Armand Shkëmbi
TIRANË- Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama po përgatit ndryshime në taksimin e pronës. Në një takim me deputetët, vetë kreu i qeverisë tha se do të ketë ndryshime dhe rritje të taksës së dytë të pronës. Por si do të ndikojë kjo në treg? Lidhur me lajmin më të fundit, eksperti imobiliar Armand Shkëmbi, në emisionin ‘Frontline Interview’ tha se pritet që të kenë dyfishim të taksës.
“Kush ka banesë të dytë do të paguajë më shumë taksë prone. Sot që flasim në Shqipëri ne paguajmë 0.05 % të çmimit të referencë të pronës si taksë mbi pronën. Që do të thotë për një pronë që e ka çmimin referencë 100 mijë euro. Ne paguajmë 50 euro në vit taksë prone që i bie 3 deri në 5 euro në muaj. Tani qeveria duhet që ti jap mundësi bashkive që të taksojnë nga 0.1 % deri në 0.2% që i bie dyfishim deri në 4- fishim të kësaj takse. Pra nga 5 euro në muaj mund të shkojë 10 ose 20 euro në muaj. E kombinuar kjo edhe me rritje çmimi të referencës mund të shkojë edhe më shumë se aq, pra për pronën e dytë,”-tha ai.
Por rritja e taksës, do të ketë ndikime! Sipas agjentit, kjo “lëvizje” pritet që të sjellë edhe uljen e çmimeve të banesave.
“Janë pronat e dyta dhe të treta ato që do të taksohen dhe do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026. Do të jetë edhe për ata që i kanë sot edhe ata që do ti blejnë pas një janarit. Taksa e pronës të dytë dhe të 3 duke ushtruar presion fiskal mbi njerëzit që i mbajnë bosh unë mendoj se do të detyrohen që ti shesin ato prona do dalin më shumë prona në treg dhe mund të kemi edhe ulje të çmimeve brenda viti 2026,”-shtoi ai.
Megjithatë, pritet që efekti të jepet në muajt e ardhshëm, gjithmonë pasi taksat e re të ketë hyrë në fuqi./ZËRI









