contemporary Art Tirana – G.O.C.A.T, kuruar nga Ajola Xoxa. G.O.C.A.T zotërohet nga Fondacioni Mane. Në dosjen hetimore del se, kompania “Balfin” ka kaluar shuma të hollash për llogarinë bankare të “BYLA”-s, kontrolluar nga Xoxa. Kur duhet të nënshkruhet kontratë me kompaninë e Samir Manes, Xoxa llogarit nga cila prej shoqërive të saj do ta lëshojë faturën për shumën 30.000 euro.
Sa për pjesëmarrjen në Manifesta 2022, ku Zeneli zinte një kat të tërë në Hotel Grand, kujtoj se “Harabeli” ka qenë partner për katër bashkëpunime me Manifesta 14 Prishtina Western Balkan Project, financuar nga Bashkimi Europian.
Paci e kalon pa problem zgjedhjen pa konkurs të përfaqësuesit të Shqipërisë në Bienalen e Venecias, madje ai e ka përshëndetur, me sa di, edhe përfaqësuesen e vitit 2024. Po ashtu, zgjedhja për Bienalen e Arkitekturës 2025 u mbyll pa bërë zë.
Kjo histori është një tjetër gjurmë e botëkuptimit për artin krijuar në dekadën e fundit, gjatë së cilës, po të kujtojmë programin politik për kulturën 2013-2017, pritej të krijohej një sistem i pavarur për artin. Jo. Vetëm projekti i fasadave është promovuar për 10 vjet (2001-2011) në Bienalet e Tiranës dhe në dy Bienalet e Venecias, të Artit dhe Arkitekturës. “Dammi i colori”, realizuar nga Anri Sala në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Rama, u prezantua si ngjarje kolaterale në edicionin e 50-të të Bienales së Venecias (2003), brenda projektit “Stazione utopia”. Ky seksion është kuruar nga Molly Nesbit, Hans Ulrich Obrist e Rirkrit Tiravanija, të cilët kishin bashkëpunuar me bienalet e Tiranës, nën mbikëqyrjen e Ramës. Është i Tiravanijas slogani në fasadën e pallatit tek “Zogu i Zi”: “These are things we are fighting for”. Në vitin 2010, një variacion i projektit të fasadave u prezantua nga artisti Helidon Gjergji në pavijonin shqiptar të Bienales së Arkitekturës. Në Bienalen e vitit 2017, Rama prezantohet ekskluzivisht si piktor. Midis viteve, nuk llogariten forumet, reportazhet, intervistat e panumërta me Ramën protagonist në mediat e huaja, për PR-in e të cilit një rol jo të pakët ka Anri Sala. Sala ka ruajtur që në krye të herës një raport kurtizan me pushtetin e Ramës. Përtej famës dhe suksesit në Perëndim, ai ka ndikuar si këshilltar në vendimmarrjet politike që çuan në betonizimin e qendrës historike të Tiranës, vendlindja e Salës. Emrin e tij e gjen edhe në projekte më rëndësi për rehabilitimin e qendrës historike, në kohën kur doli hapur për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Të mos harrojmë” shkruan Paci “se artistët bashkëkohorë janë një kategori e margjinalizueme në Shqipni që luftojnë secili individualisht e në mënyrën e vet për mbijetesë intelektuale, shpirtnore dhe ekonomike dhe e fundit gja që do i ndihmonte do ishte një klimë linçimi, survejimi e përgojimi.” Kësaj i thonë të fusësh në thes ata që janë vërtet të shmangur, ata të zonës gri që as e kanë ditur ose nuk iu ka interesuar ta dinë origjinën e investimit të Xoxës dhe efektin e krijuar nga politikat e Rama-Veliajt, të cilët rrinë në grykë të thesit si autorët e gjendjes. Pesë vjet më parë Paci kishte sy t’i shihte këto, tani jo më.
Nuk e marr dot me mend, nëse hetimi për “Harabelin” ka për të shërbyer si paralajmërim për të tjerë të asaj rruge, për të pasur drejtësi për skenën e artit, për atë pjesë të skenës që nuk e do këtë fëlliqësi. Se ka që e duan.
