15-vjeçari-banesa e familjes boba
DURRËS- Vrasja e 15-vjeçarit Erion Boba nga bashkëmoshatari i tij në Durrës ka tronditur opinionin publik. I mituri është qëlluar me thikë, duke i shkaktuar atij plagë të rënda dhe prej gati 10 ditësh trajtohet në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, megjithëse nuk ia doli të mbijetonte.
Fillimisht i mituri është dërguar në spitalin e Durrësit, ku sipas familjarëve, janë përballur me kushte të rënda. Ata kanë zbuluar detaje tronditëse, teksa thonë se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale së cilës i është nënshtruar 15-vjeçari, është ndërprerë energjia elektrike. Në kushte të tilla, stafi mjekësor është detyruar të ndërpresë operacionin dhe të kërkojë transport urgjent drejt Tiranës. Sipas tyre, situata ishe kaotike. Familjarët kërkojnë hetim për neglizhencë dhe mungesë të kushteve bazë, duke akuzuar institucionet për ‘heshtje dhe mbulim të së vërtetës’. Sipas tyre, gjendja dhe kushtet e spitalin kanë ndikuar rëndë në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje”, është shprehur një familjarë i të miturit.
Gjithashtu, halla e 15-vjeçari ka konfirmuar kushtet fatale në spitalin e Durrësit, ku nuk kishte as ashensor për emergjencat. Sipas saj, për 5 ditë askush nuk u afrua për të ndihmuar.
“Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media, të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat”, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim për JOQ.
Nga ana tjetër, ka reaguar Spitali i Durrësit, duke sqaruar publikun mbi pretendimet e familjarëve. Spitali bën me dije se në sallë nuk ka pasur ndërprerje energjie, duke shtuar se sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
DEKLARATË PËR SHTYP
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
Erion Boba, vetëm 15 vjeç, u godit me thikë nga një bashkëmoshatar gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, një prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Jo më larg se dy ditë më parë, familja e Erion iu bëri thirrje shqiptarëve për ndihmë, pasi shpresat te shteti shqiptar duket se u shuan. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.
Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur./ZËRI