Pamje nga radhët
TIRANË- Turistët dhe emigrantët që kthehen për të kaluar pushimet në Shqipëri kanë shkaktuar si gjithmonë fluks në disa pika kufitare të vendit. Situata duket më e ngarkuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë. Sipas të dhënave, pala shqiptare po punon me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje. Gjithashtu, për të shmangur pritjet e gjata, po punohet me procedurë të përshpejtuar. Nga ana tjetër, pala greke ka hapur 4 sportele në dalje por numri i madh i emigrantëve shqiptarë që vijnë për pushime në atdhe, ka bërë që të krijohet fluks në këtë doganë.
Problematike është edhe gjendja në doganën e Qafë Thanës, ku gjithashtu është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh në të dyja anët e kufirit. Nga të dhënat që janë mbledhur, në Kapshticë, gjatë ditës së djeshme kanë hyrë 6 242 shtetas, ndërsa kanë dalë 3 557 të tjerë.
Ndërkohë, në Qafë Thanë janë regjistruar 5 248 hyrje dhe 5 073 dalje.
Fluksi nuk mungon as në Kakavijë. Nga nga data 1–8 gusht në Kakavije rezultojnë 83 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë e kanë dalë nga territori shqiptar, si dhe rreth 25 mijë mjete në hyrje-daljet e Shqipërisë. Pala shqiptare punon me 7 sportele, 4 në hyrje dhe 3 në dalje. Gjithashtu edhe pala greke punon me numër të shtuar sportelesh.
Teksa me rastin e pushimeve qytetarët lëvizin sa nga një vend në tjetrin, autoritetet kufitare u bëjnë apel udhëtarëve që të planifikojnë udhëtimet e tyre për të shmangur vonesat dhe pritjen në oraret e pikut, duke marrë parasysh edhe temperaturat e larta.
Por fluks ka edhe nga deti! Mëngjesin e sotëm në Portin e Vlorës kanë mbërritur 1,019 pasagjerë dhe 267 automjete me tragetin e linjës Brindisi–Vlorë. Megjithatë, parashikohet se fluksi më i madh i udhëtarëve pritet gjatë javës së dytë të muajit gusht, kur pritet të rritet ndjeshëm numri i hyrjeve në vend./ZËRI