Kur pyesja për rastin e Idlir Kokës, “si ndihet piktori, vallë, kur dëgjon t’i përdoret emri dhe puna?”, ishte për të shprehur keqardhjen që, sistemi i ngritur nga Xoxa, nuk ka kursyer miq e familjarë, artistë me famë e pa famë. Që një ish-fshesar i ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, sot drejtues i një kompanie me rëndësi për sasinë e parasë që qarkullon edhe nga tenderat e Bashkisë, i kërren një artisti gjithë punët varur në muret e galerisë së Xoxës, për vlerën 50.000 euro, ndërsa artisti paguhet 13.000 euro, duhej të ishte fyese, ca më tepër nëse artisti nuk do kishte dijeni.
Po ja që nuk është hiç i keqardhur vetë kalorësi. E konfirmon Paci, i cili gjen rastin t’u japë përparësi penelatave të shkrifëta në pikturën e Kokës. Jam dakord edhe unë që nuk ka rëndësi, nëse një kurator i huaj ka kuruar apo jo ekspozitën e Kokës. Rëndësi ka që, ky kuratori i huaj, “shtetas italian, sipas sugjerimeve të Ajolës, faturën e lëshon për një event në të cilin nuk ka marrë fare pjesë”.
Kjo kastë e mbyllur e artit bashkëkohor është në koherencë me ligjet e veta të funksionimit. Në raport më historinë, epoka e kësaj kaste është baraz me epokën e njeriut të ri dhe të realizmit socialist, baraz me të djeshmen, baraz me përdorimin e artistit. Këtë herë, historia po përsëritet si farsë.
Ndaj nuk habitem që, pjesa majtas e mediave dhe e elitës, kur kanë parë zemërimin në njerëz për hetimin e Xoxa-Veliajt, e kanë quajtur “gjygj popullor”.
Në artikujt e mi, nuk vjen thirrje për ndëshkim a për gjueti shtrigash siç shkruajnë poshtë e përpjetë artistë bashkuar radhëve të establishmentit. Hetimi im është kulturor, nisur nga faktet që të çojnë tek reflektimi për një hetim të ndërgjegjes, që e bëjnë shoqëri me mendim kritik të sprovuar pas çdo krize që i trondit.
Duhet të mos e kesh fare idenë se çfarë ka ndodhur me artistët nën diktaturë që të dalësh në përfundimin se, kërkesa për ndershmëri intelektuale e qytetare, qenka thirrje popullit për gjyqe publike. Paralelet e Pacit, në rastin më të mirë, janë padije për çfarë është botuar në këto 30 vjet, dokumente arkivore, dëshmi, kujtime dhe, në rastin më të keq, largim i qëllishëm i vëmendjes, për të mos i adresuar problemet me emrin që kanë. Nuk i drejtohem asnjë populli, hetuesi, hafijeje, falsifikuesi faturash, hajduti, asnjë njeriu pa integritet, asnjë artisti frikacak, i drejtohem ndërgjegjes, nëse ka ndonjë ndërgjegje aty që po lexon. Edison Gjergon, Maks Velon, Ali Osekun, Kujtim Spahivoglin, Kasem Trebeshinën nuk i dënoi populli, i dënuan artistët në aleancë me një shtet diktatorial, në të njëjtën llogore me të fuqishmin, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë që ishte policia e inteligjencës në bashkëpunim me shtetin. U ndëshkuan për intransigjencë, jo për lëpirje për karrierë a për një kredi të butë shtëpie. Instransigjenca vjen kur njeriu është në gjendje ndërgjegjeje, jo në konflikt me veten, por me një rrymë jashtë vetes, me një diktaturë, me një masë që mendon në mënyrë të njëanshme dhe tërheq verbërisht pas vetes të tjerë. I ndëshkuan me largim nga profesioni, me vetmi, i shpallën të çmendur, i dënuan me burg. Kur dolën andej, askush nuk iu drejtua me një mea culpa. Nuk do të ketë kurrë mea culpa tani që nuk janë në këtë botë as ata, as përndjekësit e tyre. Unë kështu e njoh këtë pjesë të historisë së kulturës në Shqipëri. Paci njihka gjyqet popullore ashtu në përgjithësi me ballistë dhe partizanë. Si mund të pretendojmë mea culpa nga artistë të sotëm që ngrihen mbi rendin ligjor? Cili në fakt është ndëshkuar, cili është bërë shembull, shembull në kuptimin që pikërisht për shkeljet që i ka bërë ligjit, të dilte nga skena publike, nga e drejta për të përfituar para publike dhe për t’i administruar ato dhe burimet njerëzore apo duke i hequr të drejtën për të mësuar brezin e ri?
