Niko Peleshi, Gazment Bardhi dhe Taulant Balla
TIRANË- Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka filluar me tensione, ku përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës kanë ndezur debat. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi fillimisht është përballur me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi në mbledhjen e kryetarëve në lidhje me seancën e fundit. Sipas Bardhit, Peleshi e ndërpreu seancën pasi deputetët po flisnin. Ai e ftoi Peleshin që të heqë dorë nga detyra nëse nuk e bën dhe t’ia kalojë atë Taulant Ballës.
Bardhi-Peleshit: Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë.” Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonave. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin. Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar. Po e përsëris: ta harrojnë! Nëse ju, zoti Niko Peleshi, nuk e mbani dot atë karrige, lirojani kryetarit të grupit që e keni aty me votat e krimit të organizuar.
Bardhi nuk është ndalur, ku më pas ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Bardhi – Ballës: Ke komunikime me Suel Çelën.
Balla: Ik ore pirdhu.
Bardhi: Pirdhu ti, i paedukatë. Ke fjalor rruge. Ça je ti mo, kush je ti? Ti do shkosh në burg, do shkosh në burg! Ti je një copë zar i Suel Çelës, i cili të përdori dhe tani nuk të afrohet më, sepse të dhjere ne dru dhe te ka hedhur tutje.
Ndërkohë edhe deputeti Agron Gjekmarkaj akuzoi kryetarin Niko Peleshi se po i mohon fjalën deputetëve të PD-së.
“Unë mendoj se secili është përgjegjës për veten dhe për retorikën që ndërton! Ju na thoni: “Fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, fol gjatë, fol shkurt, mos bëj moral, mos bëj zhurmë…” Por a është normale që nga pala tjetër të na mësojnë se si duhet të sillen deputetët? Kjo është çështje e secilit. Mos u sillni me arrogancë si edukatorë! Më bëri përshtypje në sallë një fyerje që zoti Balla bëri jashtë mikrofonit, ndërsa zonjat e PS-së, të cilat shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan “aromën akustike” të metaforës së Taulant Ballës! Gjithë kohës mbani dy standarde, dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje. Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre muajve njoftime, procesverbale, dhe pastaj ikni me vrap! Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflektoni kalon dimri, vjen pranvera, dhe pastaj shohim e bëjmë! Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart! Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur”,-tha Gjekmarkaj.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë Konferencës së Kryetarëve, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si opozita po përdor ndërhyrjen për procedure për të penguar zhvillimin normal të debatit në seancat plenare.
Niko Peleshi: Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit. Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta prishim ditën.
Partia Demokratike vazhdimisht e ka akuzuar Niko Peleshin si të paaftë për drejtimin e Kuvendit. Në seancën e fundit parlamentare, Peleshi iu bind kërkesës së Taulant Ballës, duke ndërprerë diskutimet e deputetëve të opozitës, jashtë rendit të ditës, dhe duke kaluar menjëherë në votimin e rezolutave. Edhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, diskutimet u mbyllën në më pak se dy orë./ZËRI
ghhhhpng
ba









