Tag: summers

  • Publikimi i dokumenteve të Epstein, ish-Sekretari i Thesarit të SHBA-së jep dorëheqjen nga bordi i OpenAI

    Publikimi i dokumenteve të Epstein, ish-Sekretari i Thesarit të SHBA-së jep dorëheqjen nga bordi i OpenAI

    Ish-Sekretari i Thesarit të SHBA-së dhe ish-presidenti i Harvardit, Larry Summers, ka dhënë dorëheqjen nga bordi i OpenAI.

    Ai dha dorëheqjen vetëm pak ditë pasi Kongresi publikoi dokumente që zbulojnë komunikime të vazhdueshme mes tij dhe Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
    Vendimi i Summers u konfirmua këtë të mërkurë, ndërsa ai vetë njoftoi më herët se do të tërhiqej nga të gjitha angazhimet publike për të rindërtuar besimin dhe për të rifituar marrëdhëniet me njerëzit më të afërt.
    Kompania OpenAI reagoi menjëherë duke deklaruar se e respekton vendimin e tij dhe vlerësoi kontributin e Summers që prej bashkimit në bord në fund të vitit 2023, pas krizës së shkurtër me shkarkimin e CEO-së Sam Altman.
    Dokumentet e publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve kanë sjellë kritika të shumta ndaj Summers. Ndërkohë, Universiteti i Harvardit, ku ai është profesor ka njoftuar hapjen e një hetimi të ri për personat e përfshirë në korrespondencën e Epstein, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë emra.
    Në arenën politike, Presidenti Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të hetojë lidhjet e Summers dhe disa demokratëve të tjerë me Epstein, ndërsa është përpjekur të minimizojë kritikat për marrëdhëniet e veta me abuzuesin e dënuar.
    Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se çështja mbetet një pikë e dobët për Trump, ku vetëm 38% e amerikanëve miratojnë performancën e tij, ndërsa vetëm 20% mendojnë se ai e ka menaxhuar si duhet këtë skandal.
    Kjo valë pasojash i ka shtyrë disa institucione të tjera të distancohen nga Summers. Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare dhe Qendra për Progresin Amerikan kanë konfirmuar se ai po tërhiqet nga rolet e tij, ndërsa “The New York Times” njoftoi se nuk do të rinovojë kontratën e tij si kontribues.
    Përveç OpenAI, Summers ka mbajtur pozicione të rëndësishme edhe në kompani si Skillsoft dhe Santander, ku ka udhëhequr bordin këshillues ndërkombëtar të bankës.

    Top Channel

  • Dosja Epstein, cilat personalitete të tjera përmenden?

    Dosja Epstein, cilat personalitete të tjera përmenden?

    Publikimi i mbi 20 mijë faqeve dokumente nga dosja Epstein ka nxjerrë në dritë komunikime të shumta mes financierit të ndjerë të akuzuar për pedofili dhe figurave të njohura nga politika, biznesi dhe media.
    Dokumentet nuk provojnë fajësi, por tregojnë lidhje, kontakte dhe shkëmbime emailesh, që zgjojnë interes publik. Mes emrave të përmendur janë personalitete të tilla si Michael Wolff, Larry Summers, Kathryn Ruemmler, Peter Thiel, Noam Chomsky dhe Peggy Siegal.
    Materialet e reja zbulojnë se si Epstein kërkonte të ndikonte, të këshillonte apo të krijonte lidhje me figura me peshë globale.
    Michael Wolff
    Dokumentet tregojnë një seri emailesh mes gazetarit Michael Wolff dhe Epstein, ku diskutohej edhe mënyra sesi Trump duhej t’i përgjigjej pyetjeve për lidhjet me Epstein.
    Në një rast, Wolff sugjeron se Trump duhet “të lihet të fundoset vetë”, ndërsa në një tjetër i ofron Epstein një intervistë që mund të “falimentonte” politikisht Trumpin.
    Wolff ka pranuar publikisht se e ka intervistuar Epstein për librin “Fire and Fury” dhe ka publikuar disa kaseta, raporton BBC.

    Larry Summers
    Ish-sekretari i Thesarit i administratës Clinton rezulton të ketë pasur shkëmbime të rregullta emailesh dhe takime me Epstein. Epstein shpesh përpiqej ta lidhte Summers me figura ndërkombëtare, ndërsa në 2016 Summers i kërkoi të mos merrej me asgjë, që lidhej me Trump.
    Një zëdhënës i Summers ka thënë më herët se ai “u pendua thellë” për kontaktet me Epstein pas dënimit të tij.

    Kathryn Ruemmler
    Emailat e publikuara tregojnë se ish-këshilltarja juridike e Shtëpisë së Bardhë gjatë kohës së Obamës ka diskutuar me Epstein çështjen e pagesave ndaj Stormy Daniels.
    Epstein shkruante se “e njihte mirë anën e errët të Donaldit”, ndërsa komunikimet paraprijnë kohën kur Ruemmler iu bashkua Goldman Sachs. Kompania e ka mbrojtur publikisht, duke thënë se komunikimet ishin private dhe shumë kohë përpara se ajo të bashkohej me bankën.

    Peter Thiel
    Investitori miliarder Peter Thiel është ftuar nga Epstein në 2018, për të vizituar ishullin e tij në Karaibe, një ftesë që Thiel thotë se nuk e ka pranuar kurrë.
    Thiel ka deklaruar se është takuar disa herë me Epstein në vitet 2014–2015, por se nuk e ka pyetur mjaftueshëm për të shkuarën e tij. Ai e ka kritikuar Epsteinin publikisht.

    Noam Chomsky
    Linguisti i njohur Noam Chomsky ka shkëmbyer emaile me Epstein për tema akademike, personale dhe herë pas here politike.
    Në një komunikim të vitit 2016, Chomsky i shkruan Epstein duke komentuar parashikimet e tij mbi sjelljen e Trumpit pas zgjedhjeve. Chomsky ka pranuar se e ka njohur Epstein dhe se ai e kishte ndihmuar vetëm në transferimin e fondeve mes llogarive të tij.

    Peggy Siegal
    Dokumentet tregojnë se Epstein i kërkoi publicistes Peggy Siegal të kontaktonte Ariana Huffington për të hedhur dyshime mbi akuzat e Virginia Giuffre.
    Siegal ka thënë se nuk e ka përçuar kurrë kërkesën, duke e cilësuar atë “qesharake dhe tipike për botën deluzionale të Epsteinit”. Ajo ka deklaruar se Epstein shpesh përpiqej t’i përfshinte njerëzit në skenarët e tij të pakuptimtë.