Situata në qarkun e Fierit paraqitet kritike, pasi prurjet e shtuara të lumit Vjosë kanë bërë që ai të kalojë nivelin e rrezikshmërisë. Gazetari i Syri TV, Xhemil Brahaj, ka raportuar se lumi ka dalë nga shtrati i tij, por për momentin uji po mbahet brenda argjinaturës. Megjithatë, frika dhe paniku tek banorët e zonave përreth është i madh, teksa çdo rritje e mëtejshme e prurjeve rrezikon të shkaktojë një katastrofë.
Sipas raportimeve nga terreni, kuota kritike prej 8 metrash tashmë është tejkaluar, duke arritur në nivele 8.2-8.3 metra. Edhe pse argjinaturat janë lartësuar gjatë dy viteve të fundit, rezistenca e tyre vihet në provë përballë forcës së ujit. Për të mos përhapur panik në popullatë, autoritetet nuk e kanë shpallur gjendjen e emergjencës, por faktikisht pika kritike është kaluar dhe rreziku për çarjen e digave është tejet real.
Dhjetëra fshatra, përfshirë Ferrasin, Cervenin, Kashishtin, Boçovën dhe Darzezën, janë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të përmbytjeve. Banorët, të tmerruar nga përvojat e kaluara, kanë dalë vetë në terren dhe po qëndrojnë roje gjatë gjithë natës pranë kanaleve dhe rrugëve, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur banesat dhe pronat e tyre. Përveç rrezikut për jetën, një përmbytje e mundshme do të shkaktonte dëme të pallogaritshme ekonomike, duke mbytur toka bujqësore, stalla me bagëti dhe shpendë.
Ndërkohë që përballen me furinë e natyrës, banorët shprehin edhe zemërimin e thellë ndaj keqqeverisjes dhe abuzimit me fondet publike. Gjatë një inspektimi në zonë nga deputeti i Partisë Demokratike, ata denoncuan se fondet e akorduara për ndërtimin e argjinaturave nuk kanë shkuar në destinacion. Sipas tyre, mbrojtëset anësore janë ndërtuar me dhè dhe jo me gurë siç ishte parashikuar, duke i bërë ato të paqëndrueshme.
“Ku vajtën 2 milionë eurot e argjinaturës? U hodhën vetëm 100 milionë lekë,” shprehet një prej banorëve, duke ngritur akuza të rënda për korrupsion. Ata pohojnë se nuk kanë marrë asnjëherë dëmshpërblim për përmbytjet e mëparshme dhe se ndihen të braktisur. Në këtë situatë tensioni, banorët e Fierit po luftojnë në dy fronte: kundër ujërave të Vjosës dhe kundër indiferencës së shtetit.
Xhemil Beharaj: Priten edhe ardhjet e të tjera pasi ka rritje të nivelit, të thanë dhe banorët dhe punonjësit e shtabit të emergjencave civile. Për momentin, shtrati i lumit Vjosë ka dalë dhe është brenda argjinaturës, por frika ekziston se nëse shtohen prurjet e Vjosës mund të ketë…
Atëherë, duke iu referuar shifrave dhe bisedave që kemi patur me drejtues të bashkisë, të bordit të kullimit, me inxhiniera që janë të fushës, kuota ka qenë deri në 8 metër.
Për shkak se dy vitet e fundit pushteti lokal ka punuar dhe i ka ngritur argjinaturat, i ka mbathur ato për t’i bërë më të sigurta. Por kjo është ajo kuota, domethënë që e ka kaluar kuotën në 8.2, 8.3 metra. Domethënë është ajo garancia që këta e ruajnë, por nuk e japin si të përdorshme. Pra e ka kaluar kuotën 8 metra. Dhe për mos të dhënë panik në popull, nuk e thonë që është në pikën kritike. Ajo e ka kaluar dhe pikën kritike të 8 metrave.
Frika është se në qoftë se nga prurjet dhe çahen digat, pra mbrojtëset e argjinaturës, atëherë pastaj uji vërshon tek banorët të cilët çdo ditë rrinë në kontakt me… janë disa fshatra. Është Ferrasi, është Cerveni, është Kashishti.
Po ka stalla me bagëti, ka stalla me, me pula, ka stalla me të imta, ka stalla me gjeth. Dhe nuk është vetëm kjo. Tashmë në këmbë dhe roje të, të kanaleve dhe të rrugëve po rrinë edhe banorët e Boçovës. Përmbyten dhe tokat e Darzezës siç ndodhi katër-pesë vite më parë, ku ja vdesin bagëti atje. Pra edhe tek ata ka vajtur frika dhe po rrinë roje gjithë natën. Ata na marrin ne për informacionet e fundit dhe ne marrim ata për të marrë vesh se çfarë është situata. Pra situata ka vajtur në pikë kritike. Vetëm varet tani nëse do të ketë prurje nga zonat që janë.