Në këtë vend të vrasin për çështje nderi, por të nderojnë për shkelje ligji. Nuk po i ndaj në mënyrë abstrakte politikën dhe etikën. Nuk po kufizohem në një refuzim moral të kësaj situate. Këndvështrimi i anës tjetër po i redukton në gjykim moral problemet në këtë çështje. Problemet etike i rregullon ligji, të cilin mund quash daç policí, a daç gijotinë morale. Funksioni është po ai. Strukturat e drejtësisë po tregojnë aftësi për të rregulluar këtë dominim të padrejtë, këtë marrëdhënie të pistë të politikës me aktivitetin e subjekteve private në kulturë. Por kam frikë se kërkimi me ngulm i diçkaje si drejtësia përmes ligjit, për shoqëri të pasprovuara ligjërisht e shpirtërisht, mund të rezultojë zhgënjyes.
Pse jam e anshme
Për herë të parë dhe të fundit me mjediset e “Harabelit” jam prezantuar në fillimet e krijimit të Qendrës, në maj 2018, për një reportazh mbi hapësirat e artit bashkëkohor. “Reja” e Fujimotos, si në atë fabulën e kungullit me gardhin, hijeshonte para rrjepacakes Galeri Kombëtare, derisa tërmeti u gjet si momenti i duhur për ta mbyllur. Sepse Shqipëria është vendi ku fuqia e njerëzve me pushtet vepron me të njëjtin potencial fataliteti si të forcave të natyrës. Reportazhi mbyllej me një plan total të kryeministrisë. Në shkallë ekspozoheshin afishe me pikturat e Ornela Vorpsit. Paraqitej aty një burrë shtrirë gjysmë i zhveshur, me një mace të zezë në krahë dhe një autoportret me tipare të fshira. Më vijnë ndër mend të vagullta si karaktere të një bote nën morfinë. Pas transmetimit të reportazhit, në postën time email vjen një letër nga drejtori Driant Zeneli, një letër me fyerje, mbi të gjitha, pse kisha pohuar që ai e bashkëdrejton “Harabelin” me gruan e kryetarit të bashkisë. Nuk e kam përmendur më parë këtë fakt, por tani që shumë ngjarje lexohen më mirë post-factum, them se “Harabeli” e ka njohur dhe përdorur që në krye të herës gjuhën e atij që e mendon veten të paprekshëm, sepse e ka ditur me çfarë mjetesh po e çante rrugën ku demonstrohet shembulli i forcës. Ju kujtohet refreni i kryeministrit, besoj, “Të flasim me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”. Po duhet t’ju kujtohet së fundi, kur kryetarja e Komisonit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka, para fytyrave të opozitës tek i kërkonin dorëheqje, tha tri herë si në yshtje: “Jam e dinjitetshme”. Në dosjen Veliaj-Xoxa, skenat e kërcënimit që Bushka dhe Xoxa u bëjnë dëshmitareve, janë të tipit mafioz.
Diskutimi për korrupsionin në kulturë i ka kapur të papërgatitur njerëzit, komentuesit, dëgjuesit, edhe sulmuesit e autores së këtyre radhëve (do të ta shtypim kokën, moj bushtër; çfarë vreri ka në shpirt kjo skizofrene), të papërgatitur për të gjykuar pa rënë në përfundime që e mbyllin debatin. Nuk paska instrumente analize ose ato nuk zënë vend, një; dhe e dyta, shtresëzimi i problemeve pararendëse, të cilat po të kishin ngrënë debat publik sa herë kanë ndodhur, do kishin ndihmuar që, aktualisht, mendimi kritik të mos shihet si qëndrim armiqësor ndaj privates dhe si një polici morale ndaj artistëve, duke e barazuar me “gjygjet popullore” të komunizmit.
Paci nënkupton se nuk jam objektive në çfarë shkruaj dhe se paanshmëria qenka thelbi i të qenit gazetar.
Të jesh e paanshme, do të thotë të mos jetosh, të mos zemërohesh me zemër, të ruash status-quo-në, të rrish në zen, të mos vuash, t’i thuash derrit dajë.
