Presidenti Trump kërkoi një angazhim nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për të mos e sulmuar përsëri Katarin pas sulmit kundër udhëheqësve të Hamasit në Doha, thanë për Axios dy burime me njohuri për çështjen.
Netanyahu nuk u konsultua me Trumpin ose me ndonjë nga këshilltarët e tij kryesorë, derisa raketat u hodhën në ajër. Sulmi zemëroi Shtëpinë e Bardhë dhe alarmoi udhëheqësit në rajon dhe në mbarë botën.
Sulmi ishte dëmtues, jo vetëm për pozicionin global të Izraelit, por potencialisht edhe për atë të Amerikës.
Kryeministri i Katarit i tha Shtëpisë së Bardhë se vendi i tij do të rivlerësojë partneritetin e tij të sigurisë me Uashingtonin, pas këtij akti “tradhtie” dhe tha në një intervistë për CNN se udhëheqësit në të gjithë Gjirin po diskutonin se si të reagonin.
Por Netanyahu nuk kërkon falje publikisht, madje duke sugjeruar se mund të urdhërojë një sulm tjetër, pavarësisht kërkesës së Trump.
Çfarë po thonë ata: Këshilltarët e Trump u tronditën vërtet nga sulmi në Katar, një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe tani vendi i shtatë që Izraeli ka bombarduar që nga 7 tetori 2023.
“Nuk jam i kënaqur me të gjithë situatën. Isha shumë i pakënaqur me çdo aspekt”, u tha Trump gazetarëve të martën në mbrëmje.
Një burim pranë Trump i tha Axios se mënyra se si Netanyahu dhe miku i tij i besuar, Ron Dermer, e trajtuan çështjen “ishte një kujtesë e pakëndshme” e sjelljes, që çoi në fërkime me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë.
Trump zhvilloi dy telefonata me Netanyahun të martën për të diskutuar sulmin në Katar, thanë zyrtarët amerikanë.
Gjatë telefonatës së tyre të parë, Trump shprehu zhgënjim me vendimin e Izraelit dhe habi për atë që supozohej të arrinte ky vendim në planin afatgjatë.
“Është e papranueshme. Kërkoj që të mos e përsërisni”, i tha Trump Netanyahut, sipas dy burimeve me dijeni.
Më pas, Trump i dha informacion emirit dhe kryeministrit të Katarit, të cilët u tërbuan. Një ish-zyrtar amerikan tha se kryeministri Mohammed bin Abdul Rahman al-Thani u tha zyrtarëve amerikanë se ai e sheh atë që ndodhi, si një tradhti nga Izraeli dhe nga SHBA-të.
Al-Thani i tha të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, se pasi u sulmua si nga Irani ashtu edhe nga Izraeli brenda gjashtë muajsh, Katari do të kryejë një vlerësim të thellë të partneritetit të tij të sigurisë me SHBA-në, “dhe ndoshta do të gjejë disa partnerë të tjerë” që mund të mbështesin sigurinë e tij nëse është e nevojshme, tha një burim me njohuri të drejtpërdrejta.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Çfarë po thotë ai: Në një video që publikoi të mërkurën, Netanyahu kundërshtoi dhe la të kuptohej se nuk do të hezitojë të urdhërojë një sulm të dytë ndaj Katarit, nëse udhëheqësit e Hamasit qëndrojnë në vend.
“I them Katarit dhe të gjitha kombeve që strehojnë terroristë, ose i dëboni ose i sillni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni ju, ne do ta bëjmë”, tha ai.
Netanyahu pretendoi se sulmi izraelit ndaj Hamasit në Katar është i ngjashëm me ndjekjen amerikane të al-Kaedës në Afganistan dhe Pakistan pas 11 shtatorit. “Çfarë bëri Amerika pas 11 shtatorit? Ajo premtoi të ndjekë terroristët që kryen këtë krim të shëmtuar, kudo që të jenë. Dje, ne vepruam në këtë drejtim”, tha Netanyahu.
Kthim në të kaluarën: Pavarësisht këtyre deklaratave, Netanyahu i kërkoi Katarit të udhëhiqte përpjekjet e ndërmjetësimit me Hamasin pas sulmeve të 7 tetorit dhe më parë ka lehtësuar pagesat nga Katari për Hamasin për vite me radhë.
Ana tjetër: Kryeministri al-Thani i tha CNN se Netanyahu duhet “të nxirret para drejtësisë” për shkeljen e ligjit ndërkombëtar duke sulmuar Katarin në atë që ai e quajti një akt “terrori shtetëror”.
Ai tha se Katari po diskuton një përgjigje me partnerët në rajon. “I gjithë rajoni i Gjirit është në rrezik.”
Udhëheqësit në Evropë dhe në pjesën më të madhe të botës, e kanë dënuar gjithashtu sulmin izraelit.
Hamasi pretendon se sulmi izraelit ishte një dështim, sepse udhëheqësit e tij kryesorë mbijetuan. Ende nuk është plotësisht e qartë se cilët anëtarë u vranë dhe cilët jo./ Axios.