Të gjithë kemi dëgjuar se një mëngjes i mirë mund të na përgatisë për ditën, por a do të thotë kjo se ky vakt na bën më të shëndetshëm dhe më të dobët – apo është diçka tjetër?
Së bashku me fraza të njohura si “karotat të ndihmojnë të shohësh natën” apo “Babagjyshi nuk sjell lodra për fëmijët e këqij”, një nga shprehjet më të përdorura nga prindërit është: mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Shumë prej nesh rriten duke besuar se mungesa e mëngjesit është një gabim i madh në dietë, edhe pse zakoni i konsumimit të tij ndryshon nga personi në person.
Rreth 75% e amerikanëve hanë mëngjes rregullisht, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar rreth 94% e të rriturve dhe vetëm 77% e adoleshentëve e konsumojnë këtë vakt. Në Zvicër, vetëm dy të tretat e të rriturve hanë mëngjes çdo ditë.
Kur jemi me nxitim, mëngjesi është shpesh gjëja e parë që heqim dorë prej saj. Sa prej nesh hanë mëngjes në këmbë ose sakrifikojnë një tas me drithëra apo një copë bukë për disa minuta më shumë gjumë?
Megjithatë, arsyeja pse mëngjesi është i rëndësishëm qëndron në vetë fjalën – ai ndërpret agjërimin e natës.
“Trupi shpenzon shumë energji gjatë natës për rritje dhe rikuperim,” shpjegon dietologia Sarah Elder. “Një mëngjes i balancuar ndihmon të rrisim energjinë, si edhe të rikthejmë proteinat dhe kalciumin e përdorur gjatë natës.”
A ndihmon mëngjesi në rënien nga pesha?
Aspekti më i studiuar i mëngjesit ka qenë lidhja e tij me obezitetin. Në një studim amerikan me 50,000 pjesëmarrës për 7 vjet, u gjet se ata që hanin mëngjesin si vaktin kryesor kishin indeks më të ulët të masës trupore (BMI) sesa ata që hanin më shumë gjatë drekës apo darkës.
Por a ishte mëngjesi shkaku i drejtpërdrejtë, apo ata që e shmangnin ishin më të prirur për mbipeshë që në fillim?
Në një studim me 52 gra obezë, të ndara në dy grupe me të njëjtin numër kalorish ditore – njëra grup hante mëngjes, tjetra jo – u pa se nuk ishte mëngjesi ai që ndikonte te humbja në peshë, por ndryshimi i zakonit. Gratë që zakonisht hanin mëngjes humbën më shumë peshë kur e lanë, ndërsa ato që zakonisht e shmangnin, humbën më shumë kur filluan ta hanin.
Pra, mëngjesi në vetvete nuk është garanci për dobësim. Atëherë pse lidhet me mbipeshën?
Një teori është se ata që hanë mëngjes kanë më shumë vetëdije për shëndetin dhe ndjekin sjellje të shëndetshme si aktiviteti fizik apo shmangia e duhanit. Një rishikim i vitit 2020 i 45 studimeve tregoi se shmangia e mëngjesit lidhej me rritje të rrezikut për obezitet, veçanërisht te fëmijët.
A ka rëndësi kur e hamë mëngjesin?
Agjërimi periodik, që përfshin kalimin pa ushqim nga darka deri pasdite, po bëhet gjithnjë e më popullor. Një studim tregoi se kur të gjitha kaloritë konsumoheshin nga ora 9 e mëngjesit deri në 3 pasdite, përmirësohej ndjeshëm kontrolli i sheqerit në gjak dhe ndjeshmëria ndaj insulinës, në krahasim me ngrënien brenda një harku 12-orësh.
Sidoqoftë, disa akademikë e kanë quajtur mëngjesin “të rrezikshëm”, duke pretenduar se ngrënia në mëngjes rrit kortizolin, i cili mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës. Por profesor Fredrik Karpe nga Universiteti i Oksfordit thotë se kjo është pjesë normale e ritmit cirkadian dhe mëngjesi është kyç për të aktivizuar metabolizmin.
Një studim tjetër tregoi se mosngrënia e mëngjesit çrregullonte ritmin biologjik dhe shkaktonte rritje të sheqerit në gjak gjatë ngrënieve të mëvonshme. Pra, mëngjesi ndihmon trupin të mbajë ritmin e brendshëm.
Një studim i vitit 2023 në Japoni tregoi se shmangia e mëngjesit lidhej me rritje të rasteve të para-diabetit, sidomos te personat mbipeshë.