Jam e anshme për gjithë arsyet që kam rreshtuar deri tani. Jam e anshme kur shoh njerëz që lejojnë t’i poshtërojnë të tjerë njerëz, të cilët janë në detyrë për të shërbyer. Jam e anshme, sepse kjo e jona është shoqëri ku e para gjë që asgjësohet është mendimi. Jam e anshme, sepse gazetaria është profesion që të jep të drejtën që, duke dhënë informacion, të kritikosh zyrtarë publik dhe individë me pushtet, dhe mund ta bësh këtë duke u shprehur nëpërmjet ironisë, humorit e satirës, si forma të ligjërimit publik plotësisht legjitime, madje edhe ta teprosh e të provokosh, kur është nevoja dhe për aq sa nuk çorienton publikun. Edhe gazetarit shqiptar i njihen këto të drejta universale, tjetër gjë sa lufton për t’i gëzuar dhe sa e lejojnë që t’i gëzojë. Janë të drejta që i japin dinjitet profesional dhe njerëzor, përndryshe nuk do të kishte dallim mes tij dhe PR-it. Gazetari, ndryshe nga PR-i, e ka për detyrë të mos ua harrojë emrat atyre që kanë bërë keq, që kanë shkelur ligjin në emër të artit, të së bukurës, manive, patologjive, snobizmit a çfarëdolloj instinkti të pafre.
Shqipëria është përballur me imazhin e keq që ka në botë si vend i korrupsionit, mafies, dhunës e tani shqiptarët duhet të përballen, brenda për brenda, me vetë shqiptarët të kredhur në korrupsion dhe në mafie, duke shkaktuar dëme, efekti i të cilave ka për t’u shtrirë në breza.
Nuk e shoh larg mendësisë korruptive dhe mafioze sulmin që njerëz, të cilët i thonë vetes artistë, i bëjnë mendimit kritik. Sepse ata kanë idenë, si të despotëve, fashistëve dhe diktatorëve, – në fakt më rezulton ta kenë vjedhur nga pornomotivimet e njëri-tjetrit poshtë e përpjetë, përfshirë universin e gossip-biz-it – se, njeriu që kritikon “është i palumtur” dhe s’meriton veçse të neveritet e të izolohet, larg skenës publike. Artistët e lumturisë, që zgjohen të parët dhe flenë të fundit në Qendrën për Hapje dhe Dialog të kryeministrit, këta alfa të provincës, që lëvdatën e përqafojnë si të vetmen formë të thëni e të menduari – një shprehje thotë “kur nuk më lejon të kritikoj pse më lejon të të lëvdoj?” – e shohin kritikën si një krijesë të gërditshme që duhet zënë për cep muri e grushtuar sa të dhjesë gjak, që të mos e bëjë rrugë e të zbresë në polisin e artit shqiptar. Lumturia i jep leksion palumturisë si të jetojë indiferente me gënjeshtrën dhe krimin.
Ka njerëz të trashë, që vetëm të lumtur mund t’i bësh./ Peizazhe të jetës
-

Aktorët: Shteti duhet të investojë për teatrin në vend, nuk kemi as status të artistit
Nga Julia Vrapi
Investimi për teatrin në vend, politikat që janë ndjekur apo dhe statusi i artistit janë disa prej shqetësimeve që shprehin artistët. Edhe në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, që u shënua të enjten më 27 mars, aktorët shprehën kritika në drejtim të institucioneve. Në këtë ditë artistët u shprehën për më shumë vëmendje për teatrin në vend, rritje të investimeve, etj. Aktori Ilirian Ali sjell në vëmendje dhe rëndësinë që ka teatri dhe arti në përgjithësi për shoqërinë. “Në këtë Ditë Botërore të Teatrit shteti duhet të kthejë sytë dhe të investojë për teatrin, për aktorët. Bota është qytetëruar dhe emancipuar nga teatri dhe nga arti në përgjithësi. Qeveria dhe shoqëria duhet të kthehet në teatër. Të argëtohet, të mësojë dhe të shikojë jetën.
Të shkëputet nga jeta virale të paktën për dy orë; po ashtu edhe fëmijët, nxënësit , të shikojnë teatër, të shikojnë një ngjarje të mishëruar në personazhe të gjallë”, thotë aktori Ilirian Ali. Një tjetër aktor, Vladimir Doda në Ditën Botërore të Teatrit u shpreh gjithashtu me kritika për çfarë ndodh, duke sjellë në vëmendje se kjo ditë i gjeti aktorët pa status të artistit edhe pse është një kërkesë që po vijon prej vitesh në drejtim të institucioneve. “Situata aktuale është që kemi një ish drejtor të shkarkuar, kemi një festival teatri mbarëkombëtar të anuluar kjo dhe për gjendjen e Teatrit në Kosovë dhe të aktorëve, që është shumë më mirë se në Shqipëri. Sa i përket Shqipërisë nuk kemi ende një status të artistit, nuk kemi një minimum jetik që ka të bëjë me amortizatorët për mbështetjen ekonomike të artistëve, të aktorëve në këtë rast, të artistëve të papunë, ku dhe ata që punojnë me kontratë nuk është se kanë një punë të vazhdueshme”, thotë aktori.
Mungojnë ligje, që do të ndryshonin situatën me probleme
Edhe pse problemet në jetën artistike janë pohuar herë pas here nga artistë të ndryshëm jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër teatrot e tjerë në vendin tonë, aktori Vladimir Doda sjell në vëmendje që ato shfaqje që kanë qenë të suksesshme janë vënë në skenë me regjisorë të huaj. Aktori thotë se këto dy shfaqje janë “Faust” dhe “Vizita”. “Gjendja e teatrit nga ana artistike e cilësisë është që dy shfaqjet më të suksesshme të disa viteve, janë ato me regjinë e Davide Iodice, “Faust” prodhim i Teatrit Kombëtar dhe “Vizita” që është bashkëprodhim mes teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës dhe Sardegna Teatro. Janë regjia e një regjisori shumë të mirë, por italian”, thotë më tej aktori. Për problemet në jetën artistike, aktori Vladimir Doda thekson se duhet përmirësim i kornizës ligjore. Sipas tij po ndodhin skandale me buxhete, mungojnë ligje që do të ndryshonin dhe situatën me probleme që përballen artistët, por sërish heshtet.
“Mua më habit edhe më shumë heshtja e artistëve, aktorëve apo të punonjësve të ambientit teatror sa i përket skandaleve që u zbuluan në bashkinë e Tiranës, por që është një për qindje e madhe për sa i përket buxheti artistik në vend. Duhet që të miratohen ligje që kanë të bëjnë më statusin e artistit, me sponsorizimin për artin, etj, dhe të pastrohet nga njerëz me mendësi të vjetër ose të korruptuar”, thotë aktori Vladimir Doda. Në vijim të kërkesave që kanë pasur artistët ndaj institucioneve, më herët edhe drejtues të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë (SPASH) kanë shprehur se Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë vëmendjen e duhur artistëve, ku një nga kërkesat e tyre ka qenë dhe përmirësimi i ligjit të artit. 27 marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror- INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. -

Dita Ndërkombëtare e Teatrit, Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë
Sot është Dita Ndërkombëtare e Teatrit. Instituti Ndërkombëtar i Teatrit e caktoi 27 marsin, si ditë kremtimi në vitin 1961 për të shërbyer si dita ku duhet të përhapet mesazhi i teatrit përmes skenave të gjithë botës. Kjo ditë duhet të shërbejë për mbështetjen e teatrove lokale, për ndarjen e përvojave në skenë, pas kuintave apo në audiencë, për të vlerësuar dramaturgët e mbi të gjitha për të nxitur të tjerë të rrëfejnë historitë e tyre përmes teatrit.
Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.
Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntëvjeçare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios.(Ata) -

Këshilli i Ministrave emëron drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (Emri)
Qeveria ka emëruar Aulon Naçin në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave ditën e sotme.
Emërimi i Naçit është bërë me propozimin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bazuar në ligjin “Për artin dhe kulturën”.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TEATRIT KOMBËTAR TË OPERËS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLORNë mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i MinistraveV E N D O S I:Z. Aulon Naçi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.K R Y E M I N I S T R IEDI RAMANë mungesë dhe me porosiZËVENDËSKRYEMINISTRIBELINDA BALLUKU